M’Cheyne Bible Reading Plan
11 Kur Jabini, mbret i Hatsorit, i mësoi këto ngjarje, u dërgoi lajmëtarë Johabit, mbretit të Madonit, mbretit të Shimronit dhe atij të Akshafit,
2 mbretërve që ndodheshin në veri të zonës malore, në Arabah, në jug të Kinerethit, në ultësirën dhe mbi lartësitë e Dorit, në perëndim,
3 Kananejve që ishin në lindje dhe në perëndim, Amorejve, Hitejve, Perezejve dhe Jebusejve në krahinën malore, Hivejve në këmbët e malit Hermon në vendin e Mitspahut.
4 Kështu ata dolën, ata vetë me tërë ushtritë e tyre, një turmë shumë e madhe si rëra që është mbi bregun e detit dhe me kuaj e qerre në një numër shumë të madh.
5 Kështu tërë këta mbretër u bashkuan dhe erdhën në afërsitë e ujërave të Meromit për të ngritur një kamp të përbashkët dhe për të luftuar kundër Izraelit.
6 Por Zoti i tha Jozueut: "Mos u tremb nga ata, sepse nesër në këtë orë ke për t’i parë të gjithë të vrarë para Izraelit. Do të presësh leqet e këmbëve të kuajve të tyre dhe do të djegësh qerret e tyre".
7 Jozueu, pra, dhe gjithë luftëtarët bashkë me të, marshuan papritmas kundër tyre afër ujërave të Meromit dhe i sulmuan;
8 dhe Zoti i dha në duart e Izraelitëve, të cilët i mundën dhe i ndoqën deri në Sidonin e madh, deri në ujërat e Misrefothit dhe në luginën e Mitspahut, në drejtim të lindjes; i mundën deri në atë pikë sa nuk lanë të gjallë asnjë prej tyre.
9 Jozueu i trajtoi si i kishte thënë Zoti preu leqet e këmbëve të kuajve të tyre dhe ua dogji qerret.
10 Në po atë periudhë Jozueu u kthye dhe pushtoi Hatsorin, vrau mbretin e tij me shpatë, sepse në të kaluarën Hatsori kishte qenë kryeqyteti i tërë këtyre mbretërive.
11 Vrau me shpatë tërë njerëzit që gjendeshin aty, duke vendosur shfarosjen e tyre; pastaj i vuri flakën Hatsorit.
12 Kështu Jozueu pushtoi tërë qytetet e këtyre mbretërive, zuri mbretërit e tyre dhe i vrau me shpatë, duke vendosur shfarosjen e tyre, ashtu si kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit.
13 Por Izraeli nuk u vuri flakën asnjërit prej qyteteve që ngriheshin në kodrinat, me përjashtim të Hatsorit, i vetmi qytet që Jozueu dogji.
14 Bijtë e Izraelit morën për vete tërë plaçkën e këtyre qyteteve dhe bagëtinë, por vranë tërë njerëzit dhe nuk lanë shpirt të gjallë.
15 Ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, shërbëtorin e tij, kështu Moisiu urdhëroi Jozueun, dhe ky nuk la pas dore asgjë nga tërë ato që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut.
16 Kështu Jozueu shtiu në dorë tërë atë vend, krahinën malore, tërë Negevin, tërë vendin e Goshenit, ultësirën, Arabahun, krahinën malore të Izraelit dhe ultësirat e tij,
17 nga mali Holak, që ngrihet në drejtim të Seirit, deri në Baal-Gad në luginën e Libanit në këmbët e malit Hermon; zuri tërë mbretërit e tyre, i goditi dhe i vrau.
18 Jozueu luftoi gjatë kundër të gjithë këtyre mbretërve.
19 Nuk pati qytet që të bënte paqe me bijtë e Izraelit, me përjashtim të Hivejve që banonin në Gabaon; i pushtuan të gjitha me luftë.
20 Në fakt ishte Zoti vetë që fortësonte zemrën e tyre që të bënin luftë kundër Izraelit, me qëllim që Izraeli të vendoste shfarosjen e tyre pa asnjë mëshirë për ta, por t’i zhdukte nga faqja e dheut ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
21 Po në këtë periudhë Jozueu u nis në marshim dhe shfarosi Anakitët e krahinës malore, ata të Hebronit, të Debirit, të Anabit, të të gjithë krahinës malore të Judës dhe të të gjithë krahinës malore të Izraelit; Jozueu vendosi shfarosjen e tyre të plotë bashkë me qytetet e tyre.
22 Nuk mbetën më Anakitë në vendin e bijve të Izraelit; mbetën disa prej tyre vetëm në Gaza, në Gath dhe në Ashod.
23 Kështu Jozueu shtiu në dorë tërë vendin, pikërisht ashtu siç i kishte thënë Zoti Moisiut; Jozueu ia la pastaj si trashëgim Izraelit, simbas ndarjeve të tyre në fise. Dhe kështu vendi pati një pushim nga lufta.
144 Bekuar qoftë Zoti, kështjella ime, që i mëson duart e mia për luftë dhe gishtërinjtë e mi për betejë.
2 Ai është hiri im dhe kështjella ime, streha ime e lartë dhe çliruesi im, mburoja ime në të cilën gjej strehë, ai që ma nënshtron mua popullin tim.
3 O Zot, çfarë është njeriu që ti të kujdesesh për të, ose biri i njeriut që ti ta përfillësh?
4 Njeriu është si një frymë dhe ditët e tij janë si hija që kalon.
5 Uli qiejtë e tu, o Zot, dhe zbrit, dhe ata do të nxjerrin tym.
6 Hidh rrufetë dhe shpërndaji, lësho shigjetat e tua dhe bëji të ikin.
7 Shtrije dorën tënde nga lart, më shpëto dhe më çliro nga ujërat e mëdha dhe nga dora e të huajve,
8 goja e të cilëve thotë gënjeshtra dhe dora e djathtë e tyre është një e djathtë mashtrimi.
9 O Perëndi, do të këndoj një kantik të ri, do të këndoj lavdet e tua me një harpë me dhjetë tela.
10 Ti, që u jep fitoren mbretërve dhe që çliron shërbëtorin tënd David nga shpata e kobshme,
11 më shpëto dhe më çliro nga dora e të huajve, goja e të cilëve thotë gënjeshtra dhe dora e djathtë e tyre është një e djathtë mashtrimi.
12 Bijtë tanë në rininë e tyre qofshin si një bimë e harlisur, dhe bijat tona qofshin si shtylla qosheje, të gdhendura mirë për të zbukuruar një pallat.
13 Hambaret tona qofshin plot dhe paçin nga të gjitha të mirat; kopetë tona u shtofshin me mijëra dhe dhjetra mijëra në fushat tona;
14 qetë tanë tërheqshin ngarkesa të rënda dhe mos pastë asnjë sulm të papritur, dalje të papritur as britmë në sheshet tona.
15 Lum ai popull që është në gjendje të tillë, lum ai popull që ka për Perëndi Zotin.
5 Shkoni rreth e rrotull nëpër rrugët e Jeruzalemit; shikoni dhe binduni, dhe kërkoni në sheshet e tij në rast se gjeni një njeri, një njeri të vetëm që zbaton drejtësinë, që kërkon të vërtetën, dhe unë do ta fal.
2 Edhe kur thonë: "Zoti rron," me siguri betohen për atë që është e gënjeshtërt.
3 O Zot, nuk janë sytë e tu për të vërtetën? Ti i godite, por ata nuk ndjenë asnjë dhembje; i ke konsumuar, por kanë refuzuar të pranojnë korrigjimin. Ata e ngurtësuan fytyrën e tyre më tepër se shkëmbi dhe nuk pranuan të kthehen.
4 Prandaj thashë: "Ata janë me siguri të varfër, janë pa mend sepse nuk njohin rrugën e Zotit, ligjin e Perëndisë së tyre.
5 Do të shkoj, pra, te të mëdhenjtë dhe do t’u flas atyre, sepse ata e njohin rrugën e Zotit, ligjin e Perëndisë së tyre". Por edhe ata bashkë kanë shkallmuar zgjedhën dhe i kanë këputur verigat.
6 Prandaj luani i pyllit i vret, ujku i shkretëtirës i shkatërron, leopardi rri në pritë afër qyteteve të tyre; kushdo që del prej tyre copëtohet, sepse shkeljet e tyre janë të shumta, rebelimet e tyre janë shtuar.
7 "Si do të mund të të falja për këtë? Bijtë e tu më kanë braktisur dhe betohen për ata që nuk janë perëndi. Unë i kam ngopur, por ata kanë shkelur kurorën dhe mbushin shtëpitë e kurvërimit.
8 Janë si hamshorë të ushqyer mirë dhe tërë afsh në mëngjes; secili hingëllin prapa gruas së fqinjit të tij.
9 A nuk do t’i dënoj unë për këto gjëra?," thotë Zoti, "dhe nuk do të hakmerrem unë me një komb të tillë?
10 Ngjituni mbi muret dhe shkatërroni, por mos kryeni një shkatërrim të plotë; krasitni degët e tyre, sepse nuk janë të Zotit.
11 Sepse shtëpia e Izraelit dhe shtëpia e Judës kanë vepruar në mënyrë të pabesë me mua," thotë Zoti.
12 Kanë mohuar Zotin dhe kanë thënë: "Nuk është ai. Asnjë e keqe nuk do të bjerë mbi ne; nuk do të shohim as shpatën as urinë.
13 Profetët nuk janë veçse ajër dhe tek ata nuk është fjala e Zotit. T’u bëhet atyre ajo që ata thonë për ne!".
14 Prandaj kështu thotë Zoti, Perëndia i ushtrive: "Duke qenë se keni folur në këtë mënyrë, unë do t’i bëj fjalët e mia si zjarr në gojën tënde, dhe këtë popull si dru, që ai do të përpijë.
15 Ja, unë do të sjell kundër jush një komb nga larg, o shtëpi e Izraelit," thotë Zoti. "Éshtë një komb trim, një komb i vjetër, një komb të cilit nuk i njeh gjuhën dhe nuk i kupton fjalët.
16 Kukurja e tij është si një varr i hapur; janë të gjithë njerëz trima.
17 Ai do të gllabërojë të korrat e tua dhe bukën tënde, do të gëlltisë bijtë e tu dhe bijat e tua, do të gëlltisë kopetë e tua dhe bagëtinë tënde të trashë, do të gëlltisë vreshtat e tua dhe fiqtë e tu; do të shkatërrojë me shpatë qytetet e tua të fortifikuara te të cilët ke besim.
18 Por edhe në ato ditë," thotë Zoti, "nuk do të të shkatërroj plotësisht.
19 Dhe do të ndodhë që kur të thoni: "Pse Zoti, Perëndia ynë, na ka bërë të gjitha këto gjëra?," ti do t’u përgjigjesh atyre: "Ashtu si ju më keni braktisur mua dhe u keni shërbyer perëndive të huaja në vendin tuaj, kështu do t’u shërbeni të huajve në një vend që nuk është juaji".
20 Lajmëroni për këtë shtëpinë e Jakobit dhe shpalleni në Judë, duke thënë:
21 Dëgjoni tani këtë, o popull pa mend dhe pa zemër, që ka sy, por nuk shikon, që ka veshë, por nuk dëgjon.
22 Nuk do të keni frikë prej meje?," thotë Zoti, "nuk do të dridheni para meje që kam vënë rërën si kufi të detit, si një statut të përjetshëm që nuk do të kapërcejë kurrë? Valët e tij ngrihen por nuk fitojnë, bëjnë zhurmë, por nuk e kapërcejnë.
23 Por ky popull ka një zemër kryeneçe dhe rebele; kthehen prapa dhe ikin.
24 Nuk thonë në zemër të tyre: "Kemi frikë nga Zoti, Perëndia ynë, që na jep shiun në kohën e duhur, i pari dhe i fundit shi, që mban për ne javët e caktuara për korrje".
25 Paudhësitë tuaja i kanë përmbysur këto gjëra dhe mëkatet tuaja mbajnë larg jush begatinë.
26 Sepse midis popullit tim ka njerëz të këqij që përgjojnë si gjuetarët e zogjve në pritë; ata vënë leqe dhe kapin njerëz.
27 Ashtu si një kafaz është plot me zogj, kështu shtëpitë e tyre janë plot mashtrim; prandaj bëhen të mëdhenj dhe pasurohen.
28 Majmen dhe begatohen; po, kalojnë madje kufijtë e së keqes. Nuk mbrojnë çështjen, çështjen e jetimit, dhe megjithatë; nuk mbrojnë të drejtën e të varfërve.
29 A duhet t’i dënoj për këto gjëra?," thotë Zoti. "Dhe a nuk do të hakmerrem me një komb të tillë?
30 Në vend është kryer një gjë e tmerrshme dhe shumë e shëmtuar:
31 profetët profetizojnë në mënyrë të rreme, priftërinjtë qeverisin duke u mbështetur në forcën e autoritetit të vet dhe popullit tim i pëlqen që gjendja është e tillë. Por çfarë do të bëni kur të vijë fundi?".
19 Mbasi Jezusi i mbaroi këto ligjërata, u nis nga Galilea dhe erdhi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit.
2 Turma të mëdha e ndiqnin dhe ai i shëroi atje.
3 Atëherë iu afruan disa farisenj për ta provokuar dhe i thanë: “A është e lejueshme që burri ta ndajë gruan për një shkak çfarëdo?.”
4 Dhe ai, duke u përgjigjur u tha atyre: “A nuk keni lexuar ju, se ai që i krijoi që në fillim, i krijoi mashkull dhe femër?
5 Dhe tha: "Për këtë arsye njeriu do ta lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm".
6 Dhe kështu ata nuk janë më dy, por një mish i vetëm; prandaj atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë.”
7 Ata i thanë: “Atëherë përse Moisiu urdhëroi të jepet letërndarja dhe të lëshohet?.”
8 Ai u tha atyre: “Moisiu ju lejoi t’i ndani gratë tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja, por në fillim nuk ka qenë kështu.
9 Por unë ju them se kushdo që e lëshon gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me gruan e ndarë, shkel kurorën.”
10 Dishepujt e vet i thanë: “Në qoftë se kushtet e burrit ndaj gruas janë të tilla, më mirë të mos martohet.”
11 Por ai u tha atyre: “Jo të gjithë i kuptojnë këto fjalë, por atyre që iu është dhënë.
12 Sepse ka eunukë që kanë lindur të tillë nga barku i nënës; ka eunukë që janë bërë eunukë nga njerëzit, dhe ka eunukë që janë bërë vet eunukë për mbretërinë e qiejve. Ai që mund ta kuptojë, le ta kuptojë.”
13 Atëherë i sollën fëmijë të vegjël që të vinte duart mbi ata dhe të lutej, por dishepujt i qortuan.
14 Por Jezusi tha: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve.”
15 Dhe, mbasi vuri duart mbi ata, u nis që andej.
16 Dhe ja, iu afrua dikush dhe i tha: “Mësues i mirë, çfarë të mire duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme?.”
17 Dhe ai tha: “Pse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi: Perëndia. Tani në qoftë se ti don të hysh në jetë, zbato urdhërimet.”
18 Ai i tha: “Cilat?.” Atëherë Jezusi i tha: “Mos vraj, mos shkel kurorën, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme,
19 ndero atin tënd dhe nënën tënde dhe duaje të afërmin tënd si veten tënde.”
20 I riu i tha: “Të gjitha këto gjëra unë i kam zbatuar që në rini; çfarë më mungon tjetër?.”
21 Jezusi i tha: “Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç’të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja dhe më ndiq mua.”
22 Por i riu, kur i dëgjoi këto fjalë, iku i trishtuar, sepse kishte pasuri të madhe.
23 Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: “Në të vërtetë ju them se një i pasur me vështirësi do të hyjë në mbretërinë e qiejve.
24 Dhe po jua përsëris: Éshtë më lehtë të kalojë deveja nga vrima e gjilpërës, se sa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.”
25 Kur i dëgjuan këto fjalë, dishepujt e vet u habitën shumë dhe thanë: “Atëherë, kush do të shpëtojë vallë?.”
26 Dhe Jezusi duke përqëndruar shikimin mbi ata tha: “Për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë çdo gjë është e mundur.”
27 Atëherë Pjetri iu përgjigj duke thënë: “Ja, ne i lamë të gjitha dhe të ndoqëm; çfarë do të fitojmë, pra?.”
28 Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë po ju them, në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e lavdisë së vet, edhe ju që më keni ndjekur do të uleni mbi dymbëdhjetë frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
29 Dhe kushdo që ka lënë, për hir të emrit tim, shtëpi, vëllezër, motra, atë, nënë, grua, bij ose ara, do të marrë njëqindfish dhe do të trashëgojë jetë të përjetshme.
30 Por shumë të parë do të jenë të fundit, dhe shumë të fundit do të jenë të parët.”