Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 107:33-108:13

33 Ai i shndërroni lumenjtë në shkretëtirë dhe burimet e ujit në vende të thata;

34 tokën pjellore në vend të thatë për shkak të sjelljes së keqe të banorëve të saj.

35 Ai e shndërron shkretëtirën në liqen dhe tokën e thatë në burime uji.

36 Atje ai strehon të uriturit, dhe këta ndërtojnë një qytet për të banuar,

37 mbjellin arat dhe kultivojnë vreshta që prodhojnë një korrje të bollshme.

38 Ai i bekon dhe ata shumëzohen fort, dhe ai nuk e pakëson bagëtinë e tyre.

39 Por pastaj pakësohen në një numër të vogël dhe dobësohen për shkak të shtypjes, të fatkeqësisë dhe të ankthit.

40 Ai hedh përbuzjen mbi princat dhe i bën që të enden nëpër vende të shkreta, ku nuk ekziston asnjë rrugë.

41 Por e ngre nevojtarin nga varfëria dhe i shton familjet e tyre si një kope.

42 Njerëzit e drejtë e shohin këtë dhe kënaqen, por tërë njerëzit e këqij e mbajnë gojën të mbyllur.

43 Ai që është i urtë le t’i këqyrë këto gjëra dhe le të çmojë mirësinë e Zotit.

108 Zemra ime është e prirur për mirë, o Perëndi, unë do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e tua me gjithë forcën time.

Zgjohuni, o harpa dhe qeste, unë dua të zgjoj agimin.

Unë do të të kremtoj midis popujve, o Zot, dhe do të këndoj lëvdimet e tua midis kombeve.

Sepse mirësia jote është e madhe, arrin deri mbi qiejtë, dhe e vërteta jote deri te retë.

Qofsh i përlëvduar, o Perëndi, përmbi qiejtë dhe lavdia jote shkëlqeftë mbi gjithë tokën,

me qëllim që të dashurit e tu të çlirohen; shpëtomë me të djathtën tënde dhe përgjigjmu.

Perëndia ka folur në shenjtërinë e tij: "Unë do të triumfoj, do ta ndaj Sikemin dhe do të mas luginën e Sukothit.

Imi është Galaadi, imi është Manasi, Efraimi është forca e kokës sime, Juda është ligjvënësi im;

Moabi është legeni ku unë lahem; mbi Edomin do të hedh sandalen time, mbi Filisti do të dërgoj britma triumfi".

10 Kush do të më çojë në qytetin e fortë? Kush do të më çojë deri në Edom?

11 A nuk je ti, o Perëndi, që na ke kthyer, dhe nuk del më, o Perëndi, me ushtritë tona?

12 Na ndihmo ti kundër kundërshtarëve, sepse ndihma e njeriut është e kotë.

13 Me Perëndinë do të kryejmë trimëri, dhe do të jetë ai që do t’i shtypë armiqtë tanë.

Psalmet 33

33 Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti; lëvdimi u shkon për shtat njerëzve të drejtë.

Kremtojeni Zotin me qeste; këndojini atij me harpën me dhjetë tela.

Këndojini një kantik të ri, bjerini me mjeshtëri veglës dhe brohoritni.

Sepse fjala e Zotit është e drejtë dhe të gjithë veprat e tij janë bërë me saktësi.

Ai e do drejtësinë dhe barazinë; toka është e mbushur nga mirësitë e Zotit.

Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij.

Ai mblodhi ujërat në një tog dhe vendosi thellësitë e tyre të mëdha si rezervuare.

Tërë toka le të ketë frikë nga Zoti dhe le të dridhen para tij tërë banorët e botës.

Sepse ai foli dhe gjëja u bë; ai udhëroi dhe gjëja u shfaq.

10 Zoti e bën të dështojë planin e kombeve dhe asgjeson synimet e popujve.

11 Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez.

12 Lum ai komb që ka Perëndinë Zotin; lum populli që ai ka zgjedhur për trashëgim të tij.

13 Zoti shikon nga qielli; ai shikon tërë bijtë e njerëzve.

14 Nga vendi i banimit të tij ai këqyr tërë banorët e tokës.

15 Ai e ka formuar zemrën e të gjithëve, që kupton tërë veprat e tyre.

16 Mbreti nuk shpëtohet nga një ushtri e madhe; trimi nuk shpëton për shkak të forcës së tij të madhe.

17 Kali është një shpresë e kotë shpëtimi, dhe me forcën e tij të madhe nuk mund të shpëtojë asnjeri nga rreziku.

18 Ja, syri i Zotit është mbi ata që kanë frikë para tij, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,

19 për ta çliruar shpirtin e tyre nga vdekja dhe për t’i mbajtur të gjallë në kohë urie.

20 Shpirti ynë pret Zotin; ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë.

21 Po, zemra jonë do të gëzohet tek ai, sepse kemi besim, në emrin e tij të shenjtë.

22 Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sepse kemi pasur shpresë te ti.

Osea 11:1-9

11 "Kur Izraeli ishte fëmijë, unë e desha dhe nga Egjipti thirra birin tim.

Sa më shumë i thërrisnin profetët, aq më tepër janë larguar prej tyre, u kanë bërë flijime Baalëve dhe u kanë djegur temjan figurave të gdhendura.

Unë vetë i mësova Efraimit të ecë, duke e mbajtur nga krahët; por ata nuk e kuptuan që unë po i shëroja.

Unë i tërhiqja me litarë të dashamirësisë njerëzore, me lidhje dashurie; isha për ta si ai që e ngre zgjedhën nga qafa e tyre, dhe përulesha për t’u dhënë të hanë.

Izraeli nuk do të kthehet në vendin e Egjipti; por Asiri do të jetë mbreti i tij, sepse nuk kanë pranuar të konvertohen.

Shpata do të bjerë mbi qytetet e tij, do të shkatërrojë shufrat e tyre dhe do t’i hajë për shkak të planeve të tyre të këqija.

Populli im synon të largohet nga unë; megjithatë e thërresin Shumë të Lartin, asnjë prej tyre nuk e përlëvdon.

Si mund të të braktis, o Efraim, ose të të lë në dorë të të tjerëve, o Izrael? Si mund të të bëj si Admahu, ose të të katandis si Tseboimi? Zemra ime ngashërohet brenda meje, dhemshuria ime ndizet e tëra.

Nuk do ta shfryj zemërimin tim të zjarrtë, nuk do të shkatërroj përsëri Efraimin, sepse jam një Perëndi dhe jo një njeri, i Shenjti midis teje dhe nuk do të vij me zemërim.

Veprat e Apostujve 22:17-29

17 Dhe ndodhi që, kur u ktheva në Jeruzalem dhe isha duke u lutur në tempull, u rrëmbeva në ekstazë,

18 dhe pashë Zotin që më thoshte: "Nxito dhe dil shpejt nga Jeruzalemi, sepse ata nuk do ta pranojnë dëshminë tënde për mua".

19 Atëherë unë thashë: "O Zot, ata e dinë vetë se unë burgosja dhe rrihja nga një sinagogë te tjetra ata që besonin në ty;

20 kur u derdh gjaku i Stefanit, dëshmorit tënd, edhe unë isha i pranishëm, e miratoja vdekjen e tij dhe ruaja rrobat e atyre që e vrisnin.

21 Por ai më tha: "Shko, sepse unë do të të dërgoj larg midis johebrenjve".”

22 Ata e dëgjuan deri në këtë pikë; pastaj ngritën zërin duke thënë: “Hiqe nga bota një njeri të tillë, sepse nuk është i denjë të rrojë!.”

23 Duke qenë se ata bërtisnin, duke i flakur rrobat e duke ngritur pluhurin në erë,

24 kryemijësi urdhëroi ta çonin Palin në fortesë, duke urdhëruar që ta marrin në pyetje duke e rrahur me kamxhik, që të merrej vesh për çfarë arsye ata bërtisnin kështu kundër tij.

25 Por, kur e shtrinë, të lidhur me rripa, Pali i tha centurionit që ishte aty: “A është e ligjshme për ju të rrihni me kamxhik një qytetar romak, ende të pagjykuar?.”

26 Kur e dëgjoi, centurioni shkoi e i tregoi kryemijësit duke thënë: “Çfarë do të bësh? Ky njeri është një qytetar romak!.”

27 Atëherë kryemijësi shkoi te Pali dhe e pyeti: “Më thuaj, a je një qytetar romak?.” Ai tha: “Po, jam!.”

28 Kryemijësi u përgjigj: “Unë e kam fituar këtë qytetëri me një shumë të madhe.” Pali tha: “Kurse unë e kam qysh prej lindjes!.”

29 Menjëherë ata që duhet ta merrnin në pyetje u larguan prej tij; dhe vetë kryemijësi, kur mori vesh se ai ishte qytetar romak, pati frikë që e kishte lidhur.

Luka 6:27-38

27 Por unë po ju them juve që më dëgjoni: “T’i doni armiqtë tuaj; u bëni të mirë atyre që ju urrejnë.

28 Bekoni ata që ju mallkojnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë.

29 Nëse dikush të bie në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën; dhe atij që të merr mantelin, mos e pengo të të marrë edhe tunikën.

30 Jepi kujtdo që kërkon prej teje; dhe në se dikush merr gjënë tënde, mos kërko të ta kthejë.

31 Por, ashtu siç dëshironi që t’ju bëjnë juve njerëzit, po ashtu bëni me ta.

32 Por po t’i doni ata që ju duan, ç’meritë do të keni nga kjo? Sepse edhe mëkatarët i duan ata që i duan.

33 Dhe në se u bëni të mirë atyre që ju bëjnë të mirë, çfarë merite do të keni nga kjo? Të njëjtën gjë bëjnë edhe mëkatarët.

34 Dhe nëse u jepni hua atyre që shpresoni t’jua kthejnë, çfarë merite do të keni nga kjo? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që t’u kthehet aq sa dhanë.

35 Por ju t’i doni armiqtë tuaj, bëni të mirë dhe jepni hua pa pasur shpresë për asgjë, dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe ju do të jeni bijtë e Shumë të Lartit, sepse ai është mirëdashës me mos-mirënjohësit dhe të mbrapshtët.

36 Jini të mëshirshëm, pra, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm.

37 Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni; mos dënoni dhe nuk do të dënoheni; falni dhe do të jeni të falur.

38 Jepni dhe do t’ju jepet: një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese do t’ju derdhet në gji, sepse me atë masë që do të matni, do t’ju matet edhe juve gjithashtu.”