Book of Common Prayer
118 Kremtojeni Zotin sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Po, Izraeli le të thotë tani: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
3 Po, tani shtëpia e Aaronit le të thotë: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
4 Po, le të thonë tani ata që kanë frikë nga Zoti: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
5 Në ankth kërkova Zotin, dhe Zoti m’u përgjigj dhe më çoi larg.
6 Zoti është për mua; unë nuk do të kem fare frikë; çfarë mund të më bëjë njeriu?
7 Zoti është për mua nga ata që më ndihmojnë, dhe unë do t’i shikoj triumfues armiqtë e mi.
8 Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’i kesh besim njeriut.
9 Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’u kesh besim princave.
10 Tërë kombet më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t’i zhduk ato.
11 Më kishin rrethuar, po, më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj.
12 Më kishin rrethuar si bleta, por u shuan si zjarr ferrishtash; në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj.
13 Ti më kishe shtyrë me dhunë për të më rrëzuar, por Zoti më ndihmoi.
14 Zoti është forca ime dhe kënga ime, ai ka qenë shpëtimi im.
15 Një britmë gëzimi dhe fitoreje jehon në çadrat e të drejtëve; dora e djathtë e Zotit bën çudi.
16 E djathta e Zotit u ngrit; e djathta e Zotit bën çudi.
17 Unë nuk do të vdes, por do të jetoj dhe do të tregoj veprat e Zotit.
18 Zoti më ka ndëshkuar rëndë, por nuk më ka lënë në dorë të vdekjes.
19 Më hapni portat e drejtësisë; unë do të hyj dhe do të kremtoj Zotin.
20 Kjo është porta e Zotit, të drejtët do të kalojnë nëpër të.
21 Unë do të të kremtoj, sepse më je përgjigjur dhe ke qenë shpëtimi im.
22 Guri, që ndërtuesit kishin hedhur, u bë guri i qoshes.
23 Kjo është vepër e Zotit, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tona.
24 Kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe të ngazëllojmë në të.
25 O Zot, na ndihmo tani; o Zot, bëj që tani të kemi mbarësi.
26 I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit; ne ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
27 Zoti është Perëndia dhe ka bërë që mbi ne të shkëlqejë drita e tij; lidheni viktimën e flijimit në brirët e altarit.
28 Ti je Perëndia im, unë do të të kremtoj; ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj.
29 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
145 Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im, dhe do të bekoj emrin tënd përjetë.
2 Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë.
3 Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme.
4 Një brez do t’i shpallë lëvdimet e veprave të tua tjetrit dhe do t’i njoftojë mrekullitë e tua.
5 Do të mendohem thellë mbi shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe mbi veprat e tua të mrekullueshme.
6 Këto do të flasin për fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, dhe unë do të tregoj madhështinë tënde.
7 Ata do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe dhe do të këndojnë me gëzim drejtësinë tënde.
8 Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.
9 Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij.
10 Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot, dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë.
11 Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde,
12 për t’u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate.
13 Mbretëria jote është një mbretëri përjet dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.
14 Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar.
15 Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje duke pritur, dhe ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur.
16 Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qënieje të gjallë.
17 Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij.
18 Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë.
19 Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton.
20 Zoti mbron të gjithë ata që e duan dhe do të shkatërrojë të gjithë të pabesët.
21 Goja ime do të tregojë lëvdimin e Zotit, dhe çdo qënie do të bekojë emrin e tij të shenjtë përjetë.
16 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Mos dëgjoni fjalët e profetëve që ju bëjnë profeci. Ata ju bëjnë të këqinj; ju parashtrojnë vegimet e zemrave të tyre dhe jo atë që del nga goja e Zotit.
17 U flasin vazhdimisht atyre që më përbuzin: "Zoti ka thënë: Do të keni paqe"; dhe gjithë atyre që ecin në kryeneçësinë e zemrës së tyre: "Asnjë e keqe nuk do t’ju vijë".
18 Por kush ka marrë pjesë në këshillën e Zotit? Kush ka parë, kush ka dëgjuar fjalën e tij? Kush i ka kushtuar kujdes fjalës së tij dhe e ka dëgjuar?
19 Ja furtuna e Zotit po shpërthen me tërbim, një furtunë e tmerrshme do të shpërthejë mbi kryet e të pabesëve.
20 Zemërimi i Zotit nuk do të qetësohet deri sa të ketë kryer dhe plotësuar synimet e zemrës së tij; ditët e fundit do të kuptoni fare mirë.
21 Unë nuk i kam dërguar ata profetë; por ata kanë vrapuar; nuk u kam folur atyre, por ata kanë profetizuar.
22 Por, sikur të kishin marrë pjesë në këshillën time, atëherë do të bënin që populli im të dëgjonte fjalët e mia, dhe kështu do ta largonin nga rruga e tyre e keqe dhe nga ligësia e veprimeve të tyre.
23 A jam unë vetëm një Perëndi nga afër," thotë Zoti, "apo dhe një Perëndi nga larg?
24 A mundet dikush të fshihet në vende të fshehta në mënyrë që unë të mos e shoh?," thotë Zoti. "A nuk e mbush unë qiellin dhe tokën?," thotë Zoti.
25 "Kam dëgjuar atë që thonë profetët që profetizojnë gënjeshtra në emrin tim, duke thënë: "Pashë një ëndërr, pashë një ëndërr!".
26 Deri kur do të vazhdojë kjo në zemrën e këtyre profetëve që profetizojnë gënjeshtra dhe profetizojnë mashtrimin e zemrës së tyre?
27 Ata mendojnë që populli im do të harrojë emrin tim me ëndrrat e tyre që i tregojnë njëri-tjetrit, ashtu si etërit e tyre harruan emrin tim për Baalin.
28 Profeti që pa një ëndërr le ta tregojë ëndrrën, por ai që ka fjalën time le ta kallëzojë atë me besnikëri. Ç’punë ka kashta me grurin?," thotë Zoti.
29 "A nuk është fjala ime si zjarri?," thotë Zoti, "dhe si një çekiç që thyen gurin?
30 Prandaj ja," thotë Zoti, "unë jam kundër profetëve që i vjedhin njëri-tjetrit fjalët e mia.
31 Ja," thotë Zoti, "unë jam kundër profetëve që përdorin gjuhën e tyre dhe thonë: "Ai thotë".
32 Ja, unë jam kundër atyre që profetizojnë ëndrra të rreme," thotë Zoti, dhe ia tregojnë popullit tim dhe e prishin atë me gënjeshtrat dhe mee mburrësitë e tyre, megjithëse unë nuk i kam dërguar dhe as nuk u kam dhënë ndonjë urdhër; prandaj nuk do të jenë aspak të vlefshëm për këtë popull," thotë Zoti.
19 Sepse, ndonëse jam i liruar nga të gjithë, e bëra vetën time shërbëtor të të gjithëve që të fitoj sa më shumë njerëz.
20 Kështu e kam bërë vetën time Jude me Judenjtë për t’i fituar Judenjtë; e kam bërë veten time si një që është nën ligj me ata që janë nën ligj për t’i fituar ata që janë nën ligj;
21 me ata që janë pa ligj e kam bërë veten time si pa ligj (ndonëse nuk isha pa ligjin e Zotit, por nën ligjin e Krishtit), për të fituar ata që janë pa ligj.
22 E kam bërë veten time të dobët me të dobëtit, për të fituar të dobëtit; e kam bërë veten time gjithçka për të gjithë, që të mund të shpëtoj me çdo mënyrë disa njerëz.
23 Dhe këtë e bëj për hir të ungjillit, që të bëhem edhe unë pjestar i tij.
24 A nuk e dini se ata që vrapojnë në pistë, vërtetë vrapojnë të gjithë, por vetëm një e fiton çmimin? Vraponi në mënyrë që ta merrni.
25 Dhe kushdo që merr pjesë në garë kontrollon veten në të gjitha; dhe ata e bëjnë këtë për të marrë një kurorë që prishet, kurse ne për një kurorë që nuk prishet.
26 Unë, pra, vrapoj, por jo sikur jam i pasigurt; kështu luftoj, por jo sikur rrah erën;
27 madje e mundoj trupin tim dhe e nënshtroj, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të bëhem për t’u përjashtuar.
31 Pastaj nisi t’u mësojë atyre se Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, do të hidhet poshtë nga pleqtë, nga krerët e priftërinjve dhe nga skribët; se do të vritet dhe pas tri ditësh do të ringjallet.
32 Dhe ai i tha këto gjëra haptas. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortojë.
33 Por ai u kthye, shikoi dishepujt e vet dhe e qortoi Pjetrin, duke thënë: “Largohu nga unë, Satana, se ti nuk ke shqisën për gjërat e Perëndisë, por për gjërat e njerëzve!.”
34 Pastaj e thirri pranë vetes turmën me dishepujt e vet dhe iu tha: “Kushdo që don të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë,
35 sepse ai që don të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë.
36 Ç’dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet?
37 Ose çfarë mund të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet?
38 Sepse kujtdo që do t’i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut, kur të arrijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë.”
9 Pastaj u tha atyre: “Në të vërtetë ju them se midis jush që jeni këtu ka disa që nuk do ta shijojnë vdekjen para se të shohin të vijë me fuqi mbretëria e Perëndisë.”