Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:49-72

49 Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me kë bërë të kem shpresa.

50 Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë.

51 Kryelartët më mbulojnë me tallje, por unë nuk largohem nga ligji yt.

52 Mbaj mend dekretet e tua të lashta, o Zot, dhe kjo më ngushëllon.

53 Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd.

54 Statutet e tua kanë qenë kantikët e mi në shtëpinë e shtegëtimit tim.

55 O Zot, unë kujtoj emrin tënd natën dhe respektoj ligjin tënd.

56 Kjo ndodh sepse respektoj urdhërimet e tua.

57 Ti je pjesa ime, o Zot, kam premtuar të respektoj fjalët e tua.

58 Të jam lutur shumë, me gjihë zemër; ki mëshirë për mua sipas fjalës sate.

59 Kam shqyrtuar rrugët e mia dhe i kam kthyer hapat e mia ndaj urdhërave të tua.

60 Pa asnjë mëdyshje nxitova të respektoj urdhërimet e tua.

61 Litarët e të pabesëve më kanë mbështjellë, por unë nuk e kam harruar ligjin tënd.

62 Në mes të natës ngrihem që të të kremtoj, për shkak të dekreteve të tua të drejta.

63 Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua.

64 O Zot, toka është e mbushur me mirësinë tënde; më mëso statutet e tua.

65 Ti i ke bërë të mira shërbëtorit tënd, o Zot, sipas fjalës sate.

66 Më mëso të gjykoj drejt dhe të kem njohje, sepse u besoj urdhërimeve të tua.

67 Para se të pikëllohem endesha sa andej e këndej, por tani ndjek fjalën tënde.

68 Ti je i mirë dhe bën të mira; më mëso statutet e tua.

69 Kryelartët kanë trilluar kundër meje, por unë do të respektoj urdhërimet e tua me gjithë zemër.

70 Zemra e tyre është e pandjeshme si dhjami; por unë kënaqem me ligjin tënd.

71 Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua.

72 Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi.

Psalmet 49

49 Dëgjoni gjithë popujt, vini veshin, o banorë të botës,

qofshin njerëz të popullit dhe fisnikë, të pasur dhe të varfër tok.

Nga goja ime do të dalin fjalë diturie dhe kredhja në mendime e zemrës sime do të sjellë mirëkuptim.

Unë do ta ndjek një proverb, do ta paraqes enigmën time me harpë.

Pse duhet të kem frikë nga ditët e fatkeqësisë, kur më rrethon ligësia e kundërshtarëve të mi,

ata që kanë besim në pasuritë e tyre dhe mburren me bollëkun e pasurisë së tyre?

Asnjeri nuk mund të shpengojë kurrsesi vëllanë e tij, as t’i japë Perëndisë çmimin e shpengimit të tij,

sepse shpengimi i shpirtit të tij është shumë i shtrenjtë, dhe çmimi i saj nuk do të mjaftonte kurrë,

për të bërë që ai të jetojë përjetë dhe të mos shohë gropën.

10 Në fakt të gjithë shohin që njerëzit e urtë vdesin dhe që po në atë mënyrë vdesin njerëzit e pamend a mendjeshkurtër, duke ua lënë të tjerëve pasuritë e tyre.

11 Me mendjen e tyre ata pandehin se shtëpitë e tyre do të qëndrojnë për gjithnjë, që banesat e tyre janë të përjetshme; dhe kështu u vënë tokave emrin e tyre.

12 Megjithatë edhe njeriu që jeton në mes të pasurive nuk e ka të gjatë; ai është njëlloj si kafshët që mbarojnë.

13 Kjo është sjellja e njerëzve pa mend dhe e atyre që u shkojnë dhe miratojnë fjalimet e tyre. (Sela)

14 Shtyhen si dele në drejtim të Sheolit; vdekja do t’i përpijë dhe në mëngjes njerëzit e drejtë do të sundojnë mbi ta. Luksi i tyre do të marrë fund në Sheol, larg banesës së tyre.

15 Por Perëndia im do ta shpengojë shpirtin tim nga pushteti i Sheolit, sepse ai do të më pranojë. (Sela)

16 Mos kij frikë kur dikush pasurohet, kur lavdia e shtëpisë së tij rritet,

17 sepse kur do të vdesë, nuk do të marrë asgjë me vete; lavdia e tij nuk do të zbresë pas tij.

18 Edhe në se në jetë e ndjente veten të lumtur (në fakt njerëzia të lavdëron kur pasurohesh),

19 ai do të arrijë brezin e etërve të tij, që nuk do ta shohin kurrë më dritën.

20 Njeriu që jeton në mes të pasurive pa pasur gjykim është njëlloj si kafshët që zhduken.

Psalmet 53

53 Njeriu i pamend në zemër të vet ka thënë: "Perëndi nuk ka". Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; s’ka njeri që të bëjë të mirën.

Perëndia shikon nga qielli bijtë e njerëzve, për të parë në se ndonjë prej tyre ka mend dhe kërkon Perëndinë.

Të gjithë janë shmangur, të gjithë janë prishur; nuk ka njeri që të bëjë të mirën, as edhe një.

Nuk kanë asnjë dije këta veprues të paudhësisë që gllabërojnë popullin tim sikur të hanin bukë, dhe nuk kërkojnë Perëndinë?

Sepse i ka zënë një frikë e madhe, aty kur nuk kishte arsye për frikë, sepse Perëndia i ka shpërndarë eshtrat e atyre që ngrihen kundër teje. Ti e mbulove me turp, sepse Perëndia i ka hedhur poshtë.

Kush do të dërgojë nga Sioni shpëtimin e Izraelit? Kur Perëndia do të rivendosë fatin e popullit të tij në robëri, Jakobi do të ngazëllojë, Izraeli do të gëzohet.

1 i Samuelit 25:23-44

23 Kur Abigaili pa Davidin, zbriti shpejt nga gomari dhe ra përmbys me fytyrën për tokë përpara Davidit.

24 Kështu u shtri në këmbët e tij dhe tha: "O imzot, mbi mua, vetëm mbi mua bie faji! Por lejo shërbëtoren tënde të të flasë, dhe ti dëgjo fjalët e saj.

25 Të lutem, mos ia vër re atij njeriu të neveritshëm, Nabalit, sepse ai është pikërisht ashtu si e ka emrin, ai quhet Nabal dhe karakterizohet nga budallallëku; por unë, shërbëtorja jote, nuk i kam parë të rinjtë e dërguar nga zotëria im.

26 Kështu, pra, imzot, ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që shpirti yt jeton, Zoti të ka penguar të derdhësh gjak dhe të vendosësh drejtësi me duart e tua. Armiqtë e tu dhe ata që duan t’i bëjnë keq zotërisë sime qofshin si Nabali!

27 Dhe tani kjo dhuratë që shërbyesja jote i ka sjellë zotërisë sime, t’u jepet të rinjve që ndjekin zotërinë tim.

28 Por falja fajin shërbëtores sate; me siguri Zoti do ta bëjë të qëndrueshme shtëpinë e zotërisë tim, sepse zotëria im lufton në betejat e Zotit, dhe gjatë tërë kohës së jetës sate nuk është gjetur asnjë e keqe te ti.

29 Në rast se del dikush që të të persekutojë dhe të kërkojë jetën tënde, jeta e zotërisë sim do të ruhet në peshtafin e jetës pranë Zotit, Perëndisë tënd, ndërsa jetën e armiqve të tu Zoti do ta flakë si nga zgavra e një hobëje.

30 Kështu, kur Zoti t’i ketë bërë zotërisë tim të mirat që i ka premtuar dhe të të ketë vënë në krye të Izraelit,

31 kjo gjë nuk do të jetë dhimbje për ty, as edhe një brejtje e ndërgjegjes së zotërisë tim; domethënë të ketë derdhur gjak pa shkak dhe të ketë marrë hak me vetëgjyqësi. Por kur Zoti do t’i bëjë të mira zotërisë tim, kujto shërbëtoren tënde".

32 Atëherë Davidi i tha Abigailit: "Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Izraelit, që sot të dërgoi ballë meje!

33 E bekuar qoftë këshilla jote dhe e bekuar qofsh ti që më pengove sot të derdh gjak dhe të vendos drejtësinë me duart e mia!

34 Sepse, sigurisht, ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, Perëndia i Izraelit, që më ka penguar të të bëjë të keqen, po të mos ishe nxituar të më dilje përpara, në të gdhirë të ditës Nabalit nuk do t’i kishte mbetur asnjë njeri i gjallë".

35 Kështu Davidi mori nga duart e saj ato që ajo kishte sjellë dhe i tha: Kthehu në paqe në shtëpinë tënde; shiko, unë dëgjova zërin tënd dhe pataa respekt për personin tënd".

36 Abigaili u kthye pastaj te Nabali; ai kishte shtruar banket në shtëpinë e tij, një banket prej mbreti. Nabali e kishte zemrën të gëzuar, ishte i dehur xurxull; prandaj ajo nuk i tha asgjë, as pak as shumë, deri sa gdhiu.

37 Por të nesërmen në mëngjes, kur efekti i verës kishte kaluar, gruaja i tregoi Nabalit këto gjëra; atëherë zemra iu ligështua dhe ai mbeti si një gur.

38 Rreth dhjetë ditë më vonë Zoti e goditi Nabalin dhe ai vdiq.

39 Kur mësoi që Nabali kishte vdekur, Davidi tha: "Qoftë i bekuar Zoti, që më dha hak për fyerjen e rëndë të Nabalit dhe nuk e lejoi shërbëtorin e tij të kryejë ndonjë të keqe! Zoti bëri që të bjerë mbi kokën e tij ligësia e Nabalit". Pastaj Davidi dërgoi një njeri të flasë me Abigailin, me qëllim që ajo të bëhej bashkëshortja e tij.

40 Shërbëtorët e Davidit erdhën te Abigaili në Karmel dhe i folën kështu, duke thënë: "Davidi na ka dërguar te ti, sepse dëshiron të të marrë për grua".

41 Atëherë ajo u ngrit në këmbë, ra përmbys me fytyrën për tokë dhe tha: Ja, t’u bëftë shërbëtorja jote skllave, që t’u lajë këmbët shërbëtorëve tëë zotërisë tim".

42 Pastaj Abigaili u ngrit me nxitim, hipi mbi një gomar dhe, e ndihmuar nga pesë vajza, ndoqi lajmëtarët e Davidit dhe u bë bashkëshortja e tij.

43 Davidi mori edhe Ahinoamin e Jezreelit, dhe që të dyja u bënë bashkëshorte të tij.

44 Por Sauli ia kishte dhënë vajzën e tij Mikal, që ishte gruaja e Davidit, Paltit, birit të Lashit, që ishte nga Galimi.

Veprat e Apostujve 14:19-28

19 Por në atë kohë erdhën disa Judenj nga Antiokia dhe nga Ikoni; ata, mbasi ia mbushën mendjen turmës, e gjuajtën me gurë Palin dhe, duke menduar se kishte vdekur, e tërhoqën zvarrë jashtë qytetit.

20 Por, kur dishepujt u mblodhën rreth tij, ai u ngrit dhe hyri në qytet; dhe të nesërmen u nis me Barnabën për në Derbë.

21 Dhe, mbasi ungjillëzuan atë qytet dhe bënë shumë dishepuj, u kthyen në Listra, në Ikon dhe në Antioki,

22 duke fuqizuar shpirtërat e dishepujve dhe duke i këshilluar që të ngulmojnë në besim, dhe duke thënë se me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.

23 Dhe mbasi caktuan për ta pleqtë në çdo kishë, u lutën dhe agjëruan, i lanë në dorën e Zotit, në të cilin kishin besuar.

24 Dhe, mbasi e përshkuan Pisidinë, ardhën në Panfili.

25 Dhe, mbasi e shpallën fjalën në Pergë, zbritën në Atali.

26 Pastaj që andej lundruan për në Antioki, prej nga ishin rekomanduar në hir të Perëndisë për veprën që posa kishin kryer.

27 Si arritën atje, mblodhën kishën dhe treguan ç’gjëra të mëdha kishte kryer Perëndia me anë të tyre dhe si u kishte hapur johebrenjve derën e besimit.

28 Dhe qëndruan atje me dishepujt mjaft kohë.

Marku 4:35-41

35 Tani po atë ditë, si u ngrys, u tha atyre: “Kalojmë te bregu matanë!

36 Dhe dishepujt, si e nisën popullin, e morrën me vete Jezusin, ashtu si ishte, në barkë. Me të ishin edhe disa barka të tjera të vogla.

37 Ndërkaq shpërtheu një furtunë e madhe dhe valët përplaseshin mbi barkë aq shumë sa ajo po mbushej.

38 Ai ndërkaq po flinte në kiç mbi një jastëk. Ata e zgjuan dhe i thanë: “Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?.”

39 Dhe ai si u zgjua, e qortoi erën dhe i foli detit: “Pusho dhe fashitu!.” Dhe era pushoi dhe u bë qetësi e madhe.

40 Atëherë u tha atyre: “Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?.”

41 Dhe ata i zuri një frikë e madhe dhe i thoshnin njëritjetrit: “Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era edhe deti?.”