Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 5-6

Vëru veshin fjalëve të mia, o Zot; dëgjo me vëmendje ankimin tim.

Dëgjo zërin e britmës sime, o mbreti im dhe Perëndia im, sepse ty të drejtoj lutjen time.

O Zot, ti në mëngjes dëgjon zërin tim; në mëngjes do ta lartoj drejt teje lutjen time dhe do të pres,

sepse ti nuk je një Perëndi që kënaqet në pabesinë; te ti nuk mund të zërë vend e keqja.

Ata që lëvdojnë vetveten, nuk do të mund të qëndrojnë para syve të tua; ti i urren të gjithë ata që kryejnë padrejtësi.

Ti do të zhdukësh gjithë ata që thonë gënjeshtra; Zoti urren njerëzit gjakatarë dhe mashtrues.

Por unë, për shkak të mirësisë sate të madhe, do të hyj në shtëpinë tënde dhe do të adhuroj me frikë të madhe, duke u drejtuar në tempullin tënd të shenjtë.

O Zot, më udhëhiq për drejtësinë tënde, për shkak të armiqve të mi; bëje të drejtë para meje rrugën tënde,

sepse në gojën e tyre nuk ka asnjë drejtësi; zemra e tyre nuk mendon gjë tjetër veç shkatërrimit; gryka e tyre është një varr i hapur; me gjuhën e tyre bëjnë lajka.

10 Dënoji ata, o Perëndi; mos u realizofshin synimet e tyre; përsëri për të këqijat e shumta që kanë kryer sepse kanë ngritur krye kundër teje.

11 Por le të gëzohen tërë ata që kanë strehë te ti, le të nxjerrin klithma gëzimi përjetë, sepse ti i mbron; le të ngazëllohen ata që duan emrin tënd,

12 sepse ti, o Zot, do të bekosh të drejtin; do ta rrethosh me hirin tënd si me mburojë.

O Zot, mos më ndreq në zemërimin tënd dhe mos më dëno në zjarrin e indinjatës sate.

Ki mëshirë për mua, o Zot; sepse jam i sfilitur nga e keqja; shëromë, o Zot, sepse kockat e mia po vuajnë.

Edhe shpirti im po vuan shumë; po ti, o Zot, deri kur?

Sillu nga unë, o Zot, çliroje shpirtin tim; shpëtomë, për hir të mirësisë sate.

Sepse në vdekje nuk do të kujtoj njeri; kush do të të kremtojë në Sheol?

Unë jam sfilitur duke psherëtirë; çdo natë e lag shtratin me vajin tim dhe bëj që të rrjedhin lotë mbi shtrojen time.

Syri im ligështohet nga dhembja dhe plaket për shkak të tërë armiqve të mi.

Largohuni nga unë, ju të gjithë shkaktarë të padrejtësisë, sepse Zoti ka dëgjuar zërin e vajit tim.

Zoti ka dëgjuar lutjen time; Zoti e ka pranuar lutjen time.

10 Tërë armiqtë e mi do të shushaten dhe do të hutohen; do të kthejnë krahët dhe do të shushaten në çast.

Psalmet 10-11

10 O Zot, pse qëndron larg? Pse fshihesh në kohë fatkeqësish?

I pabesi me kryelartësinë e tij ndjek me dhunë të mjerin; ata do të kapen nga vetë kurthet që ata kanë kurdisur,

sepse i pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të tij, bekon grabitqarin dhe përbuz Zotin.

I pabesi, me arrogancën e fytyrës së tij, nuk e kërkon Zotin; tërë mendimet e tij janë: "Perëndia nuk ekziston".

Rrugët e tij lulëzojnë në çdo kohë; gjykimet e tua për të janë shumë të larta, larg kuptimit të tyre nga ana e tij; ai përqesh gjithë armiqtë e tij.

Ai thotë në zemër të tij: "Mua askush nuk më tund dot kurrë; nuk do të më ndodhë kurrë ndonjë e keqe".

Goja e tij është plot mallkime, hile dhe mashtrime; nën gjuhën e tij ka ligësi dhe paudhësi.

Ai rri në pritë në fshatra, vret të pafajshmin në vende të fshehta; sytë e tij përgjojnë fatkeqin.

Ai rri në pritë në vende të fshehta si luani në strofkën e tij; rri në pritë për të kapur të mjerin; ai e rrëmben të mjerin duke e tërhequr në rrjetën e tij.

10 Ai rri i strukur dhe i mbledhur, dhe fatzinjtë mposhten para forcës së tij.

11 Ai thotë në zemër të tij: "Perëndia harron, fsheh fytyrën e tij, nuk do ta shohë kurrë".

12 Çohu, o Zot; o Perëndi, ngre dorën tënde; mos i harro të mjerët.

13 Pse i pabesi përçmon Perëndinë? Ai thotë në zemër të tij: "Ti nuk do t’i kërkosh llogari".

14 Por ti e ke parë, sepse ti vëren me kujdes ligësinë dhe pikëllimin, për ta larë më pas me dorën tënde; fatkeqi i ka shpresat te ti; ti je ai që ndihmon jetimin.

15 Thyeja krahun të pabesit dhe të ligut; në rast se ti do të kërkosh ligësinë e tij, nuk do ta gjesh më.

16 Zoti është mbret përjetë; kombet janë zhdukur nga toka e tij.

17 O Zot, ti dëgjon dëshirën e njerëzve të përulur; ti e fortëson zemrën e tyre, veshët e tu janë të vëmendshëm,

18 për t’i dhënë të drejtë jetimit dhe të pikëlluarit, me qëllim që njeriu i krijuar nga dheu të mos kallë më tmerr.

11 Unë gjej strehë te Zoti; si mund t’i thoni shpirtit tim: "Ik në malin tënd, si një zog i vogël"?

Sepse ja, të pabesët nderin harkun e tyre, rregullojnë shigjetat mbi kordhëz, për t’i gjuajtur në errësirë kundër atyre që kanë të drejtë nga zemra.

Kur themelet janë shkatërruar, çfarë mund të bëjë i drejti?

Zoti është në tempullin e tij të shenjtë; Zoti ka fronin e tij në qiejtë; sytë e tij shohin, qepallat e tij vëzhgojnë bijtë e njerëzve,

Zoti vë në provë të drejtin, por shpirti i tij urren të pabesin dhe atë që do dhunën.

Ai do të bëjë që të bien mbi të pabesët leqe, zjarr, squfur dhe erëra zhuritëse; kjo do të jetë pjesa nga kupa e tyre.

Sepse Zoti është i drejtë; ai e do drejtësinë; njerëzit e drejtë do të sodisin fytyrën e tij.

1 i Samuelit 15:24-35

24 Atëherë Sauli i tha Samuelit: "Kam mëkatuar sepse kam shkelur urdhrin e Zotit dhe fjalët e tua, dhe kjo sepse kisha frikë nga populli dhe dëgjova zërin e tij.

25 Por tani, të lutem, falma mëkatin tim dhe kthehu me mua, që unë të mund të bie përmbys para Zotit".

26 Por Samueli iu përgjegj Saulit: "Unë nuk do të kthehem me ty, sepse ke hedhur poshtë fjalën e Zotit dhe Zoti të ka hedhur poshtë ty, që ti të mos jesh më mbret mbi Izraelin".

27 Ndërsa Samueli po kthehej për të ikur, Sauli i kapi skajin e mantelit të tij që u gris.

28 Atëherë Samueli i tha: "Zoti hoqi sot nga duart e tua mbretërinë e Izraelit dhe ia dha një tjetri, që është më i mirë se ti.

29 Lavdia e Izraelit nuk do të gënjejë, dhe nuk do të pendohet, sepse ai nuk është njeri që pendohet".

30 Atëherë Sauli tha: "Kam mëkatuar, por tani më ndero, të lutem, para pleqve të popullit tim dhe përpara Izraelit; kthehu me mua, që të bie përmbys përpara Zotit, Perëndisë tënd".

31 Kështu Samueli u kthye me Saulin, dhe Sauli ra përmbys përpara Zotit.

32 Pastaj Samueli tha: "Më sillni Agagun, mbretin e Amalekitëve". Agagu shkoi tek ai me qejf. Agagu thoshte: "Me siguri hidhërimi i vdekjes ka kaluar".

33 Samueli i tha: "Ashtu si shpata i la pa fëmijë gratë, kështu edhe nëna jote do të mbetet pa të birin midis grave". Pastaj Samueli e preu copë-copë Agagun përpara Zotit në Gilgal.

34 Pastaj Samueli shkoi në Ramah dhe Sauli shkoi në shtëpinë e tij, në Gibeahun e tij.

35 Samueli nuk shkoi për ta parë më Saulin deri ditën e vdekjes së tij, sepse Samueli mbante zi për Saulin; dhe Zoti u pendua që e kishte bërë Saulin mbret të Izraelit.

Veprat e Apostujve 9:32-43

32 Por ndodhi që, ndërsa Pjetri po e përshkonte gjithë vendin, erdhi edhe te shenjtorët që banonin në Lida.

33 Aty ai gjeti një njeri me emër Enea, i cili tashmë prej tetë vjetësh dergjej në shtrat, sepse ishte i paralizuar.

34 Pjetri i tha: “Enea, Jezusi, Krishti, të shëron; çohu dhe ndreqe shtratin.” Dhe ai u ngrit menjëherë.

35 Dhe të gjithë banorët e Lidës dhe të Saronit e panë dhe u kthyen te Zoti.

36 Por në Jopë ishte një dishepull me emër Tabitha, që do të thotë Gazelë; ajo bënte shumë vepra të mira dhe jepte shumë lëmoshë.

37 Por në ato ditë ndodhi që ajo u sëmur dhe vdiq. Pasi e lanë, e vunë në një dhomë në katin e sipërm.

38 Dhe, duke qenë se Lida është afër Jopës, dishepujt, kur morën vesh se Pjetri ndodhej atje, i dërguan dy burra që ta lutnin të vijë tek ata pa vonesë.

39 Atëherë Pjetri u ngrit dhe u nis bashkë me ta. Sapo arriti, e çuan në dhomën lart; të gjitha gratë e veja i dolën atij duke qarë dhe i treguan tunikat dhe veshjet që kishte punuar Gazela, sa ishte bashkë me to.

40 Atëherë Pjetri, mbasi i nxori jashtë të gjithë, u ngjunjëzua dhe u lut. Pastaj iu kthye trupit dhe tha: “Tabitha, çohu!.” Dhe ajo i hapi sytë dhe, si pa Pjetrin, u ngrit ndenjur.

41 Ai i dha dorën dhe e ndihmoi të ngrihet; dhe, si thirri shenjtorët dhe gratë e veja, ua tregoi të gjallë.

42 Kjo u muar vesh në mbarë Jopën, dhe shumë veta besuan në Zotin.

43 Dhe Pjetri qëndroi disa ditë në Jopë, në shtëpinë e njëfarë Simoni, regjës lëkurësh.

Luka 23:56-24:11

56 pastaj ato u kthyen dhe përgatitën erëra të mira dhe vajra; dhe gjatë së shtunës pushuan, sipas urdhërimit.

24 Tani ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato me gra të tjera shkuan te varri, duke sjellë erërat e mira që kishin përgatitur.

Dhe gjetën që guri ishte rrokullisur nga varri.

Por, kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus.

Dhe, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, iu paraqitën atyre dy burra të veshur me rroba të ndritshme.

Dhe, mbasi ato, të tmerruara, e mbanin fytyrën të përkulur për dhe, ata u thanë: “Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?

Ai nuk ështe këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile,

duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë.”

Dhe ato kujtonin fjalët e tij.

kur u kthyen nga varri, ato ua treguan të gjitha këto gjëra të njëmbëdhjetëve dhe gjithë të tjerëve.

10 Ato që u treguan apostujve këto gjëra ishin Maria Magdalena, Joana, Maria, nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që ishin me to.

11 Por këto fjalë atyrë iu dukën si dokrra; dhe ata nuk u besuan atyre.