M’Cheyne Bible Reading Plan
12 Këta janë mbretërit e vendit të mundur nga bijtë e Izraelit, që pushtuan territorin e tyre matanë Jordanit, në drejtim të lindjes, nga përroi Arnon deri në malin Hermon dhe tërë Arabahun lindor;
2 Sihoni, mbret i Amorejve, që banonte në Heshbon dhe sundonte nga Aroeri, që gjendet mbi brigjet e lumit të Harnonit, nga gjysma e lumit dhe nga gjysma e Galaadit deri në lumin Jakob, që është kufi me bijtë e Anonit;
3 dhe në pjesën lindore të Arabahut nga deti i Kinerethit deri në detin e Arabahut, nga Deti i Kripur deri në Beth-Jeshimoth, dhe në jug deri në shpatet e Pisgahut.
4 Pastaj territori i Ogut, mbretit të Bashanit, një nga gjigantët që kishin shpëtuar dhe që banonte në Ashtaroth dhe në Edrej,
5 dhe që sundonte mbi malin Hermon, mbi Salkahun, mbi tërë Bashanin deri në kufirin e Geshuritëve dhe Maakathitëve, dhe mbi gjysmën e Galaadit deri në kufirin e Sihonit, mbretit të Heshbonit.
6 Moisiu, shërbëtori i Zotit, dhe bijtë e Izraelit i mundën; pastaj Moisiu, shërbëtori i Zotit ua dha në zotërim vendin e tyre Rubenitëve, Gaditëve dhe gjysmës së fisit të Manasit.
7 Këta janë përkundrazi mbretërit e vendit që Jozueu dhe bijtë e Izraelit i mundën këtej Jordanit, në perëndim, nga Baal-Gadi në luginën e Libanit deri në malin Halak që ngrihet mbi Seir, vend që Jozueu u dha fiseve të Izraelit, simbas ndarjeve të tyre,
8 në krahinën malore, në ultësirën, në Arabah, në shpatet e maleve, në shkretëtirë dhe në Negev; vendi i Hitejve, i Amorejve, i Kananejve, i Perezejve, i Hivejve dhe i Jebusejve;
9 mbreti i Jerikos, një; mbret i Ait, afër Bethelit, një;
10 mbreti i Jeruzalemit, një; mbreti i Hebronit, një;
11 mbreti i Jarmuthit, një; mbreti i Lakishit, një;
12 mbreti i Eglonit, një; mbreti i Gezerit, një;
13 mbreti i Debirit, një; mbreti i Gederit, një;
14 mbreti i Hormahut, një; mbreti i Aradit, një;
15 mbreti i Libnahut, një; mbreti i Adulamit, një;
16 mbreti i Makedahut, një; mbreti i Bethelit, një;
17 mbreti i Tapuahut, një; mbreti i Heferit, një;
18 mbreti i Afekut, një; mbreti i Sharonit, një;
19 mbreti i Madonit, një; mbreti i Hatsorit, një;
20 mbreti i Shirom-Meronit, një; mbreti i Akshafit, një;
21 mbreti i Taanakut, një; mbreti i Megidos, një;
22 mbreti i Kedeshit, një; mbreti i Jokneamit, në Karmel, një;
23 mbreti i Dorit, mbi lartësinë e Dorit, një; mbreti i popujve të Gilgalit, një;
24 mbreti i Tirtsahut, një. Gjithsej tridhjetë e një mbretër.
13 Por Jozueu ishte plak dhe në moshë të shtyrë; dhe Zoti i tha: "Ti je plak dhe i shtyrë në moshë, dhe të mbetet një pjesë shumë e madhe e vendit për të pushtuar.
2 Ky është vendi që mbetet akoma: tërë territori i Filistejve dhe gjithë ai i Geshuritëve,
3 nga Shikori që rrjedh në lindje të Egjiptit, deri në kufirin e Ekronit nga veriu (krahinë që konsiderohet kananease), tokat e pesë princave të Filistejve, domethënë të Gazës, të Ashdodit, të Ashkalonit, të Gathit, të Ekronit dhe të Avejve gjithashtu,
4 në jug, tërë vendi i Kananejve, dhe Mearahu që u përket Sidonëve deri në Afek, deri në kufirin e Amorejve;
5 vendi i Giblitëve dhe tërë Libani në drejtim të lindjes, nga Baal-Gadi në këmbët e malit Hermon deri në hyrje të Hamathit;
6 tërë banorët e krahinës malore të Libanit deri në ujërat e Misrefothit, dhe gjithë Sidonët. Unë do t’i dëboj para bijve të Izraelit; ti ndërkaq ndaje me short vendin midis Izraelitëve si trashëgimi, ashtu si të kam urdhëruar.
7 Ndaje, pra, këtë vend si trashëgimi midis nëntë fiseve dhe gjysmës së fisit të Manasit".
8 Rubenitët dhe Gaditët, bashkë me gjysmën e fisit tjetër, kanë marrë trashëgiminë e tyre, që Moisiu u dha atyre matanë Jordanit, në lindje, ashtu siç ua kishte dhënë Moisiu, shërbëtor i Zotit;
9 nga Aroeri që ndodhet në brigjet e përroit Arnon dhe nga qyteti që është në mes të luginës, tërë rrafshnaltën e Medebas deri në Dibon;
10 tërë qytetet e Sihonit, mbretit të Amorejve, që mbretëronte në Heshbon, deri në kufirin e bijve të Amonit;
11 Galaadin, territorin e Geshuritëve dhe të Maakathitëve, tërë malin Hermon dhe tërë Bashanin deri në Salkah;
12 tërë mbretërinë e Ogut, në Bashan, që mbretëronte në Ashtaroth dhe në Edrei dhe ishte i vetmi gjigant i mbetur gjallë. Në fakt Moisiu i kishte mundur dhe dëbuar.
13 Por bijtë e Izraelit nuk i përzunë Geshuritët dhe Maakathitët; kjo është arësyeja pse Geshuritët dhe Maakathitët banojnë në mes të Izraelit deri në ditët e sotme.
14 Vetëm fisit të Levit, Moisiu nuk i kishte dhënë asnjë trashëgimi; flijimet e bëra me zjarr për nder të Zotit, Perëndisë së Izraelit, përfaqësonin trashëgiminë e tij, ashtu si u kishte thënë ai.
15 Kështu Moisiu i kishte dhënë fisit të bijve të Rubenit pjesën që u përkiste, simbas familjeve të tyre;
16 territori i tyre niste nga Aroeri që ndodhet mbi brigjet e përroit Arnon dhe nga qyteti që gjendet në mes të luginës, tërë rrafshnalta pranë Medebës,
17 Heshboni dhe tërë qytetet e tij që ndodhen në rrafshnaltën: Diboni, Bamoth-Baali, Beth-Baal-Meoni,
18 Jahtsahu, Kedemothi, Mefaathi,
19 Kirjathaimi, Sibmahu, Tsereth-Hashahari mbi malin e luginës,
20 Beth-Peori, shpatet e Pisgahut dhe Beth-Jeshimothi;
21 të gjitha qytetet e rrafshnaltës dhe tërë mbretëria e Sihonit, mbretit të Amorejve që mbretëronte në Heshbon, të cilin Moisiu e mundi me princat e Madianit: Evi, Rekem, Tsur, Hur dhe Reba, princa vasalë të Sihonit, që banonin në atë vend.
22 Bijtë e Izraelit vranë gjithashtu me shpatë Balaamin, birin e Beorit, shortarin, bashkë me të tjerët që u vranë në radhët e Madianitëve.
23 Territori i bijve të Rubenit kufizohej me Jordanin. Kjo ishte trashëgimia e bijve të Rubenit në bazë të familjeve të tyre, së bashku me qytetet dhe fshatrat e tyre.
24 Moisiu i kishte dhënë gjithashtu fisit të Gadit, bijve të Gadit, pjesën e tyre, simbas familjeve të tyre.
25 Territori i tyre përfshinte Jazerin, të gjitha qytetet e Galaadit, gjysmën e vendit të bijve të Amonit deri në Aroer, që ngrihet përballë Rabahut,
26 dhe nga Heshboni deri në Ramath-Mitspah dhe Betonim, dhe nga Mahanaimi deri në kufirin e Debirit,
27 dhe në luginë, Beth-Harami, Beth-Nimrahi, Sukothi dhe Tsafoni, pjesa që mbeti nga mbretëria e Sihonit, mbretit të Heshbonit, që ka Jordanin për kufi, deri në skajin e Detit të Kinerethit, matanë Jordanit, në drejtim të lindjes.
28 Kjo qe trashëgimia e bijve të Gadit, simbas familjeve të tyre, me qytetet dhe fshatrat e tyre.
29 Moisiu i kishte dhënë gjithashtu gjysmës së fisit të Manasit, bijve të Manasit, pjesën e tyre, simbas familjeve të tyre.
30 Territori i tyre përfshinte Mahanaimin, tërë Bashanin, tërë mbretërinë e Ogut, mbretit të Bashanit, tërë fshatrat e Jairit që ndodhen në Bashan, gjithsej shtatëdhjetë qytete.
31 Gjysma e Galaadit, Ashtarothit dhe Edreit, qytete të mbretërisë së Ogut në Bashan, kaluan në dorë të bijve të Makirit, birit të Manasit, simbas familjeve të tyre.
32 Këto janë pjesët që Moisiu u kishte ndarë si trashëgimi në fushat e Moabit, matanë Jordanit, në bregun përballë Jerikos, në lindje.
33 Por fisit të Levit Moisiu nuk i la asnjë trashëgimi; Zoti, Perëndia i Izraelit, ishte trashëgimia e tij, ashtu siç u kishte thënë ai vetë.
145 Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im, dhe do të bekoj emrin tënd përjetë.
2 Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë.
3 Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme.
4 Një brez do t’i shpallë lëvdimet e veprave të tua tjetrit dhe do t’i njoftojë mrekullitë e tua.
5 Do të mendohem thellë mbi shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe mbi veprat e tua të mrekullueshme.
6 Këto do të flasin për fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, dhe unë do të tregoj madhështinë tënde.
7 Ata do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe dhe do të këndojnë me gëzim drejtësinë tënde.
8 Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.
9 Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij.
10 Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot, dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë.
11 Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde,
12 për t’u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate.
13 Mbretëria jote është një mbretëri përjet dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.
14 Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar.
15 Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje duke pritur, dhe ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur.
16 Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qënieje të gjallë.
17 Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij.
18 Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë.
19 Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton.
20 Zoti mbron të gjithë ata që e duan dhe do të shkatërrojë të gjithë të pabesët.
21 Goja ime do të tregojë lëvdimin e Zotit, dhe çdo qënie do të bekojë emrin e tij të shenjtë përjetë.
6 "O bij të Beniaminit, kërkoni një strehë jashtë Jeruzalemit. I bini borisë në Tekoa dhe ngrini një sinjal zjarri në Beth-kerem, sepse nga veriu po vjen një gjëmë, një shkatërrim i madh.
2 Unë do ta shkatërroj bijën e bukur dhe delikate të Sionit.
3 Në drejtim të saj vijnë barinj me kopetë e tyre; ngrenë çadrat e tyre rreth e qark kundër saj; secili kullot për veten e tij.
4 Përgatitni luftën kundër saj; çohuni dhe le të dalim në mes të ditës! Mjerë ne, sepse dita po kalon dhe hijet e mbrëmjes po zgjaten!
5 Çohuni dhe të dalim natën, të shkatërrojmë pallatet e tij!".
6 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Prisni drurët e tij dhe ndërtoni një ledh kundër Jeruzalemit; ky është qyteti që duhet ndëshkuar; në mes të tij nuk ka veçse shtypje.
7 Ashtu si një pus nxjerr ujërat e tij, kështu ai nxjerr ligësinë e vet; në të flitet vetëm për dhunë dhe për shkatërrim; para meje qëndrojnë vazhdimisht dhembje dhe plagë.
8 Lejo të të korrigjojnë, o Jeruzalem, përndryshe shpirti im do të largohet nga ti, përndryshe do të të katandis në një shkretim, në një tokë të pabanuar".
9 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ata që kanë mbetur nga Izraeli do të mblidhen si vilet e pavjela të një vreshti; kaloje përsëri dorën tënde si vjelësi mbi degëzat e hardhisë.
10 Kujt do t’i flas dhe cilin do të qortoj që të më dëgjojë? Ja, veshi i tyre është i parrethprerë dhe ata nuk janë të zotë të tregojnë kujdes; ja, fjala e Zotit është bërë për ta objekt përçmimi dhe ata nuk gjejnë tek ajo asnjë kënaqësi.
11 Prandaj jam mbushur me zemërimin e madh të Zotit; jam lodhur duke e përmbajtur. Do ta hedh mbi fëmijët në rrugë dhe mbi të rinjtë e mbledhur bashkë, sepse do të kapen si burri ashtu dhe gruaja, si plaku ashtu dhe burri i ngarkuar me vite.
12 Shtëpitë e tyre do t’u kalojnë të tjerëve, së bashku me arat e tyre dhe bashkëshortet e tyre, sepse unë do të shtrij dorën time mbi banorët e vendit," thotë Zoti.
13 "Sepse nga më i vogli deri tek më i madhi të gjithë lakmojnë fitime; nga profeti deri te prifti janë të gjithë gënjeshtarë.
14 Ata e mjekojnë shkel e shko plagën e popullit tim, duke thënë: "Paqe, paqe," kur nuk ka paqe.
15 A ju vinte turp kur kryenin gjëra të neveritshme? Jo! Nuk kishin turp fare dhe as nuk dinin se ç’ishte të skuqeshe. Prandaj do të rrëzohen midis atyre që rrëzohen; kur do t’i vizitoj, do të rrëzohen," thotë Zoti.
16 Kështu thotë Zoti: "Ndaluni nëpër rrugë dhe shikoni, pyesni për shtigjet e vjetra, ku është rruga e mirë, dhe ecni nëpër të; kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj". Por ata përgjigjen: "Nuk do të ecim nëpër të".
17 "Kam vënë roje mbi ju: Kushtojini kujdes zërit të borisë!". Por ata përgjigjen: "Nuk do t’i kushtojmë kujdes".
18 "Prandaj, dëgjoni, o kombe, dhe dije, o kuvend, çfarë do t’u ndodhë atyre.
19 Dëgjo, o tokë! Ja, unë do të sjell mbi këtë popull një gjëmë, vetë frytin e mendimeve të tij, sepse nuk u kanë kushtuar kujdes fjalëve të mia dhe as ligjit tim, por e kanë hedhur poshtë.
20 Ç’më hyn në punë temjani që vjen nga Sheba, kanella erë mirë që vjen nga një vend i largët? Olokaustet tuaja nuk më pëlqejnë dhe sakrificat tuaja nuk më pëlqejnë".
21 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të vendos para këtij populli disa gurë pengese në të cilët do të pengohen bashkë etër dhe bij; fqinji dhe miku do të vdesin".
22 Kështu thotë Zoti: "Ja, një popull vjen nga një vend i veriut dhe një komb i madh do të dalë nga skajet e tokës.
23 Ata rrokin harkun dhe ushtën; janë të egër dhe nuk kanë mëshirë; zëri i tyre i ngjet zhurmës së detit; ata kanë hipur mbi kuaj dhe janë gati të luftojnë si një njeri i vetëm kundër teje, o bijë e Sionit".
24 "Kemi dëgjuar famën e tyre dhe na ranë duart; ankthi na ka mbërthyer, ashtu si dhembjet që zënë një grua që po lind".
25 Mos dilni nëpër ara, mos ecni nëpër rrugë, sepse shpata e armikut dhe tmerri janë kudo.
26 O bijë e popullit tim, vishu me thes dhe rrotullohu në hi; mbaj zi si për një bir të vetëm, me një vajtim shumë të hidhur, sepse shkatërruesi do të sulet mbi ne papritmas.
27 Unë të kisha vënë midis popullit tim si një provues dhe një fortesë, me qëllim që ti të njihje rrugën e tyre dhe ta provoje atë.
28 Ata janë të gjithë rebelë midis rebelëve, shkojnë rreth e qark duke përhapur shpifje; janë bronz dhe hekur, janë të tërë korruptues.
29 Gjyryku fryn me forcë, plumbi konsumohet nga zjarri; më kot e rafinon rafinuesi, sepse skorjet nuk shkëputen.
30 Do të quhen "argjend i refuzimit," sepse Zoti i ka hedhur poshtë.
20 “Mbretëria e qiejve i ngjan, pra, një zot shtëpie, që doli herët në mëngjes për të pajtuar me mëditje punëtorë për vreshtin e vet.
2 Mbasi ra në ujdi me punëtorët për një denar në ditë, i dërgoi në vreshtin e vet.
3 Pastaj doli rreth orës së tretë dhe pa të tjerë që rrinin në shesh, të papunë.
4 Dhe u tha atyre: "Shkoni edhe ju në vresht dhe unë do t’ju jap sa është e drejtë". Dhe ata shkuan.
5 Doli përsëri rreth orës së gjashtë dhe orës së nëntë dhe bëri po ashtu.
6 Kur doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti disa të tjerë, të papunë, dhe u tha: "Përse rrini gjithë ditën këtu pa bërë asgjë?".
7 Ata i thanë: "Sepse askush nuk na ka marrë me mëditje". Ai u tha atyre: Shkoni edhe ju në vresht dhe do të merrni aq sa është e drejtëë".
8 Kur erdhi mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: "Thirri punëtorët dhe jepu mëditjen e tyre, duke filluar nga ata të fundit e deri te të parët".
9 Dhe kur erdhën ata të orës njëmbëdhjetë, morën nga një denar secili.
10 Kur erdhën të parët, menduan se do të merrnin më shumë, por edhe ata morën nga një denar secili.
11 Duke e marrë, murmurisnin kundër zotit të shtëpisë,
12 duke thënë: "Këta të fundit punuan vetëm një orë, dhe ti i trajtove si ne që hoqëm barrën dhe vapën e ditës".
13 Por ai duke u përgjigjur i tha njerit prej tyre: "Mik, unë nuk po të ha hakun; a nuk re në ujdi me mua për një denar?
14 Merr atë që të takon ty dhe shko; por unë dua t’i jap këtij të fundit aq sa ty.
15 A nuk më lejohet të bëj me timen ç’të dua? Apo bëhesh sylig, sepse unë jam i mirë?".
16 Kështu të fundit do të jenë të parët dhe të parët të fundit, sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur.”
17 Pastaj, kur Jezusi po ngjitej në Jeruzalem, i mori mënjanë të dymbëdhjetë dishepujt gjatë rrugës dhe u tha atyre:
18 “Ja, ne ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve, dhe ata do ta dënojnë me vdekje.
19 Do t’ua dorëzojnë pastaj në duart e paganëve që ta tallin, ta fshikullojnë dhe ta kryqëzojnë; por ai ditën e tretë do të ringjallet.”
20 Atëherë nëna e bijve të Zebedeut iu afrua bashkë me bijtë e vet, ra përmbys para tij dhe i kërkoi diçka.
21 Dhe ai i tha: “Çfarë do?.” Ajo u përgjigj: “Urdhëro që këta dy bijtë e mi të ulen njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën në mbretërinë tënde.”
22 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur tha: “Ju nuk dini çfarë kërkoni; a mund ta pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem? Ata i thanë: “Po, mundemi.”
23 Atëherë ai u tha atyre: “Ju me të vërtetë do ta pini kupën time dhe do të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem; por nuk është në dorën time që të uleni në të djathtën time ose në të majtën time, por u është rezervuar atyre, të cilëve u është përgatitur nga Ati im.”
24 Kur i dëgjuan këto fjalë, të dhjetët të tjerët u indinjuan kundër të dy vëllezërve.
25 Dhe Jezusi i thirri ata pranë vetes dhe u tha: “Ju e dini se të parët e kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi ato,
26 por midis jush kështu nuk do të ndodhë; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj;
27 dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj.
28 Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.
29 Kur po dilnin nga Jeriko, një turmë e madhe e ndoqi.
30 Dhe ja, dy të verbër që uleshin gjatë rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezusi, filluan të bërtasin duke thënë: “Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit.”
31 Por turma i qortoi që të heshtnin; por ata bërtisnin edhe më fort duke thënë: “Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit!.”
32 Atëherë Jezusi ndaloi, i thirri dhe tha: “Çfarë doni të bëj për ju?.”
33 Ata i thanë: “Zot, të na hapen sytë!.”
34 Dhe Jezusi pati mëshirë për ta dhe ua preku sytë e tyre; dhe në atë çast u erdhi drita e syve dhe ata e ndiqnin.