Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Ligji i Përtërirë 11

11 "Duaje, pra, Zotin, Perëndinë tënd, dhe respekto gjithnjë rregullat e tij, statutet e tij, dekretet e tij dhe urdhërimet e tij.

Pranoni sot (sepse nuk u flas bijve tuaj që nuk e kanë njohur as e kanë parë disiplinën e Zotit, Perëndisë tuaj), madhështinë e tij, dorën e tij të fuqishme dhe krahun e shtrirë,

shenjat e tij dhe veprat e tij që ka bërë në Egjipt kundër Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe kundër vendit të tij,

atë që u bëri ushtrisë së Egjiptit, kuajve të saj dhe qerreve të saj, duke derdhur mbi të ujërat e Detit të Kuq ndërsa ata po ju ndiqnin, dhe si i shkatërroi Zoti për gjithnjë;

atë që bëri për ju në shkretëtirë, deri sa të arrinit në këtë vend;

dhe atë që u bëri Dathanit dhe Abiramit, bijve të Eliabit, birit të Rubenit; si e hapi gojën toka dhe i gëlltiti me gjithë familjet e tyre, me çadrat e tyre dhe me çdo gjë të gjallë që i pasonte, në mes të gjithë Izraelit.

Por sytë tuaja panë gjërat e mëdha që Zoti ka kryer.

Respektoni, pra, tërë urdhërimet që unë po ju jap sot, që të jeni të fortë dhe të mundni të pushtoni vendin që po bëheni gati të zotëroni,

dhe me qëllim t’i zgjatni ditët tuaja në vendin që Zoti u betua t’u japë etërve tuaj dhe pasardhësve të tyre, një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.

10 Mbasi vendi në të cilin jeni duke hyrë për ta pushtuar nuk është si vendi i Egjiptit prej të cilit keni dalë, ku mbillnit farën tuaj dhe pastaj e vaditnit me këmbën tuaj si një kopsht perimesh;

11 por vendi ku jeni duke hyrë për ta pushtuar është një vend me male dhe lugina, që thith ujin e shiut që vjen nga qielli;

12 një vend për të cilin Zoti, Perëndia yt, ka kujdes dhe mbi të cilin i janë drejtuar vazhdimisht sytë e Zotit, Perëndisë tënd, fillimi i vitit deri në mbarim të tij.

13 Por në rast se do t’i bindeni me kujdes urdhërimeve të mia që ju jap sot, duke dashur Zotin, Perëndinë tuaj, dhe duke i shërbyer me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt,

14 do të ndodhë që unë do t’i jap vendit tuaj shiun në kohën e duhur, shiun e parë dhe shiun e fundit, që ti të mbledhësh grurin, verën dhe vajin tënd;

15 dhe do të bëj që të rritet edhe bari në fushat e tua për bagëtinë tënde, dhe ti do të hash dhe do të ngopesh.

16 Kini kujdes që zemra juaj të mos mashtrohet dhe të mos largoheni nga rruga e drejtë, duke shërbyer dhe u përulur para perëndive të tjera;

17 sepse në këtë rast do të ndizet zemërimi i Zotit dhe ai do të mbyllë qiejtë dhe nuk do të ketë më shi, toka nuk do të japë prodhimet e saj dhe ju do të vdisni shpejt në vendin e mirë që Zoti po ju jep.

18 Do t’i shtini këto fjalë në zemrën dhe në mëndjen tuaj, do t’i lidhni si një shenjë në dorë dhe do të jenë si ballore midis syve;

19 do t’ua mësosh bijve tuaj, duke u folur për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecnën rrugës, kur rri shtrirë dhe kur çohesh;

20 do t’i shkruash në shtalkat e shtëpi tënde dhe mbi portat e tua,

21 me qëllim që ditët tuaja dhe ditët e bijve tuaj, në vendin që Zoti është betuar t’u japë etërve tuaj, të jenë të shumta si ditët e qiellit mbi tokë.

22 Sepse, duke respektuar me kujdes të gjitha urdhërimet që unë ju urdhëroj të zbatoni në praktikë, duke dashur Zotin, Perëndinë tuaj, duke ecur në të gjitha udhët e tij dhe duke qenë të lidhur ngushtë me të,

23 Zoti do të dëbojë para jush të gjitha kombet dhe ju do të shtini në dorë kombe më të mëdha dhe më të fuqishme se ju.

24 Çdo vend që do të shkelë këmba juaj, do të jetë juaji; kufijtë tuaj do të shtrihen nga shkretëtira deri në Liban, dhe nga lumi, lumi Eufrat, deri në detin perëndimor.

25 Askush nuk do të jetë në gjendje t’ju bëj ballë; Zoti, Perëndia juaj, ashtu siç ju tha, do të përhapë frikën dhe tmerrin për ju në të gjithë vendin që ju do të shkelni.

26 Shikoni, unë vë sot para jush bekimin dhe mallkimin;

27 bekimin në rast se u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, që sot ju përcaktoj;

28 mallkimin, në rast se nuk u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, dhe largoheni nga rruga që ju përcaktoj sot, për të ndjekur perëndi të tjerë që nuk i keni njohur kurrë.

29 Dhe kur Zoti, Perëndia juaj do të ketë futur në vendin që ti shkon të pushtosh, ti do ta vësh bekimin në malin Gerizim dhe mallkimin në malin Ebal.

30 A nuk janë ata matanë Jordanit, në perëndim të rrugës ku dielli perëndon; në vendin e Kananejve që banojnë në Arabah, përballë Gilgalit, pranë lisit të Morehut?

31 Sepse ju po gatiteni të kaloni Jordanin për të hyrë dhe për të pushtuar vendin që Zoti, Perëndia juaj, po ju jep; ju do ta zotëroni dhe do të banoni në të.

32 Kini kujdes, pra, të zbatoni të gjitha statutet dhe dekretet, që unë shtroj sot para jush".

Psalmet 95-96

95 Ejani, t’i këndojmë me gëzim Zotit; t’i dërgojmë britma gëzimi kalasë së shpëtimit tonë.

Le të shkojmë në prani të tij me lavde, ta kremtojmë me këngë.

Sepse Zoti është një Perëndi i madh dhe një Mbret i madh mbi gjithë perënditë.

Në duart e tij janë thellësitë e tokës dhe të tijat janë majat e larta të maleve.

I tij është deti, sepse ai e ka bërë, dhe dheu i thatë që duart e tij kanë modeluar.

Ejani, të adhurojmë dhe të përkulemi; të gjunjëzohemi përpara Zotit që na ka bërë.

Sepse ai është Perëndia ynë dhe ne jemi populli i kullotës së tij dhe kopeja për të cilën ai kujdeset. Sot, po të jetë se dëgjoni zërin e tij,

"mos e fortësoni zemrën tuaj si në Meriba, si ditën e Masas në shkretëtirë,

ku etërit tuaj më tunduan dhe më vunë në provë, edhe pse i kishin parë veprat e mia.

10 Për dyzet vjet e pata neveri atë brez dhe thashë: "Janë një popull me zemër të përdalë dhe nuk i njohin rrugët e mia.

11 Prandaj u betova në zemërimin tim: Nuk do të hyjnë në prehjen time".

96 Këndojini Zotit një këngë të re, këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës!

Këndojini Zotit, bekoni emin e tij; lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij.

Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mekullitë e tij midis tërë popujve.

Sepse Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë; nga ai duhet të kemi frikë përmbi gjithë perënditë e tjera.

Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë.

Shkëlqimi dhe madhështia janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij.

Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.

Jepini Zotit lavdinë që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani në oborret e tij.

Bini përmbys përpara Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij, dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës.

10 U thoni gjithë kombeve: "Zoti mbretëron; bota është vendosur mirë dhe nuk do të luajë nga vendi; ai do t’i gjykojë popujt me drejtësi".

11 Le të gëzohen qiejtë dhe të gëzohet toka; le të zhurmojë deti dhe gjithçka gjindet në të.

12 Le të ngazëllohet fusha dhe gjithçka gjindet në të. Atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit,

13 sepse ai vjen, vjen për të gjykuar tokën. Ai do ta gjykojë botën me drejtësi dhe popujt në besnikërinë e tij.

Isaia 39

39 Në atë kohë Merodak-Baladani, bir i Baladanit, mbre ti Babilonisë, i dërgoi letra dhe një dhuratë Ezekias, sepse kishte dëgjuar që ai kishte qenë i sëmurë dhe ishte shëruar.

Ezekia u gëzua dhe u tregoi të dërguarve shtëpinë e thesaret të tij, argjendin, arin, aromat, melhemin e çmuar, tërë arsenalin e tij dhe të gjitha ato që ndodheshin në thesaret e tij; nuk mbeti asgjë nga pallati i tij dhe nga e gjithë mbretëria që Ezekia nuk ua tregoi atyre.

Atëherë profeti Isaia erdhi te mbreti Ezekia dhe i tha: "Çfarë thanë ata njerëz dhe nga kanë ardhur te ti?". Ezekia u përgjigj: "Kanë ardhur tek unë nga një vend i largët, nga Babilonia".

Isaia pyeti akoma: "Çfarë panë në pallatin tënd?". Ezekia u përgjigj: Panë gjithçka që ndodhet në pallatin tim; nuk mbeti asgjë nga thesaret ee mia që nuk ua tregova atyre.

Atëherë Isaia i tha Ezekias: "Dëgjo fjalën e Zotit të ushtrive:

Ja, do të vijnë ditë në të cilat gjithçka që ndodhet në pallatin tënd dhe ato që etërit e tu kanë grumbulluar deri më sot do të mbarten në Babiloni; nuk do të mbetet asgjë, thotë Zoti.

Do të marrin gjithashtu bijtë që kanë dalë prej teje dhe që janë lindur nga ti, do t’i bëjnë eunukë në pallatin e mbretit të Babilonisë".

Ezekia i tha pastaj Isaias: "Fjala e Zotit që ti shqiptove është e mirë". Pastaj shtoi: "Do të ketë të paktën paqe dhe siguri gjatë jetës sime".

Zbulesa 9

Dhe i pesti engjëll i ra borisë, dhe unë pashë një yll që ra nga qielli përmbi tokë; dhe atij iu dha çelësi i pusit të humnerës.

Dhe ai hapi pusin e humnerës dhe nga pusi u ngrit një tym si nga një oxhak i madh; dhe dielli dhe ajri u errën nga tymi i pusit.

Edhe nga ky tym dolën mbi dhe karkaleca, dhe atyre iu dha një pushtet, i ngjashëm me atë të akrepave të tokës.

Dhe atyre iu tha të mos dëmtojnë barin e dheut, asnjë gjelbërim e asnjë dru, por vetëm ata njerëzit të cilët nuk kanë vulën e Perëndisë mbi ballë.

Dhe atyre iu dha fuqia të mos i vrasin ata, por t’i mundojnë pesë muaj; dhe mundimi i tyre si mundimi i akrepit, kur pickon.

Dhe në ato ditë njerëzit do të kërkojnë vdekjen, por nuk do ta gjejnë atë, edhe do të dëshirojnë të vdesin, por vdekja do të largohet prej tyre.

Dhe pamja e karkalecave u përngjante kuajve të gatitur për luftë; dhe mbi kokat e tyre kishin si kurora prej ari dhe fytyrat e tyre ishin si fytyra njerëzish.

Dhe kishin flokë si flokë grash; dhe dhëmbët e tyre ishin si dhëmbë luanësh.

Dhe kishin parzmore si parzmore hekuri, dhe ushtima e krahëve të tyre ishte si ushtima i shumë qerrëve dhe kuajve që rendin në luftim.

10 Dhe kishin bishtra që u ngjanin akrepave dhe me thumb në bishtrat e tyre: në të cilat qëndronte fuqia të dëmtonin njerëzit për pesë muaj.

11 Dhe për mbret përmbi ta kishin engjëllin e humnerës, emri e tij në hebraisht është Abadon dhe në greqisht emrin e ka Apolion.

12 Mjerimi i parë kaloi; ja, po vijnë edhe dy mjerime paskëtaj.

13 Dhe i gjashti engjëll i ra borisë, dhe dëgjova një zë nga të katër brirët e altarit të artë që është përpara Perëndisë,

14 që i thoshte engjëllit të gjashtë që kishte borinë: “Zgjidh të katër engjëjt që janë të lidhur në Lumin e madh, Eufratin.”

15 Atëherë të katër engjëjt, që ishin përgatitur për atë orë, ditë, muaj dhe vit, u zgjidhën që të vrasin të tretën pjesë të njerëzve.

16 Dhe numri i ushtarëve të kalorësisë ishte dyqind milion: dhe unë e dëgjova numrin e tyre.

17 Dhe kështu unë pashë në vegim kuajt dhe ata që i kalëronin; ata kishin parzmore ngjyrë zjarri, hiacinti dhe squfuri; dhe kokat e kuajve ishin si koka luanësh dhe nga gojët e tyre dilte zjarr, tym dhe squfur.

18 Nga këto të tri plagë u vra e treta e njerëzve, nga zjarri e nga tymi e nga squfuri, që dilnin nga gojët e tyre.

19 Sepse pushteti i tyre në fakt ishte në gojën e tyre dhe në bishtrat e tyre; sepse bishtrat e tyre ishin të ngjashëm me gjarpërinj, që kanë koka dhe me anë të tyre dëmtonin.

20 Dhe njerëzit e tjerë, ata që nuk u vranë nga këto plagë, nuk u penduan nga veprat e duarve të tyre që të mos nderojnë demonët dhe idhujt prej ari, argjendi, bronzi, guri dhe druri, që nuk mund të shohin, as të dëgjojnë, as të ecin;

21 dhe ata nuk u penduan nga vrasjet e tyre, as nga magjia e tyre, as nga kurvërimi i tyre dhe as nga vjedhjet e tyre.