Book of Common Prayer
49 Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me kë bërë të kem shpresa.
50 Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë.
51 Kryelartët më mbulojnë me tallje, por unë nuk largohem nga ligji yt.
52 Mbaj mend dekretet e tua të lashta, o Zot, dhe kjo më ngushëllon.
53 Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd.
54 Statutet e tua kanë qenë kantikët e mi në shtëpinë e shtegëtimit tim.
55 O Zot, unë kujtoj emrin tënd natën dhe respektoj ligjin tënd.
56 Kjo ndodh sepse respektoj urdhërimet e tua.
57 Ti je pjesa ime, o Zot, kam premtuar të respektoj fjalët e tua.
58 Të jam lutur shumë, me gjihë zemër; ki mëshirë për mua sipas fjalës sate.
59 Kam shqyrtuar rrugët e mia dhe i kam kthyer hapat e mia ndaj urdhërave të tua.
60 Pa asnjë mëdyshje nxitova të respektoj urdhërimet e tua.
61 Litarët e të pabesëve më kanë mbështjellë, por unë nuk e kam harruar ligjin tënd.
62 Në mes të natës ngrihem që të të kremtoj, për shkak të dekreteve të tua të drejta.
63 Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua.
64 O Zot, toka është e mbushur me mirësinë tënde; më mëso statutet e tua.
65 Ti i ke bërë të mira shërbëtorit tënd, o Zot, sipas fjalës sate.
66 Më mëso të gjykoj drejt dhe të kem njohje, sepse u besoj urdhërimeve të tua.
67 Para se të pikëllohem endesha sa andej e këndej, por tani ndjek fjalën tënde.
68 Ti je i mirë dhe bën të mira; më mëso statutet e tua.
69 Kryelartët kanë trilluar kundër meje, por unë do të respektoj urdhërimet e tua me gjithë zemër.
70 Zemra e tyre është e pandjeshme si dhjami; por unë kënaqem me ligjin tënd.
71 Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua.
72 Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi.
49 Dëgjoni gjithë popujt, vini veshin, o banorë të botës,
2 qofshin njerëz të popullit dhe fisnikë, të pasur dhe të varfër tok.
3 Nga goja ime do të dalin fjalë diturie dhe kredhja në mendime e zemrës sime do të sjellë mirëkuptim.
4 Unë do ta ndjek një proverb, do ta paraqes enigmën time me harpë.
5 Pse duhet të kem frikë nga ditët e fatkeqësisë, kur më rrethon ligësia e kundërshtarëve të mi,
6 ata që kanë besim në pasuritë e tyre dhe mburren me bollëkun e pasurisë së tyre?
7 Asnjeri nuk mund të shpengojë kurrsesi vëllanë e tij, as t’i japë Perëndisë çmimin e shpengimit të tij,
8 sepse shpengimi i shpirtit të tij është shumë i shtrenjtë, dhe çmimi i saj nuk do të mjaftonte kurrë,
9 për të bërë që ai të jetojë përjetë dhe të mos shohë gropën.
10 Në fakt të gjithë shohin që njerëzit e urtë vdesin dhe që po në atë mënyrë vdesin njerëzit e pamend a mendjeshkurtër, duke ua lënë të tjerëve pasuritë e tyre.
11 Me mendjen e tyre ata pandehin se shtëpitë e tyre do të qëndrojnë për gjithnjë, që banesat e tyre janë të përjetshme; dhe kështu u vënë tokave emrin e tyre.
12 Megjithatë edhe njeriu që jeton në mes të pasurive nuk e ka të gjatë; ai është njëlloj si kafshët që mbarojnë.
13 Kjo është sjellja e njerëzve pa mend dhe e atyre që u shkojnë dhe miratojnë fjalimet e tyre. (Sela)
14 Shtyhen si dele në drejtim të Sheolit; vdekja do t’i përpijë dhe në mëngjes njerëzit e drejtë do të sundojnë mbi ta. Luksi i tyre do të marrë fund në Sheol, larg banesës së tyre.
15 Por Perëndia im do ta shpengojë shpirtin tim nga pushteti i Sheolit, sepse ai do të më pranojë. (Sela)
16 Mos kij frikë kur dikush pasurohet, kur lavdia e shtëpisë së tij rritet,
17 sepse kur do të vdesë, nuk do të marrë asgjë me vete; lavdia e tij nuk do të zbresë pas tij.
18 Edhe në se në jetë e ndjente veten të lumtur (në fakt njerëzia të lavdëron kur pasurohesh),
19 ai do të arrijë brezin e etërve të tij, që nuk do ta shohin kurrë më dritën.
20 Njeriu që jeton në mes të pasurive pa pasur gjykim është njëlloj si kafshët që zhduken.
53 Njeriu i pamend në zemër të vet ka thënë: "Perëndi nuk ka". Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; s’ka njeri që të bëjë të mirën.
2 Perëndia shikon nga qielli bijtë e njerëzve, për të parë në se ndonjë prej tyre ka mend dhe kërkon Perëndinë.
3 Të gjithë janë shmangur, të gjithë janë prishur; nuk ka njeri që të bëjë të mirën, as edhe një.
4 Nuk kanë asnjë dije këta veprues të paudhësisë që gllabërojnë popullin tim sikur të hanin bukë, dhe nuk kërkojnë Perëndinë?
5 Sepse i ka zënë një frikë e madhe, aty kur nuk kishte arsye për frikë, sepse Perëndia i ka shpërndarë eshtrat e atyre që ngrihen kundër teje. Ti e mbulove me turp, sepse Perëndia i ka hedhur poshtë.
6 Kush do të dërgojë nga Sioni shpëtimin e Izraelit? Kur Perëndia do të rivendosë fatin e popullit të tij në robëri, Jakobi do të ngazëllojë, Izraeli do të gëzohet.
12 Pastaj një shenjë e madhe u duk në qiell: një grua e veshur me diellin, dhe me hënën poshtë këmbëve të saj, dhe mbi krye të saj një kurorë me dymbëdhjetë yje.
2 Ishte shtatzënë e bërtiste nga dhembjet dhe mundimet e lindjes.
3 Dhe u duk një shenjë tjetër në qiell: dhe ja, një dragua i madh i kuq që kishte shtatë kokë dhe dhjetë brirë, dhe mbi kokat e tij kishte shtatë kurora.
4 Dhe bishti i tij tërhiqte pas vetes të tretën pjesë te yjeve të qiellit dhe i hodhi mbi tokë. Dhe dragoi qëndroi përpara gruas që ishte gati për të lindur, për të gllabëruar birin e saj kur ta kishte lindur.
5 Dhe ajo lindi një bir mashkull, i cili duhet të qeverisë gjithë kombet me skeptër të hekurt; dhe biri i saj u rrëmbye pranë Perëndisë dhe fronit të tij.
6 Dhe gruaja iku në shkretëtirë, ku kishte vend të përgatitur nga Perëndia, që të ushqehet atje një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.
37 Por ndërsa Jezusi po fliste, një farise e ftoi për drekë në shtëpinë e vet. Dhe ai hyri dhe u vendos në tryezë.
38 Fariseu e vuri re këtë dhe u mrekullua që Jezusit nuk lau para buke.
39 Dhe Zoti i tha: “Tani ju farisenjtë pastroni të jashtmen e kupës dhe të pjatës, ndërsa brendinë tuaj e keni plot me grabitje dhe ligësi.
40 Të pamend! Ai që bëri anën e jashtme, vallë nuk bëri edhe të brendshmen?
41 Por jepni si lëmoshë atë që është përbrenda, dhe çdo gjë do të jetë e pastër për ju.
42 Por mjerë ju, o farisenj! Sepse ju paguani të dhjetën e ryzës, të mendrës dhe të çdo barishteje, dhe pastaj lini pas dore drejtësinë dhe dashurinë e Perëndisë. Këto gjëra duhet t’i bënit, pa i lënë pas dore të tjerat.
43 Mjerë ju, o farisenj! Sepse ju e doni vendin e parë ndër sinagoga dhe përshëndetjet nëpër sheshe.
44 Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse jeni si varret që nuk shihen dhe njërëzit ecin sipër tyre, pa e ditur.”
45 Atëherë, duke u përgjigjur, një nga mësuesit e ligjit, i tha: “Mësues, duke folur kështu, ti po na fyen edhe ne.”
46 Dhe ai thoshte: “Mjerë edhe ju, o mësues të ligjit! Sepse i ngarkoni njerëzit me barrë që me vështirësi baren, dhe ju nuk i prekni ato barrë as edhe me një gisht.
47 Mjerë ju! Sepse ju ndërtuat varret e profetëve dhe etërit tuaj i patën vrarë ata.
48 Duke vepruar në këtë mënyrë, ju dëshmoni se i miratoni veprat e etërve tuaj; në fakt ata vranë profetët dhe ju ndërtoni varret e tyre.
49 Për këtë arsye edhe urtësia e Perëndisë tha: "Unë do t’u dërgoj profetë dhe apostuj, dhe ata do të vrasin disa prej tyre kurse të tjerët do t’i përndjekin,"
50 me qëllim që këtij brezi t’i kërkohet llogari për gjakun e të gjithë profetëve, i cili u derdh që nga krijimi i botës:
51 nga gjaku i Abelit deri te gjaku i Zakarias, që u vra ndërmjet altarit dhe tempullit; po, unë po ju them, se këtij brezi do t’i kërkohet llogari.
52 Mjerë ju, o mësues të ligjit! Sepse ju e morët çelësin e dijes; ju vetë nuk hytë dhe penguat hyrjen e atyre që po hynin.”