Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 38

38 O Zot, mos më shaj në indinjatën tënde dhe mos më dëno në zemërimin tënd.

Sepse shigjtat e tua më kanë shpuar dhe dora jote më shtyp.

Nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim për shkak të zemërimit tënd; nuk ka qetësi në kockat e mia për shkak të mëkatit tim.

Paudhësitë e mia e kalojnë në fakt kohën time, janë si një barrë e madhe, shumë e rëndë për mua.

Plagët e mia janë të fëlliqura dhe të qelbëzuara nga marrëzia ime.

Jam krejt i kërrusur dhe i dëshpëruar; sillem tërë ditën rreth e qark duke mbajtur zi,

sepse ijet e mia janë të pezmatuara dhe nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim.

Jam i sfilitur dhe i vrarë; vrumbulloj nga drithma e zemrës sime.

O Zot, çdo dëshirë që kam është para teje dhe psherëtimat e mia nuk të janë fshehur.

10 Zemra ime rreh, fuqia po më lë; vetë drita e syve të mi ka ikur.

11 Miqtë e mi dhe shokët e mi rrinë larg plagës sime, dhe fqinjët e mi ndalojnë larg meje.

12 Ata që kërkojnë jetën time më ngrejnë kurthe dhe ata që duan të më bëjnë të keqen flasin për shkatërrimin dhe mendojnë mashtrime tërë ditën.

13 Por unë jam si një i shurdhër që nuk dëgjon dhe një memec që nuk e hap gojën.

14 Po, jam si një njeri që nuk dëgjon dhe që nuk mund të përgjigjet me gojën e tij.

15 Sepse shpresoj te ti, o Zot, ti do të përgjigjesh, o Zot, Perëndia im.

16 Sepse kam thënë: "U gëzofshin me mua, dhe kur këmba ime pengohet, mos u çofshin kundër meje".

17 Ndërsa jam duke rënë dhe dhembja ime është vazhdimisht para meje,

18 ndërsa rrëfej mëkatin tim dhe jam tepër i shqetësuar për mëkatin,

19 armiqtë e mi janë tërë gjallëri dhe janë të fortë, dhe ata që më urrejnë pa shkak shumohen.

20 Edhe ata që ma shpërblejnë të mirën me të keqen më përndjekin, sepse unë ndjek rrugën e së mirës.

21 O Zot, mos më braktis; Perëndia im, mos u largo nga unë.

22 Nxito të më ndihmosh, o Zot, o shpëtimi im.

Psalmet 119:25-48

25 Unë bie përmbys në pluhur; më ringjall sipas fjalës sate.

26 Të kam treguar rrugët e mia, dhe ti më je përgjigjur; më mëso statutet e tua.

27 Më bëj që të kuptoj rrugën e urdhërimeve të tua, dhe unë do të mendohem thellë mbi mrekullitë e tua.

28 Jeta ime tretet në dhimbje; më jep forcë sipas fjalës sate.

29 Mbamë larg nga gënjeshtra dhe, në hirin tënd, bëmë të njohur ligjin tënd.

30 Kam zgjedhur rrugën e besnikërisë; i kam vënë dekretet e tua para vetes.

31 Jam i lidhur me porositë e tua; o Zot, mos lejo që unë të hutohem.

32 Do të veproj në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse ti do të më zgjerosh zemrën.

33 Më mëso, o Zot, rrugën e statuteve të tu dhe unë do ta ndjek deri në fund.

34 Më jep mënçuri dhe unë do ta ruaj ligjin tënd; po, do ta respektoj me gjithë zemër.

35 Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time.

36 Përkule zemrën time parimeve të tua dhe jo lakmisë.

37 Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e tua.

38 Mbaje fjalën tënde shërbëtorit tënd, që ka frikë nga ty.

39 Largo nga unë fyerjet e rënda, që më trëmbin, sepse dekretet e tua janë të mira.

40 Ja, unë dëshiroj me zjarr urdhërimet e tua; gjallëromë në drejtësinë tënde.

41 Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate.

42 Kështu do të mund t’i përgjigjem atij që më fyen, sepse kam besim te fjala jote.

43 Mos hiq plotësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse unë kam shpresë te dekretet e tua.

44 Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë.

45 Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua.

46 Do të flas për porositë e tua para mbretërve dhe nuk do të turpërohem.

47 Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua.

48 Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua.

Zanafilla 9:18-29

18 Dhe bijtë e Noeut që dolën nga arka qenë Semi, Kami dhe Jafeti; Kami është babai i Kanaanit.

19 Këta janë tre bijtë e Noeut, dhe ata populluan tërë tokën.

20 Më vonë Noeu, që ishte bujk, filloi të mbjellë një vresht;

21 dhe piu verë e u deh, dhe u zhvesh në mes të çadrës së tij.

22 Dhe Kami, i ati i Kanaanit, pa babanë e tij lakuriq dhe vajti t’ua thotë vëllezërve të tij që ndodheshin jashtë.

23 Por Semi dhe Jafeti muarrën një mantel, e hodhën mbi shpatullat e tyre dhe, duke ecur së prapthi, mbuluan lakuriqësinë e babait të tyre; dhe, me qënë se fytyrat e tyre ishin kthyer nga ana tjetër, ata nuk e panë lakuriqësinë e babait të tyre.

24 Kur Noeu u zgjua nga dehja e tij, mësoi atë që i kishte bërë i biri më i vogël, dhe tha:

25 "I mallkuar qoftë Kanaani! Ai qoftë shërbyesi i shërbëtorëve të vëllezërve të tij!".

26 Pastaj tha: "I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Semit, dhe Kanaani të jetë shërbëtori i tij.

27 Perëndia ta rritë Jafetin dhe ky të banojë në çadrat e Semit; Kanaani qoftë shërbyesi i tij!".

28 Mbas përmbytjes, Noeu jetoi treqind e pesëdhjetë vjet.

29 Kështu Noeu jetoi gjithsejt nëntëqind e pesëdhjetë vjet; pastaj vdiq.

Hebrenjve 6:1-12

Prandaj, duke e lënë fjalën e fillimit të Krishtit, le të synojmë përkryerjen, pa hedhur përsëri themel pendimi nga vepra të vdekura dhe nga besimi te Perëndia,

nga doktrina për pagëzimet, të vënies së duarve, të ringjalljes të të vdekurve dhe të gjyqit të përjetshëm;

dhe këtë do ta bëjmë, në e lejoftë Perëndia.

Sepse ata që janë ndriçuar një herë, e shijuan dhuntinë qiellore dhe u bënë pjestarë të Frymës së Shenjtë,

dhe shijuan fjalën e mirë të Perëndisë dhe mrrekullitë e jetës së ardhshme,

dhe po u rrëzuan, është e pamundur t’i sjellësh përsëri në pendim, sepse ata, për vete të tyre, e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtërojnë.

Sepse toka, që pi shiun, i cili bie shpesh mbi të dhe prodhon barëra të dobishme për ata që e punojnë, merr bekim nga Perëndia;

kurse, po të prodhojë ferra e murriza, shahet edhe afër mallkimit dhe fundi i vet është për t’u djegur.

Dhe ndonëse flasim kështu, ne, o të dashur, lidhur me ju jemi të bindur për gjëra më të mira dhe që i takojnë shpëtimit;

10 sepse Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën dhe mundimin tuaj të dashurisë që treguat për emrin e tij me shërbesën që u bëtë dhe po u bëni shenjtorëve.

11 Dhe dëshirojmë që secili nga ju të tregojë deri në fund të njëjtin zell për të arritur në sigurimin e plotë të shpresës,

12 që të mos bëheni përtacë, por t’u përngjani atyre që nëpërmjet besim dhe durim trashëgojnë premtimet.

Gjoni 3:22-36

22 Pas këtyre gjërave, Jezusi erdhi me dishepujt e vet në tokën e Judesë dhe qëndroi aty bashkë me ta dhe pagëzonte.

23 Por edhe Gjoni pagëzonte në Enon, afër Salimit, sepse aty kishte shumë ujë; dhe njerëzit vinin dhe pagëzoheshin,

24 sepse Gjoni s’ishte hedhur akoma në burg.

25 Atëherë lindi një diskutim ndërmjet dishepujve të Gjonit me Judenjtë rreth pastrimit.

26 Kështu erdhën te Gjoni dhe i thanë: “Mësues, ai që ishte me ty përtej Jordanit, për të cilin ti bëre dëshmi, ja, ai pagëzon dhe të gjithë shkojnë tek ai.”

27 Gjoni u përgjigj dhe tha: “Njeriu nuk mund të marrë asgjë, nëse nuk i është dhënë nga qielli.

28 Ju vetë më jeni dëshmitarë se thashë: "Unë nuk jam Krishti, por jam dërguar përpara tij".

29 Ai që e ka nusen është dhëndri, por miku i dhëndrit, që është i pranishëm dhe e dëgjon, gëzohet shumë për zërin e dhëndrit; prandaj ky gëzimi im është i plotësuar!

30 Ai duhet të rritet dhe unë të zvogëlohem.

31 Ai që vjen nga lart është përmbi të gjithë; ai që vjen nga dheu është nga dheu dhe flet për dheun; ai që vjen nga qielli është përmbi të gjithë.

32 Dhe ai dëshmon çfarë ka parë dhe dëgjuar, por askush nuk e pranon dëshminë e tij.

33 Ai që e pranoi dëshminë e tij e vulosi se Perëndia është i vërtetë.

34 Sepse ai që Perëndia ka dërguar flet fjalët e Perëndisë, sepse Perëndia nuk e jep Frymën e tij me masë.

35 Ati e do Birin dhe i ka dhënë në dorë çdo gjë.

36 Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të.”