Book of Common Prayer
31 Gjeta strehë te ti, o Zot; bëj që unë të mos ngatërrohem kurrë; çliromë për drejtësinë tënde.
2 Ma vër veshin, nxito të më çlirosh; bëhu për mua një kështjellë e fortë dhe një vend i fortifikuar që të më shpëtosh.
3 Sepse ti je kështjella ime dhe kalaja ime; për hir të emrit tënd më udhëhiq dhe tregomë udhën.
4 Nxirrmë jashtë rrjetës që më kanë ngritur fshehurazi, sepse ti je kështjella ime.
5 Në duart e tua unë e besoj frymën time; ti më shpengove, o Zot, Perëndi e së vërtetës.
6 Unë i urrej ata që kanë dëshirë për t’u dukur, por kam besim te Zoti.
7 Unë do të ngazëlloj dhe do të kënaqem me mirësinë tënde, sepse ti ke parë pikëllimin tim dhe i ke kuptuar ankthet e shpirtit tim,
8 dhe nuk më dorëzove në duart e armikut, por m’i vure këmbët në një vend të gjerë.
9 Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse jam me ankth; syri im, shpirti im dhe të përbrendshmet e mia po treten nga dhembja,
10 sepse jeta ime po mpaket nga pikëllimi dhe vitet e mia nga të qarat; forca ime po mpaket për shkak të mëkatit tim dhe kockat e mia po treten.
11 Jam bërë një turp për tërë armiqtë e mi, veçanërisht për të afërmit e mi dhe një tmer për të njohurit e mi; ata që më shohin rrugës, ikin larg meje.
12 Zemra e tyre më ka harruar si të isha një njeri i vdekur; i përngjaj një vazoje të thyer.
13 Sepse dëgjoi shpifjet e shumë njerëzve; rreth e qark sundon tmerri, ndërsa ata këshillohen midis tyre kundër meje dhe kurdisin komplote për të më zhdukur.
14 Por unë kam besim te ti, o Zot; kam thënë: "Ti je Perëndia im".
15 Ditët e mia janë në dorën tëndë; çliromë nga duart e armiqve të mi dhe të atyre që më përndjekin.
16 Bëj që të shkelqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd; shpëtomë për hir të mirësisë sate.
17 O Zot, bëj që unë të mos jem i pështjelluar, pse të kam kërkuar; u pështjellofshin të pabesët dhe rënçin në heshtje në Sheol.
18 Mbeçin pa fjalë buzët gënjeshtare, që flasin pa turp kundër të drejtit, me mëndjemadhësi dhe përçmim.
19 Sa e madhe është mirësia jote që ti u rezervon atyre që kanë frikë nga ti, dhe që ti përdor në prani të bijve të njerëzve ndaj atyre që gjejnë strehë te ti!
20 Ti i fsheh në strehën e fshehtë të pranisë sate nga grackat e njerëzve, ti i ruan në një çadër të mbrojtur nga grindjet me fjalë.
21 Qoftë i bekuar Zoti, sepse më është treguar shumë dashamirës, duke më vendosur si në një vend të fortifikuar.
22 Kurse unë, në hutimin tim, thoja: "Më kanë larguar nga prania jote"; por ti dëgjove zërin e lutjeve të mia kur të klitha ty.
23 Duajeni Zotin, ju, gjithë shenjtorë të tij! Zoti i mbron besnikët dhe i shpaguan gjerësisht ata që veprojnë me kryelartësi.
24 Qofshi të fortë, mbarë ju që shpresoni tek Zoti, dhe ai do ta bëjë të patundur zemrën tuaj.
35 O Zot, përleshu me ata që përleshen me mua; lufto me ata që luftojnë kundër meje.
2 Merr mburojën dhe parzmoren dhe çohu të më ndihmosh.
3 Nxirre shtizën dhe zëru rrugën atyre që më përndjekin; thuaji shpirtit tim: "Unë jam shpëtimi yt".
4 Mbetshin të shushatur dhe të turpëruar ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe mbetshin të shushatur ata që kurdisin të keqen kundër meje.
5 U shpërndafshin si byku nga era dhe engjëlli i Zotit i dëboftë.
6 Qoftë rruga e tyre e errët dhe me shkarje, dhe Engjëlli i Zotit i përndjektë.
7 Sepse pa pasur arsye më kanë ngritur fshehurazi rrjetën e tyre; pa pasur arsye ma kanë hapur gropën.
8 Një shkatërrim i papritur u rëntë mbi krye, i zëntë rrjeta që kanë fshehur dhe rënçin në gropën që kanë përgatitur për shkatërimin tim.
9 Atëherë shpirti im do të ngazëllejë tek Zoti dhe do të gëzohet për shpëtimin e tij.
10 Të gjitha kockat e mia do të thonë: "O Zot, kush është si ti, që e çliron të mjerin nga ai që është më i fortë se ai, të mjerin dhe nevojtarin nga ai që plaçkit?".
11 Dëshmitarë të pamëshirshëm ngrihen kundër meje dhe më pyesin për gjëra për të cilat unë nuk di asgjë.
12 Të mirën e shpërblejnë me të keqen, duke e lënë kështu të pangushëlluar jetën time.
13 Megjithatë, kur ishin të sëmurë, unë vesha grathoren dhe e mundova shpirtin tim me agjerim, dhe lutesha me kokën e përkulur mbi gjoks.
14 Shkoja rreth e rrotull, sikur të ishte fjala për një shok o për vëllanë tim; shkoja fort i kërrusur nga dhembja, ashtu si një njeri që mban zi për të ëmën.
15 Por kur u pengova, ata u gëzuan dhe u mblodhën bashkë; u mblodhën kundër meje disa shpifës, të cilët nuk i njihja; më kanë shqyer pa pushim.
16 Bashkë me disa palaço zemërkatranë kërcëllijnë dhëmbët kundër meje.
17 O Zot, deri kur do të vazhdosh të shikosh? Shpëto jetën time nga shkatërrimet e kurdisura prej tyre, të vetmen pasuri që kam nga dhëmbët e luanëve.
18 Unë do të të kremtoj në kuvendin e madh, do të lavdëroj në mes të një populli të shumtë.
19 Mos u gëzofshin me mua ata që pa hak më janë bërë armiq, mos e shkelshin syrin ata që më urrejnë pa arsye,
20 sepse nuk flasin kurrë për paqe, por kurdisin mashtrime kundër njerëzve paqësorë të vendit.
21 Po, e hapin gojën e tyre kundër meje dhe thonë: "Ah, ah! E kemi parë me sytë tanë".
22 O Zot, ti i ke parë këto gjëra, mos hesht; o Zot, mos u largo nga unë.
23 Zgjohu dhe çohu, për të më siguruar drejtësi dhe për të mbrojtur çështjen time, o Perëndi dhe Zoti im.
24 Gjykomë sipas drejtësisë sate, o Zot, Perëndia im, dhe bëj ata të mos kënaqen me mua,
25 dhe të mos thonë në zemër të tyre: "Ah, pikërisht ashtu siç e donim"; dhe të mos thonë: "E gëlltitëm".
26 U turpërofshin dhe u pështjellofshin gjihë ata që gezohen nga e keqja ime; u mbulofshin me turp dhe me fyerje ata që ekzaltohen kundër meje.
27 Këndofshin dhe gëzofshin ata që kanë në zemër çështjen time të drejtë dhe thënçin vazhdimisht: "Lëvduar qoftë Zoti, që e do paqen e shërbëtorit të tij".
28 Gjuha ime do të kremojë drejtësinë tënde dhe do të këndojë lëvdimin tënd tërë ditën.
21 Pastaj Davidi shkoi në Nob tek prifti Ahimelek; Ahimeleku i doli përpara Davidit duke u dridhur dhe i tha: "Pse je vetëm dhe nuk ka njeri me ty?".
2 Davidi iu përgjegj priftit Ahimelek: "Mbreti më urdhëroi diçka dhe më tha: "Asnjeri të mos dijë kurrgjë për çështjen për të cilën po të dërgoj dhe për atë që të kam urdhëruar". Njerëzti e mi i kam drejtuar në filan vend.
3 Dhe tani çfarë ke në dorë? Më jep pesë bukë ose çfarë të kesh".
4 Prifti iu përgjegj Davidit, duke thënë: "Nuk kam bukë të zakonshme, ka vetëm bukë të shenjtëruar, me kusht që burrat e tu t’u jenë përmbajtur së paku kontakteve me gratë".
5 Davidi iu përgjegj priftit: "Kemi mbetur pa gra, qysh se jemi nisur, tri ditë më parë; enët e njerëzve të mi janë të pastra; në fakt edhe buka është e zakonshme, megjithëse sot është shenjtëruar në enët".
6 Kështu prifti i dha bukën e shenjtëruar, sepse aty nuk kishte tjetër bukë veç asaj të paraqitjes, që ishte hequr nga prania e Zotit, për ta zëvendësuar me bukë të ngrohtë në çastin kur hiqet.
7 Atë ditë ndodhej aty një nga shërbëtorët e Saulit, që qëndronte para Zotit; quhej Doeg, Edomiti, kryebariu i Saulit.
8 Davidi i tha Ahimelekut: "Mos ke rastësisht për kollaj ndonjë shtizë a një shpatë? Mbasi unë nuk kam marrë me vete as shpatën, as armët e mia, sepse detyra e ngarkuar nga mbreti ishte urgjente".
9 Prifti u përgjegj: "Éshtë shpata e Goliathit, Filisteut, që ti vrave në luginën e Terebintos; është aty prapa efodit, e mbështjellë me një pëlhurë; në rast se e do, merre, sepse këtu nuk kemi tjetër veç kësaj". Davidi tha: Asnjë nuk ia kalon asaj; nëma!!".
10 Atë ditë Davidi u ngrit dhe iku nga prania e Saulit; ai shkoi në Akish, te mbreti i Gathit.
11 Shërbëtorët e Akishit i thanë: "A nuk është ky Davidi, mbret i vendit? A nuk këndonin në kor për të në valle, duke thënë: "Sauli ka vrarë një mijë të tij dhe Davidi dhjetë mijë të tij"?".
12 Davidi i mbajti në zemër këto fjalë dhe pati frikë të madhe nga Akishi, mbret i Gathit.
13 Kështu ndërroi mënyrën e sjelljes së tij para tye dhe e hiqte veten si të marrë në duart e tyre; bënte shkaravina mbi kanatet e dyerve dhe lëshonte jargë mbi mjekrën e tij.
14 Atëherë Akishi u tha shërbëtorëve të tij: "Ja, e shikoni, ky është i marrë; pse ma keni sjellë?
15 Mos vallë më mungojnë të marrët, dhe ju më sillni këtë për të bërë të marrin në praninë time? Ai nuk ka për të hyrë në shtëpinë time!".
13 Dhe Pali dhe shokët e vet hipën në anije nga Pafo dhe arritën nëpër det në Pergë të Panfilisë; por Gjoni u nda prej tyre dhe u kthye në Jeruzalem.
14 Por ata, duke vazhduar rrugën nga Perga, arritën në Antioki të Pisidisë; dhe, mbasi hynë në sinagogë ditën e shtunë, u ulën.
15 Mbas leximit të ligjit dhe të profetëve, krerët e sinagogës dërguan atyre për t’u thënë: “Vëllezër, në qoftë se keni ndonjë fjalë këshilluese për popullin, ia thoni.”
16 Atëherë Pali u ngrit dhe, mbasi bëri shenjë me dorë, tha: “Izraelitë dhe ju që druani Perëndinë, dëgjoni!
17 Perëndia e këtij populli të Izraelit i zgjodhi etërit tanë, dhe e bëri të madh popullin gjatë qëndrimit në vendin e Egjiptit; pastaj, me krahë të fuqishëm, e nxori që andej.
18 Dhe për afro dyzet vjet i duroi në shkretëtirë.
19 Pastaj shkatërroi shtatë kombe në vendin e Kanaanit dhe ua shpërndau atyre në trashëgimi vendin e tyre.
20 Dhe pastaj, për afro katërqind e pesëdhjetë vjet, u dha Gjyqtarë deri te profeti Samuel.
21 Më pas ata kërkuan një mbret; dhe Perëndia u dha atyre Saulin, birin e Kisit, një burrë nga fisi i Beniaminit, për dyzet vjet.
22 Pastaj Perëndia e hoqi dhe u ngjalli atyre si mbret Davidin, për të cilin dha dëshmi duke thënë: "Kam gjetur Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime, i cili do të zbatojë të gjitha vullnetet e mia".
23 Prej farës së këtij Perëndia, sipas premtimit të vet, i ka ngjallur Izraelit Shpëtimtarin Jezus.
24 Para ardhjes së tij, Gjoni predikoi një pagëzim pendimi për gjithë popullin e Izraelit.
25 Dhe, kur Gjoni po e përfundonte misionin e tij, tha: "Cili pandehni se jam unë? Unë nuk jam Krishti; por ja, pas meje vjen një, të cilit unë nuk jam i denjë t’i zgjidh sandalet e këmbëve".
7 Por Jezusi me dishepujt e vet u tërhoq drejt detit; dhe një turmë e madhe nga Galilea i ndoqi; edhe nga Judea;
8 dhe nga Jeruzalemi, nga Idumea, nga përtej Jordanit; gjithashtu një turmë e madhe nga rrethinat Etiros dhe të Sidonit, kur dëgjoi gjërat e medha që ai bënte, erdhi tek ai.
9 Atëherë ai u tha dishepujve të tij të kenë gjithnjë gati një barkë, që populli mos e shtynte.
10 Sepse ai kishte shëruar shumë veta, të gjithë që kishin sëmundje dyndeshin rreth tij që ta preknin.
11 Dhe frymërat e ndyrë, kur e shihnin, binin përmbys para tij dhe bërtitnin, duke thënë: “Ti je Biri i Perëndisë!.”
12 Por ai i qortoi rreptësisht që të mos thonin se kush ishte ai.
13 Pastaj ai u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që deshi. Dhe ata erdhën tek ai.
14 Dhe ai i caktoi dymbëdhjetë që të rrinin me të dhe që mund t’i dërgonte të predikojnë,
15 dhe të kishin pushtet të shëronin sëmundjet dhe të dëbonin demonët.
16 Ata ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër;
17 Jakobi, bir i Zebedeut, dhe Gjoni, vë-llai i Jakobit, të cilave ua vuri emrin Boanerges, që do të thotë: "Bij të bubullimës";
18 Andrea, Filipi, Bartolomeu, Mateu, Thomai, Jakobi i Alfeut, Tadeu, Simon Kananeasi,
19 dhe Juda Iskarioti, i cili më pas e tradhëtoi.