Revised Common Lectionary (Complementary)
98 Këndojini Zotit një himn të ri sepse ka bërë mrekulli; dora e tij e djathtë dhe krahu i tij i shenjtë i kanë siguruar shpëtimin.
2 Zoti ka bërë të njohur shpëtimin e tij dhe ka shprehur drejtësinë e tij përpara kombeve.
3 Ai ka mbajtur mend mirësinë e tij dhe besnikërinë e tij për shtëpinë e Izraelit; të tëra skajet e tokës kanë parë shpëtimin e Perëndisë tonë.
4 Dërgojini britma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës, shpërtheni në këngë gëzimi, ngazëlloni dhe këndoni lavde.
5 Këndojini lavde Zotit me qeste, me qesten dhe me zërin e këngës.
6 Dërgoni britma gëzimi me boritë dhe me zërin e bririt përpara Zotit, Mbretit.
7 Le të zhurmojë deti dhe gjithçka ndodhet në të, bota dhe banorët e saj.
8 Lumenjtë le të rrahin duart dhe malet le të ngazëllohen tok nga gëzimi përpara Zotit,
9 sepse ai vjen të gjykojë tokën; ai do të gjykojë botën me drejtësi dhe popujt me paanësi.
3 Mbreti Nebukadnetsar urdhëroi të ndërtohet një figurë prej ari, e lartë gjashtëdhjetë kubitë dhe e gjerë gjashtë kubitë, dhe e ngriti në fushën e Duras, në krahinën e Babilonisë.
2 Pastaj mbreti Nebukadnetsar dërgoi njerëz të mbledhin satrapët, prefektët, qeveritarët, gjykatësit, nëpunësit e thesarit, këshilltarët e shtetit, ekspertët e ligjit dhe tërë autoritetet e krahinave, me qëllim që të vinin në përurimin e figurës që mbreti Nebukadnetsar kishte ngritur.
3 Atëherë satrapët, prefektët dhe qeveritarët, gjykatësit, nëpunësit e thesarit, këshilltarët e shtetit, ekspertët e ligjit dhe tërë autoritetet e krahinave u mblodhën bashkë për përurimin e figurës që kishte ngritur mbreti Nebukadnetsar, dhe qëndruan në këmbë përpara figurës që Nebukadnetsari kishte ngritur.
4 Pastaj kasneci thirri me zë të lartë: "Juve, popuj, kombe dhe gjuhë, ju jepet urdhër që,
5 sapo të dëgjoni zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit, të gajdes dhe të çdo lloji vegle, të bini përmbys për të adhuruar figurën prej ari që ka ngritur mbreti Nebukadnetsar;
6 kushdo që nuk do të bjerë përmbys për të adhuruar, do të hidhet menjëherë në mes të një furre zjarri përvëlues".
7 Kështu, me të dëgjuar tërë popujt zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit dhe të çdo lloji vegle, tërë popujt, kombet dhe gjuhët ranë përmbys dhe adhuruan figurën e artë, që mbreti Nebukadnetsar kishte ngritur.
8 Për këtë arësye në atë çast, disa Kaldeas dolën dhe paditën Judejtë;
9 duke marrë fjalën, i thanë mbretit Nebukadnetsar: "O mbret, jetofsh për jetë!
10 Ti, o mbret, ke nxjerrë një dekret, në bazë të të cilit kushdo që ka dëgjuar zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit, të gajdes dhe të çdo lloji vegle duhet të bjerë përmbys për të adhuruar figurën e artë;
11 dhe ai që nuk bie përmbys dhe nuk adhuron, duhet të hidhet në mes të një furre me zjarr përvëlues.
12 Por ka disa Judej që i ke vënë në krye të administrimit të punëve të krahinës së Babilonisë, Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego, që nuk kanë asnjë konsideratë për ty; nuk u shërbejnë perëndive të tua dhe nuk adhurojnë figurën e artë që ti ke ngritur".
13 Atëherë Nebukadnetsari, i zemëruar dhe i tërbuar, urdhëroi që të sillnin Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon; kështu këta njerëz u çuan para mbretit.
14 Nebukadnetsari u drejtoi atyre fjalën, duke thënë: "Shadrak, Meshak dhe Abed-nego, a është e vërtetë që nuk u shërbeni perëndive të mia dhe nuk adhuroni figurën e artë që unë kam ngritur?
15 Tani, posa të dëgjoni zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit, të gajdes dhe të çdo lloj vegle, në rast se jeni gati të bini përmbys për të adhuruar figurën që unë kam bërë, mirë; por në rast se nuk do ta adhuroni, do t’ju hedhin menjëherë në mes të një furre të ndezur; dhe cila ështe ajo perëndi që do të mund t’ju çlirojë nga duart e mia?
16 Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego iu përgjigjën mbretit, duke thënë: "O Nebukadnetsar, ne nuk kemi nevojë të të japim përgjigje lidhur me këtë.
17 Ja, Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra e ndezur, dhe do të na çlirojë nga dora jote, o mbret.
18 Por edhe sikur të mos e bënte, dije, o mbret, që ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do të adhurojmë figurën e artë që ti ke ngritur".
18 Edhe pas këtyre pashë një engjëll tjetër që zbriste nga qielli, që kishte pushtet të madh; dhe dheu u ndriçua nga lavdia e tij.
2 Ai bërtiti me forcë dhe me zë të madh, duke thënë: “Ra, ra Babilona e madhja, dhe u bë vendbanimi i demonëve, dhe streha e çdo fryme të ndyrë, dhe streha e çdo shpendi të ndyrë dhe neveritshëm.
3 Sepse nga vera e mërisë së kurvërimit të saj kanë pirë të gjitha kombet, dhe mbretërit e dheut me të u kurvëruan, dhe tregtarët e dheut u pasuruan për shkak të luksit të saj të shfrenuar.”
4 Pastaj dëgjova një zë tjetër nga qielli, duke thënë: “Dilni prej saj, o populli im, që të mos bëheni pjestarë të mëkateve të saj, dhe të mos merrni nga plagët e saj,
5 sepse mëkatet e saj janë grumbulluar dhe kanë arritur deri në qiell, dhe Perëndia kujtoi paudhësitë e saj.
6 Shpërblejani atë që ajo ju ka bërë juve, përkundrazi, shpërblejani dyfish sipas veprave të saj; në kupën që ajo derdhi derdhini dyfishin.
7 Në masën që u vetlavdërua ajo dhe shfreu në epshe, në atë masë i jepni asaj mundim dhe brenga, sepse ajo në zemër të vet thotë: "Unë rri posi mbretëreshë, e ve nuk jam dhe brengë nuk do të shoh".
8 Prandaj në një ditë të vetme do të vijnë plagët e saj: vdekja, vaji dhe zia e bukës; edhe do të digjet krejt në zjarr, sepse i fuqishëm është Zoti Perëndia, ai që e gjykon atë.”
9 Dhe do ta qajnë atë dhe do të vajtojnë për të mbretërit e dheut, ata që u kurvëruan me të dhe u dhanë pas epsheve me të, kur të shohin tymin e zjarrit të saj;
10 ata do të qëndrojnë larg nga frika e mundimit të saj, duke thënë: “Mjerë, mjerë Babilona, qyteti i madh, qyteti i fuqishëm, sepse në një moment erdhi gjyqi yt!.”
19 Dhe do të hedhin pluhur mbi kryet, do të bërtasin, duke qarë e duke vajtuar, duke thënë: “Ah! Ah! Qyteti i madh, në të cilën u pasuruan të gjithë ata që kishin anije në det nga mrekullia e saj, sepse për një moment u shkretua!
20 Gëzohu përmbi të, o qiell, dhe ju apostuj të shenjtë dhe profetë, sepse Perëndia duke e gjykuar vuri në vend drejtësinë.”