Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Jozueu 18-19

18 Pastaj tërë asambleja e bijve të Izraelit u mblodh në Shiloh, dhe aty ngritën çadrën e mbledhjes. Vendi u ishte nënshtruar atyre.

Por kishte midis bijve të Izraelit shtatë fise, që nuk e kishin marrë akoma trashëgiminë e tyre.

Kështu Jozueu u tha bijve të Izraelit: "Deri kur nuk do të kujdeseni të shkoni të merrni vendin që Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ju ka dhënë?

Zgjidhni midis jush tre burra për çdo fis dhe unë do t’i nis. Ata do të ngrihen, do ta përshkojnë vendin, do të bëjnë përshkrimin e tij në bazë të pjesës së tyre të trashëgimisë dhe pastaj do të kthehen tek unë.

Ata do ta ndanë në shtatë pjesë: Juda do të mbetet në territorin e tij në jug dhe shtëpia e Jozefit në territorin e tij në veri.

Ju do të bëni, pra, përshkrimin e vendit në shtatë pjesë; do ta sillni tek unë dhe unë do të hedh shortin për ju këtu, para Zotit, Perëndisë tonë.

Por Levitët nuk duhet të kenë asnjë pjesë në mes tuaj, sepse priftëria e Zotit është trashëgimia e tyre; dhe Gadi, Rubeni dhe gjysma e fisit të Manasit kanë marrë trashëgiminë e tyre matanë Jordanit në lindje, që Moisiu, shërbëtori i Zotit, u ka dhënë atyre".

Ata njerëz, pra, u ngritën dhe u nisën; dhe Jozueu i urdhëroi ata që niseshin për të përshkruar vendin, duke u thënë: "Shkoni, përshkoni vendin dhe bëni përshkrimin e tij; pastaj kthehuni tek unë, dhe këtu unë do të hedh shortin për ju para Zotit në Shiloh".

Kështu ata njerëz u nisën, e përshkuan vendin dhe bënë në një libër përshkrimin e shtatë pjesëve të tij simbas qyteteve; pastaj u kthyen tek Jozueu në kampin e Shilohut.

10 Atëherë Jozueu hodhi shortin për ta në Shiloh para Zotit dhe e ndau vendin midis bijve të Izraelit, simbas ndarjeve të tyre.

11 U hodh në short pjesa e fisit të bijve të Beniaminit, simbas familjeve të tyre; territori që u ra në short kishte kufijtë e tij midis bijve të Judës dhe bijve të Jozefit.

12 Nga ana veriore kufiri i tyre fillonte me Jordanin, ngjitej në shpatin në veri të Jerikos, kalonte krahinën malore në drejtim të perëndimit dhe mbaronte në shkretëtirën e Beth-Avenit.

13 Që andej kufiri ngjitej në Luc, mbi shpatin në jug të Lucit (që është Betheli); pastaj zbriste në Ataroth-Adar, pranë malit që ndodhet në jug të Beth-Horonit të poshtëm.

14 Pastaj kufiri shtrihej, duke kthyer në krahun perëndimor drejt jugut të malit që ngrihej përballë Beth-Horonit, në jug, dhe mbaronte në Kirjath-Baal (që është Kiriath-Jearimi), qytet i bijve të Judës. Ky ishte krahu perëndimor.

15 Ana jugore fillonte në skajin e Kiriath-Jearimit. Kufiri zgjatej në drejtim të perëndimit deri sa prekte burimin e ujërave të Neftoahut;

16 pastaj kufiri zbriste në skajin e malit që ndodhet përballë luginës së birit të Hinomit, që është në luginën e gjigantëve, në veri, dhe zbriste nëpër luginën e Hinomit, në anën jugore të qytetit të Jebuzejve, deri në En-Rogel.

17 Pastaj kthente në drejtim të veriut dhe arrinte në En-Shemesh; shtrihej në drejtim të Gelilothit, që ndodhet përballë së përpjetës të Adumimit, dhe zbriste në gurin e Bohanit, birit të Rubenit;

18 pas kësaj kalonte në shpatin verior përballë Arabahut dhe zbriste në drejtim të tij.

19 Kufiri kalonte pastaj nga shpati verior i Beth-Hoglahut dhe mbaronte në kepin verior të Detit të Kripur, në skajin jugor të Jordanit. Ky ishte kufiri në jug.

20 Jordani shërbente si kufi nga ana lindore. Kjo ishte trashëgimia e bijve të Beniaminit në bazë të kufijve rreth e qark, simbas familjeve të tyre.

21 Qytetet e fiseve të bijve të Beniaminit, simbas familjeve të tyre, ishin Jeriko, Beth-Hoglahu, Emek-Ketsitsi,

22 Beth-Arabahu, Tsemaraimi, Betheli,

23 Avimi, Parahu, Ofrahu,

24 Kefar-Haamoni, Ofni dhe Geba: dymbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre;

25 Gabaoni, Ramahu, Beerothi,

26 Mitspehu, Kefirahu, Motsahu,

27 Rekemi, Irpeeli, Taralahu,

28 Tselahu, Efeli, Gebusi (që është Jeruzalemi), Gibeathi dhe Kirjathi: katërmbëdhjetë qytete me gjithë fshatrat e tyre. Kjo që trashëgimia e bijve të Beniaminit, simbas familjeve të tyre.

19 Pjesa e dytë që u hodh me short i takoi Simeonit, fisit të bijve të Simeonit simbas familjeve të tyre. Trashëgimia e tyre ndodhej në mes të trashëgimisë së bijve të Judës.

Trashëgimia e tyre përfshinte Beer-Sheban (Sheban), Moladahun,

Hatsar-Shualin, Balahun, Etsemin,

Eltoladin, Bethulin, Hormahun,

Tsiklagun, Beth-Markabothin, Hatsar-Susahin,

Beth-Lebaothin dhe Sharuhenin: trembëdhjetë qytete me fshatrat e tyre;

Ainin, Rimonin, Etherin dhe Ashanin: katër qytete me fshatrat e tyre,

dhe të gjitha fshatrat që ndodheshin rreth këtyre qyteteve, deri në Baalath-Beer, Ramah të Negevit. Kjo përfaqësonte trashëgiminë e fisit të bijve të Simeonit, simbas familjeve të tyre.

Trashëgiminë e bijve të Simeonit e morën bijtë e Judës, sepse pjesa e bijve të Judës ishte tepër e madhe për ata; kështu bijtë e Simeonit e patën trashëgiminë e tyre në mes të trashëgimisë së bijve të Judës.

10 Pjesa e tretë që u hodh me short u ra bijve të Zabulonit, simbas familjeve të tyre. Territori i trashëgimisë së tyre shtrihej deri në Sarid.

11 Kufiri i tyre ngjitej në perëndim në drejtim të Maralahut dhe arrinte në Dabesheth dhe pastaj në përruan që rrjedh përballë Jokneamit.

12 Nga Saridi kthente në lindje në drejtim të lindjes, deri në kufirin e Flakëve të Taborit, pastaj shtrihej në drejtim të Daberathit, duke arritur deri në Jafia.

13 Që këtej kalonte në lindje deri në Gath-Hefer dhe Eth-Katsin, pastaj shtrihej deri në Rimon dhe arrinte në Neath.

14 Pas kësaj kufiri kthente në drejtim të veriut nga ana e Hanathonit dhe mbaronte në luginën e Jiftah-Elit.

15 Ai përfshinte gjithashtu Katahun, Nahalalin, Shimronin, Idalahin dhe Betlemin: dymbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre.

16 Kjo qe trashëgimia e bijve të Zabulonit, simbas familjeve të tyre, këto qytete bashkë me fshatrat e tyre.

17 Pjesa e katërt që u hodh me short i ra Isakarit, bijve të Isakarit, simbas familjeve të tyre.

18 Territori i tyre shkonte deri në Jezreel, Kesulloth, Shunem,

19 Hafaraim, Shion, Anaharath,

20 Rabith, Kishion, Abets,

21 Remeth, En-Ganim, En-Hadah dhe Beth-Patsets.

22 Pastaj kufiri arrinte deri në Tabor, Shahatsimah dhe Beth-Shemesh, dhe mbaronte në Jordan: gjashtëmbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre.

23 Kjo qe trashëgimia e fisit të bijve të Isakarit, simbas familjeve të tyre, qytetet bashkë me fshatrat e tyre.

24 Pjesa e pestë që u hodh me short u ra bijve të Asherit, simbas familjeve të tyre.

25 Ky territor përfshinte Helkathin, Halin, Betenin, Akshafin,

26 Alamelekun, Amadin dhe Mishalin. Kufiri i tyre arrinte, në drejtim të perëndimit, malin Karmel dhe Shihor-Libnathin.

27 Pastaj kthente nga lindja, në drejtim të Beth-Dagonit, arrinte në Zabulon dhe në luginën e Jiftah-Elit në veri të Beth-Emekut dhe të Nejelit, dhe zgjatej në drejtim të Kabulit në të majtë,

28 dhe në drejtim të Ebronit, Rehobit, Hamonit dhe Kanahut deri në Sidonin e Madh.

29 Pastaj kufiri kthente në drejtim të Ramahut deri në qytetin e fortifikuar të Tirit, kthente nga ana e Hosas dhe mbaronte në det nga ana e territorit të Akzibit.

30 Ai përfshinte gjithashtu Umahun, Afekun dhe Rehobin: njëzet e dy qytete me fshatrat e tyre.

31 Kjo qe trashëgimia e fisit të bijve të Asherit, simbas familjeve të tyre, këto qytete bashkë me fshatrat e tyre.

32 Pjesa e gjashtë që u hodh me short u ra bijve të Neftalit, simbas familjeve të tyre.

33 Kufiri i tyre shtrihej nga Helefi, nga lisi në Zaananim, nga Adami-Nekebi dhe Jabneeli deri në Lakum dhe mbaronte në Jordan.

34 Pastaj kufiri kthente në perëndim në drejtim të Aznoth-Taborit, dhe që këtej vazhdonte deri në Hukok; arrinte në Zabulon nga ana e jugut, në Asher nga perëndimi dhe në Juda të Jordanit nga ana e lindjes.

35 Qytetet e fortifikuara ishin: Tsidimi, Tseri, Hamathi, Rakathi, Kinerethi,

36 Adamahu, Ramahu, Hatsori,

37 Kedeshi, Edrei, En-Hatsori,

38 Jironi, Migdal-Eli, Horemi, Beth-Anathi dhe Beth-Shemeshi: nëntëmbëdhjetë qytete bashkë me fshatrat e tyre.

39 Kjo qe trashëgimia e fisit të bijve të Neftalit, simbas familjeve të tyre, qytetet me fshatrat e tyre.

40 Pjesa e shtatë që u hodh me short i ra fisit të bijve të Danit, simbas familjeve të tyre.

41 Territori i trashëgimisë së tyre përfshinte Tsorahun, Eshtaolin, Ir-Shemeshin,

42 Shaalabinin, Aijalonin, Jithlahun,

43 Elonin, Timnathahun, Ekronin,

44 Eltekehun, Gibethonin, Baalathin,

45 Jehudin, Bene-Berakun, Gath-Rimonin,

46 Me-Jarkon dhe Rakonin me territorin që shtrihej përpara Jafos.

47 Por territori i bijve të Danit u shtri matanë këtyre kufijve, sepse bijtë e Danit shkuan për të luftuar kundër Leshemit; e pushtuan dhe vranë me shpatë banorët e tij; kështu e pushtuan, u vendosën aty dhe i vunë emrin Dan, nga emri i atit të tyre.

48 Kjo qe trashëgimia e fisit të bijve të Danit, simbas familjeve të tyre, këto qytete me fshatrat e tyre.

49 Kur bijtë e Izraelit përfunduan ndarjen e trashëgimisë së vendit simbas kufijve të tij, i dhanë Jozueut, birit të Nunit, një trashëgimi në mes të tyre.

50 Simbas urdhrit të Zotit, i dhanë qytetin që ai kërkoi, Timnath-Serahun, në krahinën malore të Efraimit. Ai ndërtoi qytetin dhe banoi në të.

51 Këto janë trashëgimitë që prifti Eleazar, Jozueu, bir i Nunit, dhe kryetarët e familjeve të fiseve të bijve të Izraelit ndanë me short në Shiloh, përpara Zotit, në hyrje të çadrës së mbledhjes. Kështu ata përfunduan ndarjen e vendit.

Psalmet 149-150

149 Aleluja. Këndojini Zotit një këngë të re, këndoni lavdinë e tij në kuvendin e shenjtorëve.

Le të ngazëllohet Izraeli tek ai që e ka bërë, le të ngazëllohen bijtë e Sionit te Mbreti i tyre.

Le të lëvdojnë emrin e tij me valle, të këndojnë lavdet e tij me dajre dhe me qeste,

sepse Zoti kënaqet me popullin e tij; ai i kurorëzon me shpëtim njerëzit e përulur.

Le të ngazëllohen shenjtorët në lavdi, le të këndojnë nga gëzimi mbi shtretërit e tyre.

Le të kenë në gojën e tyre lavdet e Perëndisë dhe në dorën e tyre një shpatë që pret nga të dy anët;

për t’u hakmarrë me kombet dhe për t’u dhënë ndëshkime popujve,

për t’i lidhur mbretërit e tyre me zinxhirë dhe fisnikët e tyre me pranga hekuri,

për të zbatuar mbi ta gjykimin e shkruar. Ky është nderi që u rezervohet mbarë shenjtorëve të tij. Aleluja.

150 Aleluja, lëvdoni Perëndinë në shenjtoren e tij, lëvdojeni në kupën qiellore të pushtetit të tij.

Lëvdojeni për mrekullitë e tij, lëvdojeni sipas madhështisë e tij.

Lëvdojeni me tingullin e burive, lëvdojeni me tingullin e harpës dhe me qeste.

Lëvdojeni me dajre dhe me valle, lëvdojeni me vegla me tela dhe me frymë.

Lëvdojeni me cembale tingëlluese, lëvdojeni me cembale kumbuese.

Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin. Aleluja.

Jeremia 9

Oh, sikur koka ime të ishte një burim uji dhe sytë e mi një burim lotësh, në mënyrë që të mund të qaja ditë e natë të vrarët e bijës së popullit tim!

Ah, sikur të kisha në shkretëtirë një strehë për udhëtarët! Do ta braktisja popullin tim dhe do të shkoja larg tij, sepse janë të gjithë shkelës të kurorës, një turmë tradhtarësh.

"Zgjasin gjuhën e tyre sikur të ishte harku i tyre për të lëshuar gënjeshtra; në vend janë të fortë, por jo për shkak të së vërtetës, sepse shkojnë nga një e keqe në tjetrën dhe nuk më njohin mua," thotë Zoti.

"Të ruhet secili nga fqinji i tij dhe mos i keni besim çdo vëllai, sepse çdo vëlla nuk bën gjë tjetër veçse mashtron dhe çdo fqinj përhap shpifje.

Secili mashtron fqinjin e tij dhe nuk thotë të vërtetën; e ushtron gjuhën e tij për të thënë gënjeshtra dhe mundohet për të bërë të keqen.

Banesa jote është në mes të mashtrimit dhe për shkak të mashtrimit nuk duan të më njohin," thotë Zoti.

Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ja, unë do t’i rafinoj dhe do t’i vë në provë. Çfarë tjetër, pra, mund të bëj për bijën e popullit tim?

Gjuha e tyre është një shigjetë vrasëse; ajo nuk thotë veçse gënjeshtra. Me gojën e vet secili i flet për paqe fqinjit të tij, por në zemër të vet, ai rri në pritë.

A nuk duhet vallë t’i dënoj për këto gjëra?," thotë Zoti. "A nuk duhet të hakmerrem me një komb të tillë?".

10 Nëpër malet do të ngre vaje dhe rënkime dhe nëpër kullotat e shkretëtirës një vajtim, sepse janë djegur dhe nuk kalon asnjeri nëpër to, nuk dëgjohet më blegërima e kopeve. Zogjtë e qiellit dhe kafshët kanë ikur, janë zhdukur.

11 "Unë do t’a katandis Jeruzalemin në një tog gërmadhash dhe në një strehë çakejsh; do t’i bëj të shkreta, pa banorë, qytetet e Judës".

12 Cili është njeriu i urtë që mund t’i kuptojë këto gjëra dhe ai të cilit goja e Zotit i ka folur që ta shpallë? Pse vallë vendi është shkatërruar dhe shkretuar si një shkretëtirë dhe nuk po kalon më askush nëpër të?

13 Zoti thotë: "Sepse këta kanë braktisur ligjin tim që kisha vënë përpara, nuk dëgjuan zërin tim dhe nuk kanë ecur në përshtatje me të,

14 por kanë ndjekur kryeneçësinë e zemrave të tyre dhe Baalët, që etërit e tyre u kishin bërë të njohur".

15 Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do ta ushqej këtë popull me pelin dhe do ta bëj të pijë ujë të helmuar.

16 Do t’i shpërndaj nëpër kombet, që as ata as etërit e tyre nuk i kanë njohur, dhe do të dërgoj pas tyre shpatën, deri sa t’i kem shkatërruar plotësisht".

17 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Mendoni të thërrisni vajtorët: le të vijnë! Shkoni e thërrisni më të zonjat: le të vijnë!

18 Le të nxitojnë dhe ta nisin vajin mbi ne me qëllim që sytë tonë të derdhin lot dhe qepallat tona të lëshojnë ujë".

19 Sepse një zë vaji dëgjohet nga Sioni: "Sa jemi shkatërruar! Jemi shumë të shushatur, sepse duhet të braktisim vendin, sepse kanë shembur banesat tona".

20 Prandaj dëgjoni fjalën e Zotit, o gra, dhe veshi juaj ta zërë fjalën e gojës së tij. U mësoni bijave tuaja një vajtim dhe secila t’i mësojë fqinjës së saj një këngë mortore.

21 Sepse vdekja është ngjitur nëpër dritaret tona, ka hyrë në pallatet tona për t’i zhdukur fëmijët nga rruga dhe të rinjtë nga sheshet.

22 "Fol: Kështu thotë Zoti: "Kufomat e njerëzve do të rrinë si pleh në fushën e hapët, si një demet i lënë pas nga korrësi dhe qëaskush nuk e mbledh"".

23 Kështu thotë Zoti: "I dituri të mos lavdërohet me diturinë e tij, njeriu i fortë të mos lavdërohet me forcën e tij, i pasuri të mos lavdërohet me pasurinë e tij.

24 Por kush lavdërohet të lavdërohet me këtë: të ketë gjykim dhe të më njohë mua, që jam Zoti, që bëj mirësinë, ushtroj të drejtën dhe drejtësinë mbi tokë; sepse kënaqem me këto gjëra," thotë Zoti.

25 "Ja, po vijnë ditët," thotë Zoti, "në të cilat do të ndëshkoj të gjithë të rrethprerët që janë të parrethprerë:

26 Egjiptin, Judën, Edomin, bijtë e Amonit, Moabin dhe tërë ata që presin cepat e mjekrës dhe banojnë në shkretëtirë; sepse tërë kombet janë të parrethprerë dhe tërë shtëpia e Izraelit është me zemër të parrethprerë".

Mateu 23

23 Atëherë Jezusi u foli turmave dhe dishepujve të vet,

duke thënë: “Skribët dhe farisenjtë ulen mbi katedrën e Moisiut.

Zbatoni, pra, dhe bëni gjithçka t’ju thonë të zbatoni; por mos bëni si bëjnë ata, sepse thonë, por nuk e bëjnë.

Por lidhin barrë të rënda që barten me vështirësi, dhe ua vënë mbi kurrizin e njerëzve; Por ata nuk duan të luajnë vetë as me gisht.

Por të gjitha veprat e tyre i bëjnë për t’u dukur nga njerëzit; i zgjërojnë filateritë e tyre dhe i zgjatin thekët e rrobave të tyre.

Duan kryet e vendit në gostira dhe vendet e para në sinagoga,

si edhe përshëndetjet në sheshe dhe të quhen rabbi, rabbi nga njerëzit.

Por ju mos lejoni që t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm një është mësuesi juaj: Krishti, dhe ju të gjithë jeni vëllezër.

Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd atë tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej.

10 As mos lejoni që t’ju quajnë udhëheqës, sepse vetëm një është udhëheqësi juaj: Krishti.

11 Dhe më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj.

12 Sepse kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet.

13 Por mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse mbyllni mbretërinë e qiejve para njerëzve; sepse as ju nuk hyni, as nuk i lini të hyjnë ata që janë për të hyrë.

14 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse gllabëroni shtëpitë e të vejave dhe për sy e faqe bëni lutje të gjata; për këtë arsye ju do të pësoni një dënim më të rreptë.

15 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse përshkoni detin dhe dheun për të bërë prozelitë, dhe kur ndokush bëhet i tillë, e bëni bir të Gehenas dhe dy herë më të keq se ju!

16 Mjerë ju, udhëheqës të verbër, që thoni: "Në qoftë se dikush betohet për tempullin, kjo s’është gjë; por në qoftë se betohet për arin e tempullit, është i detyruar".

17 Të marrë dhe të verbër! Sepse cili është më i madh: ari apo tempulli që e shenjtëron arin?

18 Dhe në qoftë se dikush betohet për altarin, s’është gjë; por ne qoftë se betohet për ofertën që është mbi të, është i detyruar".

19 Të marrë dhe të verbër! Sepse cila është më e madhe, oferta apo altari që e shenjtëron ofertën?

20 Ai, pra, që betohet për altarin, betohet për të dhe për çdo gjë që është përmbi të!

21 Ai që betohet për tempullin, betohet për të dhe për atë që banon atje.

22 Dhe ai që betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për atë që është ulur mbi të.

23 Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ju llogaritni të dhjetën e mëndrës, të koprës dhe të barit të gjumit, dhe lini pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin, mëshirën dhe besimin; këto gjëra duhet t’i praktikoni pa i lënë pas dore të tjerat.

24 Udhëheqës të verbër, që sitni mushkonjën dhe kapërdini devenë!

25 Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse pastroni anën e jashtme të kupës dhe të pjatës, ndërsa përbrenda janë plot me grabitje dhe teprime.

26 Farise i verbër! Pastro më parë përbrenda kupën dhe pjatën, që edhe përjashta të jetë e pastër.

27 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse u ngjani varreve të zbardhuara (me gëlqere), që nga jashtë duken të bukur, por brenda janë plot eshtra të vdekurish dhe gjithfarë papastërtish.

28 Kështu edhe ju nga jashtë u paraqiteni njerëzve si të drejtë; por përbrenda jeni plot hipokrizi dhe paudhësi.

29 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ndërtoni varrezat e profetëve dhe zbukuroni monumentet e të drejtëve,

30 dhe thoni: "Po të kishim jetuar në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim bashkëpunuar me ta në vrasjen e profetëve".

31 Duke folur kështu, ju dëshmoni kundër vetes suaj, se jeni bijtë e atyre që vranë profetët.

32 Ju e kaloni masën e etërve tuaj!

33 O gjarpërinj, o pjellë nëpërkash! Si do t’i shpëtoni gjykimit të Gehenas?

34 Prandaj, ja unë po ju dërgoj profetë, dijetarë dhe skribë; ju disa prej tyre do t’i vritni dhe do t’i kryqëzoni, disa të tjerë do t’i fshikulloni në sinagogat tuaja dhe do t’i persekutoni nga një qytet në tjetrin,

35 që të bjerë mbi ju gjithë gjaku i drejtë i derdhur mbi dhe, nga gjaku i të drejtit Abel, deri te gjaku i Zaharias, birit të Barakias, që ju e vratë ndërmjet tempullit dhe altarit.

36 Në të vërtetë po ju them se të gjitha këto gjëra do të bien mbi këtë brez.

37 Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët!

38 Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë.

39 Sepse unë po ju them, se tash e tutje nuk do të më shihni më deri sa të thoni: "I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!".”