Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 148-150

148 Aleluja. Lëvdoni Zotin nga qiejtë, lëvdojeni në vendet shumë të larta.

Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij.

Lëvdojeni, o diell dhe hënë, lëvdojeni, ju mbarë yje të ndritshme.

Lëvdojeni, ju qiej të qiejve, dhe ju ujëra përmbi qiejtë.

Tërë këto gjëra le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse ai dha urdhër dhe ato u krijuan.

Ai i ka vendosur përjetë, në përjetësi; por ka bërë një statut që nuk do të kalojë kurrë.

Lëvdojeni Zotin nga toka, ju përbindësh të detit dhe mbarë oqeane,

zjarr dhe breshër, borë dhe re, ajër i shtrëngatës që zbaton urdhërat e tij,

mbarë male dhe kodra, mbarë dru frutorë dhe kedra;

10 ju mbarë kafshë të egra dhe shtëpiake, rrëshqanorë dhe zogj me krahë;

11 ju mbretër të dheut dhe mbarë popuj, princa dhe gjyqtarë të tokës;

12 të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë.

13 Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejtë.

14 Ai e ka rritur forcën e popullit të tij, një arsye kjo lëvdimi për të gjithë shenjtorët e tij, për bijtë e Izraelit, një popull i afërt për të. Aleluja.

149 Aleluja. Këndojini Zotit një këngë të re, këndoni lavdinë e tij në kuvendin e shenjtorëve.

Le të ngazëllohet Izraeli tek ai që e ka bërë, le të ngazëllohen bijtë e Sionit te Mbreti i tyre.

Le të lëvdojnë emrin e tij me valle, të këndojnë lavdet e tij me dajre dhe me qeste,

sepse Zoti kënaqet me popullin e tij; ai i kurorëzon me shpëtim njerëzit e përulur.

Le të ngazëllohen shenjtorët në lavdi, le të këndojnë nga gëzimi mbi shtretërit e tyre.

Le të kenë në gojën e tyre lavdet e Perëndisë dhe në dorën e tyre një shpatë që pret nga të dy anët;

për t’u hakmarrë me kombet dhe për t’u dhënë ndëshkime popujve,

për t’i lidhur mbretërit e tyre me zinxhirë dhe fisnikët e tyre me pranga hekuri,

për të zbatuar mbi ta gjykimin e shkruar. Ky është nderi që u rezervohet mbarë shenjtorëve të tij. Aleluja.

150 Aleluja, lëvdoni Perëndinë në shenjtoren e tij, lëvdojeni në kupën qiellore të pushtetit të tij.

Lëvdojeni për mrekullitë e tij, lëvdojeni sipas madhështisë e tij.

Lëvdojeni me tingullin e burive, lëvdojeni me tingullin e harpës dhe me qeste.

Lëvdojeni me dajre dhe me valle, lëvdojeni me vegla me tela dhe me frymë.

Lëvdojeni me cembale tingëlluese, lëvdojeni me cembale kumbuese.

Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin. Aleluja.

Psalmet 114-115

114 Kur Izraeli doli nga Egjipti dhe shtëpia e Jakobit nga një popull që fliste një gjuhë të huaj,

Juda u bë shenjtorja e tij dhe Izraeli zotërimi i tij.

Deti e pa dhe iku, Jordani u kthye prapa.

Malet u hodhën si desh dhe kodrat si qengja.

Ç’pate ti, o det, që ike, dhe ti, o Jordan, që u ktheve prapa?

Dhe ju, o male, që u hodhët si desh, dhe ju, o kodra, si qengja?

Dridhu, o tokë, në prani të Zotit, në prani të Perëndisë të Jakobit,

që e shndërroi shkëmbin në liqen, shkrepin në një burim uji.

115 Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde.

Sepse do të thonë kombet: "Ku është tani Perëndia i tyre?".

Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë.

Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut.

kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,

kanë veshë por nuk dëgjojnë, kanë hundë por nuk nuhasin,

kanë duar por nuk prekin, kanë këmbë por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë.

Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.

O Izrael, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

10 O shtëpi e Aaronit, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

11 O ju që keni frikë nga Zoti; kini besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

12 Zoti na kujtoi dhe do të na bekojë; po, ai do të bekojë shtëpinë e Izraelit dhe do të bekojë shtëpinë e Aaronit.

13 Ai do të bekojë ata që kanë frikë nga Zoti, të vegjël dhe të mëdhenj.

14 Zoti ju bëftë të rriteni, ju dhe bijtë tuaj.

15 Qofshin të bekuar nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.

16 Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.

17 Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë të Zotin, as ata që zbresin në vendin e heshtjes.

18 Por ne do ta bekojmë Zotin, tani dhe përjetë. Aleluja.

1 i Samuelit 17:50-18:4

50 Kështu Davidi me një hobe dhe një gur mundi Filisteun; e goditi dhe e vrau, megjithëse Davidi nuk kishte asnjë shpatë në dorë.

51 Pastaj Davidi vrapoi, u hodh mbi Filisteun, ia mori shpatën dhe e vrau duke i prerë me të kokën. Kur Filistejtë e panë që heroi i tyre vdiq, ikën me vrap.

52 Atëherë njerëzit e Izraelit dhe të Judës u ngritën, duke lëshuar britma lufte, dhe i ndoqën Filistejtë deri në hyrjen e luginës dhe në portat e Ekronit. Filistejtë e plagosur për vdekje ranë në rrugën e Shaarimit, deri në Gath dhe në Ekron.

53 Kur bijtë e Izraelit u kthyen nga ndjekja e Filistejve, plaçkitën kampin e tyre.

54 Pas kësaj Davidi mori kokën e Filisteut dhe e çoi në Jeruzalem, por armët e tij i vendosi në çadrën e tij.

55 Kur Sauli kishte parë Davidin që po dilte kundër Filisteut, kishte pyetur komandantin e ushtrisë së tij, Abnerin: "Abner, bir i kujt është ky i ri?". Abneri iu përgjegj: "Ashtu siç është e vërtetë që ti rron, o mbret, nuk e di".

56 Atëherë mbreti tha: "Merr informata mbi prindërit e këtij djaloshi".

57 Kur Davidi u kthye nga vrasja e Filisteut, Abneri e mori dhe e çoi përparea Saulit, ndërsa ai mbante akoma në dorë kokën e Filisteut.

58 Sauli i tha: "O i ri, bir i kujt je?". Davidi u përgjegj: Jam bir i shërbëtorit tënd, Betlemitit Isai".

18 Kur mbaroi së foluri me Saulin, shpirti i Jonathanit mbeti i lidhur me shpirtin e Davidit, dhe Jonathani e deshi si shpirtin e vet.

Po atë ditë Sauli e mori me vete dhe nuk e lejoi të kthehet në shtëpinë e atit të tij.

Kështu Jonathani lidhi një besölidhje me Davidin, sepse e donte si shpirtin e vet.

Pastaj Jonathani hoqi mantelin që kishte veshur dhe ia dha Davidit, dhe i shtoi gjithashtu rrobat, shpatën, harkun dhe brezin e tij.

Romakëve 10:4-17

sepse përfundimi i ligjit është Krishti, për shfajësimin e kujtdo që beson.

Sepse Moisiu kështu e përshkruan drejtësinë që vjen nga ligji: “Njeriu që bën këto gjëra, do të rrojë me anë të tyre.”

Por drejtësia që vjen nga besimi thotë kështu: “Mos thuaj në zemrën tënde: “Kush do të ngjitet në qiell?.” Kjo do të thotë që të zbresë Krishti.

Ose: “Kush do të zbresë në humnerë?.” Kjo do të thotë që të sjellë lart Krishtin prej së vdekurish.

Po ç’thotë, pra? “Fjala është pranë teje, në gojën tënde dhe në zemrën tënde.” Kjo është fjala e besimit, që ne predikojmë;

sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh.

10 Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim,

11 sepse Shkrimi thotë: “Kushdo që beson në të, nuk do të turpërohet.”

12 Sepse nuk ka dallim në mes Judeut dhe Grekut, sepse një i vetëm është Perëndia i të gjithëve, i pasur ndaj të gjithë atyre që e thërrasin.

13 Në fakt: “Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet.”

14 Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?

15 Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar? Siç është shkruar: “Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme të mira!.”

16 Por jo të gjithë iu bindën ungjillit, sepse Isaia thotë: “O Perëndi, kush i besoi predikimit tonë?.”

17 Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë.

Mateu 23:29-39

29 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ndërtoni varrezat e profetëve dhe zbukuroni monumentet e të drejtëve,

30 dhe thoni: "Po të kishim jetuar në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim bashkëpunuar me ta në vrasjen e profetëve".

31 Duke folur kështu, ju dëshmoni kundër vetes suaj, se jeni bijtë e atyre që vranë profetët.

32 Ju e kaloni masën e etërve tuaj!

33 O gjarpërinj, o pjellë nëpërkash! Si do t’i shpëtoni gjykimit të Gehenas?

34 Prandaj, ja unë po ju dërgoj profetë, dijetarë dhe skribë; ju disa prej tyre do t’i vritni dhe do t’i kryqëzoni, disa të tjerë do t’i fshikulloni në sinagogat tuaja dhe do t’i persekutoni nga një qytet në tjetrin,

35 që të bjerë mbi ju gjithë gjaku i drejtë i derdhur mbi dhe, nga gjaku i të drejtit Abel, deri te gjaku i Zaharias, birit të Barakias, që ju e vratë ndërmjet tempullit dhe altarit.

36 Në të vërtetë po ju them se të gjitha këto gjëra do të bien mbi këtë brez.

37 Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët!

38 Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë.

39 Sepse unë po ju them, se tash e tutje nuk do të më shihni më deri sa të thoni: "I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!".”