M’Cheyne Bible Reading Plan
20 "Kur të shkosh në luftë kundër armiqve të tu dhe të shikosh kuaj, qerre dhe njerëz në një numër më të madh se ato që ke ti, mos ki frikë prej tyre, sepse Zoti, Perëndia yt, që të bëri të ngjitesh nga vendi i Egjiptit, është me ty.
2 Kështu, në çastin kur do të jeni duke filluar betejën, prifti do të dalë përpara dhe do t’i flasë popullit
3 dhe do t’i thotë: "Dëgjo, Izrael! Sot jeni gatitur për t’u ndeshur me armiqtë tuaj; zemra juaj të mos ju ligështohet; mos kini frikë, mos e humbni dhe mos u trembni para tyre,
4 sepse Zoti, Perëndia juaj, është ai që ecën me ju për të luftuar për ju kundër armiqve tuaj dhe për t’ju shpëtuar".
5 Pastaj oficerët do t’i flasin popullit, duke thënë: "A ka njeri që ka ndërtuar një shtëpi të re dhe ende nuk e ka përuruar? Le të shkojë dhe të kthehet në shtëpinë e tij, që të mos vdesë gjatë betejës dhe një tjetër të përurojë shtëpinë e tij.
6 A ka njeri të ketë mbjellë një vresht dhe të mos ketë shijuar akoma frutet e tij? Le të shkojë e të kthehet në shtëpi të tij, që të mos vdesë gjatë betejës dhe një tjetër të gëzojë frytet e tij.
7 A ka njeri që është fejuar me një femër dhe nuk e ka marrë akoma me vete? Le të shkojë dhe të kthehet në shtëpi të tij, që të mos vdesë në betejë dhe një tjetër ta marrë atë".
8 Pastaj oficerët do t’i flasin akoma popullit, duke i thënë: "A ka ndonjë që ka frikë dhe të cilit i mungon guximi? Le të shkojë dhe të kthehet në shtëpi të tij, që guximi i vëllezërve të tij të mos mehet ashtu si i ndodhi atij".
9 Kur oficerët të kenë mbaruar së foluri popullit, do të caktojnë komandantët e trupave të popullit.
10 Kur t’i afrohesh një qyteti për ta sulmuar, do t’i ofrosh së pari paqen.
11 Në qoftë se pranon ofertën tënde të paqes dhe t’i hap dyert e tij, tërë populli që ndodhet aty ka për të paguar haraçin dhe do të të shërbejë.
12 Por në rast se nuk do të bëjë paqe me ty dhe kërkon luftë kundër teje, atëherë ti do ta rrethosh.
13 Kur më vonë Zoti, Perëndia yt, do të ta japë në dorë, do të vrasësh me shpatë tërë meshkujt e tij;
14 por gratë, fëmijët, bagëtinë dhe të gjitha ato që ndodhen në qytetet, tërë prenë e tij, do t’i marrësh si plaçkën tënde; dhe do të hash plaçkën e armiqve të tu që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë.
15 Kështu do të veprosh në të gjitha qytetet që janë shumë larg nga ti dhe që nuk janë qytete të këtyre kombeve.
16 Por nga qytetet e këtyre popujve që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi, nuk ke për të lënë asgjë që merr frymë;
17 por do të vendosësh shfarosjen e plotë të tyre, domethënë të Hitejve, të Amorejve, të Kananejve, të Perezejve, të Hivejve dhe të Jebusejve, ashtu si të ka urdhëruar Zoti, Perëndia yt,
18 me qëllim që ata të mos ju mësojnë të imitoni tërë ndyrësirat që bëjnë për perënditë e tyre, dhe ju të mos mëkatoni kundër Zotit, Perëndisë tuaj.
19 Kur të rrethosh një qytet për një kohë të gjatë, duke luftuar kundër tij, për ta shtënë në dorë, nuk do të shkatërrosh drurët frutorë me goditje të sëpatës, do të hash frutat e tyre dhe nuk do t’i rrëzosh; sepse vallë druri i fushës a është njeri që ti ta përdorësh në rrethimin?
20 Por mund të shkatërrosh dhe të rrëzosh gjithë drurët që ti e di që nuk janë frutorë, për të ndërtuar vepra rrethimi kundër qytetit që të lufton, deri sa ai të bjerë".
107 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Kështu thonë të shpenguarit prej Zotit që ai i ka çliruar nga dora e kundërshtarit,
3
4 Ata endeshin nëpër shkretëtirë, në vënde të shkretuara, dhe nuk gjenin asnjë qytet ku të banonin.
5 Të uritur e të etur, jeta e tyre po ligështohej.
6 Por në fatkeqësitë e tyre ata i thirrën Zotit dhe ai i çliroi nga ankthet e tyre;
7 dhe i çoi në rrugën e drejtë, me qëllim që të arrinin në një qytet ku të banonin.
8 Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve.
9 Sepse ai ka ngopur shpirtin e etur dhe e ka mbushur me të mira shpirtin e uritur.
10 Të tjerë rrinin në terr dhe në hijen e vdekjes, robër të pikëlluar dhe në zinxhira,
11 sepse ishin rebeluar kundër fjalëve të Perëndisë dhe i kishin përçmuar këshillat e Shumë të Lartit;
12 prandaj ai rrëzoi zemrën e tyre me shqetësime; ata ranë poshtë dhe asnjeri nuk u vajti në ndihmë.
13 Por në fatkeqësinë e tyre ata i thirrën Zotit, dhe ai i shpëtoi nga ankthet e tyre,
14 i nxori nga terri dhe nga hija e vdekjes dhe i këputi lidhjet e tyre.
15 Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve,
16 sepse ai ka shembur portat prej bronzi dhe ka këputur shufrat prej hekuri.
17 Disa njerëz pa mend vuanin për sjelljen e tyre rebele dhe për mëkatet e tyre;
18 ata urrenin çdo ushqim dhe kishin arritur në prag të vdekjes,
19 por në fatkeqësinë e tyre i thirrën Zotit, dhe ai i shpëtoi nga ankthet e tyre.
20 Ai dërgoi fjalën e tij dhe i shëroi, i shpëtoi nga gropa.
21 Le ta kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve;
22 le të ofrojnë flijime lëvdimi dhe le të tregojnë veprat e tij me këngë gëzimi.
23 Ata që zbresin në det me anije dhe që bëjnë tregëti mbi ujërat e mëdha,
24 shohin veprat e Zotit dhe mrekullitë e tij në humnerat e detit.
25 Sepse ai urdhëron dhe shkakton një erë furtune, që i ngre përpjetë valët e detit.
26 Ata ngjiten deri në qiell dhe bien në humnera; shpirti i tyre ligështohet nga ankthi.
27 Atyre u merren këmbët dhe lëkunden si të dehur, dhe nuk dinë më ç’të bëjnë.
28 Por në fatkeqësitë e tyre i këlthasin Zotit, dhe ai i shpëton nga ankthet e tyre.
29 Ai e fashit furtunën në një murmurim dhe valët e saj pushojnë.
30 Kur ato qetësohen, ata gëzohen, dhe ai i çon në portin e dëshiruar prej tyre.
31 Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë që bën në dobi të bijve të njerëzve;
32 le ta lëvdojnë në kuvendin e popullit dhe le ta lavdojnë në këshillin e pleqve.
33 Ai i shndërroni lumenjtë në shkretëtirë dhe burimet e ujit në vende të thata;
34 tokën pjellore në vend të thatë për shkak të sjelljes së keqe të banorëve të saj.
35 Ai e shndërron shkretëtirën në liqen dhe tokën e thatë në burime uji.
36 Atje ai strehon të uriturit, dhe këta ndërtojnë një qytet për të banuar,
37 mbjellin arat dhe kultivojnë vreshta që prodhojnë një korrje të bollshme.
38 Ai i bekon dhe ata shumëzohen fort, dhe ai nuk e pakëson bagëtinë e tyre.
39 Por pastaj pakësohen në një numër të vogël dhe dobësohen për shkak të shtypjes, të fatkeqësisë dhe të ankthit.
40 Ai hedh përbuzjen mbi princat dhe i bën që të enden nëpër vende të shkreta, ku nuk ekziston asnjë rrugë.
41 Por e ngre nevojtarin nga varfëria dhe i shton familjet e tyre si një kope.
42 Njerëzit e drejtë e shohin këtë dhe kënaqen, por tërë njerëzit e këqij e mbajnë gojën të mbyllur.
43 Ai që është i urtë le t’i këqyrë këto gjëra dhe le të çmojë mirësinë e Zotit.
47 "Zbrit dhe ulu në pluhur, o e virgjër bijë e Babilonisë. Ulu në tokë, pa fron, o bijë e Kaldeasve, sepse nuk do të quajnë më të brishtë dhe të njomë.
2 Vër dorën mbi mokrën dhe bluaj miellin; lëvize velin tënd, ngrije bishtin e fustanit, zbulo këmbën dhe kalo lumenjtë.
3 Lakuriqësia jote do të zbulohet dhe do të shihet gjithashtu turpi yt; do të hakmerrem dhe asnjeri nuk do të ndërhyjë".
4 Shpëtimtari ynë, emri i të cilit është Zoti i ushtrive, është i Shenjti i Izraelit.
5 "Ulu në heshtje dhe shko në terr, o bijë e Kaldeasve, sepse nuk do të të quajnë më zonjë të mbretërive.
6 Jam zemëruar me popullin tim, kam përdhosur trashëgiminë time dhe i kam dhënë në pushtetin tënd, por ti nuk ke perdorur për ta kurrfarë mëshire; zgjedhën tënde e ushtrove sidomos mbi të moshuarit,
7 dhe the: "Unë do të jem zonjë përjetë," dhe kështu nuk i vure këto gjëra në zemër dhe nuk more parasysh fundin e gjithë kësaj ngjarjeje.
8 Por tani dëgjo, o epshndjellëse, që banon në një vend të sigurt dhe thua në zemrën tënde: "Unë, dhe asnjë tjetër! Nuk do të mbetem kurrë e ve dhe s’kam për të njohur humbjen e fëmijëve".
9 Por këto dy gjëra do të të ndodhin në një çast, në po atë ditë: humbja e fëmijëve dhe vejëria; do të të bien plotësisht mbi kurriz, për shkak të numrit të madh të magjive të tua dhe për morinë e yshtjeve të tua.
10 Ti kishe besim në djallëzinë tënde dhe thoje: "Askush nuk më sheh". Dituria jote dhe njohuritë e tua të kanë mashtruar, dhe ti thoje në zemrën tënde:
11 "Unë dhe askush tjetër". Prandaj do të të vijë një fatkeqësi dhe nuk do të dish se nga të vjen; do të bjerë një fatkeqësi, që nuk do të jesh në gjendje ta shmangësh me asnjë lloj shlyerje; do të bjerë papritmas në trup një shkatërrim, që nuk e ke parashikuar.
12 Rri tani me yshtjet e tua dhe me morinë e magjive të tua me të cilat je lodhur që në rininë tënde. Ndofta do të nxjerrësh prej tyre ndonjë përfitim, ndofta do të arrish të ndjellësh frikë.
13 Je lodhur me turmën e këshilltarëve të tu; le të ngrihen, pra, astrologët, ata që studiojnë yjet dhe bëjnë parashikime çdo muaj dhe le të të shpëtojnë nga gjërat që do të bien në kurriz.
14 Ja, ato do të jenë si kashta; zjarri do t’i harrxhojë. Nuk do të shpëtojnë veten e tyre nga fuqia e flakës; nuk do të ketë prush për t’u ngrohur, as zjarr para të cilit të ulesh.
15 Kështu do të jenë ata me të cilët je munduar dhe ke dhënë e ke marrë që në rininë tënde. Secili do të rravgojë për llogari të vet, dhe askush nuk do të të shpëtojë".
17 Dhe erdhi një nga të shtatë engjëjt që kishin të shtatë kupat, dhe foli me mua dhe më tha: “Eja, do të të tregoj gjyqin e kurvës së madhe që është ulur në ujëra të shumta,
2 më të cilën u kurvëruan mbretërit e dheut, dhe banorët e dheut u dehën me verën e kurvërisë së saj.”
3 Dhe më çoi në Frymë në një shkretëtirë, dhe pashë një grua që rrinte mbi një bishë të kuqe, plot me emra blasfemie dhe që kishte shtatë krerë dhe dhjetë brirë.
4 Edhe gruaja ishte veshur me purpur dhe me të kuq të ndezur, e stolisur me ar, gurë të çmuar dhe me margaritarë; kishte në dorë një kupë ari plot me neveritë dhe ndyrësitë e kurvërimit të saj.
5 Dhe mbi ballin e saj ishte shkruar një emër: “Misteri, Babilona e madhe, nëna e lavirave dhe e neverive të dheut.”
6 Dhe e pashë gruan duke u dehur nga gjaku i shenjtorëve dhe nga gjaku i martirëve të Jezusit. Dhe, kur e pashë, u çudita me çudi të madhe.
7 Dhe engjëlli më tha: “Përse çuditesh? Unë do të të tregoj misterin e gruas dhe të bishës që e mban atë, e cila ka shtatë krerë dhe dhjetë brirë.
8 Bisha, që pe, ishte, edhe nuk është, dhe do të ngjitet nga humnera dhe do të vejë në përhumbje; dhe banorët e dheut, emrat e të cilëve nuk janë shkruar në librin e jetës që nga krijimi i botës, do të çuditen kur të shohin bishën që ishte, dhe nuk është, ndonëse është.
9 Këtu është mendja që ka dituri: të shtatë krerët janë shtatë male, ku ulet gruaja,
10 dhe mbretër janë shtatë; pesë kanë rënë, një është dhe tjetri nuk ka ardhur ende; dhe, kur të vijë, pak kohë do të mbetet.
11 Dhe bisha që ishte, dhe nuk është më, është edhe ajo i teti mbret, dhe është nga të shtatët dhe shkon në përhumbje.
12 Të dhjetë brirët, që pe, janë dhjetë mbretër, të cilët nuk kanë marrë ende mbretërinë, por do të marrin pushtet si mbretër, një orë, bashkë me bishën.
13 Këta kanë një qëllim, dhe do t’ia japin fuqinë dhe pushtetin e tyre bishës.
14 Ata do të luftojnë kundër Qengjit dhe Qengji do t’i mundë, sepse ai është Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve; dhe ata që janë me të janë të thirrur, të zgjedhur dhe besnikë.”
15 Pastaj më tha: “Ujërat që ke parë, ku ulet lavirja, janë popuj dhe turma, dhe kombe, dhe gjuhë.
16 Dhe të dhjetë brirët që ke parë mbi bishën, këta do të urrejnë laviren, do ta bëjnë të shkretë dhe lakuriq, dhe do të hanë mishrat e saj dhe do ta djegin në zjarr.
17 Sepse Perëndia u dha në zemër atyre të kryejnë mendjen e tij, të bëhen në një mendje, edhe t’i japin bishës mbretërinë e tyre, gjersa të plotësohen fjalët e Perëndisë.
18 Dhe gruaja që pe është qyteti i madh, që mbretëron mbi mbretëritë e dheut.”