M’Cheyne Bible Reading Plan
12 Njerëzit e Efraimit u mblodhën, kaluan në Tsafon dhe i thanë Jefteut: Pse shkove të luftosh kundër bijve të Amonit dhe nuk na thirre të vininn bashkë me ty? Ne do t’i vëmë zjarrin shtëpisë sate bashkë me ty brenda".
2 Jefteu iu përgjegj atyre: "Unë dhe populli im kemi pasur një grindje të madhe me bijtë e Amonit; dhe kur ju kërkova ndihmë nuk më liruat nga duart e tyre.
3 Kështu, duke parë se nuk më vinit në ndihmë, vura në rrezik jetën time dhe marshova kundër bijve të Amonit, dhe Zoti m’i dha në duart e mia. Pse, pra, jeni ngritur sot kundër meje për të më luftuar?".
4 Pastaj Jefteu mblodhi tërë njerëzit e Galaadit dhe u ndesh me Efraimin; dhe njerëzit e Galaadit e mundën Efraimin, sepse këta thonin: "Ju Galaaditët jeni ikanakë të Efraimit në mes të Efraimit dhe në mes të Manasit!".
5 Njerëzit e Galaadit zunë vatë e Jordanit para se të arrinin ata të Efraimit; kështu kur ndonje nga ikanakët e Efraimit thoshte: "M lini të kaloj," njerëzit e Galaadit e pyesnin: "A je ti një Efraimit?". Në rast se ai përgjigjej: "Jo," Galaaditët i thonin:
6 "Atëherë thuaj Shiboleth; në rast se ai thoshte "Shiboleth," sepse nuk mund ta shqiptonte si duhet, e kapnin dhe e vrisnin pranë vaut të Jordanit. Në atë kohë u vranë në këtë mënyrë dyzet e dy mijë njerëz të Efraimit.
7 Jefteu ushtroi funksionin e gjyqtarit gjashtë vjet me radhë. Pastaj Jefteu, Galaaditi, vdiq dhe u varros në një nga qytetet e Galaadit.
8 Mbas tij gjyqtar i Izraelit u bë Ibtsani nga Betlemi.
9 Ai pati tridhjetë bij; martoi tridhjetë bijat e tij dhe solli nga jashtë tridhjetë vajza për bijtë e tij. Qe gjyqtar i Izraelit shtatë vjet me radhë.
10 Pastaj Ibtsani vdiq dhe u varros në Betlem.
11 Mbas tij gjyqtar i Izraelit u bë Eloni, Zabulonit; qe gjyqtar i Izraelit dhjetë vjet me radhë.
12 Pastaj Eloni, Zabulonit, vdiq dhe e varrosën në Ajalon, në vendin e Zabulonit.
13 Mbas tij qe gjyqtar i Izraelit Abdoni, bir i Hilelit, Pirathoniti.
14 Ai pati dyzet bij dhe tridhjetë nipa, që u hipnin shtatëdhjetë gomarëve të vegjël. Ai qe gjyqtar i Izraelit tetë vjet me radhë.
15 Pastaj Abdoni, bir i Hilelit, Pirathoniti, vdiq dhe e varrosën në Pirathon, në vendin e Efraimit, në krahinën malore të Amalekut.
16 Dhe ai arriti në Derbë dhe në Listra; këtu ishte një dishepull me emër Timote, biri i një gruaje judease besimtare, por me baba grek,
2 për të cilin jepnin dëshmi të mirë vëllezërit e Listrës dhe të Ikonit.
3 Pali deshi që të dilte me të; kështu e mori, e rrethpreu për shkak të Judenjve që ishin në ato vende, sepse të gjithë e dinin se babai i tij ishte grek.
4 Dhe, duke kaluar nëpër qytete, i urdhëronin ata të zbatojnë vendimet që ishin marrë nga apostujt dhe nga pleqtë në Jeruzalem.
5 Kishat, pra, po forcoheshin në besim dhe rriteshin në numër përditë.
6 Kur ata po kalonin nëpër Frigji dhe në krahinën e Galatisë, u penguan nga Fryma e Shenjtë që të shpallin fjalën në Azi.
7 Si arritën në kufijtë e Misisë, ata kërkuan të shkojnë në Bitini, por Fryma nuk i lejoi.
8 Kështu, pasi e përshkuan Misinë, zbritën në Troas.
9 Gjatë natës Palit iu shfaq një vegim. I rrinte para një burrë Maqedonas, që i lutej dhe i thoshte: “Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo.”
10 Mbasi e pa vegimin, kërkuam menjëherë të shkojmë në Maqedoni, të bindur se Zoti na kishte thirrur që t’ua shpallim atyre ungjillin.
11 Prandaj, duke lundruar nga Troasi, u drejtuam për në Samotrakë, dhe të nesërmen në Neapolis,
12 dhe prej andej në Filipi, që është qyteti i parë i asaj ane të Maqedonisë dhe koloni romake; dhe qëndruam disa ditë në atë qytet.
13 Ditën e së shtunës dolëm jashtë qytetit anës lumit, ku ishte vendi i zakonshëm për lutje; dhe, si u ulëm, u flisnim grave që ishin mbledhur atje.
14 Dhe një grua, me emër Lidia, që ishte tregtare të purpurtash, nga qyteti i Tiatirës dhe që e adhuronte Perëndinë, po dëgjonte. Dhe Zoti ia hapi zemrën për të dëgjuar gjërat që thoshte Pali.
15 Pasi ajo u pagëzua me familjen e saj, na u lut duke thënë: “Në qoftë se më keni gjykuar se jam besnike ndaj Zotit, hyni në shtëpinë time dhe rrini.” Dhe na detyroi të pranojmë.
16 Dhe, kur po shkonim për lutje, na doli para një skllave e re që kishte një frymë falli, e cila, duke u treguar fatin njerëzve, u sillte shumë fitime zotërinjve të saj.
17 Ajo u vu të ndjekë Palin dhe ne, dhe bërtiste duke thënë: “Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë Shumë të Lartë dhe ju shpallën udhën e shpëtimit.”
18 Dhe ajo e bëri këtë shumë ditë me radhë, por Pali, i mërzitur, u kthye dhe i tha frymës: “Unë të urdhëroj në emër të Jezu Krishtit të dalësh prej saj.” Dhe fryma doli që në atë çast.
19 Por zotërinjtë e saj, kur panë se u humbi shpresa e fitimit të tyre, i kapën Palin dhe Silën dhe i tërhoqën te sheshi i tregut përpara arkondëve;
20 dhe si ua paraqitën pretorët, thanë: “Këta njerëz, që janë Judenj, e turbullojnë qytetin tonë,
21 dhe predikojnë zakone që për ne, që jemi Romakë, nuk është e ligjshme t’i pranojmë dhe t’i zbatojmë.”
22 Atëherë turma u lëshua e gjitha bashkë kundër tyre: dhe pretorëve, ua grisën atyre rrobat dhe urdhëruan t’i rrahin me kamxhik.
23 Dhe si i rrahën me shumë goditje, i futën në burg duke urdhëruar rojtarin e burgut t’i ruajë me kujdes.
24 Ky, si mori një urdhër të tillë, i futi në pjesën më të brendshme të burgut dhe ua shtrëngoi këmbët në dru.
25 Aty nga mesnata Pali dhe Sila po luteshin dhe i këndonin himne Perëndisë; dhe të burgosurit i dëgjonin.
26 Befas u bë një tërmet i madh, saqë u tundën themelet e burgut; dhe në atë çast u hapën të gjitha dyert dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat.
27 Rojtari i burgut, kur u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën dhe donte të vriste veten, duke menduar se të burgosurit kishin ikur.
28 Por Pali thirri me zë të lartë: “Mos i bëj ndonjë të keqe vetes, sepse ne të gjithë jemi këtu.”
29 Atëherë ai kërkoi një dritë, u turr brenda dhe duke u dridhur i tëri u ra ndër këmbë Palit dhe Silës;
30 pastaj i nxori jashtë dhe tha: “Zotërinj, ç’duhet të bëj unë që të shpëtohem?.”
31 Dhe ata i thanë: “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote.”
32 Pastaj ata i shpallën fjalën e Zotit atij dhe gjithë atyre që ishin në shtëpinë e tij.
33 Dhe ai i mori që në atë orë të natës dhe ua lau plagët. Dhe ai dhe të gjithë të tijtë u pagëzuan menjëherë.
34 Mbasi i çoi në shtëpinë e vet, ua shtroi tryezën dhe u gëzua me gjithë familjen e tij që kishte besuar në Perëndinë.
35 Kur u gdhi, pretorët dërguan liktorët t’i thonë rojtarit të burgut: “Lëri të lirë ata njerëz.”
36 Dhe rojtari i burgut i tregoi Palit këto fjalë: “Pretorët kanë dërguar fjalë që të liroheni; dilni, pra, dhe shkoni në paqe.”
37 Por Pali u tha atyre: “Mbasi na kanë rrahur botërisht pa qenë të dënuar në gjyq, ne që jemi qytetarë romakë, na futën në burg dhe tani na nxjerrin fshehtas? Jo, kurrsesi! Le të vijnë vetë ata të na nxjerrin jashtë.”
38 Liktorët ua tregon këto fjalë pretorëve; dhe ata, kur dëgjuan se ishin qytetarë romakë, u frikësuan.
39 Atëherë erdhën dhe iu lutën atyre, dhe si i nxorën, iu lutën që të largohen nga qyteti.
40 Atëherë ata, si dolën nga burgu, hynë në shtëpinë e Lidias dhe, kur panë vëllezërit, i ngushëlluan; dhe ikën.
25 Fjala që iu drejtua Jeremias për tërë popullin e Judës, në vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës (që ishte viti i parë i Nebukadnetsarit, mbret i Babilonisë),
2 dhe që Jeremia shqiptoi përpara tërë popullit të Judës dhe tërë banorëve të Jeruzalemit, duke thënë:
3 "Nga viti i trembëdhjetë i Josias, birit të Amonit, mbret i Judës, deri në këtë ditë janë njëzet e tre vjet që fjala e Zotit më është drejtuar, dhe unë ju kam folur me urgjencë dhe këmbëngulje, por ju nuk më keni dëgjuar.
4 Zoti ju ka dërguar gjithashtu tërë shërbëtorët e tij, profetët me urgjencë dhe këmbëngulje, por ju nuk e keni dëgjuar as keni vënë veshin për të dëgjuar.
5 Ata thonin: "Të kthehet secili nga rruga e tij e keqe dhe nga veprimet e liga, dhe do të banoni në vendin që Zoti ju ka dhënë juve dhe etërve tuaj ngaherë dhe përgjithnjë.
6 Mos shkoni mbas perëndive të tjera për t’u shërbyer dhe për të rënë përmbys para tyre, mos provokoni zemërimin tim me veprën e duarve tuaja, dhe unë nuk do t’ju bëj asnjë të keqe".
7 Por ju nuk më keni dëgjuar," thotë Zoti, "dhe keni provokuar zemërimin tim me veprën e duarve tuaja në dëmin tuaj.
8 Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive: Duke qenë se nuk keni dëgjuar fjalët e mia;
9 ja, unë do të dërgoj të marr tërë kombet e veriut," thotë Zoti, "dhe Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, shërbyesin tim, dhe do t’i sjell kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, kundër tërë kombeve rreth e qark dhe do të caktoj shfarosjen e tyre dhe do t’i bëj objekt habie, talljeje dhe pikëllimi të përhershëm.
10 Do të bëj të heshtin në mes tyre britmat e gëzimit dhe të kënaqësisë, zëri i dhëndrit dhe ai i nuses, zhurma e mokrës dhe drita e llambës.
11 Tërë ky vend do të bëhet një shkreti dhe një objekt habie dhe këta kombe do t’i shërbejnë mbretit të Babilonisë shtatëdhjetë vjet me radhë".
12 "Po kur të mbushen shtatëdhjetë vjet, unë do ta dënoj mbretin e Babilonisë dhe atë komb, vendin e Kaldeasve," thotë Zoti, "për shkak të paudhësisë së tyre, dhe do ta katandis në një shkretim të përjetshëm.
13 Kështu do të sjell në këtë vend tërë gjërat që kam shpallur kundër tij, tërë gjërat që janë shkruar në këtë libër dhe që Jeremia ka profetizuar kundër të gjitha kombeve.
14 Në fakt shumë kombe dhe mbretër të fuqishëm do t’i kthejnë në robëri vetë Kaldeasit dhe unë do t’i shpërblej sipas veprimeve të tyre dhe sipas veprës së duarve të tyre".
15 Sepse kështu më ka thënë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Merr nga dora ime këtë kupë vere të zemërimit tim dhe bëj që të pinë tërë kombet te të cilët do të të dërgoj.
16 Ata do të pinë, do t’u merren këmbët dhe do të çmenden për shkak të shpatës që do të dërgoj në mes të tyre.
17 Atëherë mora kupën nga dora e Zotit dhe bëra që ta pinë tërë kombet pranë të cilëve më kishte dërguar Zoti:
18 Jeruzalemi dhe qytetet e Judës, mbretërit dhe princat e tij, për t’i katandisur në një shkatërrim, në një objekt habie, talljeje dhe mallkimi, siç po ndodh sot;
19 Faraoni, mbreti i Egjiptit, shërbëtorët e tij, princat dhe tërë populli i tij;
20 tërë popullata e përzier, tërë mbretërit e vendit të Uzit, tërë mbretërit e filistejve (domethënë Ashkeloni, Gaza, Ekroni dhe ata që mbetën nga Ashdodi);
21 Edomi, Moabi dhe bijtë e Amonit;
22 tërë mbretërit e Tiros, tërë mbretërit e Sidonit dhe mbretërit e ishujve që ndodhen matanë detit;
23 Dedani, Tema, Buzi dhe tërë ata që presin cepat e mjekrës;
24 tërë mbretërit e Arabisë, tërë mbretërit e popullatës së përzier që banon në shkretëtirë;
25 tërë mbretërit e Zimrit, tërë mbretërit e Elamit,
26 tërë mbretërit e Medias dhe tërë mbretërit e veriut, që janë afër ose larg, si njëri ashtu edhe tjetri, dhe tërë mbretëritë e botës që janë mbi faqen e dheut. Dhe mbreti i Sheshakut do të pijë mbas tyre.
27 "Ti, pra, do t’u thuash atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Pini, dehuni dhe villni; rrëzohuni pa u ngritur më nga shpata që do të dërgoj në mes jush.
28 Dhe në qoftë se nuk pranojnë nga dora jote kupën e pirjes, u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Ju pa tjetër do të pini.
29 Sepse ja, unë po filloj të dënoj qytetin në të cilin përmendet emri im, dhe ju do të mbeteni plotësisht pa u ndëshkuar? Jo, nuk do të mbeteni të pandëshkuar, sepse unë do të thërres shpatën mbi të gjithë banorët e tokës," thotë Zoti i ushtrive.
30 "Prandaj profetizo kundër tyre tërë këto gjëra dhe u thuaj atyre: Zoti vrumbullon që lart dhe bën që të dëgjohet zëri i tij nga banesa e tij e shenjtë; ai do të vrumbullojë me forcë kundër vathës së tij; do të lëshojë një britmë si ata që shtrydhin rrushin kundër gjithë banorëve të tokës.
31 Zhurma do të arrijë deri në skajet e tokës, sepse Zoti ka një mosmarrëveshje me kombet, do të hyjë në gjyq me çdo mish të gjallë dhe do t’i lërë të pabesët në mëshirë të shpatës, thotë Zoti".
32 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ja, një mjerim do të kalojë nga një komb te tjetri dhe një shakullinë e madhe do të ngrihet nga skajet e tokës.
33 Atë ditë ata që janë vrarë nga Zoti do të jenë kudo, nga njëri skaj i tokës te tjetri; nuk do të qahen dhe as do të mblidhen dhe do të varrosen, por do të bëhen pleh mbi faqen e dheut.
34 Bërtisni, o barinj, klithni: rrotullohuni në pluhur, o drejtues të kopesë, sepse ditët e therjes suaj janë plotësuar, dhe do të rrëzoheni si një enë e çmuar.
35 Barinjtë nuk do të kenë asnjë mundësi të ikin, dhe rojet e kopesë asnjë rrugë shpëtimi.
36 Do të dëgjohet britma e barinjve dhe rënkimi i drejtuesve të kopesë, sepse Zoti është duke shkatërruar kullotën e tyre,
37 dhe vathët e qeta janë shkatërruar për shkak të zemërimit të madh të Zotit.
38 Ai e ka lënë si një luan i vogël strehën e tij, sepse vendi i tyre është bërë një shkretëtirë për shkak të tërbimit të shtypësit, për shkak të zemërimit të zjarrtë të Zotit".
11 Tani kur iu afruan Jeruzalemit, drejt Betfage dhe Betania, afër malit të Ullinjve, Jezusi dërgoi dy nga dishepujt e vet,
2 duke u thënë: “Shkoni në fshatin përballë dhe, posa të hyni aty, do të gjeni një kërriç të lidhur, mbi të cilin akoma nuk ka hipur askush; zgjidheni dhe ma sillni.
3 Dhe në se ndokush iu thotë: "Pse po veproni kështu?," përgjigjuni: "I duhet Zotit. Ai do ta kthejë menjëherë këtu".”
4 Ata shkuan dhe e gjetën kërriçin të lidhur afër një dere, në rrugë, dhe e zgjidhën.
5 Disa nga të pranishmit u thanë atyre: “Ç’po bëni? Pse po e zgjidhni kërriçin?.”
6 Këta iu përgjigjën ashtu si u kishte thënë Jezusi dhe ata i lanë të shkojnë.
7 Atëherë ia çuan Jezusit kërriçin, vunë mbi të mantelet e tyre dhe ai u ul mbi të.
8 Shumë njerëz i shtronin rrobat e tyre rrugës dhe të tjerë pritnin degë nga pemët dhe i hidhnin rrugës.
9 Dhe si ata që pararendnin, edhe ata që ndiqnin Jezusin, thërrisnin dhe thonin: “Hosana! Bekuar është ai që vjen në emër të Zotit!
10 E bekuar është mbretëria e Davidit, atit tonë, që vjen në emër të Zotit. Hosana në vendet shumë të larta!.”
11 Kështu hyri Jezusi në Jeruzalem dhe në tempull; dhe, mbasi shikoi mirë çdo gjë, duke qenë se ishte vonë, doli bashkë me të dymbëdhjetët në drejtim të Betanias.
12 Të nesërmen, kur dolën nga Betania, ai kishte uri.
13 Dhe, duke parë nga larg një fik që kishte gjethe, shkoi për të parë në se mund të gjente diçka atje; por, kur iu afrua, s’gjeti asgjë përveç gjetheve, sepse nuk ishte koha e fiqve.
14 Atëherë Jezusi, duke iu drejtuar fikut, tha: “Askush mos ngrëntë kurrë fryt prej teje përjetë.” Dhe dishepujt e tij e dëgjuan.
15 Kështu arritën në Jeruzalem. Dhe Jezusi, mbasi hyri në tempull, filloi t’i dëbojë ata që shisnin dhe blinin brenda tempullit dhe përmbysi tavolinat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e shitësve të pëllumbave.
16 Dhe nuk lejoi asnjë që të mbartte sende nëpër tempull.
17 Dhe i mësonte duke u thënë atyre: “Vallë nuk është shkruar: "Shtëpia ime do të quhet shtëpi e lutjes për të gjithë kombet"? Ju, përkundrazi, e keni bërë shpellë kusarësh!.”
18 Tani skribët dhe krerët e priftërinjve kur i dëgjuan këto fjalë kërkonin mënyrën se si ta vrisnin, por kishin frikë prej tij, sepse gjithë turma ishte e mahnitur nga doktrina e tij.
19 Dhe kur u bë darkë, Jezusi doli jashtë qytetit.
20 Të nesërmen në mengjes, duke kaluar, panë se fiku ishte tharë me gjithë rrënjë.
21 Dhe Pjetri, duke u kujtuar, i tha: “Mësues, ja, fiku që ti mallkove qenka tharë.”
22 Atëherë Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Kini besimin e Perëndisë!
23 Sepse ju them në të vërtetë se nëse dikush do t’i thotë këtij mali: Luaj vendit dhe hidhu në det,," dhe nuk do të ketë dyshime në zemër të vet, por do të besojë se ajo që po thotë do të ndodhë, çdo gjë që të thotë do t’i bëhet.
24 Prandaj po ju them: Të gjitha ato që ju kërkoni duke lutur, besoni se do t’i merrni dhe ju do t’i merrni.
25 Dhe kur nisni të luteni, nëse keni diçka kundër ndokujt, faleni, që edhe Ati juaj që është në qiejt, t’ju falë mëkatet tuaja.
26 Por në se ju nuk falni, as Ati juaj, që është në qiejt, nuk do t’jua falë mëkatet tuaja.”
27 Pastaj ata erdhën përsëri në Jeruzalem; dhe ndërsa ai po ecte nëpër tempull, krerët e priftërinjve, skribët dhe pleqtë iu afruan,
28 dhe i thanë: “Me ç’pushtet i bën ti këto gjëra? Kush ta dha këtë pushtet për t’i kryer këto gjëra?.”
29 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Edhe unë do t’ju pyes diçka; më jepni përgjigje, pra, dhe unë do t’ju them me ç’pushtet i bëj këto gjëra.
30 Pagëzimi i Gjonit a ishte nga qielli apo nga njerëzit? Më jepni përgjigje.
31 Ata filluan të arsyetonin midis tyre: “Po të themi "nga qielli," ai do të thotë: "Atëherë pse ju nuk i besuat?".
32 Por po t’i themi "nga njerëzit," kemi frikë nga populli, sepse të gjithë e konsideronin Gjonin se ishte me të vërtetë një profet.”
33 Prandaj, duke iu përgjigjur, i thanë Jezusit: “Nuk e dimë.” Dhe Jezusi duke u përgjigjur, u tha atyre: “As unë nuk po ju them se me çfarë pushteti i bëj këto gjëra.”