New Testament in a Year
9 Pastaj, mbasi i thirri bashkë të dymbëdhjetë dishepujt e vet, u dha atyre pushtet dhe autoritet mbi të gjithë demonët dhe të shërojnë sëmundjet.
2 Dhe i nisi të predikojnë mbretërinë e Perëndisë dhe të shërojnë të sëmurët.
3 Dhe u tha atyre: “Mos merrni asgjë për rrugë: as shkop, as trastë, as bukë, as para dhe asnjë prej jush të mos ketë dy tunika me vete.
4 Në atë shtëpi ku të hyni, aty rrini deri sa të largoheni.
5 Nëse disa nuk ju pranojnë, duke dalë prej atij qyteti, shkundni edhe pluhurin nga këmbët tuaja, si dëshmi kundër tyre.”
6 Atëherë ata u nisën dhe përshkuan fshatrat duke përhapur ungjillin dhe duke shëruar kudo.
7 Herodi, tetrarku, kishte dëgjuar për të gjitha gjërat që kishte kryer Jezusi dhe ishte në mëdyshje, sepse disa thoshin se Gjoni ishte ringjallur së vdekuri,
8 të tjerë se ishte shfaqur Elia, e disa të tjerë se ishte ringjallur një nga profetët e lashtë.
9 Por Herodi tha: “Gjonit unë ia kam prerë kokën; kush do të jetë ky, për të cilin po dëgjoj të thuhen të tilla gjëra?.” Dhe kërkonte ta shihte.
10 Kur u kthyen apostujt, i treguan Jezusit të gjitha gjërat që kishin bërë. Atëherë ai i mori me vete dhe u tërhoq mënjanë, në një vend të shkretë të një qyteti, që quhej Betsaida.
11 Po, kur turmat e morën vesh, i ndiqnin; dhe ai i mirëpriti dhe u fliste për mbretërinë e Perëndisë, dhe shëronte ata që kishin nevojë për shërim.
12 Tani kur dita filloi të mbarojë, të dymbëdhjetët iu afruan dhe i thanë: “Nise turmën, që të shkojë nëpër fshatra e nëpër fushat përreth, që të gjejë strehë dhe ushqim, sepse këtu jemi në një vend të shkretë.”
13 Por ai u tha atyre: “U jepni ju të hanë.” Ata u përgjigjen: “Ne nuk kemi tjetër veç se pesë bukë e dy peshq; vetëm nëse shkojmë vetë të blejmë ushqim për gjithë këta njerëz.”
14 Ishin, pra, rreth pesë mijë burra. Por ai u tha dishepujve të vet: “I vini të ulen në grupe nga pesëdhjetë.”
15 Ata vepruan në këtë mënyrë dhe i ulën të gjithë.
16 Atëherë ai i mori të pesë bukët dhe të dy peshqit dhe, pasi i ngriti sytë drejt qiellit, i bekoi, i ndau dhe ua dha dishepujve të vet që t’ia shpërndajnë turmës.
17 Dhe të gjithë hëngrën e u ngopën; nga copat që tepruan mblodhën dymbëdhjetë shporta.