M’Cheyne Bible Reading Plan
7 Por bijtë e Izraelit kryen një shkelje rreth gjërave të caktuara për shfarosje, sepse Akani, djalë i Karmit, i Zabdiut, birit të Zerahut, nga fisi i Judës, mori disa sende të caktuara për shfarosje, dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër bijve të Izraelit.
2 Ndërkaq Jozueu dërgoi njerëz nga Jeriko në Ai, që është afër Beth-Avenit, i cili ndodhet në lindje të Bethelit, dhe u tha atyre: "Ngjituni për të vëzhguar vendin". Kështu njerëzit u ngjitën për të vëzhguar Ain.
3 Pastaj u kthyen tek Jozueu dhe i thanë: "Nuk është e nevojshme të ngjitet tërë populli; por le të ngjiten dy mijë a tre mijë burra për të sulmuar Ain; mos e lodh tërë popullin, sepse ata të Ait janë të paktë në numër".
4 Kështu u ngjitën rreth tre mijë burra të zgjedhur nga radhët e popullit, por para burrave të Ait, ua mbathën këmbëve.
5 Dhe burrat e Ait vranë rreth tridhjetë e gjashtë prej tyre; i ndoqën nga porta e qytetit deri në Shebarim, duke i goditur në tatëpjetë. Dhe zemra e popullit u ligështua, u bë si uji.
6 Jozueu i grisi atëherë rrobat e tij dhe ra përmbys me fytyrë për tokë, përpara arkës së Zotit deri në mbrëmje, ai dhe pleqtë e Izraelit, dhe hodhën pluhur mbi kokën e tyre.
7 Pastaj Jozueu tha: "O Zot, o Zot, pse bëre që ky popull të kalojë Jordanin dhe të bjerë në duart e Amorejve për t’u vrarë? Ah, sikur të ishim kënaqur duke qëndruar këtej Jordanit!
8 O Zot, ç’mund të them pasi Izraeli i ktheu kurrizin armikut të tij?
9 Kananejtë dhe tërë banorët e vendit do ta marrin vesh, do të na rrethojnë dhe do të zhdukin emrin tonë nga faqja e dheut; çfarë do të bësh ti atëherë për emrin tënd të madh?".
10 Por Zoti i tha Jozueut: "Çohu! Pse rri përmbys me fytyrë për tokë?
11 Izraeli ka mëkatuar; ata kanë shkelur besëlidhjen që u kisha porositur; kanë marrë madje gjëra të caktuara që të shfarosen, kanë vjedhur dhe kanë gënjyer; dhe pastaj i kanë vënë midis plaçkave të tyre.
12 Prandaj bijtë e Izraelit nuk mund t’iu bëjnë ballë armiqve të tyre, dhe kanë kthyer kurrizin para tyre, sepse janë bërë ata vetë të mallkuar. Unë nuk do të jem më me ju, në rast se nuk shkatërroni gjërat e caktuara që të shfarosen midis jush.
13 Çohu, shenjtëro popullin dhe i thuaj: "Shenjtërohuni për nesër, sepse kështu ka thënë Zoti, Perëndia i Izraelit: "O Izrael, në gjirin tënd ka gjëra të caktuara për t’u shkatërruar. Ti nuk do të mund t’u bësh ballë armiqve të tu, për deri sa nuk ke hequr gjërat e caktuara për shkatërrim midis jush.
14 Nesër në mëngjes, pra, do të paraqiteni, fis më fis, dhe fisi, që Zoti do të caktojë do të paraqitet, familje më familje, dhe familja që Zoti do të caktojë do të shkojë shtëpi më shtëpi, dhe shtëpia që Zoti do të caktojë ka për t’u paraqitur me të gjithë njerëzit e saj.
15 Dhe atij që do t’i gjenden gjëra të caktuara të shfarosen do t’i vihet flaka, atij vet dhe gjithçka që i përket, sepse ka shkelur besëlidhjen e Zotit dhe ka kryer një gjë të keqe në Izrael"".
16 Jozueu, pra, u ngrit herët në mëngjes dhe e renditi Izraelin simbas fiseve të tij; dhe u caktua fisi i Judës.
17 Pastaj afroi familjet e Judës, dhe u caktua familja e Zarhitëve. Pastaj afroi familjen e Zarhitëve, person mbas personi, dhe u caktua Zabdi.
18 Pastaj afroi shtëpinë e Zabdit, person për person, dhe u caktua Akani, bir i Karmit, i Zabdit, birit të Zerahut, nga fisi i Judës.
19 Atëherë Jozueu i tha Akanit: "Biri im, të lutem, mbushe me lavdi Zotin, Perëndinë e Izraelit, rrëfeji atij dhe më thuaj atë që ke bërë; mos ma fshih".
20 Akani iu përgjigj Jozueut dhe i tha: "Në të vërtetë jam unë që kam mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë së Izraelit, dhe ja ç’kam bërë.
21 Kur pashë midis plaçkës një mantel të bukur të Shinarit, dyqind sikla argjendi dhe një shufër ari që peshon pesëdhjetë sikla, pata një dëshirë të madhe për to dhe i mora; dhe ja, i kam fshehur në tokë në mes të çadrës sime; dhe argjendi është poshtë".
22 Atëherë Jozueu dërgoi lajmëtarë që vrapuan në çadër; dhe ja, plaçka ishte fshehur në çadrën e tij, dhe argjendi ndodhej poshtë.
23 Ata e morën nga çadra, ia çuan Jozueut dhe tërë bijve të Izraelit, dhe e vendosën përpara Zotit.
24 Atëherë Jozueu, dhe tërë Izraeli bashkë me të, mori Akanin, birin e Zerahut, argjendin, mantelin, shufrën prej ari, bijtë dhe bijat e tij, qetë e tij, gomarët e tij, delet e tij dhe të gjitha gjërat që i përkisnin, dhe i ngjiti në luginën e Akorit.
25 Dhe Jozueu tha: "Pse na vure në telashe? Zoti do të të vërë në telashe ty sot!". Dhe i tërë Izraeli e vrau me gurë; dhe mbasi e vranë me gurë, e dogjën në zjarr.
26 Pastaj ngritën mbi të një grumbull të madh gurësh, që ekziston edhe sot. Kështu Zoti u qetësua nga rrëmbimi i zemërimit të tij. Prandaj ky vend quhet edhe sot lugina e Akorit.
137 Atje, pranë lumenjve të Babilonisë, rrinim ulur dhe qanim, duke kujtuar Sionin;
2 mbi shelgjet e kësaj toke kishim varur qestet tona.
3 Atje, ata që na kishin çuar në robëri, na kërkonin fjalët e një kënge, po, ata që na shtypnin kërkonin këngë gëzimi, duke thënë: "Na këndoni një këngë të Sionit".
4 Si mund të këndonim këngët e Zotit në një vend të huaj?
5 Në rast se të harroj ty, o Jeruzalem, e harroftë dora ime e djathtë çdo shkathtësi;
6 m’u lidhtë gjuha me qiellzën, në rast se nuk të kujtoj ty, në rast se nuk e vë Jeruzalemin përmbi gëzimin tim më të madh.
7 Mbaji mënd, o Zot, bijtë e Edomit, që ditën e Jeruzalemit thonin: Shkatërrojini, shkatërrojini që nga themelett".
8 O bijë e Babilonisë, që duhet të shkatërrohesh, lum ai që do ta lajë të keqen që na ke bërë!
9 Lum ai që merr foshnjët e tua dhe i përplas kundër shkëmbit!
138 Unë do të të kremtoj me gjithë zemër, përpara perëndive do të këndoj lavdet e tua.
2 Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër.
3 Ditën në të cilën të kërkova, ti m’u përgjigje dhe e rrite fuqinë e shpirtit tim.
4 Tërë mbretërit e tokës do të të kremtojnë, o Zot, kur të dëgjojnë fjalët e gojës sate,
5 dhe do të këndojnë rrugët e Zotit, sepse e madhe është lavdia e Zotit.
6 Ndonëse Zoti është i shkëlqyeshëm, ai tregon kujdes për njerëzit e thjeshtë, por mëndjemadhin e njeh nga larg.
7 Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë.
8 Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë; o Zot, mirësia jote vazhdon përjetë; mos i braktis veprat e duarve të tua.
1 Fjalët e Jeremias, birit të Hilkiahut, një nga priftërinjtë që ishin në Anathoth, në vendin e Beniaminit.
2 Fjala e Zotit iu drejtua në kohën e Josias, birit të Amonit, mbret i Judës, në vitin e trembëdhjetë të mbetërimit të tij;
3 iu drejtua gjithashtu në kohën e Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës, deri në fund të vitit të njëmbëdhjetë të Sedekias, birit të Josias, mbret i Judës, domethënë deri në robërimin e Jeruzalemit, që ndodhi në muajin e pestë.
4 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke më thënë:
5 "Para se unë të të formoja në barkun e nënës sate, të kam njohur; para se ti të dilje nga barku i saj, të kam shenjtëruar dhe të kam caktuar profet të kombeve".
6 Unë u përgjigja: "Mjerisht, o Zot, Zot, unë nuk di të flas, sepse jam një djalosh"".
7 Por Zoti më tha: "Mos thuaj: "Jam një djalosh," sepse ti do të shkosh te të gjithë ata te të cilët do të të dërgoj unë dhe do t’u thuash tërë ato që do të urdhëroj.
8 Mos ki frikë para tyre, sepse unë jam me ty për të të çliruar, thotë Zoti".
9 Pastaj Zoti shtriu dorën e tij dhe preku gojën time; mandej Zoti më tha: Ja, unë i vura fjalët e mia në gojën tënde..
10 Ja, sot unë të caktoj mbi kombet dhe mbi mbretëritë për të çrrënjosur dhe për të rrënuar, për të shembur dhe për të shkatërruar, për të ndërtuar dhe për të mbjellë".
11 Pastaj fjala e Zotit m’u drejtua mua, duke thënë: "Jeremia, çfarë shikon?". Unë u përgjigja: "Shikoj një degë bajameje".
12 Zoti më tha: "Ke parë mirë, sepse unë vigjëloj mbi fjalën time që të ketë efekt".
13 Fjala e Zotit m’u drejtua për herë të dytë, duke thënë: "Çfarë shikon?". Unë u përgjigja: "Shikoj një vorbë që zien dhe që e ka grykën të kthyer në drejtim të kundërt me veriun".
14 Zoti më tha: "Nga veriu fatkeqësia do të bjerë mbi gjithë banorët e vendit.
15 Sepse, ja, unë po bëhem gati të thëras tërë popujt e mbretërive të veriut, thotë Zoti. Ata do të vijnë dhe do të vendosin secili fronin e tij në hyrje të portave të Jeruzalemit, kundër tërë mureve të tij, rreth e qark, dhe kundër tërë qyteteve të Judës.
16 Atëherë do të shpall mendimet e mia kundër tyre, për shkak të gjithë ligësisë së tyre, sepse më kanë braktisur dhe u kanë djegur temjan perëndive të tjera dhe kanë rënë përmbys përpara veprës së duarve të tyre.
17 Prandaj ngjeshi ijët e tua, çohu dhe thuaju atyre tërë ato që do të të urdhëroj. Mos u tmerro para tyre, përndryshe do të të bëj që të tmerrohesh para tyre.
18 Ja, sot po të bëj një qytet të fortifikuar, një shtyllë të hekurt dhe një mur bronzi kundër gjithë vendit, kundër princave të tij dhe priftërinjve të tij dhe kundër popullit të vendit.
19 Ata do të luftojnë kundër teje por nuk do të të mundin sepse unë jam me ty për të të çliruar, thotë Zoti".
15 Atëherë skribët dhe farisenjtë e Jeruzalemit erdhën te Jezusi dhe i thanë:
2 “Përse dishepujt e tu shkelin traditën e pleqve? Sepse nuk i lajnë duart para se të hanë.”
3 Por ai u përgjigj dhe u tha atyre: “Dhe ju përse shkelni urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës suaj?
4 Perëndia, në fakt, ka urdhëruar kështu: "Ndero atin dhe nënën"; dhe: "Ai që e mallkon të atin ose të ëmën të dënohet me vdekje".
5 Kurse ju thoni: "Kushdo që i thotë atit ose nënës: "Gjithçka me të cilën mund të të mbaja i është ofruar Perëndisë,"
6 ai nuk është më i detyruar të nderojë atin e vet dhe nënën e vet. Kështu ju keni prapësuar urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës suaj.
7 Hipokritë, mirë profetizoi Isaia për ju kur tha:
8 "Ky popull po më afrohet me gojë dhe më nderon me buzët; por zemra e tyre rri larg meje.
9 Dhe më kot më nderojnë, duke i mësuar doktrina që janë urdhërime nga njerëzit".”
10 Pastaj e thirri turmën pranë tij dhe u tha atyre: “Dëgjoni dhe kuptoni:
11 Njeriun nuk e ndot çfarë i hyn në gojë, por ajo që del nga goja e tij e ndot njeriun.”
12 Atëherë dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: “A e di se farisenjtë, kur i dëgjuan këto fjalë u skandalizuan?.”
13 Por ai duke u përgjigjur u tha: “Çdo bimë që Ati im qiellor nuk e ka mbjellë, do të shkulet me rrënjë.
14 Hiqni dorë prej tyre; ata janë të verbër, prijës të verbërish; dhe në qoftë se një i verbër i prin një të verbëri tjetër, të dy do të bien në gropë.”
15 Atëherë Pjetri iu përgjigj dhe i tha: “Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë.”
16 Dhe Jezusi tha: “As juve s’keni kuptuar akoma?
17 A nuk e kuptoni se çdo gjë që hyn në gojë kalon në bark dhe jashtëqitet në gjiriz?
18 Por gjërat që dalin nga goja, dalin nga zemra; dhe ato ndotin njeriun.
19 Sepse nga zemra dalin mendimet e mbrapshta, vrasjet, shkeljet e kurorës; kurvëria, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë.
20 Këto janë gjërat që e ndotin njeriun, kurse të hash pa i larë duart nuk e ndot njeriun.”
21 Pastaj Jezusi, pasi u largua që andej, u nis drejt rrethinave të Tiros dhe të Sidonit.
22 Dhe ja, një grua kananease, që kishte ardhur nga ato anë, filloi të bërtasë duke thënë: “Ki mëshirë për mua, o Zot, o Bir i Davidit! Vajza ime është tmerrësisht e pushtuar nga një demon!.”
23 Por ai nuk iu përgjigj fare. Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe iu lutën duke thënë: “Lëshoje atë, sepse po bërtet pas nesh.”
24 Por ai u përgjigj dhe tha: “Unë nuk jam dërguar gjetiu, përveç te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.”
25 Por ajo erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: “O Zot, ndihmomë!.”
26 Ai u përgjigj, duke thënë: “Nuk është gjë e mirë të marrësh bukën e fëmijëve dhe t’ua hedhësh këlyshëve të qenve.”
27 Por ajo tha: “Éshtë e vërtetë, Zot, sepse edhe këlyshët e qenve hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.”
28 Atëherë Jezusi iu përgjigj duke thënë: “O grua, i madh është besimi yt! T’u bëftë ashtu si dëshiron.” Dhe që në atë çast e bija u shërua.
29 Pastaj, mbasi u nis që andej, Jezusi erdhi pranë detit të Galilesë, u ngjit në mal dhe u ul atje.
30 Dhe iu afruan turma të mëdha që sillnin me vete të çalë, të verbër, memecë, sakatë dhe shumë të tjerë; i ulën përpara këmbëve të Jezusit dhe ai i shëroi.
31 Turmat mrrekulloheshin kur shikonin se memecët flisnin, sakatët shëroheshin, të çalët ecnin dhe të verbërit shihnin; dhe lëvdonin Perëndinë e Izraelit.
32 Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha: “Unë kam mëshirë për turmën, sepse u bënë tri ditë që rri me mua dhe nuk ka asgjë për të ngrënë; nuk dua t’i nis të pangrënë, se mos ligështohen gjatë rrugës.”
33 Dhe dishepujt e tij i thanë: “Po ku mund të gjejmë në këtë vend të shkretë aq bukë sa të ngopim një turmë kaq të madhe?.”
34 Dhe Jezusi u tha atyre: “Sa bukë keni?.” Ata thanë: “Shtatë dhe pak peshq të vegjël.”
35 Atëherë ai u dha urdhër turmave që të uleshin për tokë.
36 Pastaj i mori shtatë bukët dhe peshqit, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të tij, dhe dishepujt turmës.
37 Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; dhe ngritën tepricën e copave, shtatë kosha plot.
38 Dhe ata që hëngrën ishin katër mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët.
39 Pastaj, mbasi e lejoi turmën, hipi në barkë dhe u drejtua për në krahinën e Magdalas.