Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 146-147

146 Aleluja. Shpirti im, lëvdo Zotin.

Unë do ta lëvdoj Zotn deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.

Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.

Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.

Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij,

që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë,

që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit.

Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët.

Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve.

10 Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja.

147 Lëvdoni Zotin, sepse është një gjë e mirë t’i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse është e kënaqshme dhe e leverdishme ta lëvdosh.

Zoti ndërton Jeruzalemin, dhe mbledh të humburit e Izraelit.

Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre.

Llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre.

I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij.

Zoti larton njerëzit e përulur, por ul deri në tokë njerëzit e këqij.

Këndojini Zotit me falenderim, këndojini me qeste lavde Perëndisë tonë,

që mbulon qiellin me re, përgatit shiun për tokën dhe bën që të rritet bari në malet.

Ai i jep ushqime bagëtisë dhe zogjve të korbeve që thërresin.

10 Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut.

11 Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij.

12 Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion.

13 Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje.

14 Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë.

15 Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun.

16 Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi.

17 Hedh breshërin e tij si me copa; kush mund t’i bëjë ballë të ftohtit të tij?

18 Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin.

19 Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij.

20 Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.

Psalmet 111-113

111 Aleluja. Unë do të kremtoj Zotin me gjithë zemër në këshillën e të drejtëve dhe në kuvend.

Të mëdha janë veprat e Zotit, të kërkuara nga të gjithë ata që kënaqen me to.

Veprat e tij janë madhështore dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.

Ai bën që mrekullitë e tij të kujtohen; Zoti është i dhemshur dhe plot mëshirë.

Ai u jep ushqime atyre që kanë frikë prej tij dhe do ta mbajë mend gjithnjë besëlidhjen e tij.

Ai i tregoi popullit të tij fuqinë e veprave të tij, duke i dhënë trashëgiminë e kombeve.

Veprat e duarve të tij janë e vërteta dhe drejtësia; tërë urdhërimet e tij janë të qëndrueshme,

të patundura përjetë, për gjithnjë, të kryera me vërtetësi dhe drejtësi.

Ai i dërgoi popullit të tij shpëtimin, ka vendosur besëlidhjen e tij përjetë; i shenjtë dhe i tmerrshëm është emri i tij.

10 Frika e Zotit është zanafilla e diturisë; kanë dituri të madhe ata që zbatojnë në praktikë urdhërimet e tij; lëvdimi i tij vazhdon në përjetësi.

112 Aleluja. Lum njeriu që ka frikë nga Zoti dhe gjen një gëzim të madh në urdhërimet e tij.

Pasardhësit e tij do të jenë të fuqishëm mbi tokë, brezat e njerëzve të drejtë do të jenë të bekuar.

Në shtëpinë e tij ka bollëk dhe pasuri dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.

Drita lind në terr për ata që janë të drejtë, për njeriun e dhemshur, të mëshirshëm dhe të drejtë.

Do të jetë i lumtur njeriu që ka dhemshuri dhe jep hua, dhe i drejton punët e tij me drejtësi,

sepse nuk do të lëvizet kurrë; i drejti do të kujtohet gjithnjë.

Ai nuk do t’u trëmbet lajmeve të këqia; zemra e tij është e fortë, me besim tek Zoti.

Zemra e tij është e sigurt; ai nuk do të ketë fare frikë, deri sa të mos shikojë triumfues mbi armiqtë e tij.

Ai ka shpërndarë lirisht, u ka dhënë nevojtarëve, drejtësia e tij vazhdon përjetë dhe fuqia e tij do të ngrihet në lavdi.

10 I pabesi do ta shohë dhe do të zemërohet, do të kërcëllijë dhëmbët dhe do të konsumohet; dëshira e të pabesëve nuk do të realizohet kurrë.

113 Aleluja. Lëvdoni, o shërbëtorë të Zotit, lëvdoni emrin e Zotit.

Qoftë i bekuar emri i Zotit tani dhe përjetë.

Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij u lëvdoftë emri i Zotit.

Zoti shkëlqen mbi tërë kombet, lavdia e tij ndodhet përmbi qiejtë.

Kush i përngjan Zotit, Perëndisë tonë, që banon në vende shumë të larta,

kush ulet për të parë gjërat që ndodhen në qiejtë dhe mbi tokë?

Ai e ngre të mjerin nga pluhuri dhe nevojtarin nga plehrat,

për ta bërë të ulet me princat, me princat e popullit të tij.

Ai bën që gruaja shterpe të banojë në familje, si nënë e lumtur e fëmijëve. Aleluja.

Amosi 1:1-5

Fjalë të Amosit, një nga barinjtë e Tekoas, që pati vegime për Izraelin, në kohën e Uziahut, mbretit të Judës, dhe në kohën e Jeroboamit, birit të Joasit, mbret i Izraelit, dy vjet para tërmetit.

Ai tha: "Zoti bërtet nga Sioni dhe bën që të dëgjohet zëri i tij në Jeruzalem; kullotat e barinjve janë të shkreta dhe maja e Karmelit u tha".

Kështu flet Zoti: "Për tre krime të Damaskut, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse e kanë shirë Galaadin me shirëse prej hekuri.

Prandaj do të dërgoj zjarr në shtëpinë e Hazaelit, që do të gllabërojë pallatet e Ben-hadadit.

Do të copëtoj edhe shufrat e Damaskut, do të shfaros banorin e Bikath-avenit dhe atë që mban skeptrin e Beth-edenit, dhe populli i Sirisë do të shkojë në robëri në Kir," thotë Zoti.

Amosi 1:13-2:8

13 Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të bijve te Amonit, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse u kanë çarë barkun grave me barrë të Galaadit për të zgjeruar kufijtë e tyre.

14 Prandaj do të ndez një zjarr brenda mureve të Rabahut, që do të gllabërojë pallatet e tij midis zhurmës së një dite beteje, midis shakullinës së një dite stuhie.

15 Mbreti i tyre do të shkojë në robëri, ai bashkë me krerët e tij," thotë Zoti.

Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Moabit, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse ka djegur kockat e mbretit të Edomit, duke i katandisur në gëlqere.

Prandaj do të dërgoj zjarr në Moab, që do të gllabërojë pallatet e Keriothit, dhe Moabi do të vdesë në mes të rrëmujës, të britmës së luftës dhe të tingullit të borive.

Do të shfaros nga mesi i tij gjykatësin dhe do të vras tërë krerët e tij bashkë me të," thotë Zoti.

Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Judës, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse kanë përçmuar ligjin e Zotit dhe nuk kanë respektuar statutet e tij. Kështu idhujt, pas të cilëve shkuan etërit e tyre, i kanë bërë të devijojnë.

Prandaj do të dërgoj zjarr në Judë, që do të gllabërojë pallatet e Jeruzalemit".

Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Izraelit, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse e shesin me pare të drejtin dhe të varfrin për një palë sandale,

ata që dëshirojnë fort të shohin pluhurin e tokës mbi kryet e të varfërve dhe shkelin të drejtën e të përulurve. Një njeri dhe ati i tij shkojnë bashkë te po ajo vajzë, për të përdhosur emrin tim të shenjtë.

Shtrihen rreth çdo altari me rroba që kanë marrë hua dhe në shtëpinë e perëndive të tyre pinë verën e atyre që janë dënuar me gjobë.

1 Thesalonikasve 5:1-11

Sa për kohët dhe për stinët, vëllezër, nuk keni nevojë që t’ju shkruaj,

sepse ju vetë e dini shumë mirë se dita e Zotit do të vijë, si një vjedhës natën.

Sepse, kur thonë: "Paqe dhe siguri," atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë dhe nuk do të shpëtojnë.

Por ju, vëllezër, nuk jeni në errësirë, që ajo ditë t’ju zërë në befasi si një vjedhës.

Të gjithë ju jeni bij të dritës dhe bij të ditës; ne nuk jemi të natës, as të territ.

Le të mos flemë, pra, si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të esëll.

Sepse ata që flejnë, flejnë natën, dhe ata që dehen, dehen natën.

Kurse ne, mbasi jemi të ditës, jemi të esëll, duke veshur parzmoren e besimit dhe të dashurisë, dhe për përkrenare shpresën e shpëtimit.

Sepse Perëndia nuk na ka caktuar për zemërim, por për të marrë shpëtimin me anë të Zotit tonë Jezu Krisht,

10 i cili vdiq për ne kështu që, qofshim zgjuar qofshim fjetur, jetojmë bashkë me të.

11 Prandaj ngushëlloni njeri tjetrin dhe ndërtoni njeri tjetrin ashtu sikur edhe bëni.

Luka 21:5-19

Pastaj, kur disa po flisnin për tempullin dhe vinin në pah se ishte i stolisur me gurë të bukur dhe me oferta, ai tha:

“Nga të gjitha këto gjëra që ju admironi, do të vijnë ditët kur nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar.”

Atëherë ata e pyetën duke thënë: “Mësues, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja se këto janë duke u kryer?.”

Dhe ai tha: “Ruhuni se mos ju mashtrojnë, sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim duke thënë: "Unë jam," dhe: "Erdhi koha". Mos shkoni, pra, pas tyre.

Dhe kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për trazira, mos u trembni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin më parë, por mbarimi nuk do të vijë menjëherë.”

10 Atëherë u tha atyre: “Do të ngrihet kombi kundër kombit; dhe mbretëria kundër mbretërisë;

11 do të ngjajnë tërmete të mëdha, zi buke dhe murtaja në vende të ndryshme; do të ndodhin edhe dukuri të llahtarshme dhe shenja të mëdha nga qielli.

12 Por, para të gjitha këtyre gjërave, do të vënë dorë mbi ju dhe do t’ju përndjekin dhe do t’ju dorëzojnë në sinagoga e do t’ju futin në burg; dhe do t’ju nxjerrin përpara mbretërve dhe guvernatorëve për shkak të emrit tim,

13 por kjo do t’ju japë rastin që të dëshmoni.

14 Ta vini, pra, në zemrën tuaj që të mos mendoni më parë se si do përgjigjeni për t’u mbrojtur,

15 sepse unë do t’ju jap një gojë e një dituri të tillë të cilën të gjithë kundërshtarët tuaj nuk do të jenë në gjendje ta kundërshtojnë ose t’i rezistojnë.

16 Dhe ju madje do t’ju tradhtojnë edhe prindërit, dhe vëllezërit, dhe farefisi dhe miqtë; dhe disa prej jush do t’i vrasin.

17 Dhe të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.

18 Por as edhe një fije floku e kokës suaj nuk do t’ju humbasë.

19 Me durimin tuaj ju do t’i fitoni shpirtrat tuaj.”