Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 1-4

Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit,

por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.

Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.

Të tillë nuk janë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan.

Prandaj të pabesët nuk do të përballojnë gjykimin, as mëkatarët në kuvendin e të drejtëve.

Sepse Zoti njeh rrugët të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim.

Pse ziejnë kombet dhe pse popujt kurdisin gjëra të kota?

Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij,

duke thënë: "Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre".

Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta.

Atëherë do t’u flasë në zemërimin e tij dhe do t’i trembë në indinjatën e tij të madhe,

dhe do të thotë: "E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë.

Do të shpallë dekretin e Zotit. Ai më ka thënë: "Ti je biri im, sot më linde.

Më kërko dhe unë do të jap kombet si trashëgimi për ty dhe mbarë dheun si zotërim tëndin.

Ti do t’i copëtosh me një shufër hekuri, do t’i bësh copë-copë si një enë prej argjile"".

10 Tani, pra, o mbretër, tregohuni të urtë; pranoni ndreqjen, o gjyqtarë të dheut.

11 Shërbeni me frikë Zotin dhe gëzohuni me drithma.

12 Nënshtrohuni Birit, që të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast. Lum ata që gjejnë strehë tek ai.

O Zot, sa të shumtë janë armiqtë e mi! Shumë ngrihen kundër meje.

Shumë thonë për mua: "Nuk ka shpëtim për të pranë Perëndisë". (Sela)

Por ti, o Zot, je një mburoje rreth meje; ti je lavdia ime dhe ai më larton kokën.

Me zërin tim i thirra Zotit dhe ai m’u përgjigj nga mali i tij i shenjtë. (Sela)

Unë rashë e fjeta; pastaj u zgjova, sepse Zoti më përkrah.

Unë do të kem frikë nga mizëri njerëzish që kanë fushuar rreth e qark kundër meje.

Çohu, o Zot, më shpëto, o Perëndia im; sepse ti i ke goditur tërë armiqtë e mi në nofull; u ke thyer dhëmbët të pabesëve.

Shpëtimi i përket Zotit, bekimi yt qoftë mbi popullin tënd. (Sela)

Kur thërras, përgjigjmu, o Perëndi i drejtësisë sime; kur isha në fatkeqësi, ti më ke ndihmuar; ki mëshirë për mua dhe plotësoje lutjen time.

Deri kur, o bij të njerëzve, do të fyhet rëndë lavdia ime? Deri kur do të jepeni pas kotësisë dhe do të shkoni pas gënjeshtrës? (Sela)

Por dijeni se Zoti ka zgjedhur një që është i shenjtë; Zoti do të më plotësojë dëshirën kur do t’i thërras atij.

Zemërohuni dhe mos mëkatoni; në shtratin tuaj mendohuni shumë në zemër tuaj dhe qëndroni në heshtje. (Sela)

Ofroni flijime drejtësie dhe kini besim te Zoti.

Shumë thonë: "Kush do të na tregojë të mirën?". O Zot, bëj që të shkëlqejë drita e fytyrës sate mbi ne.

Ti më ke shtënë në zemër më tepër gëzim nga sa ndjejnë ata, kur kanë grurë dhe musht me shumicë.

Në paqe do të bie dhe në paqe do të fle, sepse ti vetëm, o Zot, më mban në siguri.

Psalmet 7

O Zot, Perëndia im, po kërkoj strehim te ti; shpëtomë nga tërë ata që më përndjekin dhe çliromë,

që armiku të mos e shqyejë shpirtin tim si një luan, duke copëtuar pa mundur njeri të më çlirojë.

O Zot, Perëndia im, në rast se e kam bërë këtë, në qoftë se ka ligësi në duart e mia,

në rast se së mirës i jam përgjigjur me të keqen atij që jetonte në paqe me mua, ose në rast se e kam zhveshur armikun tim pa arësye,

le të më përndjekë armiku dhe të më arrijë, le ta marrë nëpër këmbë jetën time dhe ta zvarritë në pluhur lavdinë time. (Sela)

Çohu, o Zot, në zemërimin tënd; çohu kundër tërbimit të armiqve të mi dhe në favorin tim; ti ke vendosur gjykimin.

Kuvendi i popujve do të të rrethojë; kthehu mbi të në një vend të ngritur.

Zoti do të gjykojë popujt; gjykomë, o Zot, sipas drejtësisë sime dhe ndershmërisë sime.

Jepi fund ligësisë së njerëzve të këqij, por vendos njeriun e drejtë, sepse ti je Perëndia i drejtë, që provon zemrat dhe mendjet.

10 Mburoja ime është te Perëndia, që shpëton ata që janë të drejtë nga zemra.

11 Perëndia është një gjykatës i drejtë dhe një Perëndi që zemërohet çdo ditë me keqbërësit.

12 Në qoftë se keqbërësi nuk ndryshon, ai do të mprehë shpatën e tij; e ka shtrirë harkun e tij dhe e ka përgatitur.

13 Ai ka përgatitur kundër tij armë vdekjeprurëse, i mban gati shigjetat e tij të zjarrta.

14 Ja, keqbërësi lind padrejtësinë; ai ka konceptuar ligësinë dhe ka për të pjellë mashtrimin.

15 Ai gërmon një gropë dhe e bën të thellë, por bie vetë në gropën që ka bërë.

16 Ligësia e tij do të kthehet mbi kryet e vet dhe dhuna e tij do të bjerë mbi çafkën e kokës.

17 Unë do ta falenderoj Zotin për drejtësinë e tij, dhe do të këndoj lëvdime në emër të Zotit, Shumë të Lartit.

Danieli 1

Në vitin e tretë të mbretërimit të Jehojakimit; mbretit të Judës, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, u nis kundër Jeruzalemit dhe e rethoi.

Zoti atëherë dha në duart e tij Jehojakimin, mbretin e Judës, bashkë me një pjesë të orendive të shtëpisë së Perëndisë, që ai i transportoi në vendin e Shinarit, në shtëpinë e perëndisë së tij dhe i vendosi orenditë në shtëpinë e thesarit të perëndisë së tij.

Pastaj mbreti i tha Ashpenazit, kreut të eunukëve të tij, t’i sjellë disa nga djemtë e Izraelit, qofshin prej fisi mbretëror apo prej familjesh fisnike,

të rinj që të mos kishin asnjë të metë, por të hijshëm, të pajisur me urti, që të kishin njohuri dhe të mësonin shpejt, që të ishin të aftë të shërbenin në pallatin e mbretit dhe të cilëve të mund t’u mësohej letërsia dhe gjuha e Kaldeasve.

Mbreti u caktoi atyre një racion të përditshëm ushqimesh të shijshme nga ato të mbretit dhe verë nga ajo që ai vetë pinte; ata duhet të edukoheshin në tre vjet, në mbarim të të cilëve do të kalonin në shërbim të mbretit.

Midis tyre ishin bijtë e Judës: Danieli, Hananiahu, Mishaeli dhe Azaria.

Kreu i eunukëve u vuri atyre emra të tjerë: Danielit i vuri emrin Beltshatsar, Hananiahut Shadrak, Mishaelit Meshak dhe Azarias Abed-nego.

Por Danieli vendosi në zemër të tij të mos e ndotë veten me ushqimet e shijshme të mbretit dhe me verën që pinte ai vetë; dhe i kërkoi kreut të eunukëve ta lejonte që të mos ndotej.

Perëndia bëri që Danieli të gjejë hir dhe dhemshuri te kreu i eunukëve.

10 Kreu i eunukëve i tha pastaj Danielit: "Unë kam frikë nga mbreti, zoti im, që ka caktuar ushqimin tuaj dhe pijen tuaj. Pse ai duhet të shikojë fytyrat tuaja më të trishtuara nga ato të të rinjve të moshës suaj? Kështu do të vinit në rrezik kokën time te mbreti".

11 Atëherë Danieli i tha Meltsarit, që kreu i eunukëve kishte caktuar si të parë mbi Danielin, Hananiahun, Mishaelin dhe Azarian;

12 "Të lutem, vëri në provë shërbëtorët e tu për dhjetë ditë, dhe të na jepen perime për të ngrënë dhe ujë për të pirë.

13 Pastaj të ekzaminohet në praninë tënde pamja jonë dhe pamja e të rinjve që hanë ushqimet e shijshme të mbretit; do të veprosh pastaj me shërbëtorët e tu në bazë të asaj që do të shikosh".

14 Ai e pranoi këtë propozim të tyre dhe i vuri në provë dhjetë ditë.

15 Në mbarim të dhjetë ditëve pamja e tyre dukej më e bukur dhe e kishin mishin më të plotë se të gjithë djemtë që kishin ngrënë gjellët e shijshme të mbretit.

16 Kështu Meltsari u hoqi atyre gjellët e shijshme dhe verën që duhet të pinin dhe u dha perime.

17 Katër të rinjve Perëndia u dha njohuri dhe mend në gjithë letërsinë dhe diturinë; dhe Danieli fitoi njohuri për çdo lloj vegimi dhe ëndrre.

18 Në mbarim të kohës së caktuar nga mbreti që t’ia çonin këta të rinj, kreu i eunukëve i shpuri përpara Nebukadnetsarit.

19 Mbreti foli me ta, por midis tyre nuk u gjet asnjë si Danieli, Hananiahu, Mishaeli dhe Azaria, prandaj këta u pranuan në shërbim të mbretit.

20 Dhe mbi çdo çështje që kërkonte dituri dhe gjykim dhe për të cilat mund t’i pyeste mbreti, i gjeti dhjetë herë më lart se tërë magjistarët dhe astrologët që ishin në tërë mbretërinë e tij.

21 Kështu Danieli vazhdoi deri në vitin e parë të mbretit Kir.

1 Gjonit 1

Atë që ishte nga fillimi, atë që dëgjuam, atë që pamë me sytë tanë, atë që vështruam dhe që duart tona e prekën lidhur me Fjalën e jetës

(dhe jeta u shfaq dhe ne e pamë e dëshmojmë për të, dhe ju shpallim jetën e përjetshme që ishte pranë Atit dhe që na u shfaq neve),

Atë që pamë dhe dëgjuam, ne po jua shpallim, që edhe ju të keni bashkësi me ne; dhe bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin.

Dhe po ju shkruajmë këto gjëra që gëzimi juaj të jetë i plotë.

Dhe ky është mesazhi që dëgjuam nga ai dhe po jua shpallim juve: Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësirë

Po të themi se kemi bashkësi me Të, dhe ecim në errësirë, ne gënjejmë dhe nuk e vëmë në praktik të vërtetën;

por, po të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi njeri me tjetrin, dhe gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.

Po të themi se jemi pa mëkat, gënjej-më vetveten dhe e vërteta nuk është në ne.

Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.

10 Po të themi se s’kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne.

Gjoni 17:1-11

17 Jezusi tha këto gjëra, pastaj i ngriti sytë drejt qiellit dhe tha: “O Atë, ora ka ardhur, përlëvdo Birin tënd, që edhe Biri yt të të përlëvdojë,

sepse ti i ke dhënë pushtet mbi çdo mish, që t’u japë jetë të përjetshme të gjithë atyre që ti ia ke dhënë.

Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.

Unë të kam përlëvduar mbi tokë; unë e kam kryer veprën që më ke dhënë të bëj.

Tani, pra, më përlëvdo, o Atë, pranë teje, me lavdinë që unë e kisha pranë teje para se të bëhej bota.

Unë ia kam dëftuar emrin tënd njerëzve që ti m’i ke dhënë nga bota; ishin të tutë dhe ti m’i ke dhënë; dhe ata e kanë zbatuar fjalën tënde.

Tani ata kanë njohur se të gjitha gjërat që ti më ke dhënë vijnë prej teje,

sepse ua kam dhënë atyre fjalët që ti më ke dhënë mua; dhe ata i kanë pranuar dhe kanë njohur se me të vërtetë unë dola nga ti, dhe kanë besuar se ti më ke dërguar.

Unë lutem për ta, nuk lutem për botën, po për ata që më ke dhënë, sepse janë të tutë.

10 Dhe të gjitha gjërat e mia janë të tuat, dhe gjërat e tua janë të miat; dhe unë jam përlëvduar në to.

11 Tani unë nuk jam më në botë, por ata janë në botë, dhe unë po vij te ti. O Atë i shenjtë, i ruaj ata në emrin tënd, ata që më ke dhënë, që të jenë një sikurse ne!