Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:1-24

119 Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin me ligjin e Zotit.

Lum ata që respektojnë mësimet e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër

dhe nuk kryejnë të keqen, por ecin në rrugët e tij.

Ti na ke urdhëruar të respektojmë urdhërimet e tua me kujdes.

Oh, rrugët e mia qofshin të qëndrueshme në respektimin e statuteve të tua.

Atëherë nuk do të turpërohem, kur të kem parasysh të gjitha urdhërimet e tua.

Do të të kremtoj me zemër të drejtë ndërsa mësoj dekretet e tua të drejta.

Do të respektoj statutet e tua, mos më braktis plotësisht.

Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde.

10 Të kam kërkuar me gjithë zemër; mos më lër të devijoj nga urdhërimet e tua.

11 E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.

12 Ti je i bekuar, o Zot, më mëso statutet e tua.

13 Me buzët e mia kam numëruar të gjitha dekretet e gojës sate.

14 Gëzohem duke ndjekur porositë e tua, ashtu sikur të zotëroja tërë pasuritë.

15 Do të mendoj thellë mbi urdhërimet e tua dhe do të marrë në konsideratë shtigjet e tua.

16 Do të kënaqem me statutet e tua dhe nuk do ta harroj fjalën tënde.

17 Bëji të mirë shërbëtorit tënd, dhe unë do të jetoj dhe do të respektoj fjalën tënde.

18 Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.

19 Unë jam i huaji mbi dhe; mos m’i fshih urdhërimet e tua.

20 Shpirti im tretet nga dëshira e dekreteve të tua në çdo kohë.

21 Ti i qorton kryelartët, që janë të mallkuar, sepse largohen nga urdhërimet e tua.

22 Hiq prej meje turpin dhe përbuzjen, sepse unë i kam respektuar porositë e tua.

23 Edhe sikur princat të ulen dhe të flasin kundër teje, shërbëtori yt do të mendohet thellë mbi ligjet e tua.

24 Porositë e tua janë gëzimi im dhe këshilltarët e mi.

Psalmet 12-14

12 Na shpëto, o Zot, sepse njerëz të devotshëm ka më pak, dhe ata që thonë të vërtetën janë zhdukur në mes të bijve të njerëzve.

Secili gënjen të afërmin e tij dhe flet me buzë lajkatare dhe me zemër të zhdyzuar.

Zoti i preftë të gjitha buzët lajkatare dhe gjuhën që flet me krenari,

të atyre që thonë: "Me gjuhën tonë do të sundojmë; buzët tona na përkasin neve; kush është zot mbi ne?".

"Për shkak të shtypjes së të mjerëve dhe të britmës së nevojtarëve, tani do të çohem," thotë Zoti, "dhe do t’i shpëtoj nga ata që u zënë pusi".

Fjalët e Zotit janë fjalë të pastra, si argjend i rafinuar në një furrë prej dheu, i pastruar shtatë herë.

Ti, o Zot, do t’i mbrosh dhe do t’i ruash, duke filluar nga ky brez përjetë.

Të pabesët sillen pa u ndëshkuar kudo, kur midis bijve të njerëzve lavdërohet e keqja.

13 Deri kur do të më harrosh, o Zot? Vallë kështu do të jetë përjetë? Deri kur do të më fshehësh fytyrën tënde?

Deri kur do të marr vendime në shpirtin tim dhe do të kem pikëllim në zemrën time tërë ditën? Deri kur do të ngrihet armiku im mbi mua?

Shiko me vëmendje dhe përgjigjmu, o Zot, Perëndia im, ndriço sytë e mi, që të mos më zërë gjumi në gjumin e vdekjes,

dhe armiku im të mos thotë: "E munda," dhe armiqtë e mi të mos gëzohen kur unë lëkundem.

Por unë kam besim në mirësinë tënde dhe zemra ime do të ngazëllojë në çlirimin tënd;

unë do t’i këndoj Zotit, sepse ai më ka trajtuar me shumë shpirtmadhësi.

14 I pamendi ka thënë në zemër të tij: "Nuk ka Perëndi". Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; nuk ka asnjë që të bëjë të mirën.

Zoti shikon nga qielli bijtë e njerëzve për të parë në se ndonjeri prej tyre ka arsye dhe kërkon Perëndinë.

Të gjithë kanë devijuar, janë korruptuar; asnjeri nuk bën të mirën, as edhe një.

Nuk kanë fare arsye të gjithë ata që kryejnë paudhësi, që hanë popullin tim si të hanin bukë dhe nuk kërkojnë ndihmën e Zotit?

Atje do t’i zërë një frikë e madhe, sepse Perëndia është me njerëzit e drejtë.

Ju kërkoni të prishni planet e të mjerit, sepse Zoti është streha e tij.

Oh! Le të vijë, pra, nga Sioni shpëtimi i Izraelit! Kur Zoti do ta kthejë popullin e tij nga robëria, Jakobi do të ngazëllojë, Izraeli do të gëzohet.

Amosi 3:12-4:5

12 Kështu thotë Zoti: "Ashtu si një bari shkëput nga goja e luanit dy këmbë ose një copë veshi, kështu do të shkëputen bijtë e Izraelit që në Samari rrinë në cepin e një shtrati ose mbi damaskun e një divani.

13 Dëgjoni dhe dëshmojeni në shtëpinë e Jakobit," thotë Zoti, Zoti, Perëndia i ushtrive,

14 "ditën në të cilën unë do të ndëshkoj Izraelin për shkeljet e tij, do të ndëshkoj edhe altarët e Bethelit; brirët e altarit do të copëtohen dhe do të bien për tokë.

15 Do të godas shtëpitë e dimrit bashkë me shtëpitë e verës; shtëpitë prej fildishi do të shkatërrohen dhe shtëpitë e mëdha do të zhduken," thotë Zoti.

Dëgjoni këtë fjalë, lopë të Bashanit, që ndodheni mbi malin e Samarisë, ju, që shypni të mjerët, që keqtrajtoni të varfrit, që u thoni zotërinjve tuaj: "Sillni verë dhe ta pimë".

Zoti, Zoti, është betuar për shenjtërinë e tij: "Ja, do të vinë për ju ditë në të cilat do t’ju zënë me çengela dhe ata që kanë mbetur me grepa peshkimi.

Do të dilni nëpër të çara, secili drejt përpara, dhe do t’ju hedhin në Harmon," thotë Zoti.

"Shkoni në Bethel dhe kryeni mëkate; në Gilgal kryeni edhe më shumë mëkate. Sillni çdo mëngjes flijimet tuaja dhe çdo tri ditë të dhjetat tuaja.

Ofroni një flijim falënderimi me maja. Shpallni ofertat me dëshirë dhe i propagandoni, sepse kështu ju pëlqen të veproni, o bij të Izraelit," thotë Zoti, Zoti.

2 Pjetrit 3:1-10

Shumë të dashurit, kjo është e dyta letër që po ju shkruaj; në të cilat po e mbaj zgjuar mendjen tuaj të kthjellët duke iu drejtuar kujtesës suaj,

që të mbani mend fjalët që u thanë më parë nga profetët e shenjtë dhe nga urdhërimi i vetë Zotit dhe Shpëtimtarit të transmetuar nga ne apostujt.

Së pari duhet të dini këtë, se në ditët e fundit do të vijnë disa përqeshës, të cilët do të ecin sipas dëshirave të veta,

dhe do të thonë: “Ku është premtimi i ardhjes së tij? Sepse, që kur etërit fjetën, të gjitha gjërat mbetën në po atë gjendje si në fillim të krijimit.”

Sepse ata me dashje harruan se nëpërmjet fjalës së Perëndisë qiejt vinin në eksistencë shumë kohë më parë, dhe se toka doli nga uji dhe u sajua nëpërmjet ujit,

për shkak të të cilit bota e atëhershme u mbulua nga uji dhe humbi,

ndërsa qiejt dhe dheu i sotshëm janë ruajtur nga e njëjta fjalë për zjarrin, të rezervuar për ditën e gjyqit dhe të humbjes së njerëzve të pabesë.

Por, shumë të dashur, mos harroni këtë gjë: se për Zotin një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet si një ditë.

Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim.

10 Dhe dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën; atë ditë qiejt do të shkojnë me krismë, elementët do të shkrihen nga të nxehtit dhe veprat dhe toka që janë në të do të digjen krejt.

Mateu 21:23-32

23 Kur hyri në tempull, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit iu afruan, ndërsa i mësonte, dhe i thanë: “Me ç’pushtet i bën ti këto gjëra? Dhe kush ta ka dhënë këtë pushtet?.”

24 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Edhe unë do t’ju bëj një pyetje, dhe në qoftë se ju do të më përgjigjeshit, unë gjithashtu do t’ju them me ç’pushtet i kryej këto gjëra.

25 Pagëzimi i Gjonit nga erdhi? Nga qielli apo nga njerëzit?.” Dhe ata arsyetonin midis tyre duke thënë: “Po t’i themi nga qielli, do të na thotë: Përse atëhërë nuk i besuat??".

26 Në qoftë se i themi nga njerëzit, kemi frikë nga turma, sepse të gjithë e konsiderojnë Gjonin profet.”

27 Dhe iu përgjigjën Jezusit duke thënë: “Nuk e dimë.” Atëhërë ai u tha atyre: “As unë nuk do t’ju them me ç’pushtet i bëj këto gjëra".

28 “Ç’mendoni? Një njeri kishte dy bij dhe duke iu drejtuar të parit tha: Bir, shko sot të punosh në vreshtin timm";

29 por ai u përgjigj dhe tha: "Nuk dua"; por më vonë, i penduar, shkoi.

30 Pastaj iu kthye të dytit dhe i tha të njëjtën gjë. Dhe ai u përgjigj dhe tha: "Po, imzot, do ta bëj," por nuk shkoi.

31 Cili nga të dy e kreu vullnetin e të atit?.” Ata i thanë: “I pari.” Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë ju them se tagrambledhësit dhe prostitutat hyjnë para jush në mbretërinë e qiejve.

32 Sepse Gjoni erdhi tek ju në rrugën e drejtësisë, dhe iu nuk i besuat, ndërsa tagrambledhësit dhe prostitutat i besuan; as mbasi i keni parë këto gjëra, nuk u penduat për t’i besuar.”