Book of Common Prayer
30 Do të të lëvdoj, o Zot, sepse ti më ngrite lart, dhe nuk i lejove armiqtë e mi të tallen me mua.
2 O Zot, Perëndia im, unë të kam klithur ty, dhe ti më ke shëruar.
3 O Zot, ti e ke nxjerrë shpirtin tim jashtë Sheolit, më ke mbajtur gjallë që të mos zbrisja në gropë.
4 I këndoni lavde Zotit, ju, shenjtorë të tij, dhe kremtoni shenjtërinë e tij,
5 sepse zemërimi im mban vetëm një çast, por mirësia e tij mban një jetë të tërë. Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.
6 Kur kisha bollëk thoja: "Unë nuk do të prekem kurrë".
7 O Zot, për hirin tënd e kishe fortësuar malin tim, ti e fshehe fytyrën tënde, dhe unë mbeta i trembur.
8 Unë të klitha ty, o Zot, iu luta fort Zotit,
9 duke thënë: "Çfarë dobie do të kesh nga gjaku im po të jetë se zbres në gropë? A mundet pluhuri të të kremtojë? A mundet ai të shpallë të vërtetën tënde?
10 Dëgjo, o Zot, dhe ki mëshirë për mua, o Zot, bëhu ti ndihma ime".
11 Ti e ke kthyer vajtimin tim në valle; ma ke hequr grethoren dhe më ke mbushur me gëzim,
12 me qëllim që shpirti im të mund të të këndojë lavdi pa pushim. O Zot, Perëndia im, unë do të të kremtoj përjetë.
32 Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen, ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin!
2 Lum ai njeri të cilin Zoti nuk e padit për paudhësi dhe në frymën e të cilit nuk ka vend mashtrimi.
3 Ndërsa po heshtja, kockat e mia treteshin midis rënkimeve që kisha tërë ditën.
4 Sepse ditë e natë dora jote rëndonte mbi mua, fuqia ime i përngjante thatësisë së verës. (Sela)
5 Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: "Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit," dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim. (Sela)
6 Prandaj çdo njeri i përshpirtshëm do të të thërrase në kohën që mund të gjendesh; edhe sikur ujërat e mëdha të vërshojnë, ato nuk do të arrijnë deri tek ai.
7 Ti je vendi im i strehimit, ti do të më ruash nga fatkeqësia, ti do të më rrethosh me këngë çlirimi. (Sela)
8 Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh; unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty.
9 Mos u bëni si kali dhe si mushka që nuk kanë mend, goja e të cilëve duhet të mbahet me fre dhe me kapistër, përndryshe nuk të afrohen.
10 Të shumta janë dhembjet e të pabesit, por ai që ka besim tek Zoti do të rrethohet nga mirësia e tij.
11 Gëzohuni tek Zoti dhe ngazëlloni, o njerëz të drejtë; lëshoni britma gëzimi, ju të gjithë, o njerëz me zemër të drejtë.
42 Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi.
2 Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?
3 Lotët e mia janë bërë ushqimi im ditë e natë, ndërsa më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".
4 Duke kujtuar këto gjëra, brenda vetes sime i jap shfrim të lirë shpirtit tim, sepse kisha zakon të shkoja me turmën, duke e udhëhequr në shtëpinë e Perëndisë, në mes të këngëve të gëzimit dhe të lëvdimit të një turme në festë.
5 Pse ligështohesh, o shpirti im, pse vajton brënda trupit tim? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma për çlirimin e pranisë së tij.
6 O Perëndia im, shpirti më është ligështuar përbrenda; prandaj më kujtohesh ti nga vendi i Jordanit dhe nga majat e Hermonit, nga mali i Mitsarit.
7 Një hon thërret një hon tjetër në zhurmën e ujërave të tua; të gjitha dallgët e tua dhe valët e tua kanë kaluar përmbi mua.
8 Ditën Zoti më jep mirësinë e tij, dhe natën i ngre atij një kantik, një lutje Perëndisë të jetës sime.
9 Unë do t’i them Perëndisë, kështjellës sime: "Pse më harrove? Pse endem i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?".
10 Kockat e mia po vuajnë për vdekje për shkak të fyerjeve nga ana e armive të mi, që më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".
11 Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon përbrenda meje? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma; ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.
43 Siguromë drejtësi, o Perëndi, dhe mbro çështjen time nga njerëzit e këqij; më çliro nga njeriu i rremë dhe i lig.
2 Mbasi ti je Perëndia që më jep forcë, pse më ke kthyer? Pse shkoj i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?
3 Dërgo dritën tënde dhe të vërtetën tënde; këto le të më udhëheqin dhe të më çojnë në malin tënd të shenjtë dhe në vendin e banesës sate.
4 Atëherë un do të vij tek altari i Perëndisë, te Perëndia, që është gëzimi im dhe kënaqësia ime; do të të kremtoj me qeste, o Perëndi, Perëndia im.
5 Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon brenda meje? Ki shpresë te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma, sepse ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.
22 Pastaj Davidi u nis që andej dhe u strehua në shpellën e Adulamit; kur vëllezërit e tij dhe tërë shtëpia e atit të tij e mësuan, zbritën aty poshtë tek ai.
2 Dhe tërë ata që hasnin vështirësi, që kishin borxhe o që ishin të pakënaqur u mblodhën pranë tij dhe ai u bë kreu i tyre. Ishin me të rreth katërqind veta.
3 Që andej Davidi shkoi në Mitspah të Moabit dhe i tha mbretit të Moabit: Lejo që ati dhe nëna ime të vijnë dhe të banojnë me ju, deri sa unë tëë mësoj se çfarë do të bëjë Perëndia për mua".
4 Kështu ai i çoi para mbretit të Moabit, dhe ata qëndruan me të tërë kohën që Davidi ndodhej në fortesë.
5 Pastaj profeti Gad i tha Davidit: "Mos qëndro më në fortesë, por nisu dhe shko në vendin e Judës". Atëherë Davidi u nis dhe shkoi në pyllin e Herethit.
6 Kur Sauli mësoi që Davidi dhe njerëzit që ishin me të qenë zbuluar (Sauli ndodhej atëherë në Gibeah poshtë nën drurin e marinës në Ramah, me ushtën e tij në dorë dhe të gjithë shërbëtorët e tij e rrethonin).
7 Sauli u tha shërbëtorëve që i rrinin rreth e qark: "Më dëgjoni tani, Beniaminitë! Biri i Isait do t’ju japë juve ara dhe vreshta. Do t’ju bëjë të gjithëve komandantë të mijëshëve dhe qindëshëve?
8 Të gjithë ju keni komplotuar, dhe asnjë nga ju nuk më ka informuar për besëlidhjen, që im bir ka lidhur me birin e Isait; dhe nuk ka asnjë prej jush që t’i vijë keq për mua dhe të më njoftojë që im bir ka ngritur kundër meje shërbëtorin tim që të më kurdisë kurthe siç bën sot?".
9 U përgjegj atëherë Idumei Doeg, që rrinte në krye të shërbëtorëve të Saulit, dhe tha: "Unë e pashë birin e Isait kur erdhi në Nob tek Ahimeleku, bir i Ahitubit;
10 ky është këshilluar me Zotin lidhur me të, i dha ushqime dhe i dorëzoi shpatën e Filisteut Goliath".
11 Atëherë mbreti dërgoi të thërrasin priftin Ahimelek, birin e Ahitubit, dhe tërë shtëpinë e atit të tij, priftërinjtë që ishin në Nob; dhe ata erdhën të gjithë te mbreti.
12 Sauli tha: "Tani dëgjo, o bir i Ahitubit!". Ai u përgjegj: Ja ku jam, o imzot".
13 Sauli i tha: "Pse ti dhe biri i Isait keni komlotuar kundër meje, duke i dhënë bukë dhe një shpatë, dhe je këshilluar me Perëndinë lidhur me të, me qëllim që të ngrihet kundër meje dhe të më kurdisë kurthe siç bën sot?".
14 Atëherë Ahimeleku iu përgjegj mbretit, duke thënë: "Po midis gjithë shërbëtorëve të tu kush është besnik si Davidi, dhëndër i mbretit, i gatshëm nën urdhrat e tua dhe i nderuar në shtëpinë tënde?
15 Vallë sot kam filluar të këshillohem me Perëndinë për të? Mos qoftë kurrë, që mbreti të akuzojë për gjëra të tilla shërbëtorin e tij apo dikë nga shtëpia e atit tim, sepse shërbëtori yt nuk dinte asgjë nga tërë kjo, as pak e as shumë".
16 Mbreti tha: "Ti me siguri ke për të vdekur, Ahimelek, ti dhe tërë shtëpia e atit tënd!".
17 Atëherë mbreti urdhëroi rojet që e rrethonin: "Kthehuni dhe vritni priftërinjtë e Zotit, sepse edhe ata mbajnë anën Davidit dhe e dinin që ai kishte ikur, por nuk më njoftuan". Por shërbëtorët e mbretit nuk deshën të zgjatnin duart për të goditur priftërinjtë e Zotit.
18 Atëherë mbreti i tha Doegut: "Kthehu ti dhe godit priftërinjtë!". Kështu Idumeti Doeg u kthye dhe goditi priftërinjtë; atë ditë vrau tetëdhjetë e pesë persona që mbanin efodin prej liri.
19 Sauli goditi gjithashtu me shpatë Nobin, qytetin e priftërinjve, burrat, gratë, të vegjëlit, foshnjat e gjirit, lopët, gomarët dhe delet; i vrau të gjithë me shpatë.
20 Megjithatë një nga bijtë e Ahimelekut, bir i Ahitubit, i quajtur Abiathar, shpëtoi dhe u strehua pranë Davidit.
21 Abiathari i njoftoi Davidit që Sauli kishte vrarë priftërinjtë e Zotit.
22 Davidi i tha Abiatharit: "Unë e dija mirë atë ditë që Idumeu Doeg, i cili ndodhej aty, pa dyshim do ta lajmëronte Saulin. Unë jam shkaktari i vdekjes të të gjithë personave të shtëpisë së atit tënd.
23 Rri me mua, mos ki frikë; ai që kërkon jetën time kërkon edhe tënden; por me mua do të jesh i sigurt.
26 Vëllezër, bij të pasardhësve të Abrahamit, dhe ata prej jush që druajnë Perëndinë, juve ju është dërguar fjala e këtij shpëtimi.
27 Sepse banorët e Jeruzalemit dhe krerët e tyre, duke mos e njohur Këtëjezus, duke e dënuar, kanë përmbushur fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë.
28 Dhe, ndonëse nuk i gjetën asnjë faj që të meritonte vdekjen, i kërkuan Pilatit që ai të vritet.
29 Dhe mbasi u kryen të gjitha gjërat që janë shkruar për të, atë e zbritën nga druri dhe e vunë në varr.
30 Por Perëndia e ringjalli prej të vdekurve;
31 dhe ai u pa për shumë ditë nga ata që ishin ngjitur me të nga Galilea në Jeruzalem, të cilët tani janë dëshmitarë të tij para popullit.
32 Dhe ne po ju shpallim lajmin e mirë të premtimit që u qe bërë etërve,
33 duke ju thënë se Perëndia e ka përmbushur për ne, bij të tyre, duke ringjallur Jezusin, ashtu si dhe është shkruar në psalmin e dytë: "Ti je Biri im, sot më linde".
34 Dhe mbasi e ka ringjallur prej të vdekurve për të mos e kthyer në kalbje, ai ka thënë kështu: "Unë do t’ju jap premtimet e sigurta të bëra Davidit".
35 Për këtë ai thotë edhe në një psalm tjetër: "Ti nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbje".
36 Sepse Davidi, mbasi zbatoi këshillën e Perëndisë në brezin e tij, vdiq dhe u bashkua me etërit e vet dhe pa kalbje,
37 por ai, që e ka ringjallur Perëndia, nuk ka parë kalbje.
38 Le ta dini, pra, o vëllezër, se nëpërmjet tij ju është shpallur falja e mëkateve,
39 dhe se, me anë të tij, ai që beson është shfajësuar nga të gjitha gjërat, që nuk mund të shfajsohej me anë të ligjit të Moisiut.
40 Kini kujdes, pra, që të mos ju ndodhë ajo që është thënë në profetët:
41 "Shikoni, o përbuzës, mrekullohuni dhe do të treteni, sepse unë po kryej një vepër në ditët tuaja, një vepër, të cilën ju nuk do ta besonit, po t’jua tregonte dikush".”
42 Dhe kur Judenjtë dolën nga sinagoga, johebrenjtë u lutën që të shtunën e ardhshme t’u flisnin përsëri për këto gjëra.
43 Dhe, mbasi u shpërnda mbledhja, shumë nga Judenjtë dhe nga prozelitët e perëndishëm i ndiqnin Palin dhe Barnabën, të cilët, duke u folur atyre, i bindën të ngulmojnë në hir të Perëndisë.
19 dhe Juda Iskarioti, i cili më pas e tradhëtoi.
20 Pastaj hynë në një shtëpi. Dhe u mblodh përsëri një turmë aq e madhe, sa që as bukë s’mund të hanin.
21 Dhe kur të afërmit e tij e morën vesh, shkuan ta marrin atë, sepse flitej: “Nuk është në vete.”
22 Kurse skribët, që kishin zbritur nga Jeruzalemi, thoshnin: “Ai e ka Beelzebubin dhe i dëbon demonët me princin e demonëve.”
23 Por ai i thirri pranë vetes dhe u foli me anë të shëmbëlltyrave: “Si mund Satanai të dëbojë Satananë?
24 Në qoftë se një mbretëri është përçarë kundër vetvetes, ajo mbretëri nuk mund të qëndrojë.
25 Dhe në qoftë se një shtëpi përçahet kundër vetvetes, ajo shtëpi nuk mund të qëndrojë.
26 Kështu, në se Satanai ngrihet kundër vetvetes dhe është përçarë, nuk mbahet dot, por i erdhi fundi!
27 Askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e njeriut të fortë dhe t’ia grabitë pasuritë e tij, pa e lidhur më parë njeriun e fortë; vetëm atëherë mund t’ia plaçkitë shtëpinë.
28 Në të vërtetë po ju them se bijve të njerëzve do t’u falet çfarëdo mëkat dhe çdo blasfemi që do të thonë;
29 po për atë që do të blasfemojë kundër Frymës së Shenjtë nuk do të ketë falje përjetë; ai është fajtor për dënim të përjetshëm.”
30 Sepse ata thoshnin: “Ai ka një frymë të ndyrë!.”
31 Ndërkaq erdhën vëllezërit e tij dhe e ëma dhe, si ndaluan përjashta, dërguan ta thërrasin.
32 Turma ishte ulur përreth tij; dhe i thanë: “Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta dhe po të kërkojnë.”
33 Por ai u përgjigj atyre duke thënë: “Kush është nëna ime, ose vëllezërit e mi?.”
34 Pastaj duke vështruar rreth e qark mbi ata që ishin ulur rreth tij, tha: “Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi!
35 Sepse kushdo që bën vullnetin e Perëndisë, ai është vëllai im, motra ime dhe nëna!.”