Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 85

85 O Zot, ti ke qenë i mbarë për tokën tënde dhe e ke kthyer Jakobin nga robëria.

Ti ke falur paudhësinë e popullit tënd dhe ke mbuluar tërë mëkatet e tyre. (Sela)

Ti ke larguar gjithë indinjatën tënde dhe ke lënë mënjanë zemërimin tënd të zjarrtë.

Na përtëri, o Perëndi i shpëtimit tonë, dhe jepi fund indinjatës sate kundër nesh.

A do të mbetesh i zemëruar me ne përjetë? A do ta vazhdosh zemërimin tënd brez pas brezi?

A nuk do të na japësh përsëri jetën, me qëllim që populli yt të mund të gëzohet te ti?

Tregona, o Zot, mirësinë tënde dhe falna shpëtimin tënd.

Una kam për të dëgjuar atë që Perëndia, Zoti, ka për të thënë; me siguri ai do t’i flasë për paqe popullit të tij dhe shenjtorëve të tij, por nuk do të lejojë që ata të jetojnë përsëri si njerëz pa mend.

Me siguri shpëtimi i tij është afër atyre që kanë frikë prej tij, sepse lavdia e tij mund të banojë në vendin tonë.

10 Mirësia dhe e vërteta u takuan; drejtësia dhe paqja janë puthur njera me tjetrën.

11 E vërteta do të mbijë nga toka dhe drejtësia do të shikojë nga qielli.

12 Po, Zoti do të japë atë që është e mirë, dhe toka jonë do të prodhojë frytin e saj.

13 Drejtësia do të ecë para tij dhe do të përgatisë udhën për hapat e tij.

Psalmet 87

87 Ai i vuri themelet e tij mbi malet e shenjta.

Zoti i do portat e Sionit më tepër se të gjitha banesat e Jakobit.

Gjëra të lavdishme thuhen për ty, o qytet i Perëndisë. (Sela)

Do të përmend Egjiptin dhe Babiloninë ndër ata që më njohin. Ja Filistia dhe Tiro, së bashku me Etiopinë: "Ky ka lindur atje".

Dhe do të thuhet për Sionin: "Ky dhe ai kanë lindur tek ai; dhe vetë Shumë i Larti do ta bëjë të qëndrueshëm".

Zoti duke shqyrtuar popujt, do të regjistrojë: "Ky ka lindur atje". (Sela)

Dhe këngëtarët dhe ata që u bien veglave do të thonë: "Të gjitha burimet e mia të jetës dhe të gëzimit janë te ti".

Psalmet 136

136 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë dhe mirësia e tij vazhdon përjetë.

Kremtoni Perëndinë e perëndive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Kremtoni Zotin e zotërive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që vetëm bën mrekulli të mëdha, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që ka bërë qiejtë me dituri, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që ka shtrirë tokën mbi ujërat, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që ka bërë ndriçuesit e mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

diellin për të sunduar mbi ditën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

hënën dhe yjet për të sunduar mbi natën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

10 Ai që goditi Egjiptasit në parëbirnitë e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

11 dhe e nxori Izraelin nga mjedisi i tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

12 me dorë të fuqishme dhe krah të shtrirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

13 Atë që ndau Detin e Kuq në dy pjesë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

14 dhe e bërë Izraelin të kalojë në mes të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

15 por fshiu Faraonin dhe ushtrinë e tij në Detin e Kuq, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

16 Atë që e çoi popullin e tij nëpër shkretëtirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

17 atë që goditi mbretër të mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

18 dhe vrau mbretër të fuqishëm, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë;

19 Sihonin, mbretin e Amorejve, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

20 dhe Ogun, mbretin e Bashanit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

21 Dhe u dha atyre si trashëgimi vendin e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

22 në trashëgimi Izraelit, shërbëtorit të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

23 Ai u kujtua për ne në kushtet tona të këqija, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

24 dhe na çliroi nga armiqtë tanë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

25 Ai i jep ushqim çdo krijese, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

26 Kremtoni Perëndinë e qiellit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Jozueu 3:14-4:7

14 Kështu, kur populli ngriti çadrat për të kaluar Jordanin, priftërinjtë që mbanin arkën e besëlidhjes ecnin përpara popullit.

15 Sapo ata që mbanin arkën arritën në Jordan dhe këmbët e priftërinjve që trasportonin arkën u zhytën në ujërat e bregut të tij (Jordani është i mbushur plot deri në brigjet e tij gjatë tërë kohës së korrjes),

16 ujërat që zbrisnin nga sipër u ndalën dhe u ngritën tok shumë më lart se Adami, qyteti që ndodhet pranë Tsartanit; kështu që ujërat që zbrisnin në drejtim të detit të Arabahut, Detit të Kripur, u ndanë tërësisht prej tyre; dhe populli i kaloi përballë Jerikos.

17 Priftërinjtë që mbanin arkën e besëlidhjes të Zotit u ndalën në vend të thatë në mes të Jordanit, ndërsa tërë Izraeli po kalonte në të thatë, deri sa tërë populli mbaroi së kapërcyeri Jordanin.

Kur tërë populli mbaroi së kapërcyeri Jordanin, Zoti i foli Jozueut, duke i thënë:

"Merrni nga radhët e popullit dymbëdhjetë burra, një për çdo fis,

dhe u jepni këtë urdhër, duke thënë: "Merrni dymbëdhjetë gurë që këtej, në mes të Jordanit, pikërisht në vendin ku u ndalën këmbët e priftërinjve, i merrni, me vete matanë lumit dhe i vendosni në vendin ku do të strehoheni sonte"".

Atëherë Jozueu thirri dymbëdhjetë burrat që kishte zgjedhur ndër bijtë e Izraelit, një për çdo fis,

dhe u tha atyre: "Kaloni para arkës së Zotit, Perëndisë tuaj, në mes të Jordanit, dhe secili prej jush të mbajë në kurriz një gur, simbas numrit të fiseve të bijve të Izraelit,

me qëllim që kjo të jetë një shenjë midis jush. Kur në të ardhmen bijtë tuaj do t’ju pyesin, duke thënë: "Ç’janë për ju këta gurë?,"

ju do t’u përgjigjeni kështu: "Ujërat e Jordanit u ndanë para arkës së besëlidhjes të Zotit; kur ajo kaloi Jordanin, ujërat e tij u ndanë dhe këta gurë do të jenë për bijtë e Izraelit një kujtim për jetë"".

Efesianëve 5:1-20

Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur,

edhe ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si ofertë e flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë.

Por, ashtu si u ka hije shenjtorëve, as kurvëria, as ndonjë papastërti, as kurnacëri të mos zihet në gojë midis jush;

as pandershmëri, as të folur pa mend e të përqeshur, të cilat nuk kanë hije, por më tepër të ketë falenderime.

Të dini në fakt këtë: asnjë kurvar, ose i ndyrë ose kurnac, i cili është idhujtar, nuk ka ndonjë trashëgim në mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë.

Askush të mos ju gënjejë me fjalë të kota, sepse, për shkak të këtyre gjërave, vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes.

Mos jini, pra, shokë me ta.

Sepse dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotin; ecni, pra, si bij të dritës,

sepse fryti i Frymës konsiston në gjithçka që është mirësi, drejtësi dhe të vërtetë,

10 duke provuar çfarë është e pranueshme për Perëndinë.

11 Dhe mos merrni pjesë në punët e pafrytshme të errësirës, por më tepër t’i qortoni,

12 sepse ato që bëjnë ata në fshehtësi, është turp edhe të thuhen.

13 Kurse të gjitha gjërat, kur dalin në dritë, bëhen të dukshme, sepse çdo gjë që shfaqet është dritë.

14 Prandaj Shkrimi thotë: “Zgjohu, ti që fle, dhe ringjallu prej së vdekurish, dhe Krishti do të shndrisë mbi ty.”

15 Kujdesuni, pra, që të ecni me kujdes dhe jo si të marrët, por si të mençurit,

16 duke e shfyrtësuar kohën, sepse ditët janë të mbrapshta.

17 Prandaj mos u bëni të pakujdesshëm, por kuptoni cili është vullneti i Zotit.

18 Dhe mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymë,

19 duke i folur njeri tjetrit me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar dhe duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj,

20 duke e falënderuar vazhdimisht për çdo gjë Perëndinë dhe Atin, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht;

Gjoni 9:1-12

Kur po kalonte, pa një njeri që ishte i verbër që nga lindja.

Dhe dishepujt e tij e pyetën duke thënë: “Mësues, kush ka mëkatuar, ai apo prindërit e tij, që ai ka lindur i verbër?.”

Jezusi u përgjigj: “As ai, as prindërit e tij s’kanë mëkatuar, por kjo ndodhi që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë.

Unë duhet t’i kryej veprat e atij që më ka dërguar sa është ditë; vjen nata kur askush nuk mund të veprojë.

Derisa jam në botë, unë jam drita e botës.”

Pasi kishte thënë këto gjëra, pështyu përdhe, bëri baltë me pështymë dhe leu sytë e të verbrit me të.

Pastaj i tha: “Shko, lahu në pellgun e Siloamit” (që do të thotë: dërguar); dhe ai shkoi atje, u la dhe u kthye duke parë.

Atëherë fqinjtë dhe ata që më parë e kishin parë të verbër, thanë: “A s’është ky ai që rrinte ulur dhe lypte?.”

Disa thoshnin: “Ai është.” Të tjerë: “I përngjan atij.” Dhe ai thoshte: “Unë jam.”

10 I thanë pra: “Si të janë hapur sytë?.”

11 Ai u përgjigj dhe tha: “Një njeri, që quhet Jezus, ka bërë baltë, m’i leu sytë dhe më tha: "Shko te pellgu i Siloamit dhe lahu". Dhe unë shkova atje, u lava dhe m’u kthye drita e syve.”

12 Dhe ata i thanë: “Ku është ai?.” Ai u përgjigj: “Nuk e di.”

Gjoni 9:35-38

35 Jezusi e mori vesh se e nxorën jashtë dhe, kur e gjeti, i tha: “A beson ti në Birin e Perëndisë?.”

36 Ai u përgjigj dhe tha: “Kush është, Zot, që unë të besoj në të?.”

37 Dhe Jezusi i tha: “Ti e ke parë; është pikërisht ai që po të flet.”

38 Atëherë ai tha: “Unë besoj, o Zot”; dhe e adhuroi.