Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:41-48

41 Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate.

42 Kështu do të mund t’i përgjigjem atij që më fyen, sepse kam besim te fjala jote.

43 Mos hiq plotësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse unë kam shpresë te dekretet e tua.

44 Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë.

45 Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua.

46 Do të flas për porositë e tua para mbretërve dhe nuk do të turpërohem.

47 Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua.

48 Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua.

Ligji i Përtërirë 10:10-22

10 Unë mbeta në mal dyzet ditë e dyzet net me radhë si herën e parë; Zoti më dëgjoi edhe këtë herë dhe nuk pranoi të të shkatërrojë.

11 Atëherë Zoti më tha: "Çohu, nis rrugën në krye të popullit, që ata të futen e të pushtojnë vendin që jam betuar t’u jap etërve të tyre".

12 Dhe tani, o Izrael, çfarë kërkon nga ti Zoti, Perëndia yt? Të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, të ecësh në tërë rrugët e tij, ta duash dhe t’i shërbesh Zotit, Perëndisë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt,

13 dhe të respektosh për të mirën tënde të gjitha urdhërimet dhe statutet e Zotit që sot të urdhëroj.

14 Ja, Zotit, Perëndisë tënd, i përkasin qiejtë, qiejtë e qiejve, toka dhe gjithçka ajo përmban;

15 por Zoti u fali dashurinë e tij vetëm etërve të tu dhe i deshi ata; dhe mbas tyre midis tërë popujve zgjodhi pasardhësit e tyre, domethënë ju, ashtu siç po ndodh sot.

16 Prandaj do të rrethpritni prepucin e zemrës suaj dhe nuk do ta fortësoni më qafën tuaj;

17 sepse Zoti, Perëndia juaj, është Perëndia i perëndive, Zotëria i zotërive, Perëndia i madh, i fortë dhe i tmerrshëm që nuk është fare i anshëm dhe nuk pranon dhurata,

18 që u siguron drejtësi jetimëve dhe të vejave, që e do të huajin dhe i jep bukë dhe veshje.

19 Duajeni, pra, të huajin, sepse edhe ju ishit të huaj në vendin e Egjiptit.

20 Do të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, do t’i shërbesh atij, do të jesh lidhur ngushtë me të dhe do të betohesh me emrin e tij.

21 Ai është lavdia jote, ai është Perëndia yt, që ka bërë për ty ato gjëra të mëdha dhe të tmershme që sytë e tua i kanë parë.

22 Etërit e tu zbritën në Egjipt në një numër që nuk i kapërxente të shtatëdhjetë personat; dhe tani Zoti, Perëndia yt, të ka shumëzuar si yjet e qiellit".

Jakobit 2:14-26

14 Ç’dobi ka, vëllezër të mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi?

15 Dhe në qoftë se një vëlla ose një motër janë të zhveshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm,

16 dhe dikush nga ju u thothë atyre: “Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni,” dhe nuk u jepni atyre gjërat për të cilat kanë nevojë për trupin, ç’dobi ka?

17 Po kështu është edhe besimi; në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete.

18 Po dikush do të thotë: “Ti ke besimin, dhe unë kam veprat”; më trego besimin tënd pa veprat e tua dhe unë do të të tregoj besimin tim me veprat e mia.

19 Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen.

20 Po, a dëshiron të kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra është i vdekur?

21 Abrahami, ati ynë, a nuk u shfajësua me anë të veprave, kur e ofroi birin e vet, Isakun, mbi altar?

22 Ti e sheh se besimi vepronte bashkë me veprat e tij, dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos.

23 Kështu u përmbush Shkrimi, që thotë: “Edhe Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi”; dhe u quajt miku i Perëndisë.

24 Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi.

25 Gjithashtu a nuk u shfajësua edhe Rahabi, lavirja, nga veprat, kur i priti të dërguarit dhe i përcolli nga një udhë tjetër?

26 Sepse, sikurse trupi pa frymën është i vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur.