Book of Common Prayer
121 Unë i ngre sytë nga malet; nga do të më vijë ndihma?
2 Ndihma me vjen nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.
3 Ai nuk do të lejojë që të të merren këmbët, ai që të mbron nuk do të dremitë.
4 Ja, ai që mbron Izraelin nuk dremit dhe nuk fle.
5 Zoti është ai që të mbron, Zoti është hija jote, ai ndodhet në të djathtën tënde.
6 Dielli nuk ka për të të goditur ditën, as hëna natën.
7 Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe; ai do të ruajë jetën tënde.
8 Zoti do të ruajë daljet dhe hyrjet e tua, tani dhe përjetë.
122 U gëzova kur më thanë: "Shkojmë në shtëpinë e Zotit".
2 Këmbët tona u ndalën brenda portave të tua, o Jeruzalem.
3 Jeruzalemi është ndërtuar si një qytet i bashkuar mirë,
4 ku ngjiten fiset, fiset e Zotit, për të kremtuar emrin e Zotit.
5 Sepse aty janë vënë fronet për gjykimin, fronet e shtëpisë së Davidit.
6 Lutuni për paqen e Jeruzalemit, le të begatohen ata që të duan.
7 Pastë paqe brenda mureve të tua dhe begati në pallatet e tua.
8 Për hir të vëllezërve të mi dhe të miqve të mi tani do të them: "Paqja qoftë te ti".
9 Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë, unë do të kërkoj të mirën tënde.
123 Drejt teje i ngre sytë e mi, drejt teje që je ulur në qiejtë.
2 Ja, ashtu si sytë e shërbëtorëve drejtohen te dora e zotërve të tyre dhe sytë e shërbëtores te dora e zonjës së saj, kështu sytë tona drejtohen te Zoti, Perëndia ynë deri sa ai të ketë mëshirë për ne.
3 Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, sepse jemi velur jashtë mase me përçmimin.
4 Shpirti ynë është velur jashtë mase me talljen e arrogantëve dhe me përçmimin e krenarëve.
131 O Zot, zemra ime nuk është mendjemadhe dhe sytë e mi nuk janë krenarë, dhe unë nuk merrem me gjëra tepër të mëdha dhe tepër të larta për mua.
2 E kam qetësuar dhe e kam tulatur me të vërtetë shpirtin tim, si një fëmijë i zvjerdhur në gjirin e nënes së tij; shpirti im brenda meje është si një foshnje e zvjerdhur.
3 O Izrael, shpreso tek Zoti, tani dhe përjetë.
132 Mbaje mend, o Zot, Davidin dhe të gjitha mundimet e tij,
2 ashtu si ai iu betua Zotit dhe lidhi kusht me të Fuqishmin e Jakobit, duke thënë:
3 "Nuk do të hyj në çadrën e shtëpisë sime, nuk do të hipi mbi shtratin tim;
4 nuk do t’i jap gjumë syve të mi as pushim qepallave të mia,
5 deri sa të kem gjetur një vend për Zotin, një banesë për të Fuqishmin e Jakobit".
6 Ja, dëgjuam të flitet për të në Efratah, e gjetëm në fushat e Jaarit.
7 Le të shkojmë në banesën e tij, le ta adhurojmë përpara fronit të këmbëve të tij.
8 Çohu, o Zot, dhe eja në vendin ku pushon ti dhe arka e forcës sate.
9 Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, dhe le të këndojnë nga gëzimi shenjtorët e tu.
10 Për hir të Davidit, shërbëtorit tënd, mos e dëbo fytyrën e të vajosurit tënd.
11 Zoti iu betua Davidit në të vërtetë dhe nuk do të ndryshojë: "Unë do të vë mbi fronin tënd një fryt të të përbrendëshmëve të tua.
12 Në rast se bijtë e tu do të respektojnë besëlidhjen time dhe porositë e mia, që unë do t’u mësojë atyre, edhe bijtë e tyre do të ulen përjetë mbi fronin tënd".
13 Duke qenë se Zoti e ka zgjedhur Sionin, ai e ka dashur atë për banesën e tij:
14 "Ky është vendi im i pushimit përjetë; këtu do të banoj, sepse e kam dashur.
15 Do të bekoj fort zahiretë e tij, do t’i ngop me bukë të varfërit e tij;
16 do t’i vedh priftërinjtë e tij me shpëtim, do të ngazëllojnë shenjtorët e tij me britma gëzimi.
17 Këtu do ta rris fuqinë e Davidit dhe do t’i jap një llambë të vajosurit tim.
18 Do t’i mbuloj me turp armiqtë e tij, por mbi të do të lulëzojë kurora e tij".
14 Kështu thotë Zoti: "Fryti i mundimeve të Egjiptit dhe mallrat e Etiopisë dhe të Sabejve, njerëz me shtat të lartë, do të të kalojnë ty dhe do të të përkasin ty; ata do të ecin pas teje, të lidhur me zinxhirë; do të bien përmbys para teje dhe do të të luten fort, duke thënë: "Me siguri Perëndia është te ti dhe nuk ka asnjë tjetër; nuk ka Perëndi tjetër"".
15 Në të vërtetë ti je një Perëndi që fshihesh, o Perëndi i Izraelit, o Shpëtimtar.
16 Do të mbeten të gjithë të turpëruar dhe të hutuar, po, do të ikin të gjithë bashkë, të mbuluar me turp, sajuesit e idhujve.
17 Por Izraeli do të shpëtohet nga Zoti me një shpëtim të përjetshëm; ju nuk do të turpëroheni ose të hutoheni kurrë më përjetë.
18 Sepse kështu thotë Zoti që ka krijuar qiejtë, ai, Perëndia që ka formuar tokën dhe e ka bërë; ai e ka vendosur, nuk e ka krijuar pa trajtë, por e ka formuar që të banohej: "Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër.
19 Unë nuk kam folur fshehtas në një cep të errët të dheut; nuk u kam thënë pasardhësve të Jakobit: "Më kërkoni kot". Unë, Zoti, them atë që është e drejtë dhe deklaroj gjërat që janë të vërteta.
24 Dhe tani gëzohem për vuajtjet e mia të cilat po i heq për shkakun tuaj dhe po e plotësoj në mishin tim atë që u mungon mundimeve të Krishtit për trupin e vet, që është kisha,
25 shërbenjës i së cilës u bëra unë, sipas misionit që më ngarkoi Perëndia për ju, që t’jua paraqes të plotë fjalën e Perëndisë,
26 misterin që u mbajt i fshehtë gjatë shekujve dhe brezave, por që tani iu shfaq shenjtorëve të tij,
27 të cilëve Perëndia deshi t’ua bëjë të njohur cilat ishin pasuritë e lavdisë së këtij misteri ndër johebrenjtë, që është Krishti në ju, shpresë lavdie,
28 që ne e kumtuam, duke e qortuar dhe duke e mësuar çdo njeri me çdo urtësi, që ta paraqesim çdo njeri të përsosur në Jezu Krishtin;
29 për këtë mundohem duke u përpjekur me fuqinë e tij, e cila vepron tek unë me pushtet
2 Sepse dua që të dini ç’luftë të ashpër më duhet të bëj për ju, për ata që janë në Laodice dhe për të gjithë ata të cilët nuk e kanë parë fytyrën time personalisht,
2 që zemrat e tyre të ngushëllohen, duke u bashkuar në dashuri, dhe të kenë të gjitha pasuritë e sigurisë së plotë të zgjuarësisë për të njohur misterin e Perëndisë, e Atit dhe të Krishtit,
3 ku janë fshehur të gjitha thesaret e diturisë dhe të njohjes.
4 Dhe po ju them këtë, që askush të mos ju gënjejë me fjalë joshëse,
5 sepse, edhe pse me trup jam larg jush, me frymën jam bashkë me ju dhe gëzohem duke parë rregullin dhe qëndrueshmërinë e besimit tuaj në Krishtin.
6 Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin, ashtu, pra, ecni në të,
7 duke pasur rrënjë dhe duke u ndërtuar në të, dhe duke u forcuar në besim ashtu sikurse ju mësuan, duke mbushulluar në të me falenderim.
12 Dhe Jezusi u foli atyre përsëri duke thënë: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.”
13 Atëherë farisenjtë i thanë: “Ti dëshmon për vetveten; dëshmimi yt nuk është i vërtetë.”
14 Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “Edhe pse dëshmoj për vetvete, dëshmimi im është i vërtetë, sepse unë e di nga kam ardhur e ku po shkoj; ju, përkundrazi, nuk e dini as nga vij dhe as ku po shkoj.
15 Ju gjykoni sipas mishit, unë nuk gjykoj asnjeri.
16 Por, edhe kur gjykoj, gjykimi im është i vërtetë, sepse unë nuk jam vetëm, por jam unë dhe Ati që më dërgoi.
17 Edhe në ligjin tuaj është shkruar se dëshmimi i dy njerëzve është i vërtetë.
18 Unë jam ai që dëshmoj për vetvete dhe Ati që më ka dërguar dëshmon për mua.”
19 Atëherë i thanë: “Ku është Ati yt?.” Jezusi u përgjigj: “Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim; po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim.”