Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 93

93 Zoti mbretëron; ai është veshur me madhështi; Zoti është mbuluar me mantel, është ngjeshur me forca. Po, bota është e qëndrueshme nuk do të tundet kurrë.

Froni yt është nga përjetësia i qëndrueshëm; ti je i tillë nga përjetësia.

Lumenjtë kanë ngritur, o Zot, lumenjtë kanë ngritur zërin e tyre; lumenjtë kanë ngritur valët e tyre plot zhurmë;

por Zoti në vëndet shumë të larta është më i fuqishëm së zërat e ujërave të mëdha, më i fuqishëm se baticat e detit.

Statutet e tua janë jashtëzakonisht të qëndrueshme. Shenjtëria i shkon shtëpisë sate, o Zot, përjetë.

Psalmet 96

96 Këndojini Zotit një këngë të re, këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës!

Këndojini Zotit, bekoni emin e tij; lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij.

Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mekullitë e tij midis tërë popujve.

Sepse Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë; nga ai duhet të kemi frikë përmbi gjithë perënditë e tjera.

Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë.

Shkëlqimi dhe madhështia janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij.

Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.

Jepini Zotit lavdinë që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani në oborret e tij.

Bini përmbys përpara Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij, dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës.

10 U thoni gjithë kombeve: "Zoti mbretëron; bota është vendosur mirë dhe nuk do të luajë nga vendi; ai do t’i gjykojë popujt me drejtësi".

11 Le të gëzohen qiejtë dhe të gëzohet toka; le të zhurmojë deti dhe gjithçka gjindet në të.

12 Le të ngazëllohet fusha dhe gjithçka gjindet në të. Atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit,

13 sepse ai vjen, vjen për të gjykuar tokën. Ai do ta gjykojë botën me drejtësi dhe popujt në besnikërinë e tij.

Psalmet 34

34 Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time.

Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen.

Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij.

Unë e kërkova Zotin, dhe ai m’u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia.

Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan.

Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij.

Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron.

Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai.

Kini frikë nga Zoti, ju shenjtorë të tij, sepse asgjë nuk u mungon atyre që kanë frikë prej tij.

10 Luanët e vegjël vuajnë nga mungesa e madhe dhe nga uria, por atyre që kërkojnë Zotin nuk u mungon asgjë.

11 Ejani, o bij, dëgjomëni; unë do t’ju mësoj frikën e Zotit.

12 Cili është ai njeri që dëshiron jetën dhe do ditë të gjata për të parë të mirën?

13 Mbaje gjuhën tënde larg së keqes dhe buzët e tua të mos thonë gënjeshtra.

14 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, kërko paqen dhe siguroje.

15 Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre.

16 Fytyra e Zotit është kundër atyre që sillen keq, për të çrrënjosur kujtimin e tyre nga faqja e dheut.

17 Të drejtët bërtasin dhe Zoti i dëgjon dhe i çliron nga të gjitha fatkeqësitë e tyre.

18 Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar.

19 Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha.

20 Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet.

21 Ligësia do të vrasë të keqin, dhe ata që urrejnë të drejtin do të shkatërrohen.

22 Zoti shpengon jetën e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë te ai nuk do të shkatërrohet.

2 i Samuelit 6:12-23

12 Atëherë i thanë mbretit David: "Zoti ka bekuar shtëpinë e Obed-Edomit dhe gjithshka që është pronë e tij, për shkak të arkës së Perëndisë". Atëherë Davidi shkoi dhe e mbarti me gëzim arkën e Perëndisë nga shtëpia e Obed-Edomit në qytetin e Davidit.

13 Kur ata që mbartnin arkën e Zotit bënë gjashtë hapa, ai flijoi një ka dhe një viç të majmë.

14 Davidi hidhte valle me gjithë forcat e tija përpara Zotit, duke veshur një efod prej liri.

15 Kështu Davidi dhe tërë shtëpia e Izraelit mbartën arkën e të Zotit me thirrje gëzimi dhe duke u rënë borive.

16 Por ndodhi që, ndërsa arka e Zotit po hynte në qytetin e Davidit, Mikal, bija e Saulit, duke shikuar nga dritarja, pa mbretin David që po hidhej dhe kërcente përpara Zotit dhe e përçmoi në zemrën e saj.

17 Kështu, sollën arkën e Zotit dhe e vendosën në vendin e saj, në mesin e çadrës që Davidi kishte ngritur për të. Pastaj Davidi ofroi olokauste dhe flijime falenderimi përpara Zotit.

18 Kur mbaroi së ofruari olokaustet dhe flijimet e falenderimit, Davidi bekoi popullin në emër të Zotit të ushtrive,

19 dhe i shpërndau tërë popullit, gjithë turmës së Izraelit, burra dhe gra, secilit prej tyre nga një kulaç, nga një racion mishi dhe një sasi rrush të thatë.

20 Ndërsa Davidi po kthehej për të bekuar familjen e tij, Mikal, bija e Saulit, i doli përpara Davidit dhe i tha: "Sa i nderuar ka qënë sot mbreti i Izraelit që u zbulua para syve të shërbëtoreve të shërbëtorëve të tij, ashtu siç do të zbulohej një harbut!".

21 Atëherë Davidi iu përgjigj Mikalit: "E bëra përpara Zotit që më ka zgjedhur në vend të atit tënd dhe të tërë shtëpisë së tij për të më vendosur princ të Izraelit, të popullit të Zotit; prandaj bëra festë përpara Zotit.

22 Prandaj do ta ul veten edhe më poshtë dhe do të bëhem më i pavlerë në sytë e mi; por lidhur me shërbëtoret për të cilat më fole, unë do të nderohem pikërisht prej tyre".

23 Mikal, bija e Saulit, nuk pati fëmijë deri ditën e vdekjes së saj.

Romakëve 14:7-12

Sepse asnjë nga ne nuk jeton për veten e tij dhe askush nuk vdes për veten e tij,

sepse, edhe nëse rrojmë, rrojmë për Zotin; edhe nëse vdesim, vdesim për Zotin; pra, edhe po të rrojmë ose të vdesim, të Zotit jemi.

Sepse për këtë edhe vdiq Krishti dhe u ngjall e u kthye në jetë: që të zotërojë edhe mbi të vdekurit, edhe mbi të gjallët.

10 Por ti, pse e gjykon vëllanë tënd? Ose përse e përbuz vëllanë tënd? Të gjithë, pra, do të dalim përpara gjykatës së Krishtit.

11 Sepse është shkruar: “Rroj unë, thotë Perëndia, se çdo gjë do të ulet para meje, dhe çdo gjuhë do ta lavdërojë Perëndinë!.”

12 Kështu, pra, secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten e vet.

Gjoni 1:43-51

43 Të nesërmen, Jezusi donte të dilte në Galile; gjeti Filipin dhe i tha: “Ndiqmë!.”

44 Dhe Filipi ishte nga Betsaida, nga i njejti qytet i Andreas dhe i Pjetrit.

45 Filipi gjeti Natanaelin dhe i tha: “E gjetëm atë, për të cilin shkroi Moisiu në ligj dhe profetët: Jezusin nga Nazareti, të birin e Jozefit!.”

46 Dhe Natanaeli i tha: “A mund të dalë diçka e mirë nga Nazareti?.” Filipi i tha: “Eja e shih!.”

47 Jezusi pa se Natanaeli po vinte drejt tij dhe tha për të: “Ja një Izraelit i vërtetë, tek i cili s’ka mashtrim.”

48 Natanaeli i tha: “Nga më njeh?.” Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Të pashë kur ishe nën fik, para se të të thërriste Filipi.”

49 Natanaeli duke iu përgjigjur tha: “Mësues, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit!.”

50 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Sepse të thashë se të pashë nën fik, ti beson; do të shohësh gjëra më të mëdha se këto!.”

51 Pastaj i tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se tash e tutje ju do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e njeriut.”