Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 19

19 Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.

Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës.

Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet;

por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës; në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin;

dhe ai është si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës; ngazëllon si një trim që përshkon rrugën e tij.

Ai del nga një skaj i qiejve dhe rrotullimi e tij arrin deri në skajin tjetër; asgjë nuk mund t’i fshihet nxehtësisë së tij.

Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë.

Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë.

Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta;

10 janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet.

11 Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë.

12 Kush i njeh gabimet e tij? Pastromë nga ato që nuk i shoh.

13 Përveç kësaj ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit, dhe bëj që ato të mos më sundojnë mua; atëherë unë do të jem i ndershëm dhe i pastër nga shkelje të mëdha.

14 U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpëtimtari im.

Isaia 45:18-25

18 Sepse kështu thotë Zoti që ka krijuar qiejtë, ai, Perëndia që ka formuar tokën dhe e ka bërë; ai e ka vendosur, nuk e ka krijuar pa trajtë, por e ka formuar që të banohej: "Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër.

19 Unë nuk kam folur fshehtas në një cep të errët të dheut; nuk u kam thënë pasardhësve të Jakobit: "Më kërkoni kot". Unë, Zoti, them atë që është e drejtë dhe deklaroj gjërat që janë të vërteta.

20 Mblidhuni dhe ejani, afrohuni bashkë, ju që keni shpëtuar nga kombet! Nuk kanë mend ata që mbajnë një shëmbëlltyrë prej drurit të gdhendur prej tyre dhe i luten një perëndi që nuk mund të shpëtojë.

21 Shpalleni dhe paraqitni arsyetimet tuaja, po, le të këshillohen edhe bashkë. Kush e ka shpallur këtë që në kohët e lashta dhe e ka parashikuar prej një kohe të gjatë? Vallë, nuk jam unë, Zoti? Nuk ka Perëndi tjetër veç meje, një Perëndi i drejtë, një Shpëtimtar; nuk ka asnjë veç meje.

22 Kthehuni nga unë dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës. Sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër.

23 Jam betuar në veten time, nga goja ime ka dalë një fjalë drejtësie dhe nuk do ta tërheq; çdo gju do të përkulet para meje dhe çdo gjuhë do të betohet për mua.

24 Do të thuhet për mua: "Vetëm tek Zoti kam drejtësi dhe forcë"". Tek ai do të vijnë tërë ata që ishin të ndezur me zemërim kundër tij dhe do të turpërohen.

25 Në Zoti do të shfajesohen dhe do të përlëvdohen gjithë pasardhësit e Izraelit.

Filipianëve 3:4-11

megjithëse unë kam përse të besoj edhe në mishin; nëse ndonjë mendon se ka përse të besojë, unë kam akoma më shumë:

u rrethpreva të tetën ditë, jam nga kombi i Izraelit, nga fisi i Beniaminit, Hebre nga Hebrenj, dhe sipas ligjit farise,

sa për zellin, përndjekës i kishës; për sa i përket drejtësisë, që është në ligj, i pa qortueshëm.

Por gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje.

Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin,

dhe që të gjendem në të, duke pasur jo drejtësinë time që është nga ligji, por atë që është nga besimi në Krishtin: drejtësia që është nga Perëndia, me anë të besimit,

10 që të njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij dhe pjesëmarrjen në mundimet e tij, duke u bërë vetë i ngjashëm me të në vdekjen e tij,

11 që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ringjalljes prej së vdekurish.

Psalmet 119:89-112

89 Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë.

90 Besnikëria jote vazhdon brez pas brezi; ti e ke vendosur tokën dhe ajo ekziston.

91 Qielli dhe toka ekzistojnë deri në ditën e sotme, sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.

92 Në qoftë se ligji yt nuk do të kishte qenë kënaqësia ime, do të isha zhdukur në pikëllimin tim.

93 Nuk do t’i harroj kurrë urdhërimet e tua, sepse me anë të tyre ti më ke dhënë jetën.

94 Unë jam yti; shpëtomë, sepse kam kërkuar urdhërimet e tua.

95 Të pabesët më zënë pusi që unë të vdes, por unë do të mbështetem në parimet e tua.

96 Pashë caqet e çdo gjëje të përsour, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak.

97 Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.

98 Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua.

99 Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime.

100 Kam më tepër zgjuarësi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua.

101 Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde.

102 Nuk jam larguar nga dekretet e tua, sepse ti vetë më ke mësuar.

103 Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time.

104 Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarësinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti.

105 Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.

106 Unë jam betuar dhe do ta mbaj betimin që të respektoj dekretet e tua të drejta.

107 Unë jam shumë i pikëlluar, gjallëromë, o Zot, sipas fjalës sate.

108 O Zot, prano ofertat spontane të gojës sime dhe mësomë dekretet e tua.

109 Ndonëse e kam gjithnjë shpirtin në pëllëmbë të dorës, nuk e harroj ligjin tënd.

110 Të pabesët më kanë ngritur kurthe, por unë nuk jam larguar nga udhërimet e tua.

111 Porositë e tua janë trashëgimia ime përjetë; ato janë gëzimi i zemrës sime.

112 Jam zotuar me gjithë zemër për t’i zbatuar në praktikë statutet e tua përjetë, deri në fund.

Veprat e Apostujve 9:1-22

Ndërkaq Sauli, duke shfryrë akoma kërcënime dhe kërdi kundër dishepujve të Zotit, shkoi te kryeprifti,

dhe kërkoi nga ai letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që, po të gjente ndonjë ithtar të Udhës, burra o gra, të mund t’i sillte të lidhur në Jeruzalem.

Por ndodhi që, ndërsa po udhëtonte dhe po i afrohej Damaskut, befas rreth tij vetëtiu një dritë nga qielli.

Dhe, si u rrëzua përtokë, dëgjoi një zë që i thoshte: “Saul, Saul, përse më përndjek?.”

Dhe ai tha: “Kush je, Zot?.” Dhe Zoti tha: “Unë jam Jezusi, që ti e përndjek; është e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave.”

Atëherë ai, duke u dridhur i tëri dhe i trembur, tha: “Zot, ç’don ti të bëj unë?.” Dhe Zoti: “Çohu dhe hyr në qytet, dhe do të të thuhet ç’duhet të bësh.”

Dhe njerëzit që udhëtonin me të ndaluan të habitur, sepse dëgjonin tingullin e zërit, por nuk shikonin njeri.

Pastaj Sauli u çua nga toka, por, kur i çeli sytë, nuk shihte asnjeri; atëherë e morën për dore dhe e çuan në Damask.

Dhe mbeti tri ditë pa të parit, as hëngri as piu.

10 Në Damask ishte një dishepull me emër Anania, të cilit Zoti i tha në vegim: “Anania!.” Dhe ai u përgjigj: “Ja ku jam, Zot!.”

11 Dhe Zoti i tha: “Çohu dhe shko në rrugën e quajtur E drejtë, dhe kërko në shtëpinë e Judës një njeri nga Tarsi me emër Saul, i cili po lutet;

12 ai ka parë në vegim një njeri, me emër Anania, duke hyrë dhe duke i vënë duart për t’ia kthyer dritën e syve.”

13 Atëherë Anania u përgjigj: “O Zot, nga shumë veta kam dëgjuar për këtë njeri se sa të këqija u ka bërë shenjtorëve të tu në Jeruzalem.

14 Dhe ai ka këtu një autorizim nga krerët e priftërinjve për të burgosur të gjithë ata që thërrasin emrin tënd.”

15 Por Zoti i tha: “Shko, sepse ai është vegla që unë kam zgjedhur për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve, mbretërve dhe bijve të Izraelit.

16 Sepse unë do t’i tregoj atij sa shumë i duhet të vuajë për emrin tim.”

17 Atëherë Anania shkoi dhe hyri në atë shtëpi; dhe, duke i vënë duart, tha: “Vëlla Saul, Zoti Jezus, që të është shfaqur në rrugën nëpër të cilën ti po vije, më ka dërguar që të kesh përsëri dritën e syve dhe të mbushesh me Frymën e Shenjtë.”

18 Në këtë çast i ranë nga sytë disa si luspa, dhe ai fitoi përsëri të parit; pastaj u ngrit dhe u pagëzua.

19 Dhe, mbasi mori ushqim, ai u ripërtëri në forcë. Pastaj Sauli qëndroi disa ditë me dishepujt që ishin në Damask.

20 Dhe filloi menjëherë të predikojë Krishtin në sinagoga se ai është Biri i Perëndisë.

21 Dhe të gjithë ata që e dëgjonin çuditeshin dhe thoshnin: “Po a nuk është ky ai që në Jeruzalem përndiqte të gjithë ata që e thërrisnin këtë emër, dhe ka ardhur këtu me synim që t’i çojë si robër te krerët e priftërinjve?.”

22 Por Sauli bëhej gjithnjë e më i fortë dhe i hutonte Judenjtë që banonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezusi është Krishti.