Book of Common Prayer
23 Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.
2 Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin.
3 Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij.
4 Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër.
5 Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi; ti vajos kokën time me vaj; kupa ime po derdhet.
6 Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata.
121 Unë i ngre sytë nga malet; nga do të më vijë ndihma?
2 Ndihma me vjen nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.
3 Ai nuk do të lejojë që të të merren këmbët, ai që të mbron nuk do të dremitë.
4 Ja, ai që mbron Izraelin nuk dremit dhe nuk fle.
5 Zoti është ai që të mbron, Zoti është hija jote, ai ndodhet në të djathtën tënde.
6 Dielli nuk ka për të të goditur ditën, as hëna natën.
7 Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe; ai do të ruajë jetën tënde.
8 Zoti do të ruajë daljet dhe hyrjet e tua, tani dhe përjetë.
42 Atëherë Jobi iu përgjigj Zotit dhe tha:
2 "E pranoj që mund të bësh gjithçka, dhe që asnjë nga planet e tua nuk mund të pengohet.
3 Kush është ai që, pa pasur gjykim, errëson mendjen tënde? Prandaj thashë gjëra që nuk i kuptoja, gjëra shumë të larta për mua që nuk i njihja.
4 Dëgjomë, pra, dhe unë do të flas; unë do të të bëj pyetje dhe ti do të më përgjigjesh.
5 Veshi im kishte dëgjuar të flitej për ty por tani syri im të sheh.
6 Prandaj ndjej neveri ndaj vetes dhe pendohem mbi pluhurin dhe hirin".
3 Qoftë bekuar Perëndia edhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, i cili me anë të mëshirës së tij të madhe na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish,
4 për një trashëgim të paprishshëm, të panjollë dhe të pafishkur, që është ruajtur në qiejt për ju,
5 që nga fuqia e Perëndisë me anë të besimit jeni të ruajtur, për shpëtimin gati për t’u zbuluar në kohët e fundit.
6 Për këtë gëzohuni, ndonëse, në qoftë se duhet, për pak kohë, tani duhet të trishtoheni nga prova të ndryshme,
7 që prova e besimit tuaj, që është shumë më i çmuar nga ari që prishet, edhe pse provohet me zjarr, të dalë për lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jezu Krishtit,
8 të cilin, megjithëse ju nuk e keni parë, e doni, duke besuar në të, megithëse tani nuk e shihni, dhe ngazëllohuni nga një hare e patregueshme dhe e lavdishme,
9 duke arritur përmbushjen e besimit tuaj, shpëtimin e shpirtrave.
27 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë?
2 Kur njerëzit e këqij, armiqtë dhe kundërshtarët e mi më sulmuan për të ngrënë mishin tim, ata vetë u lëkundën dhe ranë.
3 Edhe sikur një ushtri të dilte kundër meje, zemra ime nuk do të kishte frikë; edhe sikur një luftë të pëlciste kundër meje, edhe atëherë do të kisha besim.
4 Një gjë i kërkova Zotit dhe atë kërkoj: të banoj në shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e tij.
5 Sepse ditën e fatkeqësisë ai do të më fshehë në çadrën e tij, do të më fshehë në një vend sekret të banesës së tij, do të më lartojë mbi një shkëmb.
6 Dhe tani koka ime do të ngrihet mbi armiqtë e mi që më rrethojnë, dhe do të ofroj në banesën e tij flijime me britma gëzimi; do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e Zotit.
7 O Zot, dëgjo zërin tim, kur të këlthas ty; ki mëshirë për mua dhe përgjigjmu.
8 Zemra ime më thotë nga ana jote: "Kërkoni fytyrën time". Unë kërkoj fytyrën tënde, o Zot.
9 Mos ma fshih fytyrën tënde, mos e hidh poshtë me zemërim shërbëtorin tënd; ti ke qenë ndihma ime; mos më lër dhe mos më braktis, o Përendi e shpëtimit tim.
10 Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte.
11 O Zot, më mëso rrugën tënde dhe më udhëhiq në një shteg të sheshtë, për shkak të armiqve të mi.
12 Mos më braktis në dëshirat e armiqve të mi, sepse kanë dalë kundër meje dëshmitarë të rremë, njerëz që duan dhunën.
13 Oh, sikur të mos isha i sigurt të shoh mirësinë e Zotit në dheun e të gjallëve!
14 Ki besim të madh te Zoti; ji i fortë, ki zemër; ki besim të madh te Zoti.
14 “Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua!
2 Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend.
3 Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.
4 Ju e dini se ku po shkoj dhe e njihni edhe udhën.”
5 Thomai i tha: “Zot, ne nuk e dimë se ku po shkon; pra, si mund ta njohim udhën?”
6 Jezusi i tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.
7 Po të më kishit njohur, do të kishit njohur edhe Atin tim; qysh tani e njihni dhe e keni parë.”