Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Ligji i Përtërirë 25

25 "Në rast se fillon një grindje midis burrave dhe ata paraqiten në gjyq, gjykatësit do t’i gjykojnë duke i dhënë pafajësinë të pafajshmit dhe duke dënuar fajtorin.

Pastaj në se fajtori meriton të rrihet, gjykatësi do të urdhërojë që ta shtrijnë për tokë dhe ta rrahin në prani të tij, me një numër goditjesh simbas shkallës së fajit të tij.

Mund t’i jepen dyzet goditje, por jo më tepër, sepse, duke e kaluar këtë masë dhe duke e rrahur me një numër më të madh goditjesh, yt vëlla të mos përçmohet në sytë e tu.

Nuk do t’i vësh turizën kaut që shin grurin.

Në rast se disa vëllezër banojnë bashkë dhe njeri prej tyre vdes pa lënë fëmijë, gruaja e të ndjerit nuk do të martohet me një të huaj jashtë familjes; i kunati do të hyjë tek ajo dhe do ta marrë për grua, duke plotësuar kështu ndaj saj detyrimin e tij prej kunati;

dhe i parëlinduri që ajo do të lindë do të marrë emrin e vëllait të vdekur, me qëllim që emri i tij të mos fshihet në Izrael.

Por në rast se ai burrë nuk dëshiron të marrë të kunatën, kjo do të ngjitet në portën e pleqve dhe do të thotë: "Im kunat nuk pranon ta ngrerë emrin e vëllait të tij në Izrael; ai nuk dëshiron të kryejë ndaj meje detyrën e kunatit".

Atëherë pleqtë e qytetit të tij do ta thërrasin dhe do t’i flasin; dhe në qoftë se ai ngul këmbë dhe thotë: "Nuk dua ta marr,"

atëherë kunata e tij do t’i afrohet në prani të pleqve do t’i heqë sandalën nga këmba, do ta pështyjë në fytyrë dhe do t’i thotë: "Këtë do të pësojë ai që nuk dëshiron të ndërtojë shtëpinë e vëllait të tij".

10 Dhe emri i tij në Izrael do të jetë: "Shtëpia e atij të cilit i është hequr sandalja".

11 Në rast se dy burra kanë një grindje midis tyre, dhe gruaja e njerit afrohet për të liruar të shoqin nga duart e atij që e rreh, shtrin dorën dhe e kap nga organet gjenitale, asaj do t’i pritet dora;

12 syri yt nuk do të ketë mëshirë për të.

13 Nuk do të kesh në thesin tënd dy pesha, një të madhe dhe një të vogël.

14 Nuk do të kesh në shtëpi dy masa, një të madhe dhe një të vogël.

15 Do të kesh një peshë të saktë dhe të drejtë, do të kesh një masë të saktë dhe të drejtë, me qëllim që ditët e tua të zgjaten në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep.

16 Sepse të gjithë ata që kryejnë veprime të tilla, të gjithë ata që sillen në mënyrë jo të drejtë, urrehen nga Zoti, Perëndia yt.

17 Kujto atë që të bëri Amaleku gjatë rrugës, kur dolët nga Egjipti;

18 ai të doli përballë rrugës, duke sulmuar nga prapa tërë të dobëtit që ishin të fundit, kur ti ishe i lodhur dhe i mbaruar, dhe nuk pati fare frikë nga Perëndia.

19 Kur, pra, Zoti, Perëndia yt, do të sigurojë qetësi nga armiqtë e tu rreth e përqark vendit që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi për ta pushtuar, do të fshish kujtimin e Amalekut nën qiellin; mos e harro!".

Psalmet 116

116 Unë e dua Zotin, sepse ai dëgjoi zërin tim dhe lutjet e mia.

Duke qenë se e ka kthyer ndaj meje veshin e tij, unë do ta kërkoj në gjithë ditët e jetës sime.

Vargonjtë e vdekjes më kishin rrethuar dhe ankthet e Sheolit më kishin pushtuar; fatkeqësia dhe dhembja më kishin vënë përfund.

Atëherë i kërkova ndihmë Zotit: "O Zot, të lutem, më shpëto".

Zoti është i dhemshur dhe i drejtë, Perëndia ynë është i mëshirshëm.

Zoti mbron njerëzit e thjeshtë; unë isha katandisur në një gjendje të mjeruar, dhe ai më shpëtoi.

Kthehu, o shpirti im, në prehjen tënde, sepse Zoti të mbushi me të mira.

Po, sepse ti ke çliruar jetën time nga vdekja, sytë e mi dhe lotët dhe këmbët e mia nga rrëzimi.

Unë do të eci në prani të Zotit në tokën e të gjallëve.

10 Unë kam besuar dhe prandaj flas. Unë isha shumë i pikëlluar,

11 dhe thoja gjatë përhumbjes sime: "Çdo njeri është gënjeshtar".

12 Ç’do t’i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?

13 Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit.

14 Do të plotësoj zotimet e mia ndaj Zotit në prani të të gjithë popullit të tij.

15 Éshtë e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij.

16 Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o Zot, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia.

17 Unë do të të ofroj një flijim falenderimi dhe do të përmend emrin e Zotit.

18 Do t’i plotësoj zotimet e mia Zotit në prani të të gjithë popullit të tij,

19 në oborret e shtëpisë së Zotit, në mesin tënd, o Jeruzalem. Aleluja.

Isaia 52

52 Rizgjohu, rizgjohu, rivishu me forcën tënde, o Sion; vish rrobat e tua të mrekullueshme, o Jeruzalem, qytet i shenjtë! Sepse nuk do të hyjnë më te ti i parrethpreri dhe i papastri.

Shkunde pluhurin që ke në kurriz, çohu dhe ulu ndenjur, o Jeruzalem; zgjidhi zinxhirët që ke në qafë, o bijë e Sionit, që je në robëri!

Sepse kështu thotë Zoti: "Ju kanë shitur për asgjë dhe do të shpengoheni pa para".

Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Populli im zbriti së lashti në Egjipt për të banuar; pastaj Asiri e shtypi pa shkak.

Dhe tani çfarë po bëj unë këtu?," thotë Zoti, "ndërsa popullin tim e kanë hequr larg për asgjë? Ata që e sundojnë, bëjnë që ai të rënkojë," thotë Zoti, "dhe emri im shahet vazhdimisht tërë ditën.

Prandaj populli im do të njohë emrin tim, prandaj do të kuptojë atë ditë që jam unë që kam folur: "Ja ku jam!"".

Sa të bukura janë mbi malet këmbët e lajmëtarit që sjell lajme të mira që njofton paqen, që sjell lajme të bukura mbi gjëra të mira, që shpall shpëtimin, që i thotë Sionit: "Perëndia yt mbretëron!".

Dëgjo! Rojet e tua ngrenë zërin dhe lëshojnë bashkë britma gëzimi, sepse shohin me sytë e tyre Zotin që kthehet në Sion.

Shpërtheni bashkë në britma gëzimi, o rrënoja të Jeruzalemit, sepse Zoti ngushëllon popullin e tij dhe çliron Jeruzalemin.

10 Zoti ka zhveshur krahun e tij të shenjtë para syve të të gjitha kombeve; të gjitha skajet e tokës do të shohin shpëtimin e Perëndisë tonë.

11 Ikni, ikni, dilni andej, mos prekni asgjë të papastër! Dilni nga ambienti i saj, pastrohuni, ju që mbani vazot e Zotit!

12 Sepse ju nuk do të niseni me nxitim dhe nuk do të shkoni me turr, sepse Zoti do të ecë para jush, Perëndia i Izraelit do të jetë praparoja juaj.

13 Ja, shërbëtori im do të begatohet, do të ngrihet dhe do të lartësohet shumë.

14 Duke qenë se shumë veta u çuditën me ty, sepse pamja e tij ishte e shfytyruar më tepër se e çdo njeriu tjetër dhe fytyra e tij ishte ndryshe nga ajo e bijve të njeriut,

15 kështu ai do të spërkasë shumë kombe; mbretërit do të mbyllin gojën para tij, sepse do të shohin çfarë nuk u ishte treguar kurrë atyre dhe do të kuptojnë ato që nuk kishin dëgjuar.

Zbulesa 22

22 Dhe më tregoi lumin e pastër të ujit të jetës, te kthjellët si kristali, që dilte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit.

Në mes të sheshit të qytetit, këtej e andej lumit, ishte druri i jetës që jep dymbëdhjetë fruta, dhe që nxjerr frutin e saj në çdo muaj; dhe gjethet e drurit janë për shërim të kombeve.

Dhe asnjë mallkim nuk do të ketë më; dhe në të do të jetë froni i Perëndisë dhe i Qengjit, dhe shërbëtorët e tij do t’i shërbejnë;

ata do të shohin fytyrën e tij; dhe emri i tij do të jetë mbi ballin e tyre.

Dhe atje natë nuk do të ketë; edhe nuk kanë nevojë për llambë, as për dritë dielli, sepse Zoti Perëndi i ndriçon; dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.

Dhe më tha: “Këto fjalë janë besnike dhe të vërteta; dhe Zoti, Perëndi i profetëve të shenjtë, dërgoi engjëllin e tij, për t’u treguar shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti.

Ja, unë vij shpejt; lum ai që i ruan fjalët e profecisë së këtij libri.”

Dhe unë, Gjoni, jam ai që kam parë dhe dëgjuar këto gjëra; dhe kur dëgjova dhe pashë, rashë për ta adhuruar përpara këmbëve të engjëllit që m’i tregonte këto gjëra.

Dhe ai më tha: “Ruaju se e bën! Sepse unë jam bashkëshërbëtori yt dhe i vëllezërve të tu, profetë, dhe të atyre që i ruajnë fjalët e këtij libri. Adhuro Perëndinë!.”

10 Pastaj më tha: “Mos i vulos fjalët e profecisë së këtij libri, sepse koha është afër.

11 Kush është i padrejtë, le të vazhdojë të jetë i padrejtë, kush është i ndyrë le të vazhdojë të jetë i ndyrë, kush është i drejtë le të vazhdojë të praktikojë drejtësinë, dhe kush është i shenjtë le të vazhdojë të shenjtërohet.

12 Dhe ja, unë vij shpejt, dhe shpërblimi im është me mua, për t’i dhënë gjithsecilit sipas veprave që ai ka bërë.

13 Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, i pari dhe i fundit.”

14 Lum ata që i kryejnë urdhërimet e tij, që të kenë të drejtën për drurin e jetës dhe për të hyrë në portat e qytetit.

15 Jashtë janë qentë, magjistarët, kurvarët, vrasësit, idhujtarët dhe kushdo që do dhe zbaton gënjeshtrën.

16 “Unë, Jezusi, dërgova engjëllin tim për t’ju dëshmuar për këto gjëra nëpër kisha. Unë jam Rrënja dhe pasardhja e Davidit, ylli i ndritshëm i mëngjesit.”

17 Dhe Fryma dhe nusja thonë: “Eja!.” Dhe ai që dëgjon le të thotë: “Eja!.” Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës.

18 Unë i deklaroj kujtdo që dëgjon fjalët e profecisë së këtij libri, se nëse ndokush do t’i shtojë këtyre gjërave, Perëndia do të dërgojë mbi të plagët e përshkruara në këtë libër.

19 Dhe nëse dikush heq nga fjalët e librit të kësaj profecie, Perëndia do t’i heqë pjesën e tij nga libri i jetës nga qyteti i shenjtë, dhe nga gjërat që janë përshkruar në këtë libër.

20 Ai që dëshmon për këto gjëra, thotë: “Po, unë vij shpejt. Amen.” Po, eja, Zoti Jezus.

21 Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen.