Book of Common Prayer
118 Kremtojeni Zotin sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Po, Izraeli le të thotë tani: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
3 Po, tani shtëpia e Aaronit le të thotë: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
4 Po, le të thonë tani ata që kanë frikë nga Zoti: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
5 Në ankth kërkova Zotin, dhe Zoti m’u përgjigj dhe më çoi larg.
6 Zoti është për mua; unë nuk do të kem fare frikë; çfarë mund të më bëjë njeriu?
7 Zoti është për mua nga ata që më ndihmojnë, dhe unë do t’i shikoj triumfues armiqtë e mi.
8 Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’i kesh besim njeriut.
9 Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’u kesh besim princave.
10 Tërë kombet më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t’i zhduk ato.
11 Më kishin rrethuar, po, më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj.
12 Më kishin rrethuar si bleta, por u shuan si zjarr ferrishtash; në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj.
13 Ti më kishe shtyrë me dhunë për të më rrëzuar, por Zoti më ndihmoi.
14 Zoti është forca ime dhe kënga ime, ai ka qenë shpëtimi im.
15 Një britmë gëzimi dhe fitoreje jehon në çadrat e të drejtëve; dora e djathtë e Zotit bën çudi.
16 E djathta e Zotit u ngrit; e djathta e Zotit bën çudi.
17 Unë nuk do të vdes, por do të jetoj dhe do të tregoj veprat e Zotit.
18 Zoti më ka ndëshkuar rëndë, por nuk më ka lënë në dorë të vdekjes.
19 Më hapni portat e drejtësisë; unë do të hyj dhe do të kremtoj Zotin.
20 Kjo është porta e Zotit, të drejtët do të kalojnë nëpër të.
21 Unë do të të kremtoj, sepse më je përgjigjur dhe ke qenë shpëtimi im.
22 Guri, që ndërtuesit kishin hedhur, u bë guri i qoshes.
23 Kjo është vepër e Zotit, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tona.
24 Kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe të ngazëllojmë në të.
25 O Zot, na ndihmo tani; o Zot, bëj që tani të kemi mbarësi.
26 I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit; ne ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
27 Zoti është Perëndia dhe ka bërë që mbi ne të shkëlqejë drita e tij; lidheni viktimën e flijimit në brirët e altarit.
28 Ti je Perëndia im, unë do të të kremtoj; ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj.
29 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
145 Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im, dhe do të bekoj emrin tënd përjetë.
2 Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë.
3 Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme.
4 Një brez do t’i shpallë lëvdimet e veprave të tua tjetrit dhe do t’i njoftojë mrekullitë e tua.
5 Do të mendohem thellë mbi shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe mbi veprat e tua të mrekullueshme.
6 Këto do të flasin për fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, dhe unë do të tregoj madhështinë tënde.
7 Ata do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe dhe do të këndojnë me gëzim drejtësinë tënde.
8 Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.
9 Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij.
10 Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot, dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë.
11 Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde,
12 për t’u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate.
13 Mbretëria jote është një mbretëri përjet dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.
14 Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar.
15 Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje duke pritur, dhe ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur.
16 Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qënieje të gjallë.
17 Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij.
18 Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë.
19 Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton.
20 Zoti mbron të gjithë ata që e duan dhe do të shkatërrojë të gjithë të pabesët.
21 Goja ime do të tregojë lëvdimin e Zotit, dhe çdo qënie do të bekojë emrin e tij të shenjtë përjetë.
4 "Megjithatë unë jam Zoti, Perëndia yt, që nga vendi i Egjiptit; ti nuk duhet të pranosh tjetër Perëndi veç meje dhe nuk ka tjetër Shpëtimtar jashtë meje.
5 Unë të njoha në shkretëtirë, në tokën e thatësirës së madhe.
6 Kur kishin kullotë, ngopeshin; kur ngopeshin, zemra e tyre krenohej; prandaj më kanë harruar.
7 Kështu unë do të jem për ta si një luan, do të rri në pritë mbi rrugë si leopard;
8 do t’i sulmoj si një arushë që ia kanë marrë këlyshët dhe t’u çaj kafazin e kraharorit; do t’i ha si një luaneshë, bishat e fushave do t’i shqyejnë.
9 Ti je shkatërruar, o Izrael, sepse je kundër meje, kundër ndihmës sate.
10 Ku është tani mbreti yt, që të mund të të shpëtojë në të gjitha qytetet e tua? Ku janë gjykatësit e tu për të cilët thoshje: "Nëm një mbret dhe disa krerë"?
11 Të kam dhënë një mbret në zemërimin tim dhe ta mora përsëri në tërbimin tim.
12 Paudhësia e Efraimit është mbyllur në vend të të sigurt, mëkati i tij mbahet i fshehur.
13 Dhembje grash që lindin do të vinë mbi të. Éshtë një bir pa mend, sepse nuk duhet të qëndrojë gjatë në vendin ku dalin fëmijët.
14 Unë do t’i shpengoj nga pushteti i Sheolit, do t’i shpëtoj nga vdekja. O vdekje, unë do të jem murtaja jote. O Sheol, unë do të jem shkatërrimi yt. Pendimi është fshehur nga sytë e mi.
6 Dhe ne flasim dituri në mes njerëzish të pjekur, por jo diturinë e kësaj kohe dhe as të pushtetarëve të kësaj kohe, që nuk arrin asgjë,
7 por flasim diturinë e Perëndisë të fshehur në mister, që Perëndia e kishte paracaktuar përpara kohërash për lavdinë tonë,
8 të cilën asnjë nga pushtetarët e kësaj kohe nuk e ka njohur; sepse, po ta kishin njohur, nuk do të kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë.
9 Por, sikurse është shkruar: “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë.”
10 Po Perëndia na i ka zbuluar me anë të Frymës së tij, sepse Fryma heton çdo gjë, edhe të thellat e Perëndisë.
11 Sepse cili nga njerëzit, pra, njeh gjërat e njeriut, përveç se fryma e njeriut që është në të? Po kështu asnjëri s’i njeh gjërat e Perëndisë, përveç Fryma e Perëndisë.
12 Dhe ne nuk kemi marrë frymën e botës, por Frymën që vjen nga Perëndia, që të njohim gjërat që na janë dhuruar falas nga Perëndia.
13 Për këto edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë, duke i krahasuar gjëra frymërore me fjalë frymërore.
14 Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht.
15 Por njeriu që është frymëror gjykon çdo gjë dhe vetë nuk është i gjykuar nga asnjeri.
16 Sepse kush e ka njohur mendjen e Zotit që mund të mësojë atë? Por ne kemi mendjen e Krishtit.
14 Në atë kohë Herodi, tetrarku, mori vesh famën e Jezusit,
2 dhe u tha shërbëtorëve të vet: “Ky është Gjon Pagëzori; ai u ngjall së vdekuri dhe prandaj fuqitë e mbinatyrshme veprojnë në të.”
3 Herodi, në fakt, e kishte arrestuar Gjonin, i kishte hedhur prangat dhe e kishte futur në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet.
4 Sepse Gjoni i thoshte: “Nuk është e lejueshme të bashkëjetosh me të!.”
5 Dhe, ndonëse donte ta vriste, Herodi kishte frikë nga populli që e konsideronte Gjonin profet.
6 Kur po festohej ditëlindja e Herodit, e bija e Herodiadës vallëzoi përpara tij dhe i pëlqeu Herodit
7 aq shumë, sa ai i premtoi asaj me betim se do t’i jepte çfarëdo që t’i kërkonte.
8 Dhe ajo, e shtyrë nga e ëma, tha: “Ma jep këtu, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit.”
9 Mbretit i erdhi keq, po për shkak të betimit dhe të ftuarve që ishin me të në tryezë, urdhëroi që t’ia japin.
10 Kështu dërgoi dikë për t’i prerë kokën Gjon Pagëzorit në burg;
11 dhe kokën e tij e prunë mbi një pjatë dhe ia dhanë vajzës; ajo ia çoi s’ëmës.
12 Pastaj erdhën dishepujt e tij, e morën trupin dhe e varrosën, mandej ata shkuan dhe ia treguan ngjarjen Jezusit.