M’Cheyne Bible Reading Plan
20 Zoti do të dërgojë kundër teje mallkimin, rrëmujën dhe mosmiratimin për çdo gjë mbi të cilën do të vësh dorë dhe që do të bësh, deri sa ti të shkatërrohesh dhe të vdesësh shpejt, për shkak të ligësisë së veprimeve të tua në të cilat më ke braktisur.
21 Zoti do të bëjë që të të zërë murtaja, deri sa të konsumohesh prej saj në vendin ku je duke hyrë për ta pushtuar.
22 Zoti do të godasë me ligështim, me ethe, me mahisje, me vapë djegëse, me shpatë, me plasje dhe vrug, që do të ndjekin deri në shkatërrimin tënd.
23 Qielli mbi kokën tënde do të jetë prej bakri dhe toka poshtë teje do të jetë prej hekuri.
24 Zoti do ta kthejë shiun e vendit tënd në rërë dhe pluhur, që do të bien mbi ty deri sa të shkatërrohesh.
25 Zoti do të të braktisë në disfatë dhe në masakër para armiqve të tu; do të dalësh kundër tyre nga një rrugë dhe do të largohesh prej tyre duke ua mbathur nëpër shtatë rrugë; dhe kështu do të bëhesh një objekt urrejtjeje nga ana e të gjitha mbretërive të dheut.
26 Kufomat e tua do t’u shërbejnë si ushqim tërë zogjve të qiellit dhe kafshëve të tokës, dhe askush nuk ka për t’i përzënë.
27 Zoti do të të godasë me ulcerën e Egjiptit, me hemorroidet, me zgjeben dhe me qerren, sëmundje nga të cilat nuk do të mund të shërohesh.
28 Zoti do të të godasë me marrëzinë, me verbërinë dhe me shushatjen e zemrës;
29 dhe do të ecësh me tahmin në mes të ditës, ashtu si ecën i verbëri në errësirë; nuk do të kesh mbarësi në rrugët e tua, por do të jesh vetëm i shtypur dhe i zhveshur vazhdimisht pa pasur ndihmën e askujt.
30 Do të fejohesh me një femër, por një burrë tjetër do të bjerë në shtrat me të; do të ndërtosh një shtëpi, por nuk do të banosh në të; do të mbjellësh një vresht, por nuk do të mbledhësh rrushin e tij.
31 Kau yt do të vritet para syve të tu, por ti nuk do të hash mishin e tij; gomarin tënd do të ta marrin në praninë tënde dhe nuk do të ta kthejnë; delet e tua do t’ua japin armiqve të tu dhe askush nuk do të të ndihmojë.
32 Bijtë e tu dhe bijat e tua do t’i jepen një populli tjetër; sytë e tu do të shikojnë dhe do të përgjerohen tërë ditën nga dëshira për t’i parë, dhe dora jote do të jetë pa fuqi.
33 Një popull që ti nuk e ke njohur, do të hajë frytin e tokës sate dhe të gjithë mundit tënd, dhe pa tjetër do të jesh i shtypur dhe i dërmuar vazhdimisht.
34 Do të çmëndesh para pamjes që do të shohin sytë e tu.
35 Zoti do të të godasë në gjunjët dhe në kofshët me një ulcer të keqe, nga e cila nuk do të mund të shërohesh, nga tabani i këmbëve deri në majë të kokës.
36 Zoti do të të çojë ty dhe mbretin tënd, që e ke vënë mbi ty, në një komb që as ti, as etërit e tu, nuk e keni njohur; dhe atje do t’u shërbeni perëndive të tjera prej druri dhe prej guri;
37 dhe do të bëhesh objekt habie, proverbi dhe talljeje në mes tërë popujve pranë të cilëve do të të çojë Zoti.
38 Do të çosh shumë farë në arë por do të korrësh pak, sepse karkaleci do ta gllabërojë.
39 Do të mbjellësh vreshta, do t’i punosh, por nuk do të pish verë as do të mbledhësh rrush, sepse krimbi do t’i hajë.
40 Do të kesh ullinj në të gjithë territorin tënd, por nuk do të lyesh me vaj, sepse ullinjtë e tu do të bien.
41 Do të të lindin bij dhe bija, por nuk do të jenë të tutë, sepse do të shkojnë në skllavëri.
42 Tërë pemët e tua dhe frytet e tokës sate do të jenë pre nga karkalecit.
43 I huaji që ndodhet në mes teje do të ngrihet gjithnjë e më lart mbi ty dhe ti do të biesh gjithnjë e më poshtë.
44 Ai do të të japë hua, por ti nuk do t’i japësh hua atij; ai do të jetë koka dhe ti bishti.
45 Të gjitha këto mallkime do të bien mbi ty, do të të ndjekin dhe do të të zënë deri sa të shkatërrohesh, sepse nuk iu binde zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke respektuar urdhërimet dhe statutet që ai të ka urdhëruar.
46 Ato do të jenë si një shenjë dhe si një mrekulli për ty dhe pasardhësit e tu, për gjithnjë.
47 Sepse nuk i ke shërbyer Zotit, Perëndisë tënd, me gëzim dhe hare në zemër për bollëkun në çdo gjë,
48 do t’u shërbesh armiqve të tu që Zoti do të dërgojë kundr teje, në një gjendje urije, etjeje, lakuriqësie dhe mungese të çdo gjëje; dhe ai do të vërë një zgjedhë të hekurt rreth qafës sate deri sa të të shkatërrojë.
49 Zoti do të sjellë kundër teje nga larg, nga skajet e dheut, një komb të shpejtë, si shqiponja që fluturon, një komb gjuhën e të cilit ti nuk do ta kuptosh,
50 një komb me një pamje të egër që nuk do të respektojë plakun dhe nuk do të ketë mëshirë për të voglin,
51 dhe do të hajë frytin e bagëtisë sate dhe prodhimin e tokës sate, deri sa të shkatërrohesh; dhe nuk do të lërë as grurë, as musht, as vaj as pjelljet e lopëve të tua ose pjelljet e deleve të tua, deri sa të të ketë shkatërruar.
52 Dhe do të rrethojë në të gjitha qytetet e tua, deri sa të rrëzohen në të gjithë vendin muret e larta dhe të fortifikuara te të cilat kishte besim. Do të të rrethojë në të gjitha qytetet e tua, në të gjithë vendin që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë.
53 Përveç kësaj gjatë rrethimit dhe në fatkeqësinë në të cilën do të të katandisë armiku yt, do të hash frytin e barkut tënd, mishin e bijve dhe të bijave të tua, që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë.
54 Njeriu më zemërbutë dhe më delikat do të ketë një zemër kaq keqdashëse ndaj vëllait të tij, ndaj gruas që pushon mbi kraharorin e tij e ndaj fëmijëve që ka akoma,
55 sa të mos i japë asnjerit prej tyre mishin e bijve të tij, që ai do të hajë për vete, sepse nuk do t’i mbetet asgjë gjatë rrethimit dhe në mjerimin në të cilin do ta katandisin armiqtë e tu në të gjitha qytetet e tua.
56 Gruaja më zemërbutë dhe delikate midis jush, që për delikatesën dhe elegancën e saj do të kishte guxuar të vendoste tabanin e këmbës në tokë, do të ketë një zemër keqbërëse ndaj burrit që pushon mbi gjirin e saj, ndaj djalit dhe vajzës së saj,
57 ndaj placentës që del nga barku i saj dhe ndaj fëmijëve që lind, sepse ajo do t’i hajë fshehurazi, për shkak se çdo gjë mungon gjatë rrethimit dhe për shkak të mjerimit të madh që do të pësosh nga armiqtë e tu në të gjitha qytetet e tua.
58 Po të mos kesh kujdes të zbatosh në praktikë të gjitha fjalët e këtij ligji, që janë shkruar në këtë libër, duke pasur frikë nga ky emër i lavdishëm dhe i tmerrshëm, Zoti, Perëndia yt,
59 atëherë Zoti do të lëshojë mbi ty dhe mbi pasardhësit e tu mjerime të papërshkrueshme, të mëdha dhe të zgjatura, si dhe sëmundje të këqija dhe të qëndrueshme;
60 përveç kësaj do të kthejë mbi ty të gjitha sëmundjet e Egjiptit, nga të cilat kishe frikë, dhe ato do të të ngjiten.
61 Edhe të gjitha sëmundjet dhe tërë fatkeqësitë e pashkruara në librin e këtij ligji, Zoti do t’i sjellë mbi ty, deri sa të shkatërrohesh.
62 Kështu do të mbeteni pak, mbasi keni qenë shumë si yjet e qiellit, sepse nuk i je bindur zërit të Zotit, Perëndisë tënd.
63 Dhe do të ndodhë që, ashtu si Zoti ndjente kënaqësi t’ju bënte të mirë dhe t’ju shumëzonte, po kështu Zoti do të ndjejë kënaqësi duke ju zhdukur dhe shkatërruar; dhe do t’ju rrëmbejnë nga vendi ku po hyni për ta pushtuar.
64 Zoti do të të shpërndajë midis tërë popujve, nga njeri skaj i tokës në tjetrin; dhe atje ti do t’u shërbesh perëndive të tjera, që as ti as etërit e tu nuk i keni njohur kurrë, perëndi prej druri dhe prej guri.
65 Dhe midis atyre kombeve nuk do të gjesh prehje dhe vend ku të pushojnë tabanët e këmbëve të tua; aty Zoti do të të japë një zemër të drithëruar, sy përgjërues dhe ankth në shpirt.
66 Jeta jote do të qëndrojë përpara pezull në pasiguri; do të dridhesh natën dhe ditën dhe nuk do të kesh asnjë siguri për qenien tënde.
67 Në mëngjes do të thuash: "Ah, të ishte mbrëmje!," dhe në mbrëmje do të thuash: "Ah, të ishte mëngjes!," për shkak të llahtarës që do të mbushë zemrën tënde dhe të pamjes që do të shohin sytë e tu.
68 Dhe Zoti do të të kthejë në Egjipt me anije, nëpër rrugën që të pata thënë: "Nuk do ta shohësh më kurrë!". Dhe aty do t’ju ofrojnë armiqve tuaj për t’ju shitur si skllevër dhe si skllave, por askush nuk do t’ju blejë".
25 Unë bie përmbys në pluhur; më ringjall sipas fjalës sate.
26 Të kam treguar rrugët e mia, dhe ti më je përgjigjur; më mëso statutet e tua.
27 Më bëj që të kuptoj rrugën e urdhërimeve të tua, dhe unë do të mendohem thellë mbi mrekullitë e tua.
28 Jeta ime tretet në dhimbje; më jep forcë sipas fjalës sate.
29 Mbamë larg nga gënjeshtra dhe, në hirin tënd, bëmë të njohur ligjin tënd.
30 Kam zgjedhur rrugën e besnikërisë; i kam vënë dekretet e tua para vetes.
31 Jam i lidhur me porositë e tua; o Zot, mos lejo që unë të hutohem.
32 Do të veproj në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse ti do të më zgjerosh zemrën.
33 Më mëso, o Zot, rrugën e statuteve të tu dhe unë do ta ndjek deri në fund.
34 Më jep mënçuri dhe unë do ta ruaj ligjin tënd; po, do ta respektoj me gjithë zemër.
35 Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time.
36 Përkule zemrën time parimeve të tua dhe jo lakmisë.
37 Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e tua.
38 Mbaje fjalën tënde shërbëtorit tënd, që ka frikë nga ty.
39 Largo nga unë fyerjet e rënda, që më trëmbin, sepse dekretet e tua janë të mira.
40 Ja, unë dëshiroj me zjarr urdhërimet e tua; gjallëromë në drejtësinë tënde.
41 Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate.
42 Kështu do të mund t’i përgjigjem atij që më fyen, sepse kam besim te fjala jote.
43 Mos hiq plotësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse unë kam shpresë te dekretet e tua.
44 Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë.
45 Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua.
46 Do të flas për porositë e tua para mbretërve dhe nuk do të turpërohem.
47 Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua.
48 Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua.
55 "O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat, dhe ju që nuk keni para ejani, blini dhe hani! Ejani, blini pa para dhe pa paguar verë dhe qumësht!
2 Pse shpenzoni para për atë që nuk është bukë dhe fryt i mundit tuaj, për atë që nuk të ngop? Dëgjomëni me kujdes dhe do të hani atë që është e mirë, dhe shpirti juaj do të shijojë ushqime të shijshme.
3 Vini veshin dhe ejani tek unë, dëgjoni dhe shpirti juaj do të jetojë; dhe unë do të bëj me ju një besëlidhje të përjetshme, sipas hirit të qëndrueshëm që i premtova Davidit.
4 Ja, unë ia dhashë si dëshmitar popujve, si princ dhe komandant të popujve.
5 Ja, ti do të thërrasësh një komb që nuk e njeh, dhe një komb që nuk të njeh do të vrapojë te ti, për shkak të Zotit, Perëndisë tënd, dhe të Shenjtit të Izraelit, sepse ai të ka përlëvduar".
6 Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër.
7 I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, tek Perëndia ynë që fal bujarisht.
8 "Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia," thotë Zoti.
9 "Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja.
10 Ashtu si shiu dhe bora zbresin nga qielli dhe nuk kthehen prapa pa vaditur tokën, pa e bërë pjellore, pa bërë që të mbij në mënyrë që ai që do të mbjellëtë marrë farën dhe të sigurojë bukën për të ngrënë,
11 Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.
12 Sepse ju do të niseni me gëzim dhe do t’ju kthejnë në paqe. Malet dhe kodrat do të shpërthejnë në britma gëzimi përpara jush dhe tërë drurët e fushave do të duartrokasin.
13 Në vend të ferrave do të rritet selvia, në vend të hithrave do të rritet mersina; kjo do të jetë për Zotin një titull lavdie, një shenjë e përjetshme që nuk do të shkatërrohet".
3 Tani në ato ditë erdhi Gjon Pagëzori, që predikonte në shkretëtirën e Judesë,
2 dhe thoshte: “Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!”
3 Dhe në fakt për Gjonin kishte folur profeti Isaia kur tha: “Një zë i atij që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij".”
4 Tani Gjoni vet kishte veshur një rrobë prej leshi të devesë dhe një brez prej lëkure në bel; ai ushqehej me karkaleca dhe mjaltë të egër.
5 Në atë kohë njerëzit e Jeruzalemit, nga gjithë Judeja dhe nga krahina e Jordanit rendnin tek ai,
6 dhe pagëzoheshin nga ai, në Jordan duke rrëfyer mëkatet e tyre.
7 Por ai, kur pa se shumë farisenj dhe saducenj po vinin për t’u pagëzuar tek ai, u tha atyre: “Pjellë nepërkash, kush ju ka mësuar t’i arratiseni zemërimit që po vjen?
8 Jepni pra fryte të denja të pendesës!
9 Dhe mos t’ju shkojë mendja të thoni me vete: "Ne kemi Abrahamin për atë"; sepse unë po ju them se Perëndia mund të nxjerrë bij të Abrahamit edhe prej këtyre gurëve.
10 Dhe tashmë sëpata është në rrënjën e drurëve; çdo dru, pra, që nuk jep fryt të mirë, do të pritet dhe do të hidhet në zjarr.
11 Unë po ju pagëzoj me ujë, për pendim; por ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as të mbaj sandalet e tij; ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin.
12 Ai mban në dorë terploten dhe do ta pastrojë plotësisht lëmin e tij; grurin e tij do ta mbledhë në hambar, por bykun do ta djegë me zjarr të pashueshëm.”
13 Atëherë erdhi Jezusi nga Galileja në Jordan te Gjoni për t’u pagëzuar prej tij.
14 Por Gjoni e kundërshtoi fort duke i thënë: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje dhe ti po vjen tek unë?.”
15 Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur, u tha: “Lejo të bëhet për tani, sepse në këtë mënyrë përmbushim çdo drejtësi.” Atëherë ai e lejoi.
16 Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, doli nga uji; dhe ja, qiejt iu hapën, dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi të;
17 dhe ja një zë nga qielli që tha: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur.”