Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 80:7-15

O Perëndi i ushtrive, na përtëri forcat tona; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë përsëri dhe do të shpëtojmë.

Ti çove jashtë Egjiptit një hardhi; i dëbove kombet dhe e mbolle.

Ti e pastrove dheun para saj dhe ajo lëshoi rrënjë dhe e mbushi dheun.

10 Malet u mbuluan nga hija e saj dhe kedrat e Perëndisë me degët e saj.

11 I zgjati degët e saj deri në det dhe llastarët deri te lumi.

12 Pse i prishe gjerdhet e saj dhe kështu tërë kalimtarët kanë mundësi të korrin frytet e saj?

13 Derri i egër i pyllit e shkreton dhe egërsirat e fushës kullotin aty.

14 O Perëndi i ushtrive, të lutemi kthehu; shiko nga qielli, vështro dhe vizito këtë vresht

15 dhe drurët që mbolli e djathta jote dhe filizin që e ke forcuar për ty.

Jeremia 6:1-10

"O bij të Beniaminit, kërkoni një strehë jashtë Jeruzalemit. I bini borisë në Tekoa dhe ngrini një sinjal zjarri në Beth-kerem, sepse nga veriu po vjen një gjëmë, një shkatërrim i madh.

Unë do ta shkatërroj bijën e bukur dhe delikate të Sionit.

Në drejtim të saj vijnë barinj me kopetë e tyre; ngrenë çadrat e tyre rreth e qark kundër saj; secili kullot për veten e tij.

Përgatitni luftën kundër saj; çohuni dhe le të dalim në mes të ditës! Mjerë ne, sepse dita po kalon dhe hijet e mbrëmjes po zgjaten!

Çohuni dhe të dalim natën, të shkatërrojmë pallatet e tij!".

Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Prisni drurët e tij dhe ndërtoni një ledh kundër Jeruzalemit; ky është qyteti që duhet ndëshkuar; në mes të tij nuk ka veçse shtypje.

Ashtu si një pus nxjerr ujërat e tij, kështu ai nxjerr ligësinë e vet; në të flitet vetëm për dhunë dhe për shkatërrim; para meje qëndrojnë vazhdimisht dhembje dhe plagë.

Lejo të të korrigjojnë, o Jeruzalem, përndryshe shpirti im do të largohet nga ti, përndryshe do të të katandis në një shkretim, në një tokë të pabanuar".

Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ata që kanë mbetur nga Izraeli do të mblidhen si vilet e pavjela të një vreshti; kaloje përsëri dorën tënde si vjelësi mbi degëzat e hardhisë.

10 Kujt do t’i flas dhe cilin do të qortoj që të më dëgjojë? Ja, veshi i tyre është i parrethprerë dhe ata nuk janë të zotë të tregojnë kujdes; ja, fjala e Zotit është bërë për ta objekt përçmimi dhe ata nuk gjejnë tek ajo asnjë kënaqësi.

Gjoni 7:40-52

40 Shumë veta nga turma, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshnin: “Ky është me të vërtetë Profeti!.”

41 Të tjerë thoshnin: “Ky është Krishti.” Kurse të tjerë thoshnin: “Vallë nga Galilea vjen Krishti?

42 A nuk thotë Shkrimi se Krishti vjen nga pasardhja e Davidit dhe nga Bethlehemi, fshati ku jetonte Davidi?.”

43 Kështu pati përçarje në turmë për shkak të tij.

44 Dhe disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të.

45 Atëherë rojet u kthyen te krerët e priftërinjve dhe te farisenjtë, dhe këta u thanë atyre: “Pse nuk e sollët?.”

46 Rojet u përgjigjen: “Asnjeri nuk ka folur kurrë si ai njeri.”

47 Prandaj farisenjtë iu përgjigjën atyre: “Mos u gënjyet edhe ju?

48 Mos vallë ndonjë nga krerët ose nga farisenjtë besoi në të?

49 Por kjo turmë, që nuk e njeh ligjin, është e mallkuar.”

50 Nikodemi, një prej tyre, i cili natën kishte shkuar te Jezusi, u tha atyre:

51 “Ligji ynë dënon vallë një njeri para se ta ketë dëgjuar dhe ta dijë ç’ka bërë ai?.”

52 Ata u përgjigjën dhe i thanë: “Mos je edhe ti nga Galilea? Hulumto Shkrimet dhe do të shohësh se nga Galilea s’ka dalë kurrë profet.”