Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 120-127

120 Në ankthin tim i klitha Zotit, dhe ai m’u përgjigj.

O Zot, më çliro nga buzët gënjeshtare dhe nga gjuha mashtruese.

Çfarë do të të japin ose çfarë do të të shtojnë, o gjuhë gënjeshtare?

Shigjeta të mprehta të një trimi, me qymyr dëllinje.

I mjeri unë, që banoj në Meshek dhe që strehohem në çadrat e Kedarit!

Tepër gjatë kam banuar me ata që e urrejnë paqen.

Unë jam për paqen; ata përkundrazi, kur unë flas, janë për luftën.

121 Unë i ngre sytë nga malet; nga do të më vijë ndihma?

Ndihma me vjen nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.

Ai nuk do të lejojë që të të merren këmbët, ai që të mbron nuk do të dremitë.

Ja, ai që mbron Izraelin nuk dremit dhe nuk fle.

Zoti është ai që të mbron, Zoti është hija jote, ai ndodhet në të djathtën tënde.

Dielli nuk ka për të të goditur ditën, as hëna natën.

Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe; ai do të ruajë jetën tënde.

Zoti do të ruajë daljet dhe hyrjet e tua, tani dhe përjetë.

122 U gëzova kur më thanë: "Shkojmë në shtëpinë e Zotit".

Këmbët tona u ndalën brenda portave të tua, o Jeruzalem.

Jeruzalemi është ndërtuar si një qytet i bashkuar mirë,

ku ngjiten fiset, fiset e Zotit, për të kremtuar emrin e Zotit.

Sepse aty janë vënë fronet për gjykimin, fronet e shtëpisë së Davidit.

Lutuni për paqen e Jeruzalemit, le të begatohen ata që të duan.

Pastë paqe brenda mureve të tua dhe begati në pallatet e tua.

Për hir të vëllezërve të mi dhe të miqve të mi tani do të them: "Paqja qoftë te ti".

Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë, unë do të kërkoj të mirën tënde.

123 Drejt teje i ngre sytë e mi, drejt teje që je ulur në qiejtë.

Ja, ashtu si sytë e shërbëtorëve drejtohen te dora e zotërve të tyre dhe sytë e shërbëtores te dora e zonjës së saj, kështu sytë tona drejtohen te Zoti, Perëndia ynë deri sa ai të ketë mëshirë për ne.

Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, sepse jemi velur jashtë mase me përçmimin.

Shpirti ynë është velur jashtë mase me talljen e arrogantëve dhe me përçmimin e krenarëve.

124 Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë, le të thotë Izraeli:

"Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë, kur njerëzit u ngritën kundër nesh,

ata do të na kishin përpirë të gjallë, aq shumë shpërtheu zëmërimi i tyre kundër nesh;

atëherë ujërat do të na kishin mbuluar dhe përroi do të kishte kaluar mbi ne,

atëherë ujërat e fryra do të kishin kaluar mbi ne".

Bekuar qoftë Zoti, që nuk na la si pre të dhëmbëve të tyre.

Shpirti ynë shpëtoi si zogu nga laku i gjuetarit; laku u këput dhe ne shpëtuam.

Ndihma jonë është te emri i Zotit, që ka krijuar qiejtë dhe tokën.

125 Ata që kanë besim tek Zoti janë si mali i Sionit, që nuk mund të lëvizet, por qëndron përjetë.

Ashtu si Jeruzalemi është rrethuar nga male, kështu Zoti rri përreth popullit të tij, tani dhe përjetë.

Sepse skeptri i të pabesëve nuk do të pushojë përjetë mbi trashëgiminë e të drejtëve, që të drejtët të mos i shtyjnë duart e tyre për të bërë të keqen.

O Zot, bëju të mirë njerëzve të mirë dhe atyre që kanë zemër të ndershme.

Por ata që ndjekin rrugë dredha-dredha, Zoti do t’i bëjë që të ecin bashkë me ata që bëjnë paudhësi. Paqja qoftë mbi Izrael.

126 Kur Zoti i bëri robërit e Sionit të kthehen, na u duk si ëndërr.

Atëherë goja jonë u mbush me qeshje dhe gjuha jonë me këngë gëzimi, atëherë thuhej midis kombeve: "Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ta".

Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne, dhe jemi tërë gëzim.

Bëj të rikthehen robërit tanë, o Zot, ashtu si përrenjtë në jug.

Ata që mbjellin me lotë, do të korrin me këngë gëzimi.

Vërtetë ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet më këngë gëzimi duke sjellë duajt e tij.

127 Në qoftë se Zoti nuk ndërton shtëpinë, me kot lodhen ndërtuesit; në qoftë se Zoti nuk ruan qytetin, më kot e ruanë rojet.

Éshtë e kotë që ju të çoheni herët dhe të shkoni vonë për të pushuar dhe për të ngrënë bukën e nxjerrë me punë të rëndë, sepse ai u jep pushim atyre që do.

Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti; fryti i barkut është një shpërblim.

Si shigjeta në duart e një trimi, kështu janë bijtë e rinisë.

Lum ai njeri që ka kukurën e tij plot! Ata nuk do të ngatërrohen kur të diskutojnë me armiqtë e tyre te porta.

Jeremia 25:8-17

Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive: Duke qenë se nuk keni dëgjuar fjalët e mia;

ja, unë do të dërgoj të marr tërë kombet e veriut," thotë Zoti, "dhe Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, shërbyesin tim, dhe do t’i sjell kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, kundër tërë kombeve rreth e qark dhe do të caktoj shfarosjen e tyre dhe do t’i bëj objekt habie, talljeje dhe pikëllimi të përhershëm.

10 Do të bëj të heshtin në mes tyre britmat e gëzimit dhe të kënaqësisë, zëri i dhëndrit dhe ai i nuses, zhurma e mokrës dhe drita e llambës.

11 Tërë ky vend do të bëhet një shkreti dhe një objekt habie dhe këta kombe do t’i shërbejnë mbretit të Babilonisë shtatëdhjetë vjet me radhë".

12 "Po kur të mbushen shtatëdhjetë vjet, unë do ta dënoj mbretin e Babilonisë dhe atë komb, vendin e Kaldeasve," thotë Zoti, "për shkak të paudhësisë së tyre, dhe do ta katandis në një shkretim të përjetshëm.

13 Kështu do të sjell në këtë vend tërë gjërat që kam shpallur kundër tij, tërë gjërat që janë shkruar në këtë libër dhe që Jeremia ka profetizuar kundër të gjitha kombeve.

14 Në fakt shumë kombe dhe mbretër të fuqishëm do t’i kthejnë në robëri vetë Kaldeasit dhe unë do t’i shpërblej sipas veprimeve të tyre dhe sipas veprës së duarve të tyre".

15 Sepse kështu më ka thënë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Merr nga dora ime këtë kupë vere të zemërimit tim dhe bëj që të pinë tërë kombet te të cilët do të të dërgoj.

16 Ata do të pinë, do t’u merren këmbët dhe do të çmenden për shkak të shpatës që do të dërgoj në mes të tyre.

17 Atëherë mora kupën nga dora e Zotit dhe bëra që ta pinë tërë kombet pranë të cilëve më kishte dërguar Zoti:

Romakëve 10:1-13

10 Vëllezër, dëshira e zemrës sime dhe lutja që i drejtoj Perëndisë për Izraelin është për shpëtim të tij.

Sepse unë dëshmoj për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë.

Sepse duke mos njohur drejtësinë e Perëndisë dhe duke kërkuar të vendosin drejtësinë e vet, nuk iu nënshtruan drejtësisë së Perëndisë,

sepse përfundimi i ligjit është Krishti, për shfajësimin e kujtdo që beson.

Sepse Moisiu kështu e përshkruan drejtësinë që vjen nga ligji: “Njeriu që bën këto gjëra, do të rrojë me anë të tyre.”

Por drejtësia që vjen nga besimi thotë kështu: “Mos thuaj në zemrën tënde: “Kush do të ngjitet në qiell?.” Kjo do të thotë që të zbresë Krishti.

Ose: “Kush do të zbresë në humnerë?.” Kjo do të thotë që të sjellë lart Krishtin prej së vdekurish.

Po ç’thotë, pra? “Fjala është pranë teje, në gojën tënde dhe në zemrën tënde.” Kjo është fjala e besimit, që ne predikojmë;

sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh.

10 Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim,

11 sepse Shkrimi thotë: “Kushdo që beson në të, nuk do të turpërohet.”

12 Sepse nuk ka dallim në mes Judeut dhe Grekut, sepse një i vetëm është Perëndia i të gjithëve, i pasur ndaj të gjithë atyre që e thërrasin.

13 Në fakt: “Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet.”

Gjoni 9:18-41

18 Por Judenjtë nuk besuan se ai kishte qenë i verbër dhe se kishte fituar dritën e syve, derisa thirrën prindërit e atij që kishte fituar dritën e syve.

19 Dhe i pyetën ata: “A është ky djali juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? Vallë si sheh tani?.”

20 Prindërit e tij, duke u përgjigjur atyre, thanë: “E dimë se ky është djali ynë dhe se ka lindur i verbër,

21 por ne nuk dimë se si sheh tani ose se kush ia ka hapur sytë; pyeteni atë; ai moshë ka, do t’ju flasë për veten e vet.”

22 Këto thanë prindërit e tij, sepse kishin frikë nga Judenjtë; sepse Judenjtë kishin vendosur që, nëse dikush do ta rrëfente Jezusin si Krishti, do të përjashtohej nga sinagoga.

23 Prandaj prindërit e tij thanë: “Moshë ka, pyeteni atë.”

24 Atëherë ata e thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër dhe i thanë: “Jepi lavdi Perëndisë; ne e dimë se ai njeri është mëkatar.”

25 Ai atëherë u përgjigj dhe tha: “Në është mëkatar, nuk e di, por di një gjë, që isha i verbër dhe tani shoh.”

26 E pyetën përsëri: “Ç’të bëri? Si t’i ka hapur sytë?.”

27 Ai u përgjigj atyre: “Unë tashmë ua kam thënë dhe ju nuk keni dëgjuar; pse doni ta dëgjoni përsëri? Doni ndoshta të bëheni edhe ju dishepuj të tij?.”

28 Por ata e fyen dhe thanë: “Ti je dishepull i tij, por ne jemi dishepuj të Moisiut!

29 Ne e dimë se Perëndia i foli Moisiut; sa për atë, nuk e dimë se nga është.”

30 Ai njeri u përgjigj dhe u tha atyre: “E pra, është e çuditshme që ju të mos dini nga është ai; megjithatë ai m’i hapi sytë!

31 Dhe ne e dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por nëse dikush është i druajtshëm ndaj Perëndisë dhe bën vullnetin e tij, ai atë e dëgjon!

32 Që prej fillimit të botës nuk është dëgjuar që dikush t’ia ketë hapur sytë një të linduri të verbër.

33 Po të mos ishte ky nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë.”

34 Ata u përgjigjën dhe i thanë: “Ti ke lindur i tëri në mëkate e don të na mësosh?.” Dhe e nxorën jashtë.

35 Jezusi e mori vesh se e nxorën jashtë dhe, kur e gjeti, i tha: “A beson ti në Birin e Perëndisë?.”

36 Ai u përgjigj dhe tha: “Kush është, Zot, që unë të besoj në të?.”

37 Dhe Jezusi i tha: “Ti e ke parë; është pikërisht ai që po të flet.”

38 Atëherë ai tha: “Unë besoj, o Zot”; dhe e adhuroi.

39 Pastaj Jezusi tha: “Unë kam ardhur në këtë botë për të bërë një gjyq, që ata që nuk shohin të shohin dhe ata që shohin të verbohen.”

40 Disa nga farisenjtë që ishin me të i dëgjuan këto gjëra dhe i thanë: “Jemi të verbër edhe ne?.”

41 Jezusi u përgjigj atyre: “Po të ishit të verbër, nuk do të kishit asnjë mëkat; por tani thoni: "Ne shohim," prandaj mëkati juaj mbetet.”