Revised Common Lectionary (Complementary)
43 Siguromë drejtësi, o Perëndi, dhe mbro çështjen time nga njerëzit e këqij; më çliro nga njeriu i rremë dhe i lig.
2 Mbasi ti je Perëndia që më jep forcë, pse më ke kthyer? Pse shkoj i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?
3 Dërgo dritën tënde dhe të vërtetën tënde; këto le të më udhëheqin dhe të më çojnë në malin tënd të shenjtë dhe në vendin e banesës sate.
4 Atëherë un do të vij tek altari i Perëndisë, te Perëndia, që është gëzimi im dhe kënaqësia ime; do të të kremtoj me qeste, o Perëndi, Perëndia im.
5 Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon brenda meje? Ki shpresë te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma, sepse ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.
27 Një njeri i Perëndisë erdhi tek Eli dhe i tha: "Kështu flet Zoti: A nuk u shfaqa në shtëpinë e atit tënd, kur në Egjipt ata ishin skllevër të shtëpisë së Faraonit?
28 Nuk e kam zgjedhur unë midis gjithë fiseve të Izraelit, që të jetë prifti im, të ngjitet te altari im, të djegë temjanin dhe të veshë efodin para meje? Dhe a nuk kam qenë unë ai që i dha shtëpisë së atit tënd tërë flijimet e djegura të bijve të Izraelit të bëra me zjarr?
29 Pse pra i përçmoni flijimet dhe blatimet e mia që kam urdhëruar të bëhen në banesën time, dhe pse nderoni më tepër fëmijët tuaj se mua, duke u trashur me pjesën më të mirë të blatimeve të Izraelit, të popullit tim?
30 Prandaj kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë kisha shpallur që shtëpia jote dhe shtëpia e atit tënd do të kishin ecur gjithnjë para meje, por tani Zoti thotë: Qoftë larg meje kjo gjë; sepse unë nderoj ata që më nderojnë, por ata që më përçmojnë do të përçmohen gjithashtu nga ana ime.
31 Ja, po vijnë ditët kur unë do të shkatërroj forcën tënde dhe forcën e shtëpisë së atit tënd në mënyrë që të mos ketë më asnjë plak në shtëpinë tënde.
32 Dhe ke për të parë mjerimin e banesës sime, ndonëse dhe Perëndia i ka bërë aq të mira Izraelit, nuk do të ketë kurrë më asnjë plak në shtëpinë tënde.
33 Por ai nga të tutë që nuk kam për të hequr nga altari im do të konsumojë sytë e tu dhe do ta mbushë me trishtim zemrën tënde; dhe tërë pasardhësit e shtëpisë sate do të vdesin në lulen e rinisë.
34 Do të të shërbejë si shenjë ajo që ka për t’u ndodhur dy bijve të tu, Hofnit dhe Finehasit; që të dy do të vdesin në të njëjtën ditë.
35 Por unë do të zgjedh për vete një prift besnik, që ka për të vepruar simbas asaj që ndjej në zemrën dhe në shpirtin tim; unë do t’i ndërtoj një shtëpi të qendrueshme, dhe ai ka për të ecur gjithmonë para të vajosurit tim.
36 Dhe kushdo që ka për të mbetur në shtëpinë tënde do të vijë të përulet para tij për një monedhë argjendi dhe një copë buke, dhe do të thotë: "Më prano, të lutem, në një nga detyrat priftërore, që të mund të ha një copë bukë"".
17 Ja, ti quhesh Jude, bazohesh mbi ligjin dhe lëvdohesh në Perëndinë,
18 njeh vullnetin e tij dhe dallon gjërat e rëndësishme, duke qenë i mësuar prej ligjit,
19 dhe je i bindur se je prijësi i të verbërve, drita e atyre që janë në errësirë,
20 udhëzues i të marrëve, mësues i të miturve, sepse ke formën e njohurisë dhe të së vërtetës në ligj.
21 Ti, pra, që mëson të tjerët, nuk mëson veten? Ti që predikon se nuk duhet vjedhur, vjedh?
22 Ti që thua se nuk duhet shkelur kurora, shkel kurorën? Ti që ke neveri për idhujt, pse i plaçkit tempujt?
23 Ti që lëvdohesh me ligjin, e çnderon Perëndinë duke e shkelur ligjin?
24 Në fakt, siç është shkruar: “Për shkakun tuaj, emri i Perëndisë blasfemohet ndër johebrenj.”
25 Sepse rrethprerja është e dobishme në qoftë se ti respekton ligjin, por në qoftë se je shkelës i ligjit, rrethprerja jote bëhet mosrrethprerje.
26 Prandaj në qoftë se një i parrethprerë respekton statutet e ligjit, a nuk do të çmohet parrethprerja e tij si rrethprerje?
27 Dhe, në qoftë se ai që prej natyrës është i parrethprerë e plotëson ligjin, a nuk do të të gjykojë ai ty që me shkronjën dhe me rrethprerjen je shkelës i ligjit?
28 Në fakt Jude nuk është ai që duket i tillë nga jashtë, dhe rrethprerja nuk është ajo që duket në mish;
29 por Jude është ai që është i tillë përbrenda, dhe rrethprerja është ajo e zemrës, në frymë dhe jo në shkronjë; dhe për një Jude të tillë lavdërimi nuk buron nga njerëzit, por nga Perëndia.