Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 31

31 Gjeta strehë te ti, o Zot; bëj që unë të mos ngatërrohem kurrë; çliromë për drejtësinë tënde.

Ma vër veshin, nxito të më çlirosh; bëhu për mua një kështjellë e fortë dhe një vend i fortifikuar që të më shpëtosh.

Sepse ti je kështjella ime dhe kalaja ime; për hir të emrit tënd më udhëhiq dhe tregomë udhën.

Nxirrmë jashtë rrjetës që më kanë ngritur fshehurazi, sepse ti je kështjella ime.

Në duart e tua unë e besoj frymën time; ti më shpengove, o Zot, Perëndi e së vërtetës.

Unë i urrej ata që kanë dëshirë për t’u dukur, por kam besim te Zoti.

Unë do të ngazëlloj dhe do të kënaqem me mirësinë tënde, sepse ti ke parë pikëllimin tim dhe i ke kuptuar ankthet e shpirtit tim,

dhe nuk më dorëzove në duart e armikut, por m’i vure këmbët në një vend të gjerë.

Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse jam me ankth; syri im, shpirti im dhe të përbrendshmet e mia po treten nga dhembja,

10 sepse jeta ime po mpaket nga pikëllimi dhe vitet e mia nga të qarat; forca ime po mpaket për shkak të mëkatit tim dhe kockat e mia po treten.

11 Jam bërë një turp për tërë armiqtë e mi, veçanërisht për të afërmit e mi dhe një tmer për të njohurit e mi; ata që më shohin rrugës, ikin larg meje.

12 Zemra e tyre më ka harruar si të isha një njeri i vdekur; i përngjaj një vazoje të thyer.

13 Sepse dëgjoi shpifjet e shumë njerëzve; rreth e qark sundon tmerri, ndërsa ata këshillohen midis tyre kundër meje dhe kurdisin komplote për të më zhdukur.

14 Por unë kam besim te ti, o Zot; kam thënë: "Ti je Perëndia im".

15 Ditët e mia janë në dorën tëndë; çliromë nga duart e armiqve të mi dhe të atyre që më përndjekin.

16 Bëj që të shkelqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd; shpëtomë për hir të mirësisë sate.

17 O Zot, bëj që unë të mos jem i pështjelluar, pse të kam kërkuar; u pështjellofshin të pabesët dhe rënçin në heshtje në Sheol.

18 Mbeçin pa fjalë buzët gënjeshtare, që flasin pa turp kundër të drejtit, me mëndjemadhësi dhe përçmim.

19 Sa e madhe është mirësia jote që ti u rezervon atyre që kanë frikë nga ti, dhe që ti përdor në prani të bijve të njerëzve ndaj atyre që gjejnë strehë te ti!

20 Ti i fsheh në strehën e fshehtë të pranisë sate nga grackat e njerëzve, ti i ruan në një çadër të mbrojtur nga grindjet me fjalë.

21 Qoftë i bekuar Zoti, sepse më është treguar shumë dashamirës, duke më vendosur si në një vend të fortifikuar.

22 Kurse unë, në hutimin tim, thoja: "Më kanë larguar nga prania jote"; por ti dëgjove zërin e lutjeve të mia kur të klitha ty.

23 Duajeni Zotin, ju, gjithë shenjtorë të tij! Zoti i mbron besnikët dhe i shpaguan gjerësisht ata që veprojnë me kryelartësi.

24 Qofshi të fortë, mbarë ju që shpresoni tek Zoti, dhe ai do ta bëjë të patundur zemrën tuaj.

Psalmet 35

35 O Zot, përleshu me ata që përleshen me mua; lufto me ata që luftojnë kundër meje.

Merr mburojën dhe parzmoren dhe çohu të më ndihmosh.

Nxirre shtizën dhe zëru rrugën atyre që më përndjekin; thuaji shpirtit tim: "Unë jam shpëtimi yt".

Mbetshin të shushatur dhe të turpëruar ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe mbetshin të shushatur ata që kurdisin të keqen kundër meje.

U shpërndafshin si byku nga era dhe engjëlli i Zotit i dëboftë.

Qoftë rruga e tyre e errët dhe me shkarje, dhe Engjëlli i Zotit i përndjektë.

Sepse pa pasur arsye më kanë ngritur fshehurazi rrjetën e tyre; pa pasur arsye ma kanë hapur gropën.

Një shkatërrim i papritur u rëntë mbi krye, i zëntë rrjeta që kanë fshehur dhe rënçin në gropën që kanë përgatitur për shkatërimin tim.

Atëherë shpirti im do të ngazëllejë tek Zoti dhe do të gëzohet për shpëtimin e tij.

10 Të gjitha kockat e mia do të thonë: "O Zot, kush është si ti, që e çliron të mjerin nga ai që është më i fortë se ai, të mjerin dhe nevojtarin nga ai që plaçkit?".

11 Dëshmitarë të pamëshirshëm ngrihen kundër meje dhe më pyesin për gjëra për të cilat unë nuk di asgjë.

12 Të mirën e shpërblejnë me të keqen, duke e lënë kështu të pangushëlluar jetën time.

13 Megjithatë, kur ishin të sëmurë, unë vesha grathoren dhe e mundova shpirtin tim me agjerim, dhe lutesha me kokën e përkulur mbi gjoks.

14 Shkoja rreth e rrotull, sikur të ishte fjala për një shok o për vëllanë tim; shkoja fort i kërrusur nga dhembja, ashtu si një njeri që mban zi për të ëmën.

15 Por kur u pengova, ata u gëzuan dhe u mblodhën bashkë; u mblodhën kundër meje disa shpifës, të cilët nuk i njihja; më kanë shqyer pa pushim.

16 Bashkë me disa palaço zemërkatranë kërcëllijnë dhëmbët kundër meje.

17 O Zot, deri kur do të vazhdosh të shikosh? Shpëto jetën time nga shkatërrimet e kurdisura prej tyre, të vetmen pasuri që kam nga dhëmbët e luanëve.

18 Unë do të të kremtoj në kuvendin e madh, do të lavdëroj në mes të një populli të shumtë.

19 Mos u gëzofshin me mua ata që pa hak më janë bërë armiq, mos e shkelshin syrin ata që më urrejnë pa arsye,

20 sepse nuk flasin kurrë për paqe, por kurdisin mashtrime kundër njerëzve paqësorë të vendit.

21 Po, e hapin gojën e tyre kundër meje dhe thonë: "Ah, ah! E kemi parë me sytë tanë".

22 O Zot, ti i ke parë këto gjëra, mos hesht; o Zot, mos u largo nga unë.

23 Zgjohu dhe çohu, për të më siguruar drejtësi dhe për të mbrojtur çështjen time, o Perëndi dhe Zoti im.

24 Gjykomë sipas drejtësisë sate, o Zot, Perëndia im, dhe bëj ata të mos kënaqen me mua,

25 dhe të mos thonë në zemër të tyre: "Ah, pikërisht ashtu siç e donim"; dhe të mos thonë: "E gëlltitëm".

26 U turpërofshin dhe u pështjellofshin gjihë ata që gezohen nga e keqja ime; u mbulofshin me turp dhe me fyerje ata që ekzaltohen kundër meje.

27 Këndofshin dhe gëzofshin ata që kanë në zemër çështjen time të drejtë dhe thënçin vazhdimisht: "Lëvduar qoftë Zoti, që e do paqen e shërbëtorit të tij".

28 Gjuha ime do të kremojë drejtësinë tënde dhe do të këndojë lëvdimin tënd tërë ditën.

Error: Book name not found: Sir for the version: Albanian Bible
Zbulesa 9:13-21

13 Dhe i gjashti engjëll i ra borisë, dhe dëgjova një zë nga të katër brirët e altarit të artë që është përpara Perëndisë,

14 që i thoshte engjëllit të gjashtë që kishte borinë: “Zgjidh të katër engjëjt që janë të lidhur në Lumin e madh, Eufratin.”

15 Atëherë të katër engjëjt, që ishin përgatitur për atë orë, ditë, muaj dhe vit, u zgjidhën që të vrasin të tretën pjesë të njerëzve.

16 Dhe numri i ushtarëve të kalorësisë ishte dyqind milion: dhe unë e dëgjova numrin e tyre.

17 Dhe kështu unë pashë në vegim kuajt dhe ata që i kalëronin; ata kishin parzmore ngjyrë zjarri, hiacinti dhe squfuri; dhe kokat e kuajve ishin si koka luanësh dhe nga gojët e tyre dilte zjarr, tym dhe squfur.

18 Nga këto të tri plagë u vra e treta e njerëzve, nga zjarri e nga tymi e nga squfuri, që dilnin nga gojët e tyre.

19 Sepse pushteti i tyre në fakt ishte në gojën e tyre dhe në bishtrat e tyre; sepse bishtrat e tyre ishin të ngjashëm me gjarpërinj, që kanë koka dhe me anë të tyre dëmtonin.

20 Dhe njerëzit e tjerë, ata që nuk u vranë nga këto plagë, nuk u penduan nga veprat e duarve të tyre që të mos nderojnë demonët dhe idhujt prej ari, argjendi, bronzi, guri dhe druri, që nuk mund të shohin, as të dëgjojnë, as të ecin;

21 dhe ata nuk u penduan nga vrasjet e tyre, as nga magjia e tyre, as nga kurvërimi i tyre dhe as nga vjedhjet e tyre.

Luka 10:38-42

38 Ndodhi që, ndërsa ata po udhëtonin, Jezusi hyri në një fshat; dhe një grua, që e kishte emrin Marta, e priti në shtëpinë e vet.

39 Ajo kishte një motër që quhej Mari, e cila u ul te këmbët e Jezusit dhe dëgjonte fjalën e tij.

40 Por Marta, që ishte krejt e zënë nga punët e shumta, iu afrua dhe i tha: “Zot, a nuk të intereson që ime motër më la vetëm të shërbej? I thuaj, pra, të më ndihmojë.”

41 Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: “Martë, Martë, ti po shqetësohesh dhe kujdesesh për shumë gjëra;

42 por vetëm një gjë është e nevojshme, dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t’i hiqet.”