Book of Common Prayer
30 Do të të lëvdoj, o Zot, sepse ti më ngrite lart, dhe nuk i lejove armiqtë e mi të tallen me mua.
2 O Zot, Perëndia im, unë të kam klithur ty, dhe ti më ke shëruar.
3 O Zot, ti e ke nxjerrë shpirtin tim jashtë Sheolit, më ke mbajtur gjallë që të mos zbrisja në gropë.
4 I këndoni lavde Zotit, ju, shenjtorë të tij, dhe kremtoni shenjtërinë e tij,
5 sepse zemërimi im mban vetëm një çast, por mirësia e tij mban një jetë të tërë. Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.
6 Kur kisha bollëk thoja: "Unë nuk do të prekem kurrë".
7 O Zot, për hirin tënd e kishe fortësuar malin tim, ti e fshehe fytyrën tënde, dhe unë mbeta i trembur.
8 Unë të klitha ty, o Zot, iu luta fort Zotit,
9 duke thënë: "Çfarë dobie do të kesh nga gjaku im po të jetë se zbres në gropë? A mundet pluhuri të të kremtojë? A mundet ai të shpallë të vërtetën tënde?
10 Dëgjo, o Zot, dhe ki mëshirë për mua, o Zot, bëhu ti ndihma ime".
11 Ti e ke kthyer vajtimin tim në valle; ma ke hequr grethoren dhe më ke mbushur me gëzim,
12 me qëllim që shpirti im të mund të të këndojë lavdi pa pushim. O Zot, Perëndia im, unë do të të kremtoj përjetë.
32 Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen, ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin!
2 Lum ai njeri të cilin Zoti nuk e padit për paudhësi dhe në frymën e të cilit nuk ka vend mashtrimi.
3 Ndërsa po heshtja, kockat e mia treteshin midis rënkimeve që kisha tërë ditën.
4 Sepse ditë e natë dora jote rëndonte mbi mua, fuqia ime i përngjante thatësisë së verës. (Sela)
5 Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: "Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit," dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim. (Sela)
6 Prandaj çdo njeri i përshpirtshëm do të të thërrase në kohën që mund të gjendesh; edhe sikur ujërat e mëdha të vërshojnë, ato nuk do të arrijnë deri tek ai.
7 Ti je vendi im i strehimit, ti do të më ruash nga fatkeqësia, ti do të më rrethosh me këngë çlirimi. (Sela)
8 Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh; unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty.
9 Mos u bëni si kali dhe si mushka që nuk kanë mend, goja e të cilëve duhet të mbahet me fre dhe me kapistër, përndryshe nuk të afrohen.
10 Të shumta janë dhembjet e të pabesit, por ai që ka besim tek Zoti do të rrethohet nga mirësia e tij.
11 Gëzohuni tek Zoti dhe ngazëlloni, o njerëz të drejtë; lëshoni britma gëzimi, ju të gjithë, o njerëz me zemër të drejtë.
42 Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi.
2 Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?
3 Lotët e mia janë bërë ushqimi im ditë e natë, ndërsa më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".
4 Duke kujtuar këto gjëra, brenda vetes sime i jap shfrim të lirë shpirtit tim, sepse kisha zakon të shkoja me turmën, duke e udhëhequr në shtëpinë e Perëndisë, në mes të këngëve të gëzimit dhe të lëvdimit të një turme në festë.
5 Pse ligështohesh, o shpirti im, pse vajton brënda trupit tim? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma për çlirimin e pranisë së tij.
6 O Perëndia im, shpirti më është ligështuar përbrenda; prandaj më kujtohesh ti nga vendi i Jordanit dhe nga majat e Hermonit, nga mali i Mitsarit.
7 Një hon thërret një hon tjetër në zhurmën e ujërave të tua; të gjitha dallgët e tua dhe valët e tua kanë kaluar përmbi mua.
8 Ditën Zoti më jep mirësinë e tij, dhe natën i ngre atij një kantik, një lutje Perëndisë të jetës sime.
9 Unë do t’i them Perëndisë, kështjellës sime: "Pse më harrove? Pse endem i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?".
10 Kockat e mia po vuajnë për vdekje për shkak të fyerjeve nga ana e armive të mi, që më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".
11 Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon përbrenda meje? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma; ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.
43 Siguromë drejtësi, o Perëndi, dhe mbro çështjen time nga njerëzit e këqij; më çliro nga njeriu i rremë dhe i lig.
2 Mbasi ti je Perëndia që më jep forcë, pse më ke kthyer? Pse shkoj i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?
3 Dërgo dritën tënde dhe të vërtetën tënde; këto le të më udhëheqin dhe të më çojnë në malin tënd të shenjtë dhe në vendin e banesës sate.
4 Atëherë un do të vij tek altari i Perëndisë, te Perëndia, që është gëzimi im dhe kënaqësia ime; do të të kremtoj me qeste, o Perëndi, Perëndia im.
5 Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon brenda meje? Ki shpresë te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma, sepse ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.
10 Pastaj pashë një engjëll tjetër të fuqishëm që zbriste nga qielli, i mbështjellë në një re dhe me ylber mbi krye; dhe fytyra e tij ishte si diell dhe këmbët e tij si shtylla zjarri.
2 Ai kishte në dorë një libërth të hapur dhe vuri këmbën e tij të djathtë mbi det dhe të majtin mbi dhe,
3 dhe thirri me zë të madh si një luan që vrumbullon; dhe, si bërtiti, të shtatë bubullima bënë të dëgjohej ushtima e tyre.
4 Dhe kur të shtatë bubullimat bënë të dëgjohej ushtima e tyre, u gatita të shkruaj, por dëgjova një zë nga qielli që më thoshte: “Vulosi gjërat që thonin të shtatë bubullimat dhe mos i shkruaj.”
5 Atëherë engjëlli që unë pashë që rrinte në këmbë mbi det e mbi dhe, ngriti dorën e djathtë drejt qiellit,
6 dhe bëri be për atë që rron në shekuj të shekujve, që krijoi qiellin dhe gjërat që janë në të, tokën dhe gjërat që janë në të, detin dhe gjërat që janë në të, se nuk do të vonohet më.
7 por në ditët kur engjëlli i shtatë të bëjë të dëgjohet zëri i tij, kur ai t’i bjerë borisë do të zbatohet misteri i Perëndisë, ashtu si ai e ua shpalli shërbëtorëve të tij, profetëve.
8 Dhe zëri që kisha dëgjuar nga qielli më foli përsëri dhe tha: "Shko, merr libërthin e hapur që ndodhet në dorën e engjëllit që rri mbi det e mbi dhe".
9 Dhe shkova tek engjëlli dhe i thashë: “Më jep libërthin.” Dhe ai më tha: “Merre dhe gllabëroje atë dhe ai do ta hidhërojë të brëndëshmet e tua, por në gojën tënde do të jetë i ëmbël si mjaltë.”
10 Dhe e mora libërthin nga dora e engjëllit, dhe si e gllabërova; dhe ishte në gojën time i ëmbël si mjaltë; dhe, mbasi e gllabërova, barku im u hidhërua.
11 Dhe ai më tha: “Të duhet përsëri të profetizosh mbi shumë popuj, kombe, gjuhë dhe mbretër.”
11 Dhe ndodhi që ai ndodhej në një vend dhe lutej dhe, si mbaroi, një nga dishepujt e tij i tha: “Zot, na mëso të lutemi, ashtu siç i mësoi Gjoni dishepujt e vet.”
2 Dhe ai u tha: “Kur të luteni, thoni: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt si në qiell edhe në tokë.
3 Na jep çdo ditë bukën tonë të nevojshme.
4 Dhe na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë; dhe mos lejo të biem në tundim, por na shpëto nga i ligu".”
5 Pastaj u tha atyre: “A ka midis jush njeri që ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: "Mik, më jep hua tri bukë,
6 sepse më erdhi nga udha një miku im dhe unë s’kam çfarë t’i vë përpara";
7 dhe ai, nga brenda, duke u përgjigjur, i tha: "Mos më bezdis, dera është tashmë e mbyllur dhe fëmijët e mi ranë në shtrat me mua; nuk mund të çohem e të t’i jap"?
8 Unë po ju them se, edhe nëse nuk çohet t’ia japë sepse e ka mik, do të çohet gjithsesi për shkak të insistimit të tij dhe do t’i japë të gjitha bukët që i nevojiten.
9 Prandaj po ju them: Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju hapet.
10 Sepse kushdo që lyp, merr, kush kërkon, gjen dhe do t’i hapet atij që troket.
11 Dhe cili nga ju është baba i tillë që, po t’i kërkojë bukë djali, i jep një gur? Ose po t’i kërkojë një peshk, në vend të peshkut i jep një gjarpër?
12 Ose, po t’i kërkojë një vezë, i jep një akrep?
13 Nëse ju, pra, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj qiellor do t’u dhurojë Frymën e Shenjtë atyre që ia kërkojnë.”