M’Cheyne Bible Reading Plan
27 Atëherë Moisiu dhe pleqtë e Izraelit i dhanë popullit këtë urdhër: Respektoni të gjitha urdhërimet që po ju caktoj sot..
2 Ditën që do të kapërceni Jordanin për të hyrë në vendin që Zoti, Perëndia juaj, ju jep, do të ngresh për vete gurë të mëdhenj dhe do t’i lyesh me gëlqere.
3 Pastaj do të shkruash mbi ta tërë fjalët e këtij ligji, kur të kapërcesh Jordanin për të hyrë në vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep, një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, ashtu si të ka thënë Zoti, Perëndia i etërve të tu.
4 Kështu, pra, kur të kaloni Jordanin, do të ngrini në malin Ebal këta gurë, që sot ju urdhëroj, dhe do t’i lyeni me gëlqere.
5 Aty do t’i ngresh edhe një altar Zotit, Perëndisë tënd, një altar gurësh, mbi të cilët nuk do të përdorësh vegël hekuri.
6 Do të ndërtosh altarin e Zotit, Perëndisë tënd, me gurë të pacënuar, dhe mbi të do t’i ofrosh olokauste Zotit, Perëndisë tënd.
7 Do të ofrosh flijime falenderimi, dhe aty do të hash dhe do të gëzohesh përpara Zotit, Perëndisë tënd.
8 Dhe do të shkruash mbi këta gurë tërë fjalët e këtij ligji me gërma shumë të qarta".
9 Pastaj Moisiu dhe priftërinjtë levitë i folën tërë Izraelit, duke thënë: Mbaj qetësi dhe dëgjo, o Izrael! Sot je bërë populli i Zotit, Perëndisëë tënd.
10 Do t’i bindesh, pra, zërit të Zotit, Perëndisë tënd, dhe do t’i zbatosh në praktikë urdhërimet dhe ligjet që sot të urdhëroj".
11 Po atë ditë Moisiu i dha këtë urdhër popullit, duke i thënë:
12 "Ja ata do të rrijnë në malin Gerizim për të bekuar popullin kur të keni kapërcyer Jordanin: Simeoni, Levi, Juda, Isakari, Jozefi dhe Beniamini;
13 dhe ja ata që do të rrijnë në malin Ebal për të shqiptuar mallkimin: Rubeni, Gadi, Asheri, Zabuloni, Dani dhe Neftali.
14 Levitët do të flasin dhe do t’u thonë me zë të lartë gjithë burrave të Izraelit:
15 "Mallkuar qoftë ai njeri që bën një shëmbëlltyrë të gdhendur o prej metali të shkrirë, gjë e neveritshme për Zotin, vepër e duarve të një artizani, dhe e vendos në një vend sekret!". Dhe tërë populli do të përgjigjet dhe do të thotë: "Amen".
16 "Mallkuar qoftë ai që përçmon atin ose nënën e tij!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
17 "Mallkuar qoftë ai që zhvendos kufijtë e të afërmit të tij!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
18 "Mallkuar qoftë ai që i humb rrugën të verbërit!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
19 "Mallkuar qoftë ai që cënon të drejtën e të huajit, të jetimit dhe të gruas së ve!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
20 "Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me gruan e atit të tij,; sepse ka ngritur cepin e mbulesës së atit të tij!". Dhe tërë populli do të thotë: Amenn".
21 "Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me çfarëdo kafshë!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
22 "Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me motrën e tij, me bijën e atit të tij ose me bijën e nënes së tij!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
23 "Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me vjehrrën e tij!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
24 "Mallkuar qoftë ai që vret të afërmin e tij në mënyrë të fshehtë!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
25 "Mallkuar qoftë ai që pranon një dhuratë për të goditur për vdekje një të pafajshëm!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
26 "Mallkuar qoftë ai që nuk u përmbahet fjalëve të këtij ligji për t’i zbatuar në praktikë!". Tërë populli do të thotë: "Amen".
28 "Tani, në rast se ti i bindesh me zell zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke pasur kujdes të zbatosh tërë urdhërimet e tij që sot unë po të urdhëroj, do të ndodhë që Zoti, Perëndia yt, do të të lartësojë mbi të gjitha kombet e dheut;
2 të gjitha këto bekime do të bien mbi ty dhe do të të zënë, në rast se dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë tënd:
3 Do të jesh i bekuar në qytete dhe në fshatra.
4 I bekuar do të jetë edhe fryti i barkut tënd, fryti i tokës dhe i bagëtisë sate, pjelljet e lopëve të tua dhe fryti i deleve të tua.
5 Të bekuara do të jenë shporta dhe magjja jote.
6 Do të jesh i bekuar kur hyn dhe i bekuar kur del.
7 Zoti do të veprojë në mënyrë që armiqtë e tu, që ngrihen kundër teje, të munden para teje; do të dalin kundër teje nëpër një rrugë, por do të ikin para teje nëpër shtatë rrugë.
8 Dhe Zoti do ta urdhërojë bekimin të ndodhet mbi ty në hambaret e tua dhe mbi të gjitha ato gjëra ku ti do të vësh dorë; dhe do të të bekojë në vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep.
9 Zoti do të të vendosë në mënyrë që të jesh për të një popull i shenjtë, ashtu si të është betuar, në qoftë se do të respektosh urdhërimet e Zotit, Perëndisë tënd, dhe do të ecësh në rrugët e tij;
10 kështu tërë popujt e dheut do të shohin që ti je i thirrur me emrin e Zotit, dhe do të kenë frikë prej teje.
11 Zoti, Perëndia yt, do të të mbushë me të mira, me frytin e barkut tënd, me frytin e bagëtisë sate dhe me frytin e tokës sate në vendin që Zoti u betua t’u japë etërve të tu.
12 Zoti do të hapë për ty qiellin, thesarin e tij të mirë, për t’i dhënë tokës sate shiun në kohën e duhur dhe për të bekuar veprën e duarve të tua; ti do t’u japësh hua shumë kombeve, por nuk do të marrësh asgjë hua.
13 Zoti do të bëjë që të jesh koka dhe jo bishti, dhe do të jesh gjithnjë lart dhe kurrë poshtë, në rast se u bindesh urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tënd, që sot të urdhëron t’i respektosh dhe t’i zbatosh në praktikë.
14 Kështu nuk do të shmangesh as djathtas, as majtas nga asnjë prej fjalëve që sot ju urdhëroj, për të shkuar pas perëndive të tjera dhe për t’u shërbyer atyre.
15 Por në rast se nuk i bindesh zërit të Zotit, Perëndisë tënd, për të respektuar me kujdes të gjitha urdhërimet dhe të gjitha statutet e tij që sot të urdhëroj, do të ndodhë që të gjitha këto mallkime do të bien mbi ty dhe do të të gjejnë.
16 Do të jesh i mallkuar në qytet dhe do të jesh i mallkuar në fshat.
17 Të mallkuara do të jenë shporta jote dhe magjja jote.
18 I mallkuar do të jetë fryti i barkut tënd, fryti i tokës sate, pjelljet e lopëve të tua dhe fryti i deleve të tua.
19 Do të jesh i mallkuar kur hyn dhe i mallkuar kur del.
119 Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin me ligjin e Zotit.
2 Lum ata që respektojnë mësimet e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër
3 dhe nuk kryejnë të keqen, por ecin në rrugët e tij.
4 Ti na ke urdhëruar të respektojmë urdhërimet e tua me kujdes.
5 Oh, rrugët e mia qofshin të qëndrueshme në respektimin e statuteve të tua.
6 Atëherë nuk do të turpërohem, kur të kem parasysh të gjitha urdhërimet e tua.
7 Do të të kremtoj me zemër të drejtë ndërsa mësoj dekretet e tua të drejta.
8 Do të respektoj statutet e tua, mos më braktis plotësisht.
9 Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde.
10 Të kam kërkuar me gjithë zemër; mos më lër të devijoj nga urdhërimet e tua.
11 E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.
12 Ti je i bekuar, o Zot, më mëso statutet e tua.
13 Me buzët e mia kam numëruar të gjitha dekretet e gojës sate.
14 Gëzohem duke ndjekur porositë e tua, ashtu sikur të zotëroja tërë pasuritë.
15 Do të mendoj thellë mbi urdhërimet e tua dhe do të marrë në konsideratë shtigjet e tua.
16 Do të kënaqem me statutet e tua dhe nuk do ta harroj fjalën tënde.
17 Bëji të mirë shërbëtorit tënd, dhe unë do të jetoj dhe do të respektoj fjalën tënde.
18 Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.
19 Unë jam i huaji mbi dhe; mos m’i fshih urdhërimet e tua.
20 Shpirti im tretet nga dëshira e dekreteve të tua në çdo kohë.
21 Ti i qorton kryelartët, që janë të mallkuar, sepse largohen nga urdhërimet e tua.
22 Hiq prej meje turpin dhe përbuzjen, sepse unë i kam respektuar porositë e tua.
23 Edhe sikur princat të ulen dhe të flasin kundër teje, shërbëtori yt do të mendohet thellë mbi ligjet e tua.
24 Porositë e tua janë gëzimi im dhe këshilltarët e mi.
54 Ngazëllo, o shterpë, që nuk lindje; shpërthe në britma të larta gëzimi, ti që nuk provoje dhembjet e lindjes! Sepse fëmijët e së shkretës do të jenë më të shumtë se fëmijët e gruas së martuar, thotë Zoti.
2 Zgjero vendin e çadrës sate dhe fletët e banesave të tua le të shtrihen pa kursim; zgjati litarët e tu dhe përforco kunjat e tu,
3 sepse do të shtrihesh në të djathtë dhe në të majtë; pasardhësit e tu do të zotërojnë kombet dhe do të popullojnë qytetet e shkretuara.
4 Mos u frikëso, sepse nuk do të ngatërrohesh; mos ki turp, sepse nuk do të skuqesh; do të harrosh madje turpin e rinisë sate dhe nuk do ta kujtosh më çnderimin e vejërisë sate.
5 Sepse krijuesi yt është dhëndri yt; emri i tij është Zoti i ushtrive; Çliruesi yt është i Shenjti i Izraelit, i quajtur Perëndi i tërë tokës.
6 Sepse Zoti të ka thirrur si një grua të braktisur dhe të pikëlluar në frymën e saj, si nusja e rinisë që është përzënë, thotë Perëndia yt.
7 Të kam braktisur për një çast të shkurtër, por me dhembshuri të pamasë do të të mbledh.
8 Në një shpërthim zemërimi të kam fshehur për një çast fytyrën time, por me një dashuri të përjetshme do të kem dhembshuri për ty, thotë Zoti, Çliruesi yt.
9 Për mua ky do të jetë një fakt si ujërat e Noeut; ashtu siç u betova që ujërat e Noeut nuk do të mbulonin më tokën, kështu betohem që nuk do të zëmërohem më me ty dhe nuk do të të kërcënoj më.
10 Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria ime nuk do të largohet prej teje as besëlidhja e paqes nuk do të hiqet, thotë Zoti, që ka dhëmbshuri për ty.
11 O e pikëlluar, e rrahur nga stuhia, e pangushëlluar, unë do të ngallmoj gurët e tu të çmuar në antimon dhe do të të themeloj mbi safirët.
12 Do t’i bëjë bedenat e tu prej rubinësh, portat e tua prej xhevairi dhe tërë rrethimin tënd prej gurësh të çmuar.
13 Tërë bijtë e tu do të mësohen nga Zoti dhe e madhe ka për të qenë paqja e bijve të tu.
14 Ti do të vendosesh ngultas në drejtësi; do të jesh larg nga shtypja, sepse nuk duhet të trëmbesh më edhe nga tmerri, sepse nuk do të të afrohet më ty.
15 Ja, edhe mund të mblidhen kundër teje, por kjo nuk do të jetë nga ana ime. Cilido që do të mblidhet kundër teje, do të rrëzohet para teje.
16 Ja, unë kam krijuar kovaçin që i fryn prushit të zjarrit dhe nxjerr prej tij një vegël për punën e tij, dhe kam krijuar shkatërruesin për të prishur.
17 Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses, dhe çdo gjuhë që do të ngrihet të gjykojë kundër teje, ti do ta dënosh. Kjo është trashëgimia e shërbëtorëve të Zotit dhe drejtësia e tyre vjen nga unë," thotë Zoti.
2 Pasi Jezusi lindi në Bethlehem të Judesë në kohën e mbretit Herod, ja që disa dijetarë nga lindja arritën në Jeruzalem,
2 duke thënë: “Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar.”
3 Mbreti Herod, kur dëgjoi këto fjalë, u shqetësua, dhe bashkë me të mbarë Jeruzalemi.
4 Dhe, mbasi i mblodhi të gjithë krerët e priftërinjve dhe skribët e popullit, i pyeti ku duhet të lindte Krishti.
5 Dhe ata i thanë: “Në Bethlehem të Judesë, sepse kështu është shkruar nëpërmjet profetit:
6 "Dhe ti, Bethlehem, tokë në Jude, nuk je aspak më e parendësishmja ndër princat e Judesë, sepse nga ti do të dalë një udhëheqës, që do të kullotë popullin tim, Izraelin".”
7 Atëherë Herodi i thirri fshehurazi dijetarët, dhe i pyeti me hollësi se kur e kishin parë yllin për herë të parë.
8 Dhe i dërgoi në Bethlehem dhe tha: “Shkoni dhe pyesni me kujdes për fëmijën; dhe, kur ta gjeni, më njoftoni që të vij edhe unë ta adhuroj.”
9 Dhe ata, pasi e dëgjuan mbretin, u nisën; dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u shkonte përpara atyre derisa u ndal përmbi vendin ku ndodhej fëmija.
10 Ata, kur e panë yllin, u gëzuan me gëzim shumë të madh.
11 Dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan: ar, temjan dhe mirrë.
12 Pasi Perëndia i udhëzoi në ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi, ata u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër.
13 Tani pasi u nisën Dijetarët, ja një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit dhe i tha: “Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe ik në Egjipt, dhe rri aty deri sa të të lajmëroj, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë.”
14 Jozefi, pra, u zgjua, mori fëmijën dhe nënën e tij natën dhe iku në Egjipt.
15 Dhe qëndroi aty deri sa vdiq Herodi, që të përmbushet ç’ishte thënë nga Zoti me anë të profetit: “E thirra birin tim nga Egjipti.”
16 Atëherë Herodi, duke parë se dijetarët e kishin mashtruar, u zemërua fort dhe urdhëroi të vriten të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Bethlehem dhe në tërë rrethinën e tij, nga dy vjeç e poshtë, sipas kohës të cilën e kishte hetuar me kujdes nga Dijetarët.
17 Atëherë u përmbush ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Jeremi që thotë:
18 “Në Ramë u dëgjua një klithmë, një vaje një qarje dhe gjëmë e madhe; Rakela vajton bijtë e saj dhe nuk pranon të ngushëllohet, sepse ata nuk janë më.”
19 Pasi vdiq Herodi, ja një engjëll i Zotit i shfaqet në ëndërr Jozefit në Egjipt,
20 dhe i thotë: “Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe shko në vendin e Izraelit, sepse ata që donin ta vrisnin fëmijën kanë vdekur.”
21 Dhe ai u çua, mori fëmijën dhe nënën e tij dhe shkoi në vendin e Izraelit;
22 por, kur dëgjoi se Arkelau mbretëronte në Judë në vend të Herodit, atit të tij, pati frikë të shkojë atje. Dhe, mbasi u udhëzua nga Perëndia në ëndërr, iku në krahinën e Galilesë,
23 dhe, mbasi arriti atje, zuri vend në një qytet që quhej Nazaret, që të përmbushej ajo që ishte thënë nga profetët: “Ai do të quhet Nazareas.”