Book of Common Prayer
145 Unë bërtas me gjithë zemër; përgjigjmu, o Zot, dhe unë do të respektoj statutet e tua.
146 Unë të kërkoj; shpëtomë, dhe do të respektoj porositë e tua.
147 Unë zgjohem para agimit dhe bërtas; unë kam shpresë te fjala jote.
148 Sytë e mi paraprijnë natën për të menduar thellë fjalën tënde.
149 Dëgjo zërin tim sipas mirësisë sate; o Zot, gjallëromë sipas dekretit tënd të drejtë.
150 Kam afër vetes ata që ndjekin të keqen, por ata janë larg ligjit tënd.
151 Ti je afër, o Zot, dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta.
152 Prej shumë kohe kam mësuar urdhërimet e tua, të cilat i ke vendosur përjetë.
153 Merr parasysh pikëllimin tim dhe më çliro, sepse nuk e kam harruar ligjin tënd.
154 Mbro çështjen time dhe më shpengo; më gjallëro sipas fjalës sate.
155 Shpëtimi është larg nga të pabesët, sepse ata nuk kërkojnë statutet e tua.
156 Dhemshuritë e tua janë të mëdha, o Zot; më gjallëro sipas dekreteve të tua të drejta.
157 Persekutuesit e mi dhe armiqtë e mi janë të shumtë; por unë nuk largohem nga porositë e tua.
158 I pashë të pabesët dhe i urrej, sepse nuk respektojnë fjalën tënde.
159 Ki parasysh sa i dua urdhërimet e tua! O Zot, gjallëromë sipas mirësisë sate.
160 Shuma e fjalës sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e tua të drejta qëndrojnë përjetë.
161 Princat më përndjekin pa arësye, por zemra ime ka shumë frikë nga fjala jote.
162 Unë ndjej një gëzim të madh në fjalën tënde, ashtu si ai që gjen një plaçkë të madhe.
163 Urrej dhe s’e shoh dot me sy gënjeshtrën, por e dua ligjin tënd.
164 Të lëvdoj shtatë herë në ditë për dekretet e tua të drejta.
165 Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd, dhe nuk ka asgjë që mund t’i rrëzojë.
166 O Zot, unë shpresoj në shpëtimin tënd dhe i zbatoj në praktikë urdhërimet e tua.
167 Unë kam respektuar porositë e tua dhe i dua me të madhe.
168 Kam respektuar urdhërimet e tua dhe porositë e tua, sepse të gjitha rrugët janë para teje.
169 Le të arrijë deri te ti britma ime, o Zot; me jep mendja sipas fjalës sate.
170 Le të arrijë deri te ti lutja ime, çliromë sipas fjalës sate.
171 Buzët e mia do të përhapin lavde, me qëllim që ti të më mësosh statutet e tua.
172 Gjuha ime do të shpallë fjalën tënde, sepse tërë urdhërimet e tua janë të drejta.
173 Dora jote më ndihmoftë, sepse unë kam zgjedhur urdhërimet e tua.
174 Unë dëshiroj me zjarr shpëtimin tënd, o Zot, dhe ligji yt është gëzimi im.
175 Le të kem mundësi të jetoj që të të lëvdoj, dhe le të më ndihmojnë dekretet e tua.
176 Unë po endem si një dele e humbur. Kërko shërbëtorin tënd, sepse unë nuk i harroi urdhërimet e tua.
128 Lum kushdo që ka frikë nga Zoti dhe që ecën në rrugët tij.
2 Atëherë ti do të hash me mundin e duarve të tua, do të jesh i lumtur dhe do të gëzosh begatinë.
3 Gruaja jote do të jetë si një hardhi prodhimtare në intimitetin e shtëpisë sate, bijtë e tu si drurë ulliri rreth tryezës sate!
4 Ja, kështu do të bekohet njeriu që ka frikë nga Zoti.
5 Zoti të bekoftë nga Sioni dhe ti pafsh begatinë e Jeruzalemit tërë ditët e jetës sate.
6 Po, pafsh bijtë e bijve të tu. Paqja qoftë mbi Izraelin.
129 Shumë më kanë shtypur që në rininë time, le ta thotë Izraeli:
2 "Shumë më kanë shtypur qysh prej rinisë sime, por nuk kanë mundur të më mposhtin.
3 Lëruesit kanë lëruar mbi kurrizin tim dhe kanë bërë aty brazda të gjata".
4 Zoti është i drejtë; ai i preu litarët e të pabesëve.
5 U turpërofshin të gjithë dhe kthefshin krahët ata që urrejnë Sionin!
6 U bëfshin si bari i çative, që thahet para se të rritet;
7 nuk ia mbush dorën korrësit, as krahët atyre që lidhin duajt;
8 dhe kalimtarët mos thënçin: "Bekimi i Zotit qoftë mbi ju; ne ju bekojmë në emër të Zotit".
130 Nga vënde të thella unë të këllthas ty, o Zot.
2 O Zot, dëgjo klithmën time; veshët e tu dëgjofshin me vëmendje zërin e lutjeve të mia.
3 Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot?
4 Por te ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej teje.
5 Unë pres Zotin, shpirti im e pret; unë kam shpresë në fjalën e tij.
6 Shpirti im pret Zotin, më tepër se rojet mëngjesin; po, më tepër se rojet mëngjesin.
7 O Izrael, mbaj shpresa tek Zoti, sepse pranë tij ka dhemshuri dhe shpëtim të plotë.
8 Ai do ta çlirojë Izraelin nga të gjitha paudhësitë e tij.
30 "Prandaj profetizo kundër tyre tërë këto gjëra dhe u thuaj atyre: Zoti vrumbullon që lart dhe bën që të dëgjohet zëri i tij nga banesa e tij e shenjtë; ai do të vrumbullojë me forcë kundër vathës së tij; do të lëshojë një britmë si ata që shtrydhin rrushin kundër gjithë banorëve të tokës.
31 Zhurma do të arrijë deri në skajet e tokës, sepse Zoti ka një mosmarrëveshje me kombet, do të hyjë në gjyq me çdo mish të gjallë dhe do t’i lërë të pabesët në mëshirë të shpatës, thotë Zoti".
32 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ja, një mjerim do të kalojë nga një komb te tjetri dhe një shakullinë e madhe do të ngrihet nga skajet e tokës.
33 Atë ditë ata që janë vrarë nga Zoti do të jenë kudo, nga njëri skaj i tokës te tjetri; nuk do të qahen dhe as do të mblidhen dhe do të varrosen, por do të bëhen pleh mbi faqen e dheut.
34 Bërtisni, o barinj, klithni: rrotullohuni në pluhur, o drejtues të kopesë, sepse ditët e therjes suaj janë plotësuar, dhe do të rrëzoheni si një enë e çmuar.
35 Barinjtë nuk do të kenë asnjë mundësi të ikin, dhe rojet e kopesë asnjë rrugë shpëtimi.
36 Do të dëgjohet britma e barinjve dhe rënkimi i drejtuesve të kopesë, sepse Zoti është duke shkatërruar kullotën e tyre,
37 dhe vathët e qeta janë shkatërruar për shkak të zemërimit të madh të Zotit.
38 Ai e ka lënë si një luan i vogël strehën e tij, sepse vendi i tyre është bërë një shkretëtirë për shkak të tërbimit të shtypësit, për shkak të zemërimit të zjarrtë të Zotit".
14 Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?
15 Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar? Siç është shkruar: “Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme të mira!.”
16 Por jo të gjithë iu bindën ungjillit, sepse Isaia thotë: “O Perëndi, kush i besoi predikimit tonë?.”
17 Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë.
18 Por unë them: Mos nuk dëgjuan? Madje, “Zëri i tyre mori mbarë dheun dhe fjalët e tyre shkuan deri në skajet më të largëta të tokës.”
19 Por unë them: “Mos nuk e kuptoi Izraeli? Moisiu tha i pari: “Unë do t’ju shtie në xhelozi me një komb që s’është fare komb; do t’ju bëj të zemëroheni me anë të një kombi të marrë.”
20 Dhe Isaia me guxim thotë: “Unë u gjeta nga ata që nuk më kërkonin, unë iu shfaqa atyre që nuk pyesnin për mua.”
21 Por lidhur me Izraelin ai thotë: “Gjithë ditën i shtriva duart e mia drejt një populli të pabindur dhe kundërthënës.”
10 “Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: Ai që nuk hyn nëpër derë të vathës së deleve, por ngjitet nga një anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar;
2 kurse kush hyn nëpër derë është bariu i deleve.
3 Atij ia hap portieri; delet e dëgjojnë zërin e tij, dhe ai i thërret delet e tij me emër dhe i prin jashtë.
4 Dhe, pasi i ka nxjerrë delet e tij, shkon para tyre; dhe delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij.
5 Por nuk ndjekin asnjë të huaj, por do të ikin larg tij, sepse nuk e njohin zërin e të huajve.”
6 Jezusi u tha atyre këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk morën vesh për çfarë po u fliste.
7 Prandaj Jezusi u tha atyre përsëri: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve.
8 Të gjithë ata që erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; por delet nuk i kanë dëgjuar.
9 Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë.
10 Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk.
11 Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet.
12 Kurse rrogëtari, që nuk është bari, dhe delet nuk janë të vetat, sheh ujkun që po vjen, i braktis delet dhe ikën; dhe ujku i rrëmben dhe i shpërndan delet.
13 Rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar dhe nuk do t’ia dijë për delet.
14 Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua,
15 ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet.
16 Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t’i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm.
17 Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri.
18 Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im.”