Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 31

31 Gjeta strehë te ti, o Zot; bëj që unë të mos ngatërrohem kurrë; çliromë për drejtësinë tënde.

Ma vër veshin, nxito të më çlirosh; bëhu për mua një kështjellë e fortë dhe një vend i fortifikuar që të më shpëtosh.

Sepse ti je kështjella ime dhe kalaja ime; për hir të emrit tënd më udhëhiq dhe tregomë udhën.

Nxirrmë jashtë rrjetës që më kanë ngritur fshehurazi, sepse ti je kështjella ime.

Në duart e tua unë e besoj frymën time; ti më shpengove, o Zot, Perëndi e së vërtetës.

Unë i urrej ata që kanë dëshirë për t’u dukur, por kam besim te Zoti.

Unë do të ngazëlloj dhe do të kënaqem me mirësinë tënde, sepse ti ke parë pikëllimin tim dhe i ke kuptuar ankthet e shpirtit tim,

dhe nuk më dorëzove në duart e armikut, por m’i vure këmbët në një vend të gjerë.

Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse jam me ankth; syri im, shpirti im dhe të përbrendshmet e mia po treten nga dhembja,

10 sepse jeta ime po mpaket nga pikëllimi dhe vitet e mia nga të qarat; forca ime po mpaket për shkak të mëkatit tim dhe kockat e mia po treten.

11 Jam bërë një turp për tërë armiqtë e mi, veçanërisht për të afërmit e mi dhe një tmer për të njohurit e mi; ata që më shohin rrugës, ikin larg meje.

12 Zemra e tyre më ka harruar si të isha një njeri i vdekur; i përngjaj një vazoje të thyer.

13 Sepse dëgjoi shpifjet e shumë njerëzve; rreth e qark sundon tmerri, ndërsa ata këshillohen midis tyre kundër meje dhe kurdisin komplote për të më zhdukur.

14 Por unë kam besim te ti, o Zot; kam thënë: "Ti je Perëndia im".

15 Ditët e mia janë në dorën tëndë; çliromë nga duart e armiqve të mi dhe të atyre që më përndjekin.

16 Bëj që të shkelqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd; shpëtomë për hir të mirësisë sate.

17 O Zot, bëj që unë të mos jem i pështjelluar, pse të kam kërkuar; u pështjellofshin të pabesët dhe rënçin në heshtje në Sheol.

18 Mbeçin pa fjalë buzët gënjeshtare, që flasin pa turp kundër të drejtit, me mëndjemadhësi dhe përçmim.

19 Sa e madhe është mirësia jote që ti u rezervon atyre që kanë frikë nga ti, dhe që ti përdor në prani të bijve të njerëzve ndaj atyre që gjejnë strehë te ti!

20 Ti i fsheh në strehën e fshehtë të pranisë sate nga grackat e njerëzve, ti i ruan në një çadër të mbrojtur nga grindjet me fjalë.

21 Qoftë i bekuar Zoti, sepse më është treguar shumë dashamirës, duke më vendosur si në një vend të fortifikuar.

22 Kurse unë, në hutimin tim, thoja: "Më kanë larguar nga prania jote"; por ti dëgjove zërin e lutjeve të mia kur të klitha ty.

23 Duajeni Zotin, ju, gjithë shenjtorë të tij! Zoti i mbron besnikët dhe i shpaguan gjerësisht ata që veprojnë me kryelartësi.

24 Qofshi të fortë, mbarë ju që shpresoni tek Zoti, dhe ai do ta bëjë të patundur zemrën tuaj.

Psalmet 35

35 O Zot, përleshu me ata që përleshen me mua; lufto me ata që luftojnë kundër meje.

Merr mburojën dhe parzmoren dhe çohu të më ndihmosh.

Nxirre shtizën dhe zëru rrugën atyre që më përndjekin; thuaji shpirtit tim: "Unë jam shpëtimi yt".

Mbetshin të shushatur dhe të turpëruar ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe mbetshin të shushatur ata që kurdisin të keqen kundër meje.

U shpërndafshin si byku nga era dhe engjëlli i Zotit i dëboftë.

Qoftë rruga e tyre e errët dhe me shkarje, dhe Engjëlli i Zotit i përndjektë.

Sepse pa pasur arsye më kanë ngritur fshehurazi rrjetën e tyre; pa pasur arsye ma kanë hapur gropën.

Një shkatërrim i papritur u rëntë mbi krye, i zëntë rrjeta që kanë fshehur dhe rënçin në gropën që kanë përgatitur për shkatërimin tim.

Atëherë shpirti im do të ngazëllejë tek Zoti dhe do të gëzohet për shpëtimin e tij.

10 Të gjitha kockat e mia do të thonë: "O Zot, kush është si ti, që e çliron të mjerin nga ai që është më i fortë se ai, të mjerin dhe nevojtarin nga ai që plaçkit?".

11 Dëshmitarë të pamëshirshëm ngrihen kundër meje dhe më pyesin për gjëra për të cilat unë nuk di asgjë.

12 Të mirën e shpërblejnë me të keqen, duke e lënë kështu të pangushëlluar jetën time.

13 Megjithatë, kur ishin të sëmurë, unë vesha grathoren dhe e mundova shpirtin tim me agjerim, dhe lutesha me kokën e përkulur mbi gjoks.

14 Shkoja rreth e rrotull, sikur të ishte fjala për një shok o për vëllanë tim; shkoja fort i kërrusur nga dhembja, ashtu si një njeri që mban zi për të ëmën.

15 Por kur u pengova, ata u gëzuan dhe u mblodhën bashkë; u mblodhën kundër meje disa shpifës, të cilët nuk i njihja; më kanë shqyer pa pushim.

16 Bashkë me disa palaço zemërkatranë kërcëllijnë dhëmbët kundër meje.

17 O Zot, deri kur do të vazhdosh të shikosh? Shpëto jetën time nga shkatërrimet e kurdisura prej tyre, të vetmen pasuri që kam nga dhëmbët e luanëve.

18 Unë do të të kremtoj në kuvendin e madh, do të lavdëroj në mes të një populli të shumtë.

19 Mos u gëzofshin me mua ata që pa hak më janë bërë armiq, mos e shkelshin syrin ata që më urrejnë pa arsye,

20 sepse nuk flasin kurrë për paqe, por kurdisin mashtrime kundër njerëzve paqësorë të vendit.

21 Po, e hapin gojën e tyre kundër meje dhe thonë: "Ah, ah! E kemi parë me sytë tanë".

22 O Zot, ti i ke parë këto gjëra, mos hesht; o Zot, mos u largo nga unë.

23 Zgjohu dhe çohu, për të më siguruar drejtësi dhe për të mbrojtur çështjen time, o Perëndi dhe Zoti im.

24 Gjykomë sipas drejtësisë sate, o Zot, Perëndia im, dhe bëj ata të mos kënaqen me mua,

25 dhe të mos thonë në zemër të tyre: "Ah, pikërisht ashtu siç e donim"; dhe të mos thonë: "E gëlltitëm".

26 U turpërofshin dhe u pështjellofshin gjihë ata që gezohen nga e keqja ime; u mbulofshin me turp dhe me fyerje ata që ekzaltohen kundër meje.

27 Këndofshin dhe gëzofshin ata që kanë në zemër çështjen time të drejtë dhe thënçin vazhdimisht: "Lëvduar qoftë Zoti, që e do paqen e shërbëtorit të tij".

28 Gjuha ime do të kremojë drejtësinë tënde dhe do të këndojë lëvdimin tënd tërë ditën.

Jeremia 24

24 Zoti më tregoi dy kosha me fiq të vendosur përpara tempullit të Zotit, mbas çuarjes në robëri prej Jeruzalemit nga Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, të Jekoniahut, birit të Jehojakimit, mbret i Judës, të princave të Judës së bashku me artizanët dhe kovaçët dhe i kishte çuar në Babiloni.

Një nga koshat përmbante fiq shumë të mirë, fiq të dorës së parë, ndërsa koshi tjetër përmbante fiq shumë të këqij, aq të këqij sa nuk mund të haheshin.

Atëherë Zoti më tha: "Çfarë po shikon, Jeremia?". Unë u përgjigja: Fiqtë; fiqtë e mirë janë shumë më të mirë, ndërsa ata të këqij janë shumëë të këqij, aq të këqij sa nuk mund të hahen.

Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:

"Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit. Ashtu si këta fiq janë të mirë, kështu do të kujdesem për ata të Judës që u çuan në robëri, që unë i përzura nga ky vend në vendin e Kaldeasve për të mirën e tyre.

Unë do t’i hedh me dashamirësi sytë e mi mbi ta dhe do t’i sjell përsëri në këtë vend, do të bëj të begatohen dhe nuk do t’i shkatërroj më, do t’i mbjell dhe nuk do t’i çrrënjos më.

Do t’u jap një zemër për të më njohur mua që jam Zoti; ata do të jenë populli im dhe unë Perëndia i tyre, sepse do të kthehen tek unë me gjithë zemër.

Ashtu si këta fiq të këqij, madje aq të këqij sa nuk mund të hahen," kështu thotë Zoti, "në të njëjtën mënyrë do të braktis Sedekian, mbretin e Judës, princat e tij dhe kusurin e Jeruzalemit që do të mbetet në këtë vend dhe ata që banojnë në vendin e Egjiptit.

Do t’i braktis me qëllim që t’i trajtojnë keq dhe t’i mundojnë në të gjitha mbretëritë e tokës, dhe do të bëhen turpi, gazi, sarkazmi dhe mallkim në të gjitha vendet ku do t’i shpërndaj.

10 Do të dërgoj kundër tyre shpatën, urinë dhe murtajën, deri sa të shkatërrohen plotësisht në tokën që u kisha dhënë atyre dhe etërve të tyre".

Romakëve 9:19-33

19 Ti do të më thuash, pra: “Pse vazhdon të ankohet? Kush mund, në fakt, t’i rezistojë vullnetit të tij?.”

20 Po kush je ti, o njeri, që i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mund t’i thotë ena mjeshtrit: “Përse më bërë kështu?.”

21 A nuk ka vallë fuqi poçari mbi argjitën për të bërë nga po ai brumë një enë për nderim, edhe një tjetër për çnderim?

22 Dhe çfarë të thuash nëse Perëndia, duke dashur të tregojë zemërimin e tij dhe të bëjë të njohur pushtetin e tij duroi me shumë zemërgjërësi enët e zemërimit që qenë bërë për prishje?

23 Dhe që të bëjë të njohur pasuritë e lavdisë së tij ndaj enëve të mëshirës, të cilat i përgatiti për lavdi,

24 mbi ne, që edhe na thirri, jo vetëm nga Judenjtë, por edhe nga johebrenjtë?

25 Ashtu si thotë ai te Osea: “Unë do ta quaj popullin tim atë që s’ka qenë populli im dhe të dashur atë të mosdashurin.

26 Dhe do të ndodhë që atje ku u është thënë atyre: "Ju nuk jeni populli im," atje do të quheni bij të Perëndisë së gjallë.”

27 Por Isaia thërret për Izraelin: “Edhe sikur të ishte numri i bijve të Izraelit si rëra e detit, vetëm mbetja e tij do të shpëtohet.”

28 Në fakt ai do ta realizojë vendimin e tij me drejtësi, sepse Zoti do ta realizojë dhe do ta përshpejtojë vendimin e tij mbi tokë.

29 Dhe ashtu si profetizoi Isaia: “Në qoftë se Perëndia i ushtrive nuk do të na kishte lënë farë, do të ishim bërë si Sodoma dhe do t’i kishim ngjarë Gomorës.”

30 Çfarë të themi, pra? Se johebrenjtë, që nuk kërkuan drejtësinë, e fituan drejtësinë, por atë drejtësi që vjen nga besimi,

31 ndërsa Izraeli, që kërkonte ligjin e drejtësisë, nuk arriti në ligjin e drejtësisë.

32 Përse? Sepse e kërkonte jo me anë të besimit, por me anë të veprave të ligjit; sepse ata u penguan në gurin e pengesës,

33 ashtu siç është shkruar: “Ja, unë po vë në Sion një gur pengese dhe një shkëmb skandali, dhe kushdo që i beson atij nuk do të turpërohet.”

Gjoni 9:1-17

Kur po kalonte, pa një njeri që ishte i verbër që nga lindja.

Dhe dishepujt e tij e pyetën duke thënë: “Mësues, kush ka mëkatuar, ai apo prindërit e tij, që ai ka lindur i verbër?.”

Jezusi u përgjigj: “As ai, as prindërit e tij s’kanë mëkatuar, por kjo ndodhi që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë.

Unë duhet t’i kryej veprat e atij që më ka dërguar sa është ditë; vjen nata kur askush nuk mund të veprojë.

Derisa jam në botë, unë jam drita e botës.”

Pasi kishte thënë këto gjëra, pështyu përdhe, bëri baltë me pështymë dhe leu sytë e të verbrit me të.

Pastaj i tha: “Shko, lahu në pellgun e Siloamit” (që do të thotë: dërguar); dhe ai shkoi atje, u la dhe u kthye duke parë.

Atëherë fqinjtë dhe ata që më parë e kishin parë të verbër, thanë: “A s’është ky ai që rrinte ulur dhe lypte?.”

Disa thoshnin: “Ai është.” Të tjerë: “I përngjan atij.” Dhe ai thoshte: “Unë jam.”

10 I thanë pra: “Si të janë hapur sytë?.”

11 Ai u përgjigj dhe tha: “Një njeri, që quhet Jezus, ka bërë baltë, m’i leu sytë dhe më tha: "Shko te pellgu i Siloamit dhe lahu". Dhe unë shkova atje, u lava dhe m’u kthye drita e syve.”

12 Dhe ata i thanë: “Ku është ai?.” Ai u përgjigj: “Nuk e di.”

13 Atëherë ata e çuan te farisenjtë atë që më parë kishte qenë i verbër.

14 Dhe ishte e shtunë kur Jezusi bëri baltën dhe ia hapi sytë.

15 Edhe farisenjtë, pra, e pyesnin përsëri si e fitoi dritën e syve. Dhe ai u tha atyre: “Më vuri baltë mbi sy, u lava dhe shoh.”

16 Atëherë disa farisenj thanë: “Ky njeri nuk është nga Perëndia, sepse nuk e respekton të shtunën!.” Të tjerë thoshnin: “Si mund të kryejë shenja të tilla një njeri mëkatar?.” Dhe kishte përçarje midis tyre.

17 E pyetën, pra, përsëri të verbrin: “Po ti, ç’thua për atë për faktin që t’i ka hapur sytë?.” Ai tha: “Éshtë një profet.”