Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 97

97 Zoti mbretëron; le të gëzohet toka dhe le të ngazëllohen ishujt e mëdhenj.

Re dhe terr e mbështjellin; drejtësia dhe e drejta janë në themel të fronit të tij.

Një zjarr i shkon përpara dhe i zhduk armiqtë e tij rreth e qark.

Vetëtimat e tij ndriçojnë botën, toka i shikon dhe dridhet.

Malet shkrihen si dylli përpara Zotit, përpara Zotit të të gjithë tokës.

Qiejtë shpallin drejtësinë e tij dhe tërë popujt shohin lavdinë e tij.

U ngatërrofshin të gjihë ata që u shërbejnë skulpturave dhe ata që mburren me idhujt; rënçin përmbys përpara atij të gjitha perënditë.

Sioni ka dëgjuar dhe është gëzuar për to, dhe bijat e Judës janë gëzuar me gjykimet e tua, o Zot.

Sepse ti, o Zot, je Shumë i Larti mbi tërë tokën, ty të përlëvdojmë mbi gjithë perënditë e tjera.

10 Ju që e doni Zotin urreni të keqen! Ai ruan jetën e shenjtorëve të tij dhe i çliron nga dora e të pabesëve.

11 Drita ka dalë për të drejtin dhe gëzimi për ata që janë të drejtë nga zemra.

12 Ngazëllohuni tek Zoti, o njerëz të drejtë, dhe lëvdoni emrin e tij të shenjtë.

Psalmet 99-100

99 Zoti mbretëron, popujt le të dridhen. Ai është ulur mbi Kerubinët, toka le të dridhet.

Zoti është i madh në Sion dhe i shkëlqyeshëm mbi të gjithë popujt.

Ata do të kremtojnë emrin tënd të madh dhe të tmerrshëm. Ai është i shenjtë.

Mbreti është i fuqishëm dhe e do drejtësinë. Ti e ke vendosur të drejtën dhe e ushtrove Jakobin në gjykim dhe drejtësi.

Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe bini përmbys përpara stolit të këmbëve të tij. Ai është i shenjtë.

Moisiu dhe Aaroni qenë ndër priftërinjtë e tij, dhe Samueli ndër ata që përmendën emrin e tij; ata iu drejtuan Zotit dhe ai iu përgjigj atyre.

Ai u foli atyre nga kolona e resë, dhe ata respektuan dëshmitë e tij dhe statutet që u dhe atyre.

Ti plotësove dëshirën e tyre, o Zot, Perëndia ynë. Ti ishe për ata një Perëndi që fal, dhe kur dënon prapësitë e tyre.

Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe adhurojeni në malin e tij të shenjtë, sepse Zoti, Perëndia ynë, është i shenjtë.

100 Dërgojini klithma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës!

I shërbeni Zotit me gaz, ejani para tij me këngë gëzimi.

Pranoni që Zoti është Perëndia; na ka bërë ai dhe jo ne vetë; ne jemi populli i tij dhe kopeja e kullotës së tij.

Hyni në portat e tij me falenderim dhe në oborret e tij me lavde; kremtojeni, bekoni emrin e tij.

Sepse Zoti është i mirë; mirësia e tij është e përjetshme dhe besnikëria e tij vlen për të gjitha brezat.

Psalmet 94-95

94 O Perëndi i hakmarrjes, o Zot, Perëndi i hakmarrjeve, shkëlqe.

Çohu, o gjykatës i tokës, dhe jepu shpërblimin mëndjemëdhenjve.

Deri kur të pabesët, o Zot, deri kur të pabesët do të triumfojnë?

Ata vjellin fjalë dhe mbajnë fjalime të paturpshme; të gjithë ata që kryejnë paudhësi flasin me arrogancë.

Ata marrin nëpër këmbë popullin tënd, o Zot, dhe shtypin trashëgiminë tënde.

Vrasin gruan e ve dhe të huajin, dhe vrasin jetimët,

dhe thonë: "Zoti nuk shikon, Perëndia i Jakobit nuk kupton".

Kërkoni të kuptoni, o njerëz të pamend midis popullit; dhe ju budallenj, kur do të bëheni të zgjuar?

Ai që ka vënë veshin, a nuk dëgjon? Ai që ka formuar syrin, a nuk shikon?

10 Ai që ndreq kombet, a nuk do t’i dënojë ata, ai që i mëson diturinë njeriut?

11 Zoti i njeh mendimet e njeriut dhe e di që nuk janë veçse kotësi.

12 Lum ai njeri që ti ndreq, o Zot, dhe që ti mëson sipas ligjit tënd,

13 për t’i dhënë prehje në ditët e fatkeqësisë, deri sa t’i hapet gropa të pabesit.

14 Sepse Zoti nuk ka për të hedhur poshtë popullin e tij dhe nuk ka për të braktisur trashëgiminë e tij.

15 Gjykimi do të mbështetet përsëri mbi drejtësinë, dhe tërë ata që janë të drejtë nga zemra do t’i shkojnë pas.

16 Kush do të ngrihet në favorin tim kundër njerëzve të këqij? Kush do të më dalë krah kundër atyre që kryejnë paudhësi?

17 Në qoftë se Zoti nuk do të më kishte ndihmuar, do të kisha përfunduar shpejt në vendin e heshtjes.

18 Kur thashë: "Këmba ime ngurron," mirësia jote, o Zot, më ka përkrahur.

19 Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër.

20 Do të jetë vallë aleati yt gjykata e padrejtë, që thur padrejtësi në emër të ligjit?

21 Ata mblidhen tok kundër të drejtit dhe dënojnë gjakun e pafajshëm.

22 Por Zoti është kështjella ime dhe Perëndia im është kalaja në të cilën gjej strehë.

23 Ai do të lëshojë mbi ta ligësinë e tyre dhe do t’i bëjë të vdesin për shkak të paudhësisë së tyre; Zoti, Perëndia ynë, do t’i shkatërrojë.

95 Ejani, t’i këndojmë me gëzim Zotit; t’i dërgojmë britma gëzimi kalasë së shpëtimit tonë.

Le të shkojmë në prani të tij me lavde, ta kremtojmë me këngë.

Sepse Zoti është një Perëndi i madh dhe një Mbret i madh mbi gjithë perënditë.

Në duart e tij janë thellësitë e tokës dhe të tijat janë majat e larta të maleve.

I tij është deti, sepse ai e ka bërë, dhe dheu i thatë që duart e tij kanë modeluar.

Ejani, të adhurojmë dhe të përkulemi; të gjunjëzohemi përpara Zotit që na ka bërë.

Sepse ai është Perëndia ynë dhe ne jemi populli i kullotës së tij dhe kopeja për të cilën ai kujdeset. Sot, po të jetë se dëgjoni zërin e tij,

"mos e fortësoni zemrën tuaj si në Meriba, si ditën e Masas në shkretëtirë,

ku etërit tuaj më tunduan dhe më vunë në provë, edhe pse i kishin parë veprat e mia.

10 Për dyzet vjet e pata neveri atë brez dhe thashë: "Janë një popull me zemër të përdalë dhe nuk i njohin rrugët e mia.

11 Prandaj u betova në zemërimin tim: Nuk do të hyjnë në prehjen time".

Jeremia 17:19-27

19 Kështu më ka thënë Zoti: "Shko dhe ndalu te porta e bijve të popullit, nëpër të cilën hyjnë dhe dalin mbretërit e Judës dhe pranë të gjitha portave të Jeruzalemit,

20 dhe u thuaj atyre: Dëgjoni fjalën e Zotit, o mbretër të Judës, dhe tërë Juda dhe ju të gjithë banorë të Jeruzalemit, që hyni nëpër këto porta".

21 Kështu thotë Zoti: "Kujdesuni për veten tuaj dhe mos mbartni asnjë peshë dhe mos e futni nëpër portat e Jeruzalemit ditën e shtunë.

22 Mos mbartni asnjë peshë jashtë shtëpive tuaja dhe mos kryeni asnjë punë ditën e shtunë, por shenjtëroni ditën e shtunë, ashtu siç i kam urdhëruar etërit tuaj.

23 Por ata nuk dëgjuan as i vunë veshin, por ngurtësuan zverkun e tyre për të mos dëgjuar dhe për të mos pranuar mësime.

24 Kështu do të ndodhë që, në qoftë se do të dëgjoni me kujdes," thotë Zoti, "në rast se bëni që të mos hyjë asnjë peshë nëpër portat e këtij qyteti ditën e shtunë, por do ta shenjtëroni ditën e shtunë dhe nuk do të bëni asnjë punë gjatë asaj dite,

25 atëherë mbretërit dhe princat që rrinë ulur mbi fronin e Davidit do të hyjnë nga portat e këtij qyteti të hipur mbi qerre dhe mbi kuaj, ata, princat e tyre, njerëzit e Judës dhe banorët e Jeruzalemit; dhe ky qytet do të banohet përjetë.

26 Do të vijnë pastaj nga qytetet e Judës, nga rrethinat e Jeruzalemit, nga vendi i Beniaminit, nga ultësira, nga malet dhe nga Negevi, duke sjellë olokauste, flijime, blatime ushqimore dhe temjan dhe duke ofruar flijime falënderimi në shtëpinë e Zotit.

27 Por në rast se nuk do të më dëgjoni, duke shenjtëruar ditën e shtunë: duke mos mbartur pesha dhe duke mos i futur nëpër portat e Jeruzalemit ditën e shtunë, unë do të ndez një zjarr në portat e tij; ai do të përpijë pallatet e Jeruzalemit dhe nuk do të shuhet".

Romakëve 7:13-25

13 Ajo gjë, pra, që është e mirë u bë vdekje për mua? Ashtu mos qoftë; por mëkati, që të duket mëkat, me anë të së mirës më pruri vdekjen, që mëkati të bëhet edhe më tepër mëkat nëpërmjet urdhërimit.

14 Sepse ne e dimë se ligji është frymëror, por unë jam i mishë, i shitur mëkatit si skllav.

15 Sepse unë nuk kuptoj atë që bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej.

16 Edhe, nëse bëj atë që nuk dua, unë pranoj që ligji është i mirë.

17 Por tani nuk jam më unë që veproj, por mëkati që banon në mua.

18 Në fakt unë e di se në mua domëthënë në mishin tim nuk banon asgjë e mirë, sepse, ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirën, nuk ia gjej mënyrën.

19 Në fakt të mirën që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s’dua, atë bëj.

20 Edhe, në qoftë se bëj atë që nuk dua, s’jam më vetë ai që e bëj, por është mëkati që banon në mua.

21 Unë, pra, po zbuloj këtë ligj: duke dashur të bëj të mirën, e keqja gjindet në mua.

22 Në fakt unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm,

23 por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia.

24 Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?

25 I falem nderit Perëndisë me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë. Unë vetë, pra, me mendjen, i shërbej ligjit të Perëndisë, por, me mishin ligjit të mëkatit.

Gjoni 6:16-27

16 Kur u ngrys, dishepujt e tij zbritën drejt detit.

17 Hipën në barkë dhe shkuan përtej detit, drejt Kapernaumit; tashmë ishte errët dhe Jezusi ende nuk kishte ardhur tek ata.

18 Deti ishte i trazuar, sepse frynte një erë e fortë.

19 Dhe pasi kishin vozitur rreth njëzet e pesë ose tridhjetë stade, panë Jezusin që po ecte mbi det dhe po i afrohej barkës dhe patën frikë.

20 Por ai u tha atyre: “Jam unë, mos druani!.”

21 Ata, pra, deshnin ta merrnin në barkë, dhe menjëherë barka u bregëzua në atë vend ku ishin drejtuar.

22 Të nesërmen turma, që kishte mbetur në bregun tjetër të detit, pa se atje nuk kishte tjetër përveç një barke të vogël, në të cilën kishin hipur dishepujt e Jezusit, dhe që ai nuk kishte hipur me ta, dhe që dishepujt e tij ishin nisur vetëm;

23 ndërkaq kishin ardhur barka të tjera nga Tiberiada, afër vendit ku kishin ngrënë bukë, pasi Zoti kishte falënderuar.

24 Turma, kur pa se Jezusi nuk ishte më atje dhe as dishepujt e tij, hipi edhe ajo nëpër barka dhe erdhi në Kapernaum, duke kërkuar Jezusin.

25 Kur e gjetën përtej detit i thanë: “Mësues, kur erdhe këtu?”

26 Jezusi u përgjigj dhe tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se ju më kërkoni jo pse patë shenja, por sepse keni ngrënë nga bukët dhe keni qenë të ngopur.

27 Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet për jetë të përjetshme, të cilin do t’jua japë Biri i njëriut, sepse mbi të Ati, domethënë Perëndia, vuri vulën e tij.”