Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

New Testament in a Year

Read the New Testament from start to finish, from Matthew to Revelation.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Luka 11:1-28

11 Dhe ndodhi që ai ndodhej në një vend dhe lutej dhe, si mbaroi, një nga dishepujt e tij i tha: “Zot, na mëso të lutemi, ashtu siç i mësoi Gjoni dishepujt e vet.”

Dhe ai u tha: “Kur të luteni, thoni: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt si në qiell edhe në tokë.

Na jep çdo ditë bukën tonë të nevojshme.

Dhe na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë; dhe mos lejo të biem në tundim, por na shpëto nga i ligu".”

Pastaj u tha atyre: “A ka midis jush njeri që ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: "Mik, më jep hua tri bukë,

sepse më erdhi nga udha një miku im dhe unë s’kam çfarë t’i vë përpara";

dhe ai, nga brenda, duke u përgjigjur, i tha: "Mos më bezdis, dera është tashmë e mbyllur dhe fëmijët e mi ranë në shtrat me mua; nuk mund të çohem e të t’i jap"?

Unë po ju them se, edhe nëse nuk çohet t’ia japë sepse e ka mik, do të çohet gjithsesi për shkak të insistimit të tij dhe do t’i japë të gjitha bukët që i nevojiten.

Prandaj po ju them: Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju hapet.

10 Sepse kushdo që lyp, merr, kush kërkon, gjen dhe do t’i hapet atij që troket.

11 Dhe cili nga ju është baba i tillë që, po t’i kërkojë bukë djali, i jep një gur? Ose po t’i kërkojë një peshk, në vend të peshkut i jep një gjarpër?

12 Ose, po t’i kërkojë një vezë, i jep një akrep?

13 Nëse ju, pra, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj qiellor do t’u dhurojë Frymën e Shenjtë atyre që ia kërkojnë.”

14 Dhe Jezusi po dëbonte një demon që ishte memec; dhe ndodhi që, kur demoni doli, memeci foli dhe turmat u mrekulluan.

15 Por disa nga ata thanë: “Ai i dëbon demonët nëpërmjet Beelzebubit, princit të demonëve.”

16 Kurse disa nga ata, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë nga qielli.

17 Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha atyre: “Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete shkatërrohet, dhe çdo shtëpi e përçarë në vetvete rrëzohet.

18 Po të jetë, pra, edhe Satanai i përçarë në vetvete, si do të mund të qëndrojë mbretëria e tij? Sepse ju thoni se unë i dëboj demonët nëpërmjet Beelzebubit.

19 Por, nëse unë i dëbokam demonët nëpërmjet Beelzebubit, nëpërmjet kujt i dëbojnë ata bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.

20 Por në se unë i dëboj demonët me gishtin e Perëndisë, mbretëria e Perëndisë, pra ka arritur deri te ju.

21 Kur burri i fortë, i armatosur mirë, e ruan shtëpinë e vet, pasuria e tij është në paqe.

22 Por në qoftë se vjen një më i fortë se ai dhe e mund atë, ia merr armët në të cilat kishte shpresë dhe i ndan plaçkat e tij.

23 Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan.

24 Kur fryma e ndyrë del nga një njeri, endet në vende të shkreta, duke kërkuar pushim, dhe duke mos e gjetur dot, thotë: "Do të kthehem në shtëpinë time nga dola".

25 Dhe, kur kthehet, e gjen të fshirë e të zbukuruar,

26 atëherë shkon e merr me vete shtatë frymëra të tjerë më të këqij se ai, dha ata hyjnë aty dhe banojnë aty; dhe gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e para.”

27 Ndodhi që, ndërsa ai po thoshte këto gjëra, një grua nga turma e çoi zërin e saj dhe i tha: “Lum barku që të barti dhe gjinjtë që të mëndën.”

28 Por ai u tha: “Me tepër lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë.”