Book of Common Prayer
41 Lum ai që kujdeset për të varfërin; Zoti do ta çlirojë ditën e fatkeqësisë.
2 Zoti do ta ruajë dhe do ta mbajë të gjallë; ai do të jetë i lumtur mbi tokë dhe ti nuk do ta lësh në duart e armiqve të tij.
3 Zoti do ta ndihmojë në shtratin e sëmundjes; gjatë sëmundjes së tij, o Zot, ti do ta transformosh plotësisht shtratin e tij.
4 Unë kam thënë: "O Zot, ki mëshirë për mua, ma shëro shpirtin, sepse kam mëkatuar kundër teje".
5 Armiqtë e mi ndjellin të keqen, duke thënë: "Kur do të vdesë dhe kur do të zhduket emri i tij?".
6 Në rast se dikush prej tyre vjen të më shikojë, gënjen, ndërsa zemra e tij mbledh paudhësi; pastaj del jashtë dhe e përhap rreth e rrotull.
7 Të gjithë ata që më urrejnë, pëshpëritin bashkë kundër meje; kundër meje kurdisin të keqen,
8 duke thënë: "Një e keqe e tmerrshme e ka zënë dhe ai nuk do të ngrihet kurrë më nga vendi ku dergjet".
9 Madje edhe miku im i ngushtë, tek i cili kisha besim dhe që hante bukën time, ka ngritur kundër meje thembrën e tij.
10 Por ti, o Zot, ki mëshirë për mua dhe më ço në këmbë që të mund t’ua shpaguaj.
11 Nga kjo e di që ti më pëlqen, në rast se armiku im nuk triumfon mbi mua.
12 Sa për mua, më ke përkrahur në ndershmërinë time dhe më ke vendosur në praninë tënde për gjithnjë.
13 Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Izraelit, përjetë. Amen, amen.
52 Pse mburresh me të keqen, o njeri i fuqishëm? Mirësia e Perëndisë është e përjetshme.
2 Gjuha jote shkakton rrënim; ajo është si një brisk i mprehur, o veprues mashtrimesh.
3 Ty të pëlqen e keqja ndaj së mirës, gënjeshtra më tepër se e folura drejt. (Sela)
4 Ty të pëlqen çdo fjalë shkatërrimi, o gjuhë hileqare.
5 Prandaj Perëndia do të të shkatërrojë për gjithnjë; ai do të të kapë, do të të heqë nga çadra jote dhe do të të shkulë nga toka e të gjallëve. (Sela)
6 Të drejtët do ta shohin, do të kenë frikë dhe do ta përqeshin atë, duke thënë:
7 "Ky është njeriu që nuk e kishte bërë Perëndinë kështjellë të tij; por kishte besim në bollëkun e pasurive të tij dhe bëhej i fortë nga ligësia e tij".
8 Por unë jam si një dru ulliri që gjelbëron në shtëpinë e Perëndisë; kam besim gjithnjë në mirësinë e Perëndisë.
9 Do të të kremtoj gjithnjë për sa ke bërë, dhe në prani të shenjtorëve të tu do të kem shpresë të patundur në emrin tënd, sepse ai është i mirë.
44 O Perëndi, e kemi dëgjuar me veshët tona, etërit tanë na kanë treguar veprën që ti ke bërë në ditët e tyre në kohërat e lashta.
2 Për t’i vendosur me dorën tënde ti ke shpronësuar kombet, ke çrrënjosur popuj për t’u bërë vend atyre. Në fakt nuk e pushtuan vendin me shpatën e tyre dhe nuk qe krahu i tyre që i shpëtoi, por ishte dora jote e djathtë, krahu yt dhe drita e fytyr
3 ës sate, sepse të pëlqenin.
4 Ti je mbreti im, o Perëndi, që vendos fitoret për Jakobin.
5 Me anën tënde do të përmbysim armiqtë tanë; në emër tënd do të shkelim ata që ngrihen kundër nesh.
6 Sepse nuk kam besim tek harku im dhe nuk do të jetë shpata ime ajo që do të më shpëtojë.
7 Por je ti ai që na shpëton nga armiqtë tanë dhe që i mbulon me turp ata që na urrejnë.
8 Ne do të lëvdojmë çdo ditë Perëndinë dhe do të kremtojmë emrin tënd përjetë. (Sela)
9 Por ti na dëbove dhe na mbulove me turp, dhe nuk del më me ushtritë tona.
10 Ti ke bërë të kthejmë kurrizin përpara armikut, dhe ata që na urrejnë na kanë grabitur.
11 Ti na ke dhënë si dele për therje dhe na ke shpërndarë midis kombeve.
12 Ti e ke shitur popullin tënd për asgjë dhe nuk ke nxjerrë asnjë fitim nga shitja e tij.
13 Ti na bëre për turp me fqinjët tanë, u bëmë gazi dhe tallja e atyre që rrijnë rreth nesh.
14 Ti na ke bërë të jemi gazi i kombëve; përsa na përket neve, popujt tundin kokën.
15 Turpi im më rri gjithmonë përpara, dhe fytyra ime është e mbuluar nga turpi,
16 për shkak të atij që më fyen dhe më poshtëron, për shkak të armikut dhe atij që kërkon hakmarrje.
17 Të tëra këto na kanë rënë mbi kurriz, por ne nuk kemi harruar dhe nuk kemi tradhëtuar besëlidhjen tënde.
18 Zemra jonë nuk është kthyer prapa dhe hapat tona nuk janë larguar nga rruga jote,
19 por ti na ke copëtuar, duke na futur në vende çakejsh dhe duke na mbuluar me hijen e vdekjes.
20 Po të kishim harruar emrin e Perëndisë tonë dhe po t’i kishim shtrirë duart tona drejt një perëndie të huaj,
21 a nuk do ta kishte zbuluar Perëndia këtë gjë? Në fakt ai i njeh sekretet e zemrës.
22 Po, për shkakun tënd ne vritemi çdo ditë dhe konsiderohemi si dele.
23 Zgjohu! Pse fle, o Zot? Çohu, mos na kthe për gjithnjë.
24 Pse e fsheh fytyrën tënde, dhe harron pikëllimin tonë dhe shtypjen tonë?
25 Sepse shpirtërat tona janë ulur deri te pluhuri dhe trupi ynë i është ngjitur tokës.
26 Çohu të na ndihmosh dhe na shpëto për hir të mirësisë sate.
7 Më njëzet e katër të muajit të njëmbëdhjetë, që është muaji i Shebatit, në vitin e dytë të Darit, fjala e Zotit iu drejtua Zakarias, birit të Berekiahut, bir i Idos, profet, duke thënë:
8 Natën pata një vegim; dhe ja, një burrë, që i kishte hipur një kali të kuq, rrinte midis shkurreve të mërsinave në një gropë të thellë dhe prapa tij kishte kuaj të kuq, të kuqërremë dhe të bardhë.
9 Unë pyeta: "Imzot, çfarë kuptimi kanë këto gjëra?". Engjëlli që fliste me mua m’u përgjigj: "Unë do të të bëj të shohësh çfarë kuptimi kanë ato".
10 Atëherë burri që rrinte midis shkurreve të mërsinave nisi të thotë: Këta janë ata që i ka dërguar Zoti për të përshkuar dheunn".
11 Kështu iu përgjigjën ata engjëllit të Zotit i cili rrinte midis shkurreve të mërsinave: "Kemi përshkuar dheun dhe ja, gjithë dheu është në pushim dhe i qetë".
12 Atëherë engjëlli i Zotit nisi të thotë: "O Zoti i ushtrive, deri kur do të vazhdosh të mos kesh mëshirë për Jeruzalemin dhe për qytetet e Judës kundër të cilave ke qënë i zemëruar gjatë këtyre shtatëdhjetë vjetëve?".
13 Pastaj Zoti i tha disa fjalë të mira, fjalë inkurajimi, engjëllit që fliste me mua.
14 Kështu engjëlli që fliste me mua më tha: "Bërtit dhe thuaj: Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Unë jam shumë xheloz për Jeruzalemin dhe për Sionin;
15 por jam zemëruar shumë me kombet që jetojnë në mirëqenie, sepse, kur isha zemëruar pak, ata luajtën rol për ta shtuar të keqen".
16 Prandaj kështu thotë Zoti: "Unë po i drejtohem përsëri Jeruzalemit me mëshirë; tempulli im do të rindërtohet aty, thotë Zoti i ushtrive, dhe litari do të nderet mbi Jeruzalem".
17 Bërtit akoma dhe thuaj: "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Qytetet e mia do të jenë plot e përplot me pasuri; Zoti do të ngushëllojë akoma Sionin dhe do të zgjedhë akoma Jeruzalemin"".
7 “Dhe engjëllit të kishës së Filadelfisë shkruaji: këtë thotë i Shenjti, i Vërteti, ai që ka çelësin e Davidit, ai që hap dhe askush nuk mbyll; dhe mbyll dhe askush nuk hap.
8 Unë njoh veprat e tua; ja, të vura përpara një dere të hapur që asnjëri nuk mund ta mbyllë; sepse ke pak forcë, dhe e ruajte fjalën time edhe nuk mohove emrin tim.
9 Ja, unë do të dorëzoj disa nga sinagoga e Satanit, që e quajnë veten Judenj, dhe nuk janë, por gënjejnë; ja, unë do t’i bëj të vijnë dhe të bien përmbys përpara këmbëve të tua, dhe do të njohin se unë të kam dashur.
10 Sepse e ruajte fjalën e durimit tim, edhe unë do të të ruaj ty nga ora e sprovës që do të vij mbi gjithë botën, për të provuar ata që banojnë mbi dhe.
11 Ja, unë vij shpejt; mbaje fort atë që ke, që të mos të marrë ndokush kurorën tënde.
12 Kush fiton do ta bëj shtyllë në tempullin e Perëndisë tim, dhe ai nuk do të dalë më përjashta; dhe do të shkruaj mbi të emrin e Perëndisë tim, dhe emrin e qytetit të Perëndisë tim, të Jeruzalemit të ri, që zbret nga qielli nga Perëndia im, dhe emrin tim të ri.
13 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave.”
15 “Kur të shihni, pra, neverinë e shkretimit, që është parathënë nga profeti Daniel, që ka zënë vend në vendin e shenjtë (kush lexon le ta kuptojë),
16 atëherë ata që janë në Jude, le të ikin ndër male.
17 Kush ndodhet mbi taracën e shtëpisë, të mos zbresë për të marrë diçka në shtëpinë e vet;
18 dhe kush është ndër ara, të mos kthehet për të marrë mantelin e tij.
19 Por mjerë gratë shtatzëna dhe ato që do t’u japin gji fëmijëve në ato ditë!
20 Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër, as të shtunën,
21 sepse atëherë do të ketë një mundim aq të madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot, dhe as nuk do të ketë më kurrë!
22 Dhe, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte; por për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.
23 Atëherë, në qoftë se dikush do t’ju thotë: "Ja, Krishti është këtu," ose "Éshtë atje," mos i besoni.
24 Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrrekulli të tilla aq sa t’i mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit.
25 Ja, unë ju paralajmërova.
26 Pra, në qoftë se ju thonë: "Ja, është në shkretëtirë," mos shkoni atje: Ja, është në dhomat e fshehta,," mos u besoni.
27 Sepse, si vetëtima që del nga lindja dhe flakëron deri në perëndim, kështu do të jetë ardhja e Birit të njeriut.
28 Sepse ku të ketë kërma, aty do të mblidhen shqiponjat.”
29 “Tani, fill pas pikëllimit të atyre ditëve, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë dritën e vet, yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë e qiejve do të tronditen.
30 Dhe atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; dhe të gjitha kombet e dheut do të mbajnë zi dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe.
31 Ai do t’i dërgojë engjëjt e vet me tinguj të fuqishëm borie; dhe ata do t’i mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga një skaj i qiellit te tjetri.