Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Ligji i Përtërirë 18

18 "Tërë priftërinjtë levitë, tërë fisi i Levit, nuk do të kenë pjesë as trashëgimi në Izrael; do të jetojnë me flijimet e bëra me zjarr për Zotin, trashëgimi e tij.

Nuk do të kenë asnjë trashëgimi nga vëllezërit e tyre; sepse Zoti është trashëgimia e tyre, ashtu siç ua ka thënë.

Kjo është ajo që i detyrohet priftit populli, ata që ofrojnë një flijim, qoftë një lopë, një dele apo një dhi; ata do t’i japin priftit shpatullat, nofullat dhe plëndësin.

Do t’i japësh prodhimin e parë të grurit tënd, të mushtit tënd dhe të vajit tënd, si dhe qethjen e parë të dhenve të tua;

sepse Zoti, Perëndia yt, e ka zgjedhur midis gjithë fiseve të tu për të kryer shërbimin në emër të Zotit, atë vetë dhe bijtë e tij për gjithnjë

Por në rast se një Levit, që ka ardhur nga një prej qyteteve të tua të të gjithë Izraelit, ku ai banonte, vjen me gjithë dëshirën e zemrës së tij në vendin e zgjedhur nga Zoti,

atëherë ai do të mund të shërbejë në emër të Zotit, Perëndisë së tij, ashtu si gjithë vëllezërit e tij Levitë që ndodhen aty përpara Zotit.

Ata do të marrin për mbajtjen e tyre pjesë të barabarta, përveç parave nga shitja e pasurisë së tyre.

Kur do të hysh në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep, nuk do të mësosh të shkosh pas veprave të neveritshme të këtyre kombeve.

10 Të mos gjendet midis teje ndonjë që e kalon birin ose bijën e vet nëpër zjarr, as ndonjë që praktikon shortarinë, bën parashikime, interpreton shenjat dhe merret me magji,

11 as ai që përdor yshtje, as mediume që konsultojnë frymat, as magjistarë, as ai që ndjell të vdekurit,

12 sepse të gjithë ata që merren me këtë punë neveriten nga Zoti; dhe për shkak të kësaj neverie, Zoti është duke i përzënë para teje.

13 Ti do të jesh i përkryer para Zotit, Perëndisë tënd;

14 sepse kombet, që ti do të dëbosh, i kanë dëgjuar shortarët dhe magjistarët; kurse ty, Zoti, Perëndia yt, nuk të ka lejuar të veprosh kështu.

15 Zoti, Perëndia yt, do të krijojë për ty një profet si unë në mes teje dhe vëllezërve të tu; atë keni për ta dëgjuar,

16 në bazë të gjithë atyre gjërave që i kërkove Zotin, Perëndinë tënd, në Horeb, ditën e asamblesë, kur the: "Të mos dëgjoj më zërin e Zotit, Perëndisë tim, dhe të mos shoh më këtë zjarr të madh, që unë të mos vdes".

17 Dhe Zoti më tha: "Atë që thanë, është mirë;

18 unë do të nxjerr për ta një profet nga gjiri i vëllezërve të tyre dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia, dhe ai do t’u thotë atyre të gjitha ato që unë do t’i urdhëroj.

19 Dhe do të ndodhë që në se dikush nuk i dëgjon fjalët e mia që ai thotë në emrin tim, unë do t’i kërkoj llogari.

20 Por profeti që pretendon të thotë në emrin tim një gjë për të cilën unë e kam urdhëruar ta thotë ose që flet në emër të perëndive të tjera, ai profet do të vritet".

21 Dhe në se ti thua në zemrën tënde: "Si do të bëjmë për të dalluar fjalën që Zoti nuk ka thënë?".

22 Kur profeti flet në emër të Zotit dhe kjo gjë nuk ndodh dhe nuk realizohet, kemi të bëjmë me një gjë që Zoti nuk e ka thënë; e ka thënë profeti me mendjemadhësi; mos ki frikë prej tij".

Psalmet 105

105 Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve.

Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij.

Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin.

Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij.

Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij,

ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij.

Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën.

Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij,

besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut,

10 që i konfirmoi Jakobit si statut të tij dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme,

11 duke thënë: "Unë do të të jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj,"

12 kur nuk ishin veçse një numër i vogël, shumë të pakët dhe të huaj në vend,

13 dhe shkonin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një popull tjetër.

14 Ai nuk lejoi që t’i shtypte njeri; përkundrazi ndëshkoi disa mbretër për hir të tyre,

15 dhe tha: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos bëni asnjë të keqe profetëve të mi".

16 Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh.

17 Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav.

18 I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri.

19 Fjala e Zotit e vuri në provë, deri sa u plotësua ajo që kishte thënë.

20 Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin,

21 dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij,

22 për t’i lidhur princat e tij me gjykimin e tij dhe për t’u mësuar pleqve të tij diturinë.

23 Edhe Izraeli erdhi në Egjipt dhe Jakobi qëndroi për ca kohë në vendin e Kamit.

24 Dhe Perëndia e shumëzoi shumë popullin e tij dhe e bëri më të fuqishëm se armiqtë e tij.

25 Pastaj ndryshoi zemrën e tyre, me qëllim që të urrenin popullin e tij dhe të kurdisnin mashtrime kundër shërbëtorëve të tij.

26 Atëherë ai dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, dhe Aaronin që ai kishte zgjedhur.

27 Ata kryen midis tyre mrekullitë e urdhëruara prej tij dhe bënë çudira në tokën e Kamit.

28 Dërgoi terrin dhe e bëri vendin të binte në errësirë, dhe ata nuk kundërshtuan fjalën e tij.

29 I ndryshoi ujërat e tij në gjak dhe bëri që të ngordhnin peshqit e tij.

30 Vendi i tyre u mbush me bretkosa të cilat hynë deri në dhomat e mbretërve të tyre.

31 Me fjalën e tij erdhën një shumicë e madhe insektesh dhe mushkonjash në të gjithë territorin e tyre.

32 U dërgoi breshër në vend të shiut dhe flakë zjarri në vendin e tyre;

33 goditi edhe vreshtat e tyre dhe drurët e fikut, shkatërroi drurët e territorit të tyre.

34 Ai foli, dhe erdhën karkaleca dhe vemje në numër të madh,

35 që përpinë tërë bimësinë e vendit të tyre dhe hëngrën frytin e tokës së tyre.

36 Ai goditi edhe të gjithë të parëlindurit në vendin e tyre, prodhimet e para në tërë fuqinë e tyre;

37 dhe e nxori popullin e tij me argjend dhe me ar, dhe nuk pati asnjeri ndër fiset e tij që të tronditej.

38 Egjiptasit u gëzuan nga ikja e tyre, sepse tmerri i Izraelit kishte rënë mbi ta.

39 Ai shpalosi një re për t’i mbuluar dhe ndezi një zjarr për t’i ndriçuar natën.

40 Me kërkesën e tyre ai solli shkurtat dhe i ngopi me bukën e qiellit.

41 Çau shkëmbin dhe dolën prej tij ujëra; këto rridhnin në shketëtirë si një lumë.

42 Sepse atij iu kujtua premtimi i shenjtë që i kishte bërë Abrahamit, shërbëtorit të tij;

43 pastaj nxori popullin e tij me gëzim dhe njerëzit e tij të zgjedhur me britma gëzimi,

44 dhe u dha atyre vendet e kombeve, dhe ata trashëguan frytin e mundit të popujve,

45 me qëllim që të respektonin statutet e tij dhe t’u bindeshin ligjeve të tij. Aleluja.

Isaia 45

45 "Kështu i thotë Zoti të vajosurit të tij, Kirit, që unë e mora me dorën e djathtë, që të hedh poshtë para tij kombet: Po, unë do të zgjidh brezat që mbretërit mbajnë në ijë, për të hapur para tij portat me dy kanate dhe që portat të mos mbeten të mbyllura.

Unë do të ec para teje dhe do të sheshoj vendet e ngritura, do të bëj copë-copë portat prej bronzi dhe do të thyej shufrat prej hekuri.

Do të të jap thesaret e territ dhe pasuritë e fshehura në vende të fshehta, me qëllim që ti të njohësh që unë jam Zoti, Perëndia i Izraelit, që të thërret me emër.

Për hir të Jakobit, shërbëtorit im, dhe për hir të Izraelit, të zgjedhurit tim, unë të thirra me emër dhe të dhashë një titull nderi megjithëse ti nuk më njihje.

Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër; jashtë meje nuk ka Perëndi. Të kam rrethuar, ndonëse ti nuk më njihje,

me qëllim që nga lindja në perëndim të pranohet që nuk ka asnjë Perëndi përveç meje. Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër.

Unë formoj dritën dhe krijoj terrin, sjell mirëqënien dhe krijoj fatkeqësinë. Unë, Zoti, i bëj të gjitha këto gjëra".

Pikëloni, o qiej, nga lart dhe retë le të bëjnë të bjerë si shi drejtësia. Le të hapet toka, të prodhojë shpëtimin dhe të bëjë të mbijë njëkohësisht drejtësia. Unë, Zoti, e kam krijuar këtë.

Mjerë ai që i kundërvihet atij që e ka formuar, një fragment enësh balte me fragmente të tjera të enëve prej balte. A do t’i thotë argjila atij që i jep formë: "Ç’po bën?," a do të thotë vepra jote: "Nuk ka duar?".

10 Mjerë ai që i thotë të atit: "Çfarë po lind?". dhe nënës së tij: "Çfarë po pjell?".

11 Kështu thotë Zoti, i Shenjti i Izraelit dhe ai që e ka formuar: "Përsa u përket gjërave të së ardhmes më bëni pyetje rreth bijve të mi dhe më jepni urdhëra rreth veprës së duarve të mia?

12 Por unë kam bërë tokën dhe kam krijuar njeriun mbi të; me duart e mia kam shpalosur qiejtë dhe komandoj tërë ushtrinë e tyre.

13 Unë e ngjalla atë në drejtësinë time dhe do të sheshoj tërë rrugët e tij; ai do të rindërtojë qytetin tim dhe do t’i kthejë të lirë të mërguarit e mi pa paguar shpengim dhe pa bërë dhurata," thotë Zoti i ushtrive.

14 Kështu thotë Zoti: "Fryti i mundimeve të Egjiptit dhe mallrat e Etiopisë dhe të Sabejve, njerëz me shtat të lartë, do të të kalojnë ty dhe do të të përkasin ty; ata do të ecin pas teje, të lidhur me zinxhirë; do të bien përmbys para teje dhe do të të luten fort, duke thënë: "Me siguri Perëndia është te ti dhe nuk ka asnjë tjetër; nuk ka Perëndi tjetër"".

15 Në të vërtetë ti je një Perëndi që fshihesh, o Perëndi i Izraelit, o Shpëtimtar.

16 Do të mbeten të gjithë të turpëruar dhe të hutuar, po, do të ikin të gjithë bashkë, të mbuluar me turp, sajuesit e idhujve.

17 Por Izraeli do të shpëtohet nga Zoti me një shpëtim të përjetshëm; ju nuk do të turpëroheni ose të hutoheni kurrë më përjetë.

18 Sepse kështu thotë Zoti që ka krijuar qiejtë, ai, Perëndia që ka formuar tokën dhe e ka bërë; ai e ka vendosur, nuk e ka krijuar pa trajtë, por e ka formuar që të banohej: "Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër.

19 Unë nuk kam folur fshehtas në një cep të errët të dheut; nuk u kam thënë pasardhësve të Jakobit: "Më kërkoni kot". Unë, Zoti, them atë që është e drejtë dhe deklaroj gjërat që janë të vërteta.

20 Mblidhuni dhe ejani, afrohuni bashkë, ju që keni shpëtuar nga kombet! Nuk kanë mend ata që mbajnë një shëmbëlltyrë prej drurit të gdhendur prej tyre dhe i luten një perëndi që nuk mund të shpëtojë.

21 Shpalleni dhe paraqitni arsyetimet tuaja, po, le të këshillohen edhe bashkë. Kush e ka shpallur këtë që në kohët e lashta dhe e ka parashikuar prej një kohe të gjatë? Vallë, nuk jam unë, Zoti? Nuk ka Perëndi tjetër veç meje, një Perëndi i drejtë, një Shpëtimtar; nuk ka asnjë veç meje.

22 Kthehuni nga unë dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës. Sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër.

23 Jam betuar në veten time, nga goja ime ka dalë një fjalë drejtësie dhe nuk do ta tërheq; çdo gju do të përkulet para meje dhe çdo gjuhë do të betohet për mua.

24 Do të thuhet për mua: "Vetëm tek Zoti kam drejtësi dhe forcë"". Tek ai do të vijnë tërë ata që ishin të ndezur me zemërim kundër tij dhe do të turpërohen.

25 Në Zoti do të shfajesohen dhe do të përlëvdohen gjithë pasardhësit e Izraelit.

Zbulesa 15

15 Pastaj pashë në qiell një shenjë tjetër të madhe dhe të mrekullishme: shtatë engjëj që kishin shtatë plagët e fundit, sepse me to u krye zemërimi i Perëndisë.

Dhe pashë një si det të qelqtë, të përzier me zjarr dhe në këmbë mbi detin e qelqtë, ata që kishin mundur bishën, figurën e saj, dhe damkën e saj edhe numrin e emrit të saj. Ata kishin qestet e Perëndisë,

dhe këndonin këngën e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë, dhe këngënn e Qengjit, duke thënë: “Të mëdha dhe të mrekullueshme janë veprat e tua, o Zot, Perëndi i plotfuqishëm; të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua, o Mbret i kombeve.

Kush nuk do të të druajë, o Zot, dhe nuk do të lëvdojë emrin tënd? Sepse vetëm ti je i Shenjtë; sepse të gjitha kombet do të vijnë dhe do të adhurojnë përpara teje, sepse gjykimet e tua u shfaqën.”

Dhe pas këtyre gjërave unë pashë dhe ja, u hap në qiell tempulli i tabernakullit të dëshmisë.

Dhe të shtatë engjëjt, që kishin të shtatë plagët, dolën nga tempulli, të veshur me lin të pastër dhe të shndritshëm, dhe të ngjeshur përreth gjoksit me breza ari.

Një nga të katër qeniet e gjalla u dha të shtatë engjëjve shtatë kupa ari, plot me zemërimi i Perëndisë, që rron në shekuj të shekujve.

Dhe tempulli u mbush me tym nga lavdia e Perëndisë dhe nga fuqia e tij; dhe askush nuk mund të hynte në tempull, derisa të mbaroheshin të shtatë plagët e të shtatë engjëjve.