Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 1-4

Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit,

por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.

Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.

Të tillë nuk janë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan.

Prandaj të pabesët nuk do të përballojnë gjykimin, as mëkatarët në kuvendin e të drejtëve.

Sepse Zoti njeh rrugët të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim.

Pse ziejnë kombet dhe pse popujt kurdisin gjëra të kota?

Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij,

duke thënë: "Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre".

Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta.

Atëherë do t’u flasë në zemërimin e tij dhe do t’i trembë në indinjatën e tij të madhe,

dhe do të thotë: "E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë.

Do të shpallë dekretin e Zotit. Ai më ka thënë: "Ti je biri im, sot më linde.

Më kërko dhe unë do të jap kombet si trashëgimi për ty dhe mbarë dheun si zotërim tëndin.

Ti do t’i copëtosh me një shufër hekuri, do t’i bësh copë-copë si një enë prej argjile"".

10 Tani, pra, o mbretër, tregohuni të urtë; pranoni ndreqjen, o gjyqtarë të dheut.

11 Shërbeni me frikë Zotin dhe gëzohuni me drithma.

12 Nënshtrohuni Birit, që të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast. Lum ata që gjejnë strehë tek ai.

O Zot, sa të shumtë janë armiqtë e mi! Shumë ngrihen kundër meje.

Shumë thonë për mua: "Nuk ka shpëtim për të pranë Perëndisë". (Sela)

Por ti, o Zot, je një mburoje rreth meje; ti je lavdia ime dhe ai më larton kokën.

Me zërin tim i thirra Zotit dhe ai m’u përgjigj nga mali i tij i shenjtë. (Sela)

Unë rashë e fjeta; pastaj u zgjova, sepse Zoti më përkrah.

Unë do të kem frikë nga mizëri njerëzish që kanë fushuar rreth e qark kundër meje.

Çohu, o Zot, më shpëto, o Perëndia im; sepse ti i ke goditur tërë armiqtë e mi në nofull; u ke thyer dhëmbët të pabesëve.

Shpëtimi i përket Zotit, bekimi yt qoftë mbi popullin tënd. (Sela)

Kur thërras, përgjigjmu, o Perëndi i drejtësisë sime; kur isha në fatkeqësi, ti më ke ndihmuar; ki mëshirë për mua dhe plotësoje lutjen time.

Deri kur, o bij të njerëzve, do të fyhet rëndë lavdia ime? Deri kur do të jepeni pas kotësisë dhe do të shkoni pas gënjeshtrës? (Sela)

Por dijeni se Zoti ka zgjedhur një që është i shenjtë; Zoti do të më plotësojë dëshirën kur do t’i thërras atij.

Zemërohuni dhe mos mëkatoni; në shtratin tuaj mendohuni shumë në zemër tuaj dhe qëndroni në heshtje. (Sela)

Ofroni flijime drejtësie dhe kini besim te Zoti.

Shumë thonë: "Kush do të na tregojë të mirën?". O Zot, bëj që të shkëlqejë drita e fytyrës sate mbi ne.

Ti më ke shtënë në zemër më tepër gëzim nga sa ndjejnë ata, kur kanë grurë dhe musht me shumicë.

Në paqe do të bie dhe në paqe do të fle, sepse ti vetëm, o Zot, më mban në siguri.

Psalmet 7

O Zot, Perëndia im, po kërkoj strehim te ti; shpëtomë nga tërë ata që më përndjekin dhe çliromë,

që armiku të mos e shqyejë shpirtin tim si një luan, duke copëtuar pa mundur njeri të më çlirojë.

O Zot, Perëndia im, në rast se e kam bërë këtë, në qoftë se ka ligësi në duart e mia,

në rast se së mirës i jam përgjigjur me të keqen atij që jetonte në paqe me mua, ose në rast se e kam zhveshur armikun tim pa arësye,

le të më përndjekë armiku dhe të më arrijë, le ta marrë nëpër këmbë jetën time dhe ta zvarritë në pluhur lavdinë time. (Sela)

Çohu, o Zot, në zemërimin tënd; çohu kundër tërbimit të armiqve të mi dhe në favorin tim; ti ke vendosur gjykimin.

Kuvendi i popujve do të të rrethojë; kthehu mbi të në një vend të ngritur.

Zoti do të gjykojë popujt; gjykomë, o Zot, sipas drejtësisë sime dhe ndershmërisë sime.

Jepi fund ligësisë së njerëzve të këqij, por vendos njeriun e drejtë, sepse ti je Perëndia i drejtë, që provon zemrat dhe mendjet.

10 Mburoja ime është te Perëndia, që shpëton ata që janë të drejtë nga zemra.

11 Perëndia është një gjykatës i drejtë dhe një Perëndi që zemërohet çdo ditë me keqbërësit.

12 Në qoftë se keqbërësi nuk ndryshon, ai do të mprehë shpatën e tij; e ka shtrirë harkun e tij dhe e ka përgatitur.

13 Ai ka përgatitur kundër tij armë vdekjeprurëse, i mban gati shigjetat e tij të zjarrta.

14 Ja, keqbërësi lind padrejtësinë; ai ka konceptuar ligësinë dhe ka për të pjellë mashtrimin.

15 Ai gërmon një gropë dhe e bën të thellë, por bie vetë në gropën që ka bërë.

16 Ligësia e tij do të kthehet mbi kryet e vet dhe dhuna e tij do të bjerë mbi çafkën e kokës.

17 Unë do ta falenderoj Zotin për drejtësinë e tij, dhe do të këndoj lëvdime në emër të Zotit, Shumë të Lartit.

Zanafilla 2:4-25

Këto janë origjina e qiellit dhe e tokës kur u krijuan, ditën që Zoti Perëndi krijoi tokën dhe qiellin.

Nuk kishte ende mbi tokë asnjë shkurrëz në fushë dhe asnjë bar nuk kishte mbirë ende në fushë, sepse Zoti Perëndi nuk kishte hedhur asnjë shi mbi tokën dhe nuk ekzistonte njeriu për të punuar tokën.

Por nga toka ngjitej një avull që ujiste tërë sipërfaqen e tokës.

Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë.

Pastaj Zoti Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe vendosi në të njeriun që kishte formuar.

Pastaj Zoti Perëndi bëri që të mbijnë nga toka lloj-lloj pemësh të këndshme nga pamja dhe që jepnin fruta të mira për t’u ngrënë; në mes të kopshtit gjendeshin edhe pema e jetës dhe pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes.

10 Një lumë dilte nga Edeni për të ujitur kopshtin dhe ndahej në katër rrjedha uji.

11 Emri i lumit të parë është Pishon; është ai që rrethon tërë vendin e Havilahut, ku ka flori;

12 dhe floriri i këtij vendi është i mirë; aty gjenden gjithashtu bdeli dhe guri i oniksit.

13 Emri i lumit të dytë është Gihon, dhe ai rrethon tërë vendin e Kushit.

14 Emri i lumit të tretë është Tigri, dhe është ai që rrjedh në lindje të Asirisë. Lumi i katërt është Eufrati.

15 Zoti Perëndi e mori pra njeriun dhe e futi në kopshtin e Edenit, me qëllim që ta punonte dhe ta ruante.

16 Dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë: "Ha bile lirisht nga çdo pemë e kopshtit;

17 por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri".

18 Pastaj Zoti Perëndi tha: "Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; unë do t’i bëj një ndihmë që i leverdis".

19 Dhe Zoti Perëndi formoi nga dheu tërë kafshët e fushës dhe tërë zogjtë e qiellit dhe i çoi te njeriu për të parë si do t’i quante; dhe sido që njeriu t’i quante qeniet e gjalla, ai do të ishte emri i tyre.

20 Dhe njeriu u vuri emra tërë bagëtisë, zogjve të qiellit dhe çdo kafshe të fushave; por për njeriun nuk u gjend asnjë ndihmë e përshtatshme për të.

21 Atëherë Zoti Perëndi e futi në një gjumë të thellë njeriun, të cilin e zuri gjumi; dhe mori një nga brinjët e tij dhe e mbylli mishin në atë vend.

22 Pastaj Zoti Perëndi me brinjën që i kishte hequr njeriut formoi një grua dhe e çoi te njeriu.

23 Dhe njeriu tha: "Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim. Ajo do të quhet grua sepse është nxjerrë nga burri".

24 Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm.

25 Dhe burri e gruaja e tij ishin që të dy lakuriq dhe nuk kishin turp prej kësaj.

Hebrenjve 1

Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve,

së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtar të të gjitha gjërave, me anë të të cilit e krijoi dhe gjithësinë.

Ai, duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij dhe duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij, mbasi e bëri vetë pastrimin nga mëkatet tona, u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta,

edhe u bë aq më i lartë nga engjëjt, sa më të madhërueshëm se ata është emri që ai e trashëgoi.

Sepse cilit nga engjëjt i tha ndonjë herë: “Ti je Biri im, sot më je lindur”? Edhe përsëri: “Unë do t’i jem Atë, dhe ai do të më jetë Bir”?

Dhe akoma, kur ta shtjerë të Parëlindurin në botë, thotë: “Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Perëndisë.”

Kurse për engjëjt thotë: “Engjëjt e vet ai i bën erëra, dhe shërbenjësit e tij flakë zjarri”;

ndërsa për të Birin thotë: “Froni yt, o Perëndi është në shekuj të shekujve; skeptri i mbretërisë sate është skeptër drejtësie.

E ke dashur drejtësinë dhe e ke urryer paudhësinë; prandaj Perëndia, Perëndia yt, të vajosi me vaj gëzimi përmbi shokët e tu.”

10 Edhe: “Ti, o Perëndi, në krye themelove tokën dhe qiejt janë vepër e duarve të tu.

11 Ata do të prishen, por ti mbetesh; edhe të gjithë do të vjetrohen si rrobë,

12 dhe ti do t’i mbështjellësh si një mantel edhe do të ndërrohen; por ti je po ai, dhe vitet e tua nuk do të shteren kurrë.”

13 Dhe cilit nga engjëjt i tha ndonjë herë: “Rri në të djathtën time, gjersa t’i vë armiqtë e tu shtroje të këmbëve të tua”?

14 A nuk janë ata të gjithë frymëra shërbenjës, që dërgohen për të shërbyer për të mirën e atyre që kanë për të trashëguar shpëtimin?

Gjoni 1:1-18

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.

Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë.

Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.

Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve.

Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.

Qe një njeri i dërguar nga Perendia; emri i tij ishte Gjon.

Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar për dritën, që të gjithë të besonin nëpërmjet tij;

ai nuk ishte drita, por u dërgua për të dëshmuar për dritën.

Ai (fjala) ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë.

10 Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu.

11 Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan,

12 por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij,

13 të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.

14 Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.

15 Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: “Ky është ai, për të cilin thashë: "Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje".”

16 Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir.

17 Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit.

18 Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur.