Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 2

Pse ziejnë kombet dhe pse popujt kurdisin gjëra të kota?

Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij,

duke thënë: "Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre".

Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta.

Atëherë do t’u flasë në zemërimin e tij dhe do t’i trembë në indinjatën e tij të madhe,

dhe do të thotë: "E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë.

Do të shpallë dekretin e Zotit. Ai më ka thënë: "Ti je biri im, sot më linde.

Më kërko dhe unë do të jap kombet si trashëgimi për ty dhe mbarë dheun si zotërim tëndin.

Ti do t’i copëtosh me një shufër hekuri, do t’i bësh copë-copë si një enë prej argjile"".

10 Tani, pra, o mbretër, tregohuni të urtë; pranoni ndreqjen, o gjyqtarë të dheut.

11 Shërbeni me frikë Zotin dhe gëzohuni me drithma.

12 Nënshtrohuni Birit, që të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast. Lum ata që gjejnë strehë tek ai.

Psalmet 26

26 Siguromë drejtësi, o Zot, sepse kam ecur në ndershmërinë time dhe kam pasur besim te Zoti pa u lëkundur.

Më heto, o Zot, dhe më vër në provë; pastro me zjarr trurin dhe zemrën time.

Sepse mirësia jote më rri përpara syve dhe unë po eci në vërtetësinë tënde.

Nuk ulem me njerëz gënjeshtarë dhe nuk shoqërohem me njerëz hipokritë.

Unë urrej tubimin e njerëzve të këqij dhe nuk bashkohem me të pabesët.

Unë i laj duart e mia në çiltërsi dhe i shkoi rrotull altarit tënd, o Zot,

për të shpallur me zë të lartë lavdinë tënde dhe për të treguar tërë mrekullitë e tua.

O Zot, unë e dua selinë e shtëpisë sate dhe vendin ku qëndron lavdia jote.

Mos e vër shpirtin tim bashkë me atë të mëkatarëve dhe mos më bashko me njerëzit gjakatarë,

10 sepse ata kanë në duart e tyre plane të këqija dhe dora e tyre e djathtë është plot dhurata.

11 Por unë do të eci në ndershmërinë time; më shpengo dhe ki mëshirë për mua.

12 Këmba ime është e qëndrueshme në vënd të sheshtë. Në kuvende unë do të bekoj Zotin.

Isaia 49:13-23

13 Ngazëlloni, o qiej, gëzohu, o tokë, dhe lëshoni britma gëzimi, o male, sepse Zoti ngushëllon popullin e tij dhe i vjen keq për të pikëlluarit e tij.

14 Por Sioni ka thënë: "Zoti më ka braktisur, Zoti më ka harruar".

15 "A mundet një grua të harrojë foshnjen e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut të saj? Edhe sikur ato të të harrojnë, unë nuk do të harroj.

16 Ja, unë të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia; muret e tua më rrinë gjithnjë para syve.

17 Bijtë e tu do të shpejtojnë, shkatërruesit e tu dhe rrënuesit e tu do të largohen prej teje.

18 Ngrej sytë e tu rreth e qark dhe shiko. Të tërë ata po mblidhen dhe po të vijnë. Ashtu siç është e vërtetë që unë jetoj, thotë Zoti, do të vishesh me tërë ata si me një ornament dhe do t’i lidhësh mbi veten tënde, ashtu si bën nusja.

19 Prandaj vendet e tua të shkreta dhe të pikëlluara dhe vendi yt i goditur një herë nga shkatërrimi do të jenë tani tepër të ngushtë për banorët, ndërsa ata që të gllabëronin do të jenë mjaft larg.

20 Fëmijët që do të kesh pas atyre që ke humbur, do të të thonë në vesh: Ky vend është tepër i ngushtë për mua; bëmë më tepër vend që të mund tëë vendosem".

21 Atëherë ti do të thuash në zemrën tënde: "Kush i ka pjellë këta? Unë në fakt isha i privuar nga fëmijët e mi, isha shterpë e mërguar dhe e dëbuar sa këtej dhe andej. Këta kush i rriti? Ja, unë kisha mbetur vetëm, dhe këta ku ishin?"".

22 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë do të ngre dorën time mbi kombet, do të ngre flamurin tim mbi popujt; atëherë do t’i sjellin bijtë e tu në krahë dhe vajzat e tua do t’i sjellin mbi supe.

23 Mbretërit do të jenë baballarët tuaj birësues dhe mbretëreshat e tyre do të jenë tajat tuaja; ata do të bien përmbys para teje me fytyrën përtokë dhe do të lëpijnë pluhurin e këmbëve të tua; kështu do të mësosh që unë jam Zoti dhe ata që shpresojnë tek unë nuk do të turpërohen.

Mateu 18:1-14

18 Në atë orë dishepujt iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Kush është, pra, më i madhi në mbretërinë e qiejve?.”

Dhe Jezusi, pasi thirri një fëmijë të vogël pranë vetes, e vuri në mes tyre

dhe tha: “Në të vërtetë po ju them: në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.

Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve.

Dhe kushdo që e pranon një fëmijë të vogël si ky në emrin tim, më pranon mua.

Por ai që do të skandalizojë një prej këtyre të vegjëlve që besojnë tek unë, do të jetë më mirë për atë t’i varet në qafë një gur mulliri (që e sjell rrotull gomari) dhe të zhytet në thellësi të detit.

Mjerë bota për skandalet! Sepse është nevojshëm të vijnë skandalët, por mjerë ai njeri për faj të të cilit do të vijë skandali!

Tani në qoftë se dora jote ose këmba jote të skandalizohet për mëkat, preje dhe flake nga vetja; është më mirë për ty të hysh në jetë dorëcung ose i çalë, se sa të kesh dy duar dhe dy këmbë dhe të hidhesh në zjarr të përjetshëm.

Po ashtu, në qoftë se syri yt të skandalizohet për mëkat, nxirre dhe hidhe larg teje; është më mirë për ty të hysh në jetë vetëm me një sy se sa t’i kesh të dy dhe të të hedhin në Gehena të zjarrit.

10 Ruhuni se përbuzni ndonjë nga këta të vegjël, sepse unë po ju them se engjëjt e tyre në qiej shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim, që është në qiej.

11 Sepse Biri i njeriut erdhi për të shpëtuar atë që qe humbur.

12 Si mendoni? Në qoftë se një njeri ka njëqind dele dhe njera prej tyre humb rrugën, a nuk do t’i lërë ai të nëntëdhjetë e nëntat mbi male për të kërkuar atë që humbi rrugën?

13 Dhe në se i ndodh ta gjejë, unë ju them në të vërtetë se ai do të gëzohet më shumë për këtë, se sa për të nëntëdhjetë e nëntat që nuk kishin humbur rrugën.

14 Kështu është dëshira e Atit tuaj që është në qiej, që asnjë nga këta të vegjël të mos humbasë.”

Psalmet 19

19 Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.

Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës.

Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet;

por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës; në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin;

dhe ai është si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës; ngazëllon si një trim që përshkon rrugën e tij.

Ai del nga një skaj i qiejve dhe rrotullimi e tij arrin deri në skajin tjetër; asgjë nuk mund t’i fshihet nxehtësisë së tij.

Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë.

Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë.

Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta;

10 janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet.

11 Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë.

12 Kush i njeh gabimet e tij? Pastromë nga ato që nuk i shoh.

13 Përveç kësaj ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit, dhe bëj që ato të mos më sundojnë mua; atëherë unë do të jem i ndershëm dhe i pastër nga shkelje të mëdha.

14 U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpëtimtari im.

Psalmet 126

126 Kur Zoti i bëri robërit e Sionit të kthehen, na u duk si ëndërr.

Atëherë goja jonë u mbush me qeshje dhe gjuha jonë me këngë gëzimi, atëherë thuhej midis kombeve: "Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ta".

Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne, dhe jemi tërë gëzim.

Bëj të rikthehen robërit tanë, o Zot, ashtu si përrenjtë në jug.

Ata që mbjellin me lotë, do të korrin me këngë gëzimi.

Vërtetë ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet më këngë gëzimi duke sjellë duajt e tij.

Marku 10:13-16

13 Atëherë i prunë disa fëmijë të vegjël që ai t’i prekte ata; por dishepujt i qortonin ata që i prunë.

14 Kur Jezusi e pa këtë, i indinjuar, u tha atyre: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë.

15 Në të vërtetë po ju them se kushdo që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë në të.”

16 Dhe, si i mori në krahë, i bekoi duke vënë duart mbi ta.