Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Gjyqtarët 2

Por Engjelli i Zotit u ngjit nga Gilgali në Bokim dhe tha: "Unë ju nxora nga Egjipti dhe ju çova në vendin që isha betuar t’u jepja etërve tuaj. Kisha thënë gjithashtu: "Nuk do ta prish kurrë besëlidhjen time me ju.

Por ju nuk do të lidhni asnjë aleancë me banorët e këtij vendi dhe do të shembni altarët e tyre". Por ju nuk iu bindët zërit tim. Pse e bëtë këtë?

Kështu unë po ju them tani: Unë nuk do t’i dëboj para jush; por ata do të jenë si gjemba në ijet tuaja, dhe perënditë e tyre do të jenë për ju si një lak".

Sapo Engjëlli i Zotit mbaroi së thëni këto fjalë tërë bijve të Izraelit, populli ngriti zërin dhe filloi të qajë.

Prandaj ky vend u quajt Bokim dhe u bënë flijime për Zotin.

Jozueu i dha urdhër popullit të largohet dhe bijtë e Izraelit shkuan secili në trashëgiminë e tij për të marrë në zotërim vendin.

Populli i shërbeu Zotit gjatë gjithë jetës së Jozueut dhe gjatë gjithë jetës së pleqve që jetuan pas Jozueut, dhe që kishin parë të gjitha veprat e mëdha që Zoti kishte bërë për Izraelin.

Pastaj Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç,

dhe e varrosën në territorin e trashëgimisë së tij në Timath-Heres, në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gaash.

10 Kur tërë ai brez u bashkua me etërit e vet, mbas atij doli një brez i ri që nuk e njihte Zotin, as veprat që kishte bërë për Izraelin.

11 Bijtë e Izraelit bënë atë që ishte keq në sytë e Zotit dhe u vunë në shërbim të Baalit;

12 ata braktisën Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, i cili i kishte nxjerrë nga Egjipti, dhe adhuruan perëndi të tjera ndërmjet perëndive të popujve që i rrethonin, ranë përmbys para tyre dhe kështu provokuan zemërimin e Zotit;

13 ata brakisën Zotin dhe u vunë në shërbim të Baalit dhe të Ashtarothit.

14 Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit dhe e dha në dorë të kusarëve që e zhveshën; dhe ai i shiti në duart e armiqve të tyre që ndodheshin rreth e qark, të cilëve nuk qenë më në gjendje t’u bënin ballë.

15 Kudo që shkonin dora e Zotit ishte kundër tyre dhe u sillte mjerime, ashtu si kishte thënë Zoti, ashtu siç u ishte betuar ai; dhe u hidhëruan shumë.

16 Pastaj Zoti nxirrte gjyqtarë, që i lironin nga duart e atyre që i zhvishnin.

17 Mjerisht ata nuk i dëgjonin as gjyqtarët e tyre, por kurvëroheshin përpara perëndive të tjera dhe binin përmbys para tyre. Ata braktisën shpejt rrugën e ndjekur nga etërit e tyre, të cilët u ishin bindur urdhrave të Zotit; por ata nuk vepruan ashtu.

18 Kur Zoti u nxirrte gjyqtarë, Zoti ishte me gjyqtarin dhe i lironte nga dora e armiqve të tyre gjatë gjithë jetës së gjyqtarit; sepse Zoti prekej nga vajtimet e tyre të shkaktuara nga ata që i shtypnin dhe i mundonin.

19 Por kur gjyqtari vdiste, ata vazhdonin të korruptoheshin më shumë se etërit e tyre, duke ndjekur perëndi të tjera dhe duke rënë përmbys para tyre; dhe nuk hiqnin dorë aspak nga veprat e tyre dhe nga sjellja e tyre kokëforte.

20 Prandaj mëria e Zotit u ndez kundër Izraelit, dhe ai tha: "Duke qenë se ky komb ka shkelur besëlidhjen që unë kisha përfunduar me etërit e tyre dhe ata nuk i janë bindur zërit tim,

21 edhe unë nuk do të dëboj më para tyre asnjë prej kombeve që Jozueu la kur vdiq;

22 kështu me anë tyre do të vë në provë Izraelin për të parë në se do t’i përmbahen rrugës së Zotit dhe do të ecin në të siç bënë etërit e tyre, ose jo".

23 Prandaj Zoti i la këto kombe të qëndrojnë aty pa i dëbuar menjëherë, dhe nuk i dha në duart e Jozueut.

Veprat e Apostujve 6

Por në ato ditë, duke u shumuar numri i dishepujve, lindi një murmuritje nga ana e Helenistëve kundër Hebrenjve, sepse vejushat e tyre po liheshin pas dore në shërbimin e përditshëm.

Atëherë të dymbëdhjetët, pasi mblodhën numrin e madh të dishepujve, thanë: “Nuk është mirë që ne të lëmë fjalën e Perëndisë për të shërbyer nëpër tryeza.

Prandaj, vëllezër, kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilëve do t’ua besojmë këtë detyrë.

Kurse ne do të vazhdojmë t’i kushtohemi lutjes dhe shërbesës së fjalës.”

Ky propozim u pëlqeu gjithë dishepujve. Dhe zgjodhën Stefanin, njeri plot besim dhe Frymë të Shenjtë, Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, një prozelit nga Antiokia.

I paraqitën pastaj përpara apostujve, të cilët, mbasi u lutën, vunë duart mbi ta.

Ndërkaq fjala e Perëndisë po përhapej, dhe numri i dishepujve po shumohej fort në Jeruzalem, edhe një numër i madh priftërinjsh i bindej besimit.

Dhe Stefani, plot besim dhe fuqi, bënte mrekulli dhe shenja të mëdha nëpër popull.

Dhe disa nga sinagoga, që quhej e Libertinëve, të Kirenarëve, të Aleksandrinëve dhe të atyre të Kilikisë dhe të Azisë u ngritën që të grindeshin me Stefanin;

10 por nuk mund t’i bënin ballë urtësisë dhe frymës me anë të së cilës ai fliste.

11 Atëherë nxitën disa njerëz të thoshnin: “Ne e kemi dëgjuar duke folur fjalë blasfemie kundër Moisiut dhe kundër Perëndisë.”

12 Edhe e ngacmuan popullin, pleqtë dhe skribët; dhe, iu sulën, e kapën dhe e çuan te sinedri.

13 Pastaj paraqitën dëshmitarë të rremë që thoshnin: “Ky njeri nuk pushon së foluri fjalë blasfemie kundër këtij vendi të shenjtë dhe kundër ligjit.

14 E kemi dëgjuar, në fakt, duke thënë se ky Jezusi, Nazareasi, do ta rrënojë këtë vend dhe do të ndryshojë ritet që na ka dhënë Moisiu.”

15 Dhe të gjithë ata që rrinin në sinedër i ngulën sytë në të, dhe panë fytyrën e tij posi fytyra e një engjëlli.

Jeremia 15

15 Por Zoti më tha: "Edhe sikur Moisiu dhe Samueli të paraqiteshin para meje, zemra ime nuk do të anonte për këtë popull; dëboje nga prania ime; le të ikë!

Në rast se të thonë: "Ku do të shkojmë?," do t’u thuash atyre: Kështu thotë Zoti: Drejt vdekjes të caktuarit për vdekje, drejt shpatës të caktuarit për shpatë, drejt urisë të caktuarit për të qenë të uritur, drejt robërisë të caktuarit për robëri.

Unë do të vendos mbi ta katër lloje dënimesh," thotë Zoti: "shpatën për të vrarë, qentë për të copëtuar, shpendët e qiellit dhe kafshët e tokës për të gllabëruar dhe shkatërruar.

Do të bëj që të keqtrajtohen në të gjitha mbretëritë e tokës për shkak të Manasit, birit të Ezekias, mbret i Judës, për atë që ka bërë në Jeruzalem.

Kujt në fakt do t’i vinte keq për ty, o Jeruzalem, kush do të mbante zi për ty? Kush do të shqetësohej për të pyetur si je?

Ti më ke përzënë," thotë Zoti, "më ke kthyer krahët. Prandaj unë do të shtrij dorën kundër teje dhe do të të shkatërroj; jam lodhur nga pendimet.

Do t’i shpërndaj me forcë portat e qytetit, do t’u heq fëmijët dhe do të bëj që të zhduket populli im, sepse ata nuk largohen nga udhët e tyre.

Do t’i bëjë gratë e veja të tij më të shumta se rëra e detit. Do të sjell kundër tyre, kundër nënës së të rinjve, një shkatërrues në mes të ditës; do të bëj që të bjerë mbi të papritmas ankthi dhe tmerri.

Ajo që ka pjellë shtatë bijë lëngon dhe heq frymën; dielli i saj po perëndon ndërsa është ditë akoma; është mbuluar nga turpi dhe e hutuar. Do t’i dorëzoj ata që do të shpëtojnë prej shpatës në mëshirë të armiqve të tyre," thotë Zoti.

10 Mjerë unë, o nëna ime sepse më ke lindur si një njeri grindjesh dhe sherri në të gjithë vendin. Nuk i kam dhënë hua asgjë askujt, as të tjerët më kanë dhënë hua; megjithatë të gjithë më mallkojnë.

11 Zoti thotë: "Me siguri do të të çliroj për gjithnjë, me siguri do të bëj që armiku të të lutet në kohën e fatkeqësisë dhe në kohën e ankthit.

12 A mundet një njeri të thyejë hekurin, hekurin e veriut dhe bronzin?

13 Pasurinë tënde dhe thesaret e tua do t’i braktis që t’i plaçkitin pa asnjë çmim për të gjitha mëkatet e tua dhe në të gjithë kufijtë e tu.

14 Dhe do të bëj të kalosh bashkë me armiqtë e tu në një vend që ti nuk e njeh, sepse një zjarr është ndezur në zemërimin tim, që do të flakërojë kundër jush".

15 Ti e di, o Zot; më mbaj mend mua dhe më vizito, dhe merrmë hak mbi përndjekësit e mi; në ngadalësinë e zemërimit tënd mos më merr me vete; dije që për hirin tënd e mbajta turpin.

16 Me të gjetur fjalët e tua, i përpiva; fjala jote ka qenë për mua gëzimi dhe gazi i zemrës sime, sepse emri yt kërkohet nga unë o Zot, Perëndi i ushtrive.

17 Unë nuk u ula në kuvendin e tallësve, as nuk u gëzova; por për shkak të dorës sate unë u ula veçmas, sepse ti më kishe mbushur me indinjatë.

18 Pse dhembja ime është pa fund dhe plaga ime e pashërueshme nuk pranon të shërohet? A do të jesh për mua si një rrëke që shteron, si ujë që nuk të jep siguri?

19 Prandaj kështu thotë Zoti: "Në rast se ti rikthehesh tek unë, unë do të rivendos dhe ti do të jesh para meje. Në rast se ti ndan të çmuarën nga ajo që s’ka vlerë, ti do të jesh si goja ime; ata do të kthehen te ti, por ti nuk duhet të kthehesh tek ata.

20 Unë do të të jap për këtë popull një mur të fortë prej bronzi; do të luftojnë kundër teje, por nuk do mund të fitojnë kundër teje, sepse unë do të jem me ty për të të shpëtuar dhe për të të çliruar," thotë Zoti.

21 "Do të të çliroj nga duart e njerëzve të këqij dhe do të të shpengoj nga duart e njerëzve të dhunshëm".

Marku 1

Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë.

Ashtu si është shkruar tek profetët: “Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës tënde, i cili do të përgatit udhën tënde përpara teje.

Ka një zë që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij".”

Gjoni erdhi në shkretëtirë duke pagëzuar dhe duke predikuar një pagëzim pendese për faljen e mëkateve.

Dhe gjithë vendi i Judës dhe ata nga Jeruzalemi shkonin tek ai, dhe pagëzoheshin të gjithë nga ai në lumin Jordan, duke rrëfyer mëkatet e tyre.

Por Gjoni ishte i veshur me lesh deveje, mbante një brez lëkure përreth ijëve dhe ushqehej me karkaleca dhe me mjaltë të egër.

Ai predikonte duke thënë: “Pas meje po vjen një që është më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’i zgjidhur lidhësat e sandaleve të tij.

Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë.”

Dhe ndodhi në ato ditë që Jezusi erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua nga Gjoni në Jordan.

10 Dhe menjëherë, kur po dilte nga uji, pa se qiejtë po hapeshin dhe Fryma po zbriste mbi të si një pëllumb.

11 Dhe një zë erdhi nga qielli: “Ti je Biri im i dashur në të cilin jam kënaqur.

12 Fill pas kësaj, Fryma e Shenjtë e çoi në shkretëtirë;

13 dhe qëndroi në shkretëtirë dyzet ditë, i tunduar nga Satanai. Ishte bashkë me bishat dhe engjëjt i shërbenin.

14 Dhe mbasi e burgosën Gjonin, Jezusi erdhi në Galile duke predikuar ungjillin e mbretërisë së Perëndisë,

15 dhe duke thënë: “U mbush koha dhe mbretëria e Perëndisë është afër. Pendohuni dhe besoni ungjillin.”

16 Ndërsa po kalonte gjatë bregut të detit të Galilesë, ai pa Simonin dhe Andrean, vëllanë e tij, të cilët po hidhnin rrjetën në det sepse ishin peshkatarë.

17 Dhe Jezusi u tha atyre: “Ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.”

18 Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.

19 Mbasi eci edhe pak, pa Jakobin, bir in e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, të cilët ndreqnin rrjetat e tyre në barkë.

20 Dhe i thirri menjëherë; dhe ata e lanë atin e tyre Zebedeun në barkë me mëditësit dhe e ndoqën.

21 Pastaj hynë në Kapernaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, ai hyri në sinagogë dhe i mësonte njerëzit.

22 Dhe njerëzit habiteshin nga doktrina e tij, sepse ai i mësonte si një që ka pushtet dhe jo si skribët.

23 Atëherë në sinagogën e tyre ishte një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë, i cili filloi të bërtasë,

24 duke thënë: “Ç’ka midis nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatë-rrosh? Unë e di kush je: I Shenjti i Perëndisë.”

25 Por Jezusi e qortoi duke thënë: “Hesht dhe dil prej tij!.”

26 Dhe fryma e ndyrë, mbasi e sfiliti, dhe duke lëshuar një britmë të madhe doli prej tij.

27 Dhe të gjithë u mahnitën aq shumë sa pyesnin njeri tjetrin duke thënë: “Vallë ç’është kjo? Cfarë doktrinë e re qënka kjo? Ky i urdhëroka me autoritet edhe frymërat e ndyra, dhe ata i binden.”

28 Dhe fama e tij u përhap menjëherë në mbarë krahinën përreth Galilesë.

29 Sapo dolën nga sinagoga, erdhën në shtëpinë e Simonit dhe të Andreas, me Jakobin dhe Gjonin.

30 Vjehrra e Simonit ishte në shtrat me ethe dhe ata menjëherë i folën për të.

31 Atëhërë ai u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. Menjëherë ethet e lanë dhe ajo nisi t’u shërbejë.

32 Në mbrëmje, pas perëndimit të diellit, i prunë të gjithë të sëmurit dhe të idemonizuarit.

33 Dhe gjithë qyteti ishte mbledhur përpara derës.

34 Ai shëroi shumë, që lëngonin nga sëmundje të ndryshme, dhe dëboi shumë demonë; dhe nuk i lejoi demonët të flasin, sepse ata e njihnin.

35 Pastaj, të nesërmen në mëngjes, kur ende ishte shumë errët, Jezusi u ngrit, doli dhe shkoi në një vend të vetmuar dhe atje u lut.

36 Dhe Simoni dhe ata që ishin me të e kërkonin.

37 Dhe, kur e gjetën, i thanë: “Të gjithë po të kerkojnë!.”

38 Dhe ai u tha atyre: “Lë të shkojmë në fshatrat e afërm që të predikoj edhe atje, sepse për këtë kam ardhur.”

39 Dhe ai e përshkoi gjithë Galilenë duke predikuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke dëbuar demonët.

40 Dhe erdhi tek ai një lebroz i cili, duke iu lutur, ra në gjunj dhe i tha: “Po të duash, ti mund të më pastrosh.”

41 Dhe Jezusi, duke e mëshiruar, shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Po, e dua, qofsh pastruar!.”

42 Dhe, posa tha këto, menjëherë lebra e la dhe u shërua.

43 Pastaj, mbasi e paralajmëroi rreptësisht, menjëherë e largoi,

44 duke i thënë: “Ruhu se i tregon gjë ndokujt, por shko, paraqitu te prifti dhe ofro për pastrimin tënd sa ka urdhëruar Moisiu, si dëshmi për ta.”

45 Por ai, sapo doli, filloi ta shpallë dhe ta përhapë fort faktin, sa që Jezusi nuk mund të hynte më publikisht në qytet, por qëndronte përjashta nëpër vende të vetmuara; dhe nga çdo anë vinin tek ai.