Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 37

37 Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi,

sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë.

Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë.

Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.

Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar.

Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita.

Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij.

Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen.

Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës.

10 Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më.

11 Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.

12 I pabesi komploton kundër të drejtit dhe kërcëllin dhëmbët kundër tij.

13 Zoti qesh me të, sepse e sheh që vjen dita e tij.

14 Të pabesët kanë nxjerrë shpatën dhe kanë nderur harkun e tyre për të rrëzuar të mjerin dhe nevojtarin, për të vrarë ata që ecën drejt në rrugën e tyre.

15 Shpata e tyre do të hyjë në zemrën e tyre dhe harqet e tyre do të thyhen.

16 Vlen më tepër e pakta e të drejtit se sa bollëku i shumë të pabesëve.

17 Sepse krahët e të pabesëve do të thyhen, por Zoti i përkrah të drejtët.

18 Zoti i njeh ditët e njerëzve të ndershëm dhe trashëgimia e tyre do të vazhdojë përjetë.

19 Ata nuk do të ngatërrohen në kohën e fatkeqësisë dhe në ditët e zisë do të ngopen.

20 Por të pabesët do të vdesin dhe armiqtë e Zotit do të konsumohen dhe do të bëhen tym si dhjami i qengjave.

21 I pabesi merr hua dhe nuk e kthen, por i drejti ka mëshirë dhe dhuron.

22 Sepse të bekuarit nga Zoti do të trashëgojnë tokën, por ata që janë mallkuar prej tij do të shfarosen.

23 Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij.

24 Por kur njeriu rrëzohet, nuk shtrihet për tokë, sepse Zoti e mban për dore.

25 Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë.

26 Ai ka mëshirë dhe jep kurdoherë hua; dhe pasardhësit e tij janë në bekim.

27 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, dhe do të kesh një banesë të përjetshme.

28 Sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk ka për t’i braktisur kurrë shenjtorët e tij; ata do të ruhen përjetë, ndërsa pasardhësit e të pabesëve do të shfarosen.

29 Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.

30 Nga goja e të drejtit del dituri dhe gjuha e tij flet për drejtësi.

31 Ligji i Perëndisë të tij është në zemrën e tij; hapat e tij nuk do të lëkunden.

32 I pabesi spiunon të drejtin dhe përpiqet ta vrasë.

33 Zoti nuk do ta lërë në duart e tij dhe nuk do të lejojë që të dënohet, kur të gjykohet.

34 Ki shpresë të patundur tek Zoti dhe ndiq rrugën tij, dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë të shfarosur, ti do ta shikosh.

35 E pashë njeriun e pushtetshëm dhe të furishëm të begatohet si një pemë e gjelbër në tokën e tij të lindjes,

36 por pastaj u zhduk; dhe ja, nuk është më; e kërkova, por nuk e gjeta më.

37 Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja.

38 Por shkelësit do të shkatërrohen të gjithë; në fund të pabesët do të dërrmohen.

39 Por shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; ai është kështjella e tyre në kohën e fatkeqësisë.

40 Dhe Zoti i ndihmon dhe i çliron; i çliron nga të pabesët dhe i shpëton, sepse kanë gjetur strehë tek ai.

Zanafilla 11:1-9

11 Por tërë toka fliste të njëjtën gjuhë dhe përdorte të njëjtat fjalë.

Dhe ndodhi që, ndërsa po zhvendoseshin në drejtim të jugut, ata gjetën një fushë në vendin e Shinarit dhe u vendosën atje.

Dhe i thanë njëri tjetrit: "O burra, të bëjmë tulla dhe t’i pjekim me zjarr!". Dhe përdorën tulla në vend të gurëve dhe bitum në vend të llaçit.

Dhe thanë: "O burra, të ndërtojmë për vete një qytet dhe një kullë maja e së cilës të arrijë deri në qiell, dhe t’i bëjmë një emër vetes që të mos shpërndahemi mbi faqen e tërë dheut".

Por Zoti zbriti për të parë qytetin dhe kullën që bijtë e njerëzve ishin duke ndërtuar.

Dhe Zoti tha: "Ja, ata janë një popull i vetëm dhe kanë të gjithë të njëjtën gjuhë; dhe kjo është ajo që ata filluan të bëjnë; tani asgjë nuk ka për t’i penguar ata të përfundojnë atë që kanë ndërmend të bëjnë.

O burra, të zbresim pra atje poshtë dhe të ngatërrojmë gjuhën e tyre, në mënyrë që njëri të mos kuptojë të folurën e tjetrit".

Kështu Zoti i shpërndau mbi faqen e tërë dheut dhe ata pushuan së ndërtuari qytetin.

Prandaj këtij vendi iu dha emri i Babelit, sepse Zoti aty ngatërroi gjuhën e tërë dheut dhe i shpërndau mbi tërë faqen e dheut.

Hebrenjve 6:13-20

13 Sepse kur Perëndia i dha premtimin Abrahamit, duke qenë se s’kishte ndonjë më të madh që të përbetohej, bëri be me veten e tij

14 duke thënë: “Sigurisht do të të bekoj dhe do të të shumoj fort.”

15 Dhe kështu Abrahami, duke pritur me durim, fitoi premtimin.

16 Sepse njerëzit bëjnë be për dikë që është më i madh, dhe në këtë mënyrë betimi për ta është garancia që i jep fund çdo mosmarrëveshjeje.

17 Kështu Perëndia, duke dashur t’u tregojë trashëgimtarëve të premtimit në mënyrë më të qartë palëkundshmërinë e vendimit të tij vuri ndërmjetës betimin,

18 që me anë të dy gjërave të pandryshueshme, në të cilat është e pamundur të Perëndia të gënjejë, të kemi trimërim të madh ne, që kemi kërkuar strehë duke u kapur nga shpresa që na u vu përpara.

19 Kjo shpresë që ne kemi është si një spirancë e sigurt dhe e patundur, dhe që hyn deri në brendësinë e velit,

20 ku ka hyrë Krishti, si pararendës për ne, pasi u bë kryeprift në amshim sipas rendit të Melkisedekut.

Gjoni 4:1-15

Pra, kur Zoti mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar se Jezusi po bënte më shumë dishepuj dhe po pagëzonte më shumë se Gjoni

(ndonëse nuk pagëzonte Jezusi vetë, por dishepujt e tij),

e la Judenë dhe shkoi përsëri në Galile.

Por duhej të kalonte nëpër Samari.

Arriti, pra, në një qytet të Samarisë që quhej Sihar, afër tokës që Jakobi i kishte dhënë Jozefit, birit të vet.

Por aty ishte pusi i Jakobit. Dhe Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul pranë pusit; ishte rreth orës së gjashtë.

Një grua nga Samaria erdhi të nxjerrë ujë. Dhe Jezusi i tha: “Më jep të pi,”

sepse dishepujt e vet kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime.

Por gruaja samaritane i tha: “Po qysh, ti që je Jude kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane?” (Sepse Judenjtë nuk shoqërohen me Samaritanët).

10 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: "Më jep të pi!," ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë.”

11 Gruaja i tha: “Zot, ti nuk ke as kovë për të nxjerrë dhe pusi është i thellë; nga e ke, pra, atë ujë të gjallë?

12 Vallë je më i madh se Jakobi, ati ynë, qe na dha këtë pus dhe piu prej tij ai vetë, bijtë e tij dhe bagëtitë e tij?.”

13 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje,

14 por kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme.”

15 Gruaja i tha: “Zot, më jep këtë ujë, që unë të mos kem më etje dhe të mos vij këtu të nxjerr ujë!.”