Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 107:33-108:13

33 Ai i shndërroni lumenjtë në shkretëtirë dhe burimet e ujit në vende të thata;

34 tokën pjellore në vend të thatë për shkak të sjelljes së keqe të banorëve të saj.

35 Ai e shndërron shkretëtirën në liqen dhe tokën e thatë në burime uji.

36 Atje ai strehon të uriturit, dhe këta ndërtojnë një qytet për të banuar,

37 mbjellin arat dhe kultivojnë vreshta që prodhojnë një korrje të bollshme.

38 Ai i bekon dhe ata shumëzohen fort, dhe ai nuk e pakëson bagëtinë e tyre.

39 Por pastaj pakësohen në një numër të vogël dhe dobësohen për shkak të shtypjes, të fatkeqësisë dhe të ankthit.

40 Ai hedh përbuzjen mbi princat dhe i bën që të enden nëpër vende të shkreta, ku nuk ekziston asnjë rrugë.

41 Por e ngre nevojtarin nga varfëria dhe i shton familjet e tyre si një kope.

42 Njerëzit e drejtë e shohin këtë dhe kënaqen, por tërë njerëzit e këqij e mbajnë gojën të mbyllur.

43 Ai që është i urtë le t’i këqyrë këto gjëra dhe le të çmojë mirësinë e Zotit.

108 Zemra ime është e prirur për mirë, o Perëndi, unë do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e tua me gjithë forcën time.

Zgjohuni, o harpa dhe qeste, unë dua të zgjoj agimin.

Unë do të të kremtoj midis popujve, o Zot, dhe do të këndoj lëvdimet e tua midis kombeve.

Sepse mirësia jote është e madhe, arrin deri mbi qiejtë, dhe e vërteta jote deri te retë.

Qofsh i përlëvduar, o Perëndi, përmbi qiejtë dhe lavdia jote shkëlqeftë mbi gjithë tokën,

me qëllim që të dashurit e tu të çlirohen; shpëtomë me të djathtën tënde dhe përgjigjmu.

Perëndia ka folur në shenjtërinë e tij: "Unë do të triumfoj, do ta ndaj Sikemin dhe do të mas luginën e Sukothit.

Imi është Galaadi, imi është Manasi, Efraimi është forca e kokës sime, Juda është ligjvënësi im;

Moabi është legeni ku unë lahem; mbi Edomin do të hedh sandalen time, mbi Filisti do të dërgoj britma triumfi".

10 Kush do të më çojë në qytetin e fortë? Kush do të më çojë deri në Edom?

11 A nuk je ti, o Perëndi, që na ke kthyer, dhe nuk del më, o Perëndi, me ushtritë tona?

12 Na ndihmo ti kundër kundërshtarëve, sepse ndihma e njeriut është e kotë.

13 Me Perëndinë do të kryejmë trimëri, dhe do të jetë ai që do t’i shtypë armiqtë tanë.

Psalmet 33

33 Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti; lëvdimi u shkon për shtat njerëzve të drejtë.

Kremtojeni Zotin me qeste; këndojini atij me harpën me dhjetë tela.

Këndojini një kantik të ri, bjerini me mjeshtëri veglës dhe brohoritni.

Sepse fjala e Zotit është e drejtë dhe të gjithë veprat e tij janë bërë me saktësi.

Ai e do drejtësinë dhe barazinë; toka është e mbushur nga mirësitë e Zotit.

Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij.

Ai mblodhi ujërat në një tog dhe vendosi thellësitë e tyre të mëdha si rezervuare.

Tërë toka le të ketë frikë nga Zoti dhe le të dridhen para tij tërë banorët e botës.

Sepse ai foli dhe gjëja u bë; ai udhëroi dhe gjëja u shfaq.

10 Zoti e bën të dështojë planin e kombeve dhe asgjeson synimet e popujve.

11 Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez.

12 Lum ai komb që ka Perëndinë Zotin; lum populli që ai ka zgjedhur për trashëgim të tij.

13 Zoti shikon nga qielli; ai shikon tërë bijtë e njerëzve.

14 Nga vendi i banimit të tij ai këqyr tërë banorët e tokës.

15 Ai e ka formuar zemrën e të gjithëve, që kupton tërë veprat e tyre.

16 Mbreti nuk shpëtohet nga një ushtri e madhe; trimi nuk shpëton për shkak të forcës së tij të madhe.

17 Kali është një shpresë e kotë shpëtimi, dhe me forcën e tij të madhe nuk mund të shpëtojë asnjeri nga rreziku.

18 Ja, syri i Zotit është mbi ata që kanë frikë para tij, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,

19 për ta çliruar shpirtin e tyre nga vdekja dhe për t’i mbajtur të gjallë në kohë urie.

20 Shpirti ynë pret Zotin; ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë.

21 Po, zemra jonë do të gëzohet tek ai, sepse kemi besim, në emrin e tij të shenjtë.

22 Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sepse kemi pasur shpresë te ti.

Jeremia 23:9-15

Zemra ime është thyer brenda meje për shkak të profetëve, tërë kockat e mia dridhen. Jam si një i dehur, si një njeri i mposhtur nga vera, për shkak të Zotit dhe fjalëve të tij të shenjta.

10 Sepse vendi është plot me shkelës të kurorës, për shkak të mallkimit vendi është në zi, kullotat e shkretëtirës janë tharë. Vrapi i tyre është i mbrapshtë dhe forca e tyre nuk është e drejtë.

11 "Si prifti ashtu edhe profeti janë prishur; po, e kam gjetur ligësinë e tyre edhe në vetë shtëpinë time," thotë Zoti.

12 "Prandaj rruga e tyre do të jetë për ta si shtigje ku njeriu shket; do të shtyhen në errësirë dhe do të rrëzohen nëpër to, sepse do të bëj që të bjerë mbi ta një gjëmë, në vitin e dënimit të tyre," thotë Zoti.

13 "Kam vërejtur budallallëqe midis profetëve të Samarias: profetizonin në emër të Baalit dhe e çonin në rrugë të keqe popullin tim të Izraelit.

14 Edhe ndërmjet profetëve të Jeruzalemit kam parë gjëra të ndyra: kryejnë shkelje të kurorës, ecin në mënyrë të rreme, përforcojnë duart e keqbërësve, dhe kështu asnjeri nuk largohet nga rruga e keqe që ka marrë. Për mua janë që të gjithë si Sodoma, dhe banorët e tij si Gomora".

15 Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive për profetët: "Ja, unë do t’i ushqej me pelin dhe do t’i bëj të pinë ujë të helmuar, sepse nga profetët e Jeruzalemit pabesia është përhapur në tërë vendin".

Romakëve 9:1-18

Unë them të vërtetën në Krishtin, nuk gënjej dhe jep dëshmi me mua ndërgjegja ime me anë të Frymës së Shenjtë;

kam një trishtim të madh dhe një dhembje të vazhdueshme në zemrën time.

Sepse do të doja të isha vetë i ma-llkuar, i ndarë nga Krishti, për vëllezërit e mi, për farefisin tim sipas mishit,

të cilët janë Izraelitë dhe atyre u përket birëria, lavdia, besëlidhjet, shpallja e ligjit, shërbimi hyjnor dhe premtimet;

të tyre janë edhe etërit, prej të cilëve rrjedh sipas mishit Krishti, i cili është përmbi çdo gjë Perëndi, i bekuar përjetë. Amen.

Por kjo nuk do të thotë se fjala e Perëndisë ra poshtë, sepse jo të gjithë që janë nga Izraeli janë Izrael.

As sepse janë pasardhës e Abrahamit janë të gjithë bij; por: “Në Isakun do të quhet pasardhja jote.”

Do të thotë: nuk janë bijtë e Perëndisë ata që lindin prej mishi, por vetëm bijtë e premtimit numërohen si pasardhës.

Sepse kjo është fjala e premtimit: “Në këtë kohë do të vij dhe Sara do të ketë një bir.”

10 Dhe jo vetëm kaq, por edhe Rebeka mbeti shtatzënë nga një njeri i vetëm, Isakun, atin tonë,

11 (sepse para se t’i lindnin fëmijët dhe para se të bënin ndonjë të mirë a të keqe, që të mbetej i patundur propozimi i Perëndisë për të zgjedhur jo sipas veprave, po prej atij që thërret),

12 iu tha asaj: “Më i madhi do t’i shërbejë më të voglit,”

13 siç është shkruar: “E desha Jakobin dhe e urreva Ezaun.”

14 Çfarë të themi, pra? Mos ka padrejtësi te Perëndia? Aspak!

15 Ai i thotë në fakt Moisiut: “Do të kem mëshirë për atë që të kem mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem dhembshuri.”

16 Kështu, pra, kjo nuk varet as prej atij që do, as prej atij që vrapon, por nga Perëndia që shfaq mëshirë.

17 Sepse Shkrimi i thotë Faraonit: “Pikërisht për këtë gjë të ngrita, që të tregoj te ti fuqinë time dhe që të shpallet emri im mbi mbarë dheun.”

18 Kështu ai ka mëshirë për atë që do dhe e ngurtëson atë që do.

Gjoni 6:60-71

60 Kur i dëgjuan këto, shumë nga dishepujt e tij thanë: “Kjo e folur është e rëndë, kush mund ta kuptojë?.”

61 Por Jezusi, duke e ditur në vetvete se dishepujt e vet po murmurisnin për këtë, u tha atyre: “Kjo ju skandalizon?

62 Ç’do të ishte po ta shihnit, pra, Birin e njeriut duke u ngjitur atje ku ishte më parë?

63 Éshtë Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë; fjalët që po ju them janë frymë dhe jetë.

64 Por janë disa midis jush që nuk besojnë”; në fakt Jezusi e dinte që në fillim kush ishin ata që nuk besonin, dhe kush ishte ai që do ta tradhtonte;

65 dhe thoshte: “Për këtë arsye ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë nga Ati im.”

66 Që nga ai moment shumë nga dishepujt e vet u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të.

67 Atëherë Jezusi u tha të dymbëdhjetëve: “A doni edhe ju të largoheni?.”

68 Dhe Simon Pjetri iu përgjigj: “Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.

69 Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë.”

70 Jezusi u përgjigj atyre: “A nuk ju kam zgjedhur unë ju të dymbëdhjetët? E një prej jush është një djall.”

71 Por ai fliste për Judë Iskariotin, birin e Simonit, sepse ky kishte për ta tradhtuar, ndonëse ishte një nga të dymbëdhjetët.