Book of Common Prayer
89 Unë do të këndoj përjetë mirësitë e Zotit, me gojën time do t’u shpall besnikërinë tënde të gjitha brezave.
2 Sepse kam thënë: "Mirësia jote do të ekzistojë përjetë, ti do të vendosësh besnikërinë tënde në vetë qiejtë".
3 "Unë kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim, duke thënë:
4 "Do t’i vendos pasardhësit e tu përjetë dhe do të ndërtoj fronin tënd për të gjitha brezat"". (Sela)
5 Dhe qiejtë do të kremtojnë mrekullitë e tua, o Zot, dhe besnikërinë tënde në kuvendin e shenjtorëve.
6 Sepse kush mund të krahasohet në qiell me Zotin? Dhe kush është i njëllojtë me Zotin midis bijve të të Fuqishmit?
7 Perëndisë ia kanë frikën shumë në kuvendin e shenjtorëve, dhe respektohet thellë nga tërë ata që e rrethojnë.
8 O Zot, Perëndi i ushtrive, kush është i fuqishëm si ti, o Zot? Besnikëria jote të rrethon kudo.
9 Ti e sundon tërbimin e detit; kur valët e tij ngrihen, ti i qetëson.
10 Ti e ke bërë copë-copë Egjiptin, duke e plagosur për vdekje; me krah të fuqishëm ke shpërndarë armiqtë e tu.
11 Qiejtë janë të tutë, edhe toka është jotja; ti e ke krijuar botën dhe të gjitha atë që janë në të.
12 Ti ke krijuar veriun dhe jugun; Tabori dhe Hermoni lëshojnë britma gëzimi kur dëgjojnë emrin tënd.
13 Ti ke krah të fuqishëm; dora jote është e fortë, e djathta jote ngrihet në qiell.
14 Drejtësia dhe e drejta përbëjnë bazën e fronit tënd; mirësia dhe e vërteta shkojnë përpara fytyrës sate.
15 Lum ai popull që njeh britmën e gëzimit, o Zot, sepse ai do të ecë në dritën e fytyrës sate;
16 do të ngazëllojë tërë ditën me emrin tënd dhe do të gëzohet shumë në drejtësinë tënde.
17 Po, ti je mburrja e forcës së tyre, dhe me favorin tënd ti e shton fuqinë tonë.
18 Sepse mburoja jonë i përket Zotit dhe mbreti ynë të Shenjtit të Izraelit.
19 Ti i fole atëherë në vegim të dashurit tënd dhe the: "Ndihmova një të fuqishëm, përlëvdova një të zgjedhur nga populli.
20 Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, dhe e vajosa me vajin tim të shenjtë.
21 Dora ime do ta përkrahë me vendosmëri dhe krahu im do ta forcojë.
22 Armiku nuk do ta shtypë dhe i ligu nuk do ta pikëllojë.
23 Do të asgjesoj para tij armiqtë e tij dhe do të godas ata që e urrejnë.
24 Besnikëria ime dhe mirësia ime do të jenë me të, dhe me emrin tim do të bëhet i fuqishëm.
25 Do ta shtrij dorën e tij mbi detin dhe dorën e djathtë të tij mbi lumenjtë.
26 Ai do të kërkojë ndihmën time, duke thënë: "Ti je Ati im, Perëndia im dhe Kështjella ime e shpëtimit".
27 Do ta bëj gjithashtu të parëlindurin tim, më të shkëlqyerin ndër mbretërit e dheut.
28 Do të përdor mirësi ndaj tij përjetë, dhe besëlidhja ime me të do të mbetet e qëndrueshme.
29 Do t’i bëj gjithashtu pasardhësit e tij të përjetshem dhe fronin e tij si ditët e qiejve.
15 Kështu e vërteta është zhdukur, dhe ai që tërhiqet nga e keqja bëhet një pre e lehtë. Zoti e pa këtë dhe i erdhi keq që nuk ka më ndershmëri.
16 Ai e pa që nuk kishte më asnjë dhe u habit që askush nuk ndërhynte; atëherë i erdhi në ndihmë krahu i tij dhe drejtësia e tij e ka mbajtur,
17 ai u veshi me drejtësinë si me një parzmore dhe vuri mbi kryet e tij përkrenaren e shpëtimit, veshi rrobat e hakmarrjes dhe u mbulua me xhelozi si me një mantel.
18 Ai do t’i japë secilit sipas veprave të tij; tërbimin kundërshtarëve të tij, shpagimin armiqve të tij; ishujve do t’u japë shpërblim të plotë.
19 Kështu do të kenë frikë nga emri i Zotit ata nga perëndimi prej lavdisë së tij ata nga lindja; kur kundërshtari do të vijë si një lum i furishëm, Fryma e Zotit do të lartojë kundër tij një flamur.
20 "Një çlirues do të vijë në Sion dhe për ata të kthyerit nga rebelimi i tyre te Jakobi," thotë Zoti.
21 "Sa për mua, kjo është besëlidhja ime me ata," thotë Zoti: "Fryma ime është mbi ty dhe fjalët e mia që vura në gojën tënde nuk do të largohen kurrë nga goja jote as nga goja e pasardhësve të tu, as nga goja e pasardhësve të pasardhësve të tu," thotë Zoti, "tani e përgjithmonë".
5 Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin,
6 i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë,
7 por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit;
8 dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit.
9 Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër,
10 që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore,
11 dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë.