Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:145-176

145 Unë bërtas me gjithë zemër; përgjigjmu, o Zot, dhe unë do të respektoj statutet e tua.

146 Unë të kërkoj; shpëtomë, dhe do të respektoj porositë e tua.

147 Unë zgjohem para agimit dhe bërtas; unë kam shpresë te fjala jote.

148 Sytë e mi paraprijnë natën për të menduar thellë fjalën tënde.

149 Dëgjo zërin tim sipas mirësisë sate; o Zot, gjallëromë sipas dekretit tënd të drejtë.

150 Kam afër vetes ata që ndjekin të keqen, por ata janë larg ligjit tënd.

151 Ti je afër, o Zot, dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta.

152 Prej shumë kohe kam mësuar urdhërimet e tua, të cilat i ke vendosur përjetë.

153 Merr parasysh pikëllimin tim dhe më çliro, sepse nuk e kam harruar ligjin tënd.

154 Mbro çështjen time dhe më shpengo; më gjallëro sipas fjalës sate.

155 Shpëtimi është larg nga të pabesët, sepse ata nuk kërkojnë statutet e tua.

156 Dhemshuritë e tua janë të mëdha, o Zot; më gjallëro sipas dekreteve të tua të drejta.

157 Persekutuesit e mi dhe armiqtë e mi janë të shumtë; por unë nuk largohem nga porositë e tua.

158 I pashë të pabesët dhe i urrej, sepse nuk respektojnë fjalën tënde.

159 Ki parasysh sa i dua urdhërimet e tua! O Zot, gjallëromë sipas mirësisë sate.

160 Shuma e fjalës sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e tua të drejta qëndrojnë përjetë.

161 Princat më përndjekin pa arësye, por zemra ime ka shumë frikë nga fjala jote.

162 Unë ndjej një gëzim të madh në fjalën tënde, ashtu si ai që gjen një plaçkë të madhe.

163 Urrej dhe s’e shoh dot me sy gënjeshtrën, por e dua ligjin tënd.

164 Të lëvdoj shtatë herë në ditë për dekretet e tua të drejta.

165 Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd, dhe nuk ka asgjë që mund t’i rrëzojë.

166 O Zot, unë shpresoj në shpëtimin tënd dhe i zbatoj në praktikë urdhërimet e tua.

167 Unë kam respektuar porositë e tua dhe i dua me të madhe.

168 Kam respektuar urdhërimet e tua dhe porositë e tua, sepse të gjitha rrugët janë para teje.

169 Le të arrijë deri te ti britma ime, o Zot; me jep mendja sipas fjalës sate.

170 Le të arrijë deri te ti lutja ime, çliromë sipas fjalës sate.

171 Buzët e mia do të përhapin lavde, me qëllim që ti të më mësosh statutet e tua.

172 Gjuha ime do të shpallë fjalën tënde, sepse tërë urdhërimet e tua janë të drejta.

173 Dora jote më ndihmoftë, sepse unë kam zgjedhur urdhërimet e tua.

174 Unë dëshiroj me zjarr shpëtimin tënd, o Zot, dhe ligji yt është gëzimi im.

175 Le të kem mundësi të jetoj që të të lëvdoj, dhe le të më ndihmojnë dekretet e tua.

176 Unë po endem si një dele e humbur. Kërko shërbëtorin tënd, sepse unë nuk i harroi urdhërimet e tua.

Psalmet 128-130

128 Lum kushdo që ka frikë nga Zoti dhe që ecën në rrugët tij.

Atëherë ti do të hash me mundin e duarve të tua, do të jesh i lumtur dhe do të gëzosh begatinë.

Gruaja jote do të jetë si një hardhi prodhimtare në intimitetin e shtëpisë sate, bijtë e tu si drurë ulliri rreth tryezës sate!

Ja, kështu do të bekohet njeriu që ka frikë nga Zoti.

Zoti të bekoftë nga Sioni dhe ti pafsh begatinë e Jeruzalemit tërë ditët e jetës sate.

Po, pafsh bijtë e bijve të tu. Paqja qoftë mbi Izraelin.

129 Shumë më kanë shtypur që në rininë time, le ta thotë Izraeli:

"Shumë më kanë shtypur qysh prej rinisë sime, por nuk kanë mundur të më mposhtin.

Lëruesit kanë lëruar mbi kurrizin tim dhe kanë bërë aty brazda të gjata".

Zoti është i drejtë; ai i preu litarët e të pabesëve.

U turpërofshin të gjithë dhe kthefshin krahët ata që urrejnë Sionin!

U bëfshin si bari i çative, që thahet para se të rritet;

nuk ia mbush dorën korrësit, as krahët atyre që lidhin duajt;

dhe kalimtarët mos thënçin: "Bekimi i Zotit qoftë mbi ju; ne ju bekojmë në emër të Zotit".

130 Nga vënde të thella unë të këllthas ty, o Zot.

O Zot, dëgjo klithmën time; veshët e tu dëgjofshin me vëmendje zërin e lutjeve të mia.

Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot?

Por te ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej teje.

Unë pres Zotin, shpirti im e pret; unë kam shpresë në fjalën e tij.

Shpirti im pret Zotin, më tepër se rojet mëngjesin; po, më tepër se rojet mëngjesin.

O Izrael, mbaj shpresa tek Zoti, sepse pranë tij ka dhemshuri dhe shpëtim të plotë.

Ai do ta çlirojë Izraelin nga të gjitha paudhësitë e tij.

Mikea 2

Mjerë ata që bluajnë në mendje paudhësi dhe projektojnë të keqen mbi shtretërit e tyre; në dritën e mëngjesit e kryejnë, sepse pushteti është në duart e tyre.

Dëshirojnë me të madhe arat dhe i marrin me dhunë, shtëpitë dhe i marrin; kështu shtypin me hile njeriun dhe shtëpinë e tij, individin dhe pronën e tij.

Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë po kurdis kundër këtij fisi një fatkeqësi, prej së cilës nuk mund të largoni qafën tuaj, as do të ecni me kokën lart, sepse do të jetë një kohë fatkeqësie.

Atë ditë do të dalë një proverb rreth jush, do të ngrenë një vajtim të zemërlënduar dhe do të thonë: "Jemi plotësisht të shkatërruar". Ai ka ndryshuar trashëgiminë e popullit tim. Ah, si ma mori! Arat tona ua shpërndau të pabesëve".

Prandaj nuk do të ketë më njeri që ta heqë litarin për ty, për të hedhur shortin në kuvendin e Zotit.

"Mos profetizoni," u thonë profetëve të tyre. Kështu ata nuk do të profetizojnë për këto gjëra, por nuk do ta largojnë turpin e tyre.

Éshtë thënë, o shtëpi e Jakobit: "A është i kufizuar Fryma e Zotit, apo këto janë veprat e tij? A nuk e bëjnë vallë rrezatues fjalët e mia atë që ec me ndershmëri?

Por kohët e fundit populli im ngriti krye si një armik; ju u merrni mantelin dhe rroben kalimtarëve që e ndjejnë veten të sigurt, atyre që kthehen nga lufta.

Ju i dëboni gratë e popullit tim nga shtëpitë tyre të mrekullueshme dhe u rrëmbeni për gjithnjë lavdinë time fëmijëve të tyre.

10 Çohuni dhe ikni, sepse ky nuk është një vend prehjeje; duke qenë i ndotur do t’ju shkatërroj me një shkatërrim të llahtarshëm.

11 Edhe sikur një njeri të ecte me një frymë falsiteti dhe të përhapte gënjeshtra, duke thënë: "Unë do të parathem për ty verë dhe pije dehëse," ai do të ishte një profet për këtë popull".

12 "Do të mbledh me siguri gjithçka, o Jakob, do të mbledh me siguri mbeturinën e Izraelit; do t’i vë bashkë si delet në një vathë, si një kope në mes të kullotës së vet; do të bëjnë një zhurmë të madhe për shkak të morisë së njerëzve.

13 Kush do të hapë të çarën, do të ngjitet para tyre; ata do të depërtojnë, do të kalojnë nga porta dhe prej saj kanë për të dalë; mbreti i tyre do të ecë para tyre dhe Zoti do të jetë në krye të tyre".

Veprat e Apostujve 23:23-35

23 Pastaj thirri dy centurionë dhe u tha: “Bëni gati që nga ora tre e natës dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind shtizëmbajtës, për të shkuar deri në Cezare.”

24 Dhe u tha të bëjnë gati kuajt që ta hipte Pali dhe ta çonin shëndoshë e mirë te qeveritari Feliks.

25 Ai shkroi një letër me këtë përmbajtje:

26 “Klaud Lisia, qeveritarit shumë të shkëlqyeshëm Feliks, shëndet.

27 Ky njeri ishte kapur nga Judenjtë që ishin gati ta vrisnin, kur ia mbërrita unë me ushtarët dhe e lirova, sepse mora vesh se ishte qytetar romak.

28 Dhe, duke dashur të di fajin për të cilin e akuzonin, e nxora para sinedrit të tyre.

29 Përfundova se e kishin akuzuar për çështje që lidheshin me ligjin e tyre dhe që ai nuk kishte asnjë faj që të meritonte vdekjen e as burgimin.

30 Dhe, kur më njoftuan për kurthin që Judenjtë i ngritën këtij njeriu, ta nisa menjëherë, duke u dhënë urdhër paditësve të parashtrojnë para teje ankimet që kanë kundër tij. Qofsh me shëndet!.”

31 Ushtarët, pra, sipas urdhrit të dhënë, morën në dorëzim Palin dhe e çuan natën në Antipatridë.

32 Të nesërmen, pasi ua lanë si detyrë kalorësve të shkojnë me të, u kthyen në fortesë.

33 Ata, pasi arritën në Cezare dhe ia dorëzuan letrën qeveritarit, i paraqitën edhe Palin.

34 Mbasi e lexoi letrën, qeveritari e pyeti Palin nga ç’krahinë ishte; dhe, kur mori vesh se ishte nga Kilikia,

35 i tha: “Unë do të të dëgjoj kur të mbrrijnë edhe paditësit e tu.” Dhe urdhëroi që ta ruanin në pretoriumin e Herodit.

Luka 7:18-35

18 Gjoni u informua prej dishepujve të vet për të gjitha këto gjëra.

19 Dhe Gjoni thirri pranë tij dy nga dishepujt e vet, i dërgoi te Jezusi për t’i thënë: “A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?.”

20 Këta njerëz, pra, shkuan te ai dhe i thanë: “Gjon Pagëzori na dërgoi te ti për të të thënë: "A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?".”

21 Dhe në atë orë Jezusi shëroi shumë veta nga sëmundjet, nga fatkeqësitë dhe nga frymërat e lig, dhe shumë të verbërve ua dhuroi të parit.

22 Dhe Jezusi duke u përgjegjur u tha atyre: “Shkoni dhe i thoni Gjonit ç’keni parë e dëgjuar: të verbërit fitojnë përsëri të parit, të çalët ecin, lebrozët po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ringjallen, dhe ungjilli u shpallet të varfërve.

23 I lumi ai që nuk do të skandalizohet prej meje!.”

24 Kur lajmëtarët e Gjonit u larguan, ai filloi t’u thotë turmave për Gjonin: “Ç’dolët të shihni në shkreti? Një kallam që e tund era?

25 Po, ç’dolët të shihni? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ja, ata që veshin rroba të shkëlqyera dhe jetojnë në bollëk banojnë në pallatet e mbretërve.

26 Por, ç’dolët të shihni? Një profet? Po, unë po ju them: akoma më shumë se një profet.

27 Ai është ai për të cilin u shkrua: "Ja, unë po dërgoj përpara fytyrës tënde lajmëtarin tim, që do ta përgatitë rrugën sate para teje".

28 Sepse unë po ju them që nga të lindurit prej gruaje nuk ka asnjë profet më të madh se Gjon Pagëzori; por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai.”

29 Dhe gjithë populli që e dëgjoi dhe tagrambledhësit e pranuan drejtësinë e Perëndisë dhe u pagëzuan me pagëzimin e Gjonit.

30 Por farisenjtë dhe mësuesit e ligjit e refuzuan planin e Perëndisë për ta dhe nuk u pagëzuan.

31 Atëherë Zoti tha: “Me çfarë t’i krahasoj, pra, njerëzit e këtij brezi? Dhe kujt i ngjajnë?

32 U ngjajnë fëmijëve që ulen ndër sheshe dhe i bërtasin njëri-tjetrit duke thënë: "Ne i kemi rënë fyellit për ju dhe ju nuk keni kërcyer; ne kemi kënduar vajtime për ju dhe ju nuk keni qarë".

33 Erdhi, pra, Gjon Pagëzori, që nuk ha bukë dhe as pi verë dhe ju thoni: Ai ka një demonn".

34 Erdhi Biri i njeriut që ha dhe pi, dhe ju thoni: "Ja grykësi dhe pijaneci, miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve".

35 Por urtisë i japin të drejtë gjithë bijtë e saj.”