Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

New Testament in a Year

Read the New Testament from start to finish, from Matthew to Revelation.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Luka 12:32-59

32 Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë.

33 Shitni pasurinë tuaj dhe jepni lëmoshë! Bëni për vete trasta që nuk vjetrohen, një thesar të pashtershëm në qiejt, ku vjedhësi nuk arrin dhe tenja nuk bren.

34 Sepse atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.”

35 Le të jenë ngjeshur ijët tuaja, dhe llambat ndezur.

36 Ngjajini atyre që presin zotërinë e tyre, kur kthehet nga dasma, për t’ia hapur derën sapo të vijë dhe të trokasë.

37 Lum ata shërbëtorë, që zotëria, kur të kthehet, do t’i gjejë zgjuar! Në të vërtetë po ju them se ai vetë do të ngjeshet dhe do t’i vendosë ata në tryezë, dhe ai vetë do t’u shërbejë.

38 Dhe, në se do të vijë në të dytën a në të tretën rojë të natës dhe t’i gjejë kështu, lum ata shërbëtorë.

39 Por ta dini këtë: se po ta dinte i zoti i shtëpisë në cilën orë i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të linte t’i shpërthenin shtëpinë.

40 Edhe ju pra, jini gati, sepse Biri i njriut do të vijë në atë orë që nuk e mendoni.”

41 Dhe Pjetri i tha: “Zot, këtë shëmbëlltyrë po e thua vetëm për ne apo për të gjithë?.”

42 Dhe Zoti tha: “Kush është, pra, ai administrues besnik dhe i mençur, që do ta verë zotëria përmbi shërbëtorët e vet për t’u dhënë atyre racionin e ushqimeve në kohën e duhur?

43 Lum ai shërbëtor të cilin zotëria e tij, kur kthehet, e gjen se vepron kështu.

44 Në të vërtetë po ju them se ai do ta vërë mbi gjithë pasurinë e vet.

45 Por, nëse ai shërbëtor mendon në zemër të vet: "Zotëria im vonon të kthehet" dhe fillon t’i rrahë shërbëtorët dhe shërbëtoret, të hajë, të pijë dhe të dehet,

46 zotëria e atij shërbëtori do të vijë ditën kur nuk e pret, dhe në orën që ai nuk e di; do ta ndëshkojë rëndë dhe do t’i caktojë fatin me të pabesët.

47 Shërbëtori që e dinte vullnetin e zotërisë së tij dhe nuk u bë gati e nuk e kreu vullnetin e tij, do të rrihet shumë.

48 Por ai që nuk e dinte, po të bëjë gjëra që meritojnë të rrahura, do të rrihet më pak. Kujt iu dha shumë, do t’i kërkohet shumë; dhe kujt iu besua shumë, do t’i kërkohet më shumë.”

49 “Unë erdha të hedh zjarr mbi tokë dhe sa dëshiroj që ai të ishte tashmë i ndezur.

50 Tani unë kam një pagëzim me të cilën duhet të pagëzohem dhe jam në ankth deri sa të kryhet.

51 A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por më shumë përçarjen;

52 sepse, tash e tutje, pesë veta në një shtëpi do të jenë të ndarë: tre kundër dyve dhe dy kundër treve.

53 Babai do të ndahet kundër të birit, dhe i biri kundër babait; nëna kundër së bijës dhe e bija kundër nënës; vjehrra kundër nuses së saj dhe nusja kundër vjehrrës së vet.”

54 Atëherë ai u tha akoma turmave: “Kur ju shihni një re që ngrihet nga perëndimi menjëherë thoni: "Do të vijë shiu," dhe ashtu ndodh;

55 përkundrazi, kur fryn juga, ju thoni: "Do të bëjë vapë," dhe ashtu ndodh.

56 Hipokritë! Ju dini të dalloni dukurinë e qiellit dhe të tokës, por vallë si nuk dini ta dalloni këtë kohë?

57 Dhe përse nuk gjykoni nga vetë ju ç’është e drejtë?

58 Kur ti shkon bashkë me kundërshtarin tënd te gjykatësi, bëj ç’është e mundur gjatë rrugës që të merresh vesh me të, që ai mos të të nxjerrë përpara gjykatësit dhe gjykatësi të të dorëzojë te roja dhe roja të të futë në burg.

59 Unë po të them se ti nuk do të dalësh prej andej, derisa të mos kesh paguar deri në qindarkën e fundit.”